Koço Broka – Ekonomist
Rënia e bujqësisë, industrisë dhe tani stanjacioni i turizmit, dëshmojnë se ekonomia shqiptare vuan edhe nga menaxhimi i ekonomisë. Në këtë rafsh emërimi i duhur i Ministrit të Financave apo Ekonomisë, që të mos mjaftohen duke trumbetuar vetëm arritjet, por me një këndvështrim holistik t’i japin zgjidhje si problemeve afatshkurta dhe sidomos atyre afatgjata, është një sfidë konkrete në zgjedhjen e Qeverisë së re.
Ritmi i rritjes të të ardhurave buxhetore për muajin korrik 2025, është nga më të lartit gjatë vitit 2025 me përjashtim të muajit janar, ku ritmi i rritjes të të ardhurave buxhetore ka qënë më i lartë. Kjo mund të shihet qartë në grafikun nr 1.
Grafiku Nr 1.

Si duket edhe nga pamja grafike, në muajin korrik 2025, të ardhurat buxhetore janë rritur ndaj të njëjtit muaj, në nivelin 12.1 %, nga 18.5 % në muajin janar dhe -2.9 % në muajin prill.
Me një ritëm të tillë, ritmi mesatar i rritjes të të ardhurave buxhetore për periudhën janar-korrik 2025, ndaj së njëjtës periudhë të vitit të kaluar ka rezultuar 7.5%, nga një ritëm rritje prej 6.6 % parashikuar për gjithë vitin 2025 ndaj vitit 2024. Pra kemi të bëjmë me një ritëm të kënaqshëm e të mirë, të rritjes si gjatë periudhës janar- korrik e sidomos gjatë muajit Korrik. Ky është një lajm i mirë sidomos për pensionistët, që mezi presin të mësojnë se sa do të jetë ritmi i rritjes të pensioneve më 1 Tetor 2025?! Kjo edhe për faktin se gjatë muajit janar-korrik 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar shtesa e të ardhurave buxhetore gjithsej ka qënë 30 miliard lekë. Ku janë drejtuar dhe ku duhet të drejtohen ato, në investime, apo dhe në rritjen e të ardhurave të pensionistëve sidomos atyre me të ardhura minimale!?
Në një ecuri të tillë të të ardhurave buxhetore, kanë ndikuar rritja e produktit të brendshëm bruto e ndikuar nga ana e vet nga rritja e kreditit bankar, rritja e investimeve-shpenzimeve kapitale, ndaj së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, rritja e konsumit të karburantit dhe niveli i lartë i zhdoganimit të automjeteve pamvarësisht nga rënia e numurit të tyre krahasuar me vitin paraardhës. Një faktor i fuqishëm ka qënë pa dyshim rritja e pagave në sektorin publik, gjatë periudhës, gusht 2024-korrik 2025. Pra faktorët janë kompleksë, me kahe të ndryshme dhe disa prej tyre jo të qëndrueshëm.
Me një ritëm rritje të shpenzimeve të pagave në sektorin publik, gjatë periudhës janar-korrik 2025 në nivelin e 19.4 %, është mundësuar një ritëm i lartë rritje të kontributit të sigurimeve shoqërore si në këtë sektorin public, por edhe në tërësi për gjithë të ardhurat e kontributit të sigurimeve shoqërore, të cilat kanë qënë respektivisht 20,8 % dhe 12.8%. Ndërkohë me rritjen relativisht të lartë të pagave në sektorin publik në kushtet e nivelit progresiv të tatimit mbi të ardhurat, ka rezultuar që të Ardhurat nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale të rriten 26.5%.
Në këtë rafsh në rritjen e të ardhurave buxhetore për gjatë gjithë periudhës janar-korrik kanë ndikuar pozitivisht ritmi i lartë i rritjes të kreditit bankar dhe ai i shpenzimeve kapitale.
Këto të fundit si 7 mujor janë rritur 25 %, ndërsa në korrik 40 %, ndaj periudhave të njëjta përkatëse të vitit të kaluar. Me gjithë ritmin shumë të lartë të parashikuar për rritjen e investimeve në vitin 2025 ndaj realizimit faktit të vitit 2024, prej rreth 40-41 %, dhe financimit të tij nëpërmjet rritjes të deficitit buxhetor dhe borxhit është e pritshme që ky faktor të mos jetë në këto nivele, në muajt në vazhdim sidomos në ato të fund vitit duke u reflektuar në rritjen e të ardhurave buxhetore gjithsej. Në lidhjen e ndërsjelltë të qëndrueshme midis investimeve dhe të ardhurave buxhetore kryesorja është rritja e eficencës si të investimeve ashtu dhe shprenzimeve të tjera.
Në rritjen e kënaqshme e të mirë, të të ardhurave buxhetore, gjatë periudhës 7 mujore është edhe efekti i kreditit dhe stokut të kreditit bankar që mund të shihet qartë në grafikun Nr 2
Grafiku Nr 2.

Në qershor 2025 stoku i kreditit bankar (ato të korrikut nuk kanë dalë ende) rezulton 893 miliard lekë, me një shtesë që ka qënë e vazhdueshme, prej 57 miliard lekë krahasuar me dhjetorin 2024, ose një ritëm rritje brenda një viti (qershor 2024) prej 12.1 %. Ky nivel relativisht i lartë i kreditit bankar shndrohet e përkthehet në një rritje të produktit të brendshëm bruto dhe rritje të TVSH bruto e për rrjedhojë në rritje të të ardhurave buxhetore.
Niveli i importit të mallrave për 7 mujorin rezultoi 515 miliard lekë, nga 526 miliard lekë që ka qënë ai në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Po kështu ka ndodhur dhe për muajin korrik ku importi i mallrave ka qënë më i vogël se sa ai i korrikut të vitit 2024. Në këto kushte dhe në stancaionin e zgjatur të importit të mallrave dhe rënien e tyre dy tre vitet e fundit, ka qënë dhe është e pritshme që dhe të ardhurat doganore në tërësi, të ishin më të ulta se sa vitin e kaluar. Por në fakt nuk ka ndodhur kështu.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, të Ardhurat Doganore për periudhën janar –korrik 2025, kanë qënë 4.4% më të larta se se sa ato në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dhe 9.1 në muajin korrik 2025 ndaj atij të 2024.. Kjo se ritmi i rritjes të të ardhurave nga mallrat e akcizës ka qënë më i lartë respektivisht 11.8% dhe 14.8 % dhe për rrjedhojë në kushtet e produktivitet fiscal, është vënë re një prirje e ndryshme nga ajo e tregëtisë së mallrave. Rritja e nivelit te zhdoganimit të madh të automjeteve vitin e kaluar, por edhe këtë vit, si shprehje e mirëqënies të shtresave të ndryshme të shoqërisë sonë ka ndikuar pozitivisht në rritjen e konsumit të karburantit.
Në ecurinë e mirë të të ardhurave doganore ka ndikuar rritja e nivelit të zhdoganimit të karburantit si për periudhën janar-korrik në tërësi dhe shtesa e tij në korrik 2025, por veçanërisht niveli i zhdoganimit të cigareve në muajin korrik 2025.
Mjafton të mbahet parasysh se shtesa e zhdoganimit të karburanteve gjatë 7 mujorit Janar- Korrik 2025 ndaj së njëjtës periudhë ka qënë 49,442 ton karburant më tepër ose me një rritje prej 13.5 %.
Ndërkohë nëse në tërësi për këtë periudhë janar-korrik zhdoganimi i cigareve ka qënë më i ulët, në fakt, në muajin korrik 2025 zhdoganimi i tyre ka qënë 403 ton nga 338 ton në muajin korrik 2024, ose me një shtesë prej 64 ton ose një rritje prej 19 % .
Ndërkohë në rritjen e të ardhurave si 7 mujor ka ndikimin e vet dhe niveli i mosrimbursimit të TVSH. Pamvarësisht përmirësimit të këtij treguesi muajt e fundit, në fakt, ndërsa TVSH bruto është shtuar me 6.3 miliar lekë ose një rritje prej 4.6 % , në fakt TVSH e rimbursuar paraqitet rreth 1.8 miliard lekë më pak ose vetëm sa 88 % e nivelit të TVSH të rimbursuar në vitin 2024. Për rrjedhojë si rezultat i zbatimit të ligjit, rimbursimi i TVSH, në muajt në vijim zbatimi i kësaj mase të duhur ligjore. do reflektohet në pakësimin përkatës të TVSH neto.
Ndërkohë është e nevojshme të mbahet parasysh se pas rënies së bujqësisë dhe industrisë në vitet e fundit, sivjet po vihet re dhe ngecja e turizmit rritja e të cilit po shkon drejt zeros drejt stanacionit.
Mjafton të mbahet parasysh se sipas të dhënëvë të INSTAT për “Lëvizjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj”, rezulton se hyrjet e të huajve në Shqipëri, janë dukshëm më të vogla se sa ato të shtetasve shqiptarë, dhe njëkohësisht në një nivel mjaft të ulët.
Tabela Nr 1
| Lëvizjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në mijë persona. | ||||||
| Periudha | Korrik 2024 | Korrik 2025 | Ndryshimi vjetor ne % | Janar-Korrik 2024 | Janar-Korrik 2025 | Ndryshimi vjetor ne % |
| Hyrje gjithsej | 2624.2 | 2663 | 1,5 | 10713 | 11261 | 5,1 |
| Shqiptarë | 806 | 837.5 | 3,9 | 4350.9 | 4673.8 | 7,4 |
| Të Huaj | 1818.4 | 1825 | 0,4 | 6362 | 6587 | 3,5 |
Nga të dhënat e tabelës Nr 1, rezulton se ndërsa hyrjet e shqiptarëve në muajin korrik 2025 kanë pësuar një rritje prej 3.9 % të huajt kanë një rritje vetëm prej 0.4 % , ndërsa për periudhën 7 mujore janar- korrik, hyrjet e shqiptarëve jane rritur me 7.4 % ato të të huajve kanë qënë 3.5 %.
Por fakti se në muajin korrik 2025, rritja e hyrjes të të huajve ka qënë vetëm 0.4 % ose vetëm 7 mijë vetë, dëshmon se shtesa e hyrjeve të turistëve po shkon drejt zeros. Për të patur një ide më të qartë ia vlen te mbahet parasysh se shtesa e turistëve për periudhën janar-korrik 2025, ka qënë vetëm 225 persona, krahasuar me atë vitin 2024. Se çfarë përfaqëson kjo mjafton të krahasohet me shtesën e numurit të turistëve në vitet paraadhëse për të njëtën periudhë . Shih Grafiku Nr 2
Grafiku Nr 2

Secili le t’i vështrojë me vemendje shifrat dhe të nxjerrë konkluzionet e veta. Këmbana ra.
Efektet e rritjes se çmimeve në turizëm pa shërbimin përkatës, kanë dhënë tashmë efektet e veta. Kjo shërben dhe duhet të shërbejë si një llambë e kuqe si për organet shtetërore, por dhe për vetë biznesin e punonjësit e shërbimeve turistike.
Treguesit e të ardhurave buxhetore në muajt në vijim, nga ana tjetër do të nxjerrin në pah më mirë mangësitë dhe dobësitë e ekonomisë sonë dhe menaxhimit të saj.
Rënia e bujqësisë, industrisë dhe tani stanjacioni i turizmit, dëshmojnë se ekonomia shqiptare vuan edhe nga menaxhimi i ekonomisë. Në këtë rafsh emërimi i duhur i Ministrit të Financave apo Ekonomisë, që të mos mjaftohen duke trumbetuar vetëm arritjet, por me një këndvështrim holistic t’i japin zgjidhje si problemeve afatshkurta dhe sidomos atyre afatgjata, është një sfidë konkrete për kryeministrin e vendit zotin Edi Rama në zgjedhjen e Qeverisë së re.
Nëse deri tani po mendohet se mungesat e rritjes së duhur dhe të qëndrueshme të të ardhurave buxhetore dhe ecurisë së ekonomisë, shikohen të kompesohet me rritjen e dyshemesë të tatimit mbi ndërtesat, apo tarifat e sigurimit nga tërmeti, manovrat për tatimin e të ardhurave mbi ndërtesat, kjo do të thotë se financat dhe Kryeministri po presin degët dhe rrënjët ku mbështet dhe zhvillimi i ekonomisë dhe mirëqënies të shqiptarëve. Personalisht kam bindjen se me shtimin edhe të stanjacionit të turizmit, përkeqësimin e pritshëm të raportit të punësuar /pensionistë, duke filluar që nga të dhënat fiskale të gushtit e gjatë këtij e më pas, ato po i bien këmbanës të disa presidentëve amerikanë që duhet të dëgjojë sidomos kryeministri ynë:- “It’s the economy, stupid”





















