Klodi Stralla: Si mund të ruhet më mirë stabiliteti (Paqja): Kur ka mes “Të mëdhenjve”- Etat tampon (zona neutrale), apo kur ata janë kufitarë mes tyre?

Në të Drejtën Ndërkombëtare me termin “Etat tampon” cilësohen disa shtete të vegjël, të vendosur midis dy ose më shumë shteteve më të mëdhenj dhe më të fuqishëm se ato, të cilët rivalizojnë me njëri-tjetrin se kush prej tyre do të jetë më influenti mbi ato. Prania e këtyre shteteve të vegjël, përgjithësisht jo funksionale (me konflikte të brendshme, etnike e kulturore), bëhen burim sherri mes më të mëdhenjve dhe historikisht kanë shkaktuar luftra të përgjakshme, bile botërore.

Përjashtim nga ky rregull në Europë bën Zvicra për arsye që tashmë dihen, duke ruajtur neutralitetin në të dy luftrat botërore të shek.20-të. Të tillë e ëndërronin Shqipërinë edhe Rilindasit tanë, që edhe ajo, në letër, u pranua si shtet neutral nga më të mëdhenjtë (1913).

Sigal

Historia ka treguar se stabiliteti dhe paqja ruhen më mirë kur “Të Mëdhenjtë” janë kufitarë me njëri-tjetrin se sa kur ata kufizohen me shtete të vegjël, jo funksionalë – Etat tampon. Në prag të Luftës të Parë botërore (1914), popujt e Europës qëndrore, jetonin nën tre Dinasti perandorake, të Habzburgëve (Austro-Hungaria), Romanovëve (Rusia) dhe Hohenzollernve (Gjermania), tre Fuqi të Mëdha që duhet të mateshin mirë para se të luftonin me njëra-tjetrën, për shkak të orekseve të tyre për t’i kontrolluar këto vende.

Krijimi pas Luftës (1918) i Polonisë, Çekosllovakisë, Finlandës, Vendeve Balltike, reduktimi drastik i Hungarisë dhe zgjerimi artificial i Rumanisë, përfshinë në territoret e këtyre shteteve popuj me besime, tradita dhe kultura të ndryshme, shpesh armiqësore me njëra-tjetrën. Kështu krahina të tilla historike me identitet të spikatur gjuhësor e kulturore, si Ruthenia, Galicia, Banati, Transillvania etj u ndanë mes shteteve të reja multikulturore, që u krijuan artificialisht nga Anglia dhe sidomos Franca (Traktati i Versajës) për të kufizuar influencën e Gjermanisë të mundur në Lindje. Kjo provokoi Luftën e Dytë Botërore, ku Hitleri synoi të mbyllte “Kutinë e Pandorës” që hapi Lufta e Parë me parimin ëilsonian të “vetvendosjes të kombeve”. Atë që s’mundi ta bëjë ai, sepse e humbi luftën, e bënë SHBA-të dhe BRSS-ja e Stalinit, duke e ndarë Europën e pasluftës sipas “Perdes të Hekurt”, midis NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, një zgjidhje stabilizuese që zgjati një gjysmë shekulli.

Vitet ’90-të, me shpërbërjen e ish Bllokut lindor sovjetik, e hapën përsëri këtë “Kuti të Pandorës” të këtij Rajoni shumë delikat, ku përfshihet edhe Ballkani ynë me shpërbërjen e ish Jugosllavisë, një hapësirë ku nuk përkojnë kufijtë shtetërorë me përbërjet etike, fetare dhe kulturore të popujve të tyre. Një shembull i tillë, par-exellece, është edhe Ukraina, një shtet me konflik të brendshëm, që për mëse 3 vjet është në një luftë shkatërimtare me fqinjin e saj të madh – Rusinë e Putinit.

Si mund të rivendoset stabiliteti? Sipas meje jo duke krijuar një brez neutral – Etat tampon, midis NATO-s dhe Rusisë, siç kërkon Rusia, por duke e ndarë atë dhe duke qenë kështu kufitarë mes tyre. Ku do të vendoset vija ndarëse? Mbase Dniepri, lumi që ndan Ukrainën në mënyrë natyrale dhe qytetërimore, midis pjesës perëndimore të saj, pro NATO-s dhe BE-së, dhe pjesës lindore ruso-ortodokse, do të ishte zgjidhja më e mençur.