Klodi Stralla: Shqipëria dhe Kosova – “monedhë këmbimi”

100
Sigal

Gjatë viteve të L2B deri në 1948, fati i Shqipërisë u lidh me atë të Jugosllavisë. Kominterni (lexo Stalini) i trasmetonte Titos mesazhin se, për sa kohë ai do të ishte i dëgjueshëm ndaj Moskës, Shqipëria do të ishte e tija, qoftë e aneksuar si republikë e 7-të e saj, qoftë e asociuar me ekonominë jugosllave. Ishte Tito ai që parapëlqeu të luante me dy porta, edhe me Perëndimin edhe me Lindjen, gjë që e zemëroi shumë Stalinin (Tito e njihte mirë natyrën kriminale të Stalinit që, nëse do të bëhej vasal i bindur i tij, herët a vonë, mund të pësonte fatin e bullgarit Dhimitrov, të helmuar). Enveri dhe, bashkë me të, Shqipëria e vogël, ishin në këtë mes një “monedhë këmbimi” në pazaret Tito-Stalin, që, siç tregoi koha, ndërroi dorë nga Beogradi në Moskë, për rreth 12-13 vjet, vetëm se Tito nuk iu bind Stalinit. Ndërsa Enveri ruajti pushtetin e tij, duke fajësuar Koxi Xoxen me kompani, si agjentë titistë. Por le ta lemë pas të shkuarën dhe t’i kthehemi realitetit të sotëm. -Sot askush s’ka mëdyshje që Edi Rama dhe PS-ja kanë një “licencë” amerikane për ta qeverisur gjatë Shqipërinë. Këtë e tregojnë të gjitha sjelljet e tyre të deritanishme. – Që Edi Rama është flamurtar i të ashtuquajturit “Ballkan i hapur”, ku detyrimisht Serbia do të ketë përfitimet më të mëdha, si vend më i madh, edhe ky është një fakt i njohur Nëse marrim vetëm këto dy premisa si të vërteta (deri më sot ato vërtetohen nga shumë sjellje të tyre), rezulton se Amerikanët nuk janë kundra “Ballkanit të hapur”, përndryshe do ta kundërshtonin atë, gjë që nuk e kanë bërë.

Këtu hyn, sipas meje, e vërteta e tretë: – Perëndimi, por sidomos Amerika, i kërkojnë Serbisë të pozicionohet, të shkëputet nga ndikimi lindor i Moskës, si parakusht që t’i bashkëngjitet BE-së dhe, për këtë, janë gati t’i ofrojnë si trofe Kosovën dhe Shqipërinë, si treg ekonomik dhe dalje në detin Adriatik, përmes mekanizmit te “Ballkanit të hapur”. Serbët, nga përvoja e gjatë historike e tyre, që nga shtetformimi, e kanë thuajse të pamundur t’i prishin marrëdhëniet me Rusinë, aq më tepër që ajo u është gjendur, si diplomatikisht ashtu edhe ekonomikisht e ushtarakisht, disa herë gjatë dy shekujve të fundit. Por edhe nevoja ekonomike për t’iu bashkangjitur BE-së është e madhe.

Pra janë në dilemë: – Nga do t’ia mbajnë? – Me Edi Ramën dhe PS-në në Tiranë serbët japin përshtypjen se janë politikanë me vizione perëndimore, për bashkëpunim rajonal dhe integrim europjan, nga ana tjetër vazhdojnë të armatosen intensivisht nga Moska për një ditë të favorshme që edhe mund t’iu vijë, për të rimarrë ato që kanë humbur pas ’90-ës.

– Opozita aktuale, ndonëse bën retorikë nacionaliste, jo vetëm s’ka fuqi ta ndryshojë realitetin, por, ka gjasa, që më shumë e përdor për nevoja faktorizimi në politikë, e tronditur rëndë nga ngjarjet brenda PD-së. Rezolutat për gjenocidin serb në Kosovë, të para 20 vjetëve më parë, kur ishte në pushtet (2005-2013) mund t’i kishte miratuar nëse do të donte. I vetmi “gur shahu” që s’ka asnjë orientim jemi ne, shteti shqiptar dhe sigurisht edhe Kosova, që përdoremi si “monedha këmbimi” në politikat e Fuqive të mëdha për influenca rajonale, ndërsa klasa politike e këtyre tre dekadave, këtej dhe andej kufirit, me këtë lloj roli “prostitute politike”, vazhdon të ruajë pushtetin dhe privilegjet si në kohët osmane.

Terma si “integrimi europjan” apo “aleati strategjik” i ka vetëm si mbulesa demagogjike, si opium për popullin e vet. Deri tani, për tre dekada, ia ka dale për bukuri, të shohim më tej…. Gjithçka do të varet se çfarë zgjedhje do të bëjë Serbia; kjo do të përcaktojë edhe fatin tonë të ardhshëm ekzistencial.