Kirurgun Halo Kërraj nuk e kujtojnë vetëm te Spitali Ushtarak…

1977
Sigal

Kristo MËRTIRI

-Përsiatje nga cikli “Antiharresa“-

Sot e kësaj dite, në këmbët e malit të Gribës ku merr frymë krahina e Lopsit të Tepelenës, në Matohasanaj, Sinanaj, Dorëz, Dhëmblan e Lap-Martalloz, mund të kuvendosh e të dëgjosh mjaft rrëfime gjurmëlënëse në histori. Rrëfime nga vendalinj që u ka lezet fjala, puna e ndershme, këngët e vajet, miqësia dhe dashuria për njëri-tjetrin, besnikëria e atdhetaria prushndezur përballë Lirisë e Demokracisë së vërtetë. Të thjeshtë e modestë gjer në adhurim, aspak fodullë e mburravecë. Kushdo që e ka merituar respektin dhe nderimin e banorëve të kësaj krahine, nuk e ka hedhur kurrë pas krahëve mirënjohjen e thellë njerëzore nëpër udhët e shtigjet e jetës. Për shembull, që nga rinia ime e hershme, unë ruaj ende të gjalla mbresat nga im at, kur binte fjala për miqtë e tij të çmuar në trevën e Lopsit. Kujtoj me mall rilindësin e fundit të Gjuhës Shqipe në Tepelenë, Mësuesin e Popullit, Murat Koçia; burrin e mençur Islam Raiti, organizatorin e drejtuesin e talentuar që rrëmbente zemrat e çdo traktoristi, mekanizatori e agronomi në Krahës, Kurvelesh, Buz, Dragot e Dukaj; luftëtarin e paepur Mehdi Axhemi; pishtarin e diturisë në udhëtimin dinjitoz të disa brezave si mësues, Dino Islamin e rrallë etj., etj. Por këto ditë nëntori e sidomos në fshatin Matohasanaj, pranë tij dhe kudo ku i ka hedhur puna e jeta, kujtimet drithëruese sikur ndizen vetiu. Dhe jo rastësisht shpalosin copëza plot krenari, dhembshuri e antiharresë tepër njerëzore edhe për Doktorin e Shkencave Mjekësore, të paharruarin kirurg ushtarak, Halo Kërraj. Rrodhën 5 vjet nga dita që ai mbylli sytë përgjithmonë dhe iku në paqe me veten e të tjerët.

Iku me faqe të bardhë, po edhe me pengje e plagë. Ndoshta të vetmet plagë që nuk i shëroi dot plotësisht, ashtu siç bëri me shumë pacientë nëpër Shqipërinë tonë…Pak ditë më parë, tepelenasit e Vlorës me në krye Moisiun zemërbehar, më ndezën emocione jo të vogla në Pallatin e Kulturës “ Labëria “. Dhe as vetëm mua, por tërë pjesëmarrësve të shumtë në atë veprimtari të shënuar. Vetë vlonjatët i mirëkuptuan dhe i përgëzuan me zemër. Të nesërmen, Asim Hyska me bashkëpatriotët e mi të veçantë (Paraardhësit e tyre të ndritur, 98 e 75 vjet më parë (1920 – 1943), pritën, përcollën e u rreshtuan me heroin popullor Selam Musa Salaria dhe mbi dy dekada më vonë vrapuan prapë për në Mavrovë e Drashovicë. Atje ku gjunjëzuan fashistët italianë e nazistët gjermanë!…),nuk heshtën për shokun, mikun e vëllain e tyre Halo. Madje gati mu lutën për të përgatitur e shkruar diçka në mediat e metropolit, në Tiranën ku shërbeu një jetë në roje të jetës së Njeriut. Sa qe gjallë, në Spitalin Ushtarak e jashtë tij, fare pak e dinin që ai mbante emrin e dëshmorit Halo Ismaili, “rënë heroikisht në luftë me andartët grekë në 1914”. Emër që i ushqente shpesh edhe zjarrin e pashuar të atdhedashurisë… Përfytyroni një fëmijë motak në Matohasanaj, që nëna Sanie do e linte papritur jetim e të pa ngritur ende në këmbë. Fëmijë që shkulte së qari djepin e priste gjirin e mëmës ! Lot e të qara foshnje që çanin zemrat e familjarëve dhe të bashkëfshatarëve, çanin gurin e drurin. Ninullat, puthjet, përkëdheltë dhe duart e njoma të motërzezës Xhevahire, nuk e pushonin dot vëllain e shtrenjtë e fatkeq. Por në ato male hijerënda, tradita, dhembshuria e njerëzillëku i grave e nuseve, jo rrallë kapin edhe përmasa proverbiale. Konkretisht, Zela e Nurihani, dy nënat lehona me fëmijë të sapolindur, njërin gji filluan ta ruanin për Halon e Sanies derte shumë. Shpirti i tyre i kulluar pikonte pikëllim e dashuri të vërtetë nëne, bashkë me qumështin e gjirit…(Doktor Halua nuk i harroi kurrë, deri në fund. I donte e respektonte pa kufi, si nëna e shkuar nënës ! Po kështu Ervehenë që nuk e thirri asnjëherë “njerkë”. E mori me vete kudo. E pleqëroi në Tiranë me shumë përkujdesje, bashkë me Xhevin e shenjtë dhe 3 vajzat si yje).“Pa qenë human, nuk bëhesh dot mjek i mirë”, kjo ishte deviza e tij njerëzore, qytetare e profesionale. Dhe vazhdonte më tej plot seriozitet e bindje : Thesar për Njeriun janë Shëndeti e Dituria, pastaj Bukuria ! Halo Kërraj nuk u rrit e as u ngrit me katapultë në mjekësi. Mundimet dhe sakrificat e mjekëve ushtarakë në Shqipëri, fare pak janë mediatizuar. Sidomos Spitali Qendror në Tiranë ku priten, kurohen e shpëtohen mjaft jetë nga Veriu në Jug. Mbi 40 vjet në shërbim, nuk janë pak. Prandaj e admirojnë ende kirurgun e palodhur të ortoped-traumatologjisë. Shkroi artikuj e mbrojti grada shkencore, pa e kyçur sedrën, kërkesën ndaj vetes dhe diplomën brenda dyerve të Spitalit. La gjurmë përkushtimi e përgjegjshmëri në Elbasan, në Jorgucat e Sarandë, në flotën ushtarake detare të Vlorës e në korpusin e Fierit. Gjurmë që u shumëfishuan natyrshëm në Tiranë, ku pacientët vinin e shkonin nga tërë skajet e Atdheut. Shumica hynin me barela dhe dilnin me këmbë, bashkë me mirënjohjen. Por Halo Kërraj nuk e hodhi librin e studimin pas shpine. “Ditën lëvdoje jo vetëm kur të ngryset”, u thoshte shpesh kolegëve të vjetër e të rinj. Netët e pagjuma të kirurgëve të talentuar, janë libra më vete për jetën. Gjurmët dinjitoze të Halos i gjen edhe te specializimet jo dosido në kryeqytet dhe deri në klinikat e shquara universitare të Vjenës e Romës, në SHBA e gjetkë. Bujar Koçiu dhe dy motrat e tij Lenie e Hasia, nuk rrinë dot pa vlerësuar e treguar jo pa krenari për kushëririn e tyre të mirë që bëri emër të merituar në fushën e ortopedisë shqiptare: “Mëma jonë Gjyslyme u rrit te vatra e dera e Habil Kërraj (babai i doktor Halos) dhe e donte shumë jetimin fatkorb që nuk arriti dot të lodronte e belbëzonte në kraharorin e nënës biologjike. Por erdhi një ditë, u bë i zoti e nuk ia hante qeni shkopin… Kudo ku shkoi e punoi, nuk harroi asnjëherë të merrte me vete krahinën e Lopsit, zakonet dhe traditat më të mira të saj, mendimin dhe fjalën e urtë melhem për çdo hall shëndetësor. Kurdoherë të jepte zemër e kurajë. Të jepte shpresë e të falte besim si vëlla i mençur e tepër human. 5 vjet më parë, kur e përcollëm në banesën e fundit në Sharrë, prekëm nga afër edhe një hartë dashurie e shqiptarie nga vise të ndryshme të Atdheut. I erdhën që nga Kosova për ta nderuar kirurgun e talentuar, njeriun e intelektualin burrëror që tërë jetën i kishte zët servilët dhe sekserët “pluralistë” të 100 flamurëve…”.Doktori i Shkencave, Halo Kërraj, nuk shëmbëllente hiç me ata tipa që kapërcejnë lumin dhe mbyten në përrua. Përkundrazi. Të shikonte në sy dhe të hiqte udhën e drejtë me shembullin e vet. Fjalëpak e merakshumë. Gati 8 muaj para se të shuhej, vendlindja i dha titullin më të lartë e më emocionues të jetës së tij, “Nderi i Komunës së Lopsit”. Ai burrë i fortë e me zemër të madhe, nuk i mbajti dot dy pika lot kur grupi folklorik i Tepelenës i këndoi labçe për së gjalli. A ka shpërblim më të madh ?… Ndërsa kolegu e miku i tij, Luan Nikollari, nuk pushon së ligjëruari për vlerat njerëzore e profesionale të kirurgut duarflori. “ Ruaju nga mjeku që ka një ilaç për të gjithë !”. E përdorte shpesh dhe i pëlqente shumë kjo aforizëm e famshme agolliane. I neveriste të përkulurit si kulpra, sojin pa shtyllë kurrizore dhe lëpirësit e pandreqshëm. Nderonte punëtorët pa qibër e modestë. Një jetë pa hije e plot dritë, e kulluar si burimet në Sinanaj, Matohasanaj, në Gribë e Këndrevicë. Prandaj e nderojnë e kujtojnë me mall e dhimbje dhe i heqin kapelën në Spitalin Ushtarak e jashtë tij…