Kim Mehmeti: Nuk është fitore humbja e popullit dhe e vendit!

182

E kur bëhet fjalë për ‘Rilindjen’ dhe drejtuesin e saj, ai në të vërtet akuzohet për aq veprime të paligjshme e kriminale, sa mund ta shpëtojë vetëm rruga nga është katandisur: që Shqipërinë ta mbulojë vetëm portreti i tij, por ndërkohë, vend ku njeriu do jetojë si në dekadat e Enverit: pa identitet njerëzor, kombëtar e profesional!

Sigal

Në Shqipëri morën fund zgjedhjet vendore. Dhe mëmëdheu u “vesh” me rozë, me ngjyrën që shënon fitoren e ’Rilindjes’, por për shumëçka edhe dështimin e vendit dhe popullit.

Dhe tani kur bëhen analizat se çka e si ndodhi, një gjë dihet: me këtë rregjim dhe me këtë opozitë që e lufton vetveten. Në Shqipëri mund të ndodh shumëçka, por jo edhe zgjedhje të lira e të ndershme. Edhe atë nëse për hiçgjë tjetër atëherë shkaku se në mëmëdhe, zhbërja e shtetit është proporcionale me forcimin e ‘Rilindjes’ dhe se, jo votuesi, por pushteti ia përcakton popullit opozitën dhe drejtuesit e saj.

Nga të gjitha vlerësimet e këtyre zgjedhjeve, më i turpshëm është ai që mundohet ato t’i shpallë si të ndershme e të lira. Është i turpshëm ky vlerësim, sepse po qe se do ishte ashtu atëherë del se Shqipëria ende nuk është e gatshme për sistem shumëpartiak dhe se, edhe votuesit e sotëm të saj të moshës tridhjetëvjeçare, janë mëkuar e rritur me mendësinë enveriste, me mendësinë se shteti është pronë e partisë e drejtuesi i partisë pushtetarë është punëdhënësi i vetëm i popullit.

Zgjedhjet e fundit vendore në Shqipëri edhe nëse nuk pasqyrojnë mendësinë një partiak të shumicës së popullit, ato shpalosin diçka shumë më të dhembshme se kaq: se për shtetin vendos krim-politika dhe se, pjesëtarët e elitave jopolitike të mëmëdheut, janë bërë ‘dëshmitarë’ të mbrojtur dhe mirë të paguar të regjimit, e që kanë vetëm një obligim ‘intelektual’: ta mbulojnë krimin politik të ‘Rilindjes’.

Këto zgjedhje vendore në Shqipëri e shpalosën edhe fenomenin, që kishte ndodhur dikur në Maqedoninë e Gruevskit, të cilin askush nuk mundi ta mposhtë me votë, sepse ai sundonte sipas parimit të cilin sot e praktikon Piktori:- Sa më shumë varfërohet shteti e populli, aq më shumë i bie çmimi votuesit.

E kur bëhet fjalë për ‘Rilindjen’ dhe drejtuesin e saj, ai në të vërtet akuzohet për aq veprime të paligjshme e kriminale, sa mund ta shpëtojë vetëm rruga nga është katandisur: që Shqipërinë ta mbulojë vetëm portreti i tij, por ndërkohë, duke shkatërruar gjithë vlerat njerëzore dhe duke e bërë mëmëdheun atë që e thotë një komentues i shkrimeve të mia – vend ku njeriu do jetojë si në dekadat e Enverit: pa identitet njerëzor, kombëtar e profesional!

Po zgjedhjet e fundit vendore shënuan një fitore të frikshme e dështuese për Shqipërinë, por të madhe për Piktorin, për atë që është shumë llafazan për të qenë artist i suksesshëm, e shumë kloun i madh për të qenë politikan që do lodhet me hallet e popullit dhe të vendit.

Ku ta dish mbase duhet pranuar se Kryeministri i sotëm i Shqipërisë është fytyra më e vërtet e politikanit që doli nga plehu politik i tri dekadave demokratike të mëmëdheut, të shtetit tonë amë ku demokracia është kuptuar si mundësi që të lejon të bashkohesh me të gjitha qelbësirat për të ardhur në pushtet dhe me të gjithë djajtë e kësaj bote për t’u pasuar.

Pra ku ta dish, mbase më kot ne shpresuam se mund të ndodhë e pamundura: që Shqipërinë ta bëjë shtet ai që hapur pranon se vertikalen e tij njerëzor e intelektual e përbën ‘tallava’ muzika e Bregoviqit dhe filmat e kryeshovenit serb – ato të Kosturicës.