Kim Mehmeti: Albin Kurti e pastron ‘plehun’ që lanë pas vetes burrështetasit e mëparshëm të korruptuar të Kosovës

158
Sigal

Jo vetëm të huajt, por edhe shumë opozitarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës të jetë sa më e kujdesshme e përafruese ndaj Serbisë. Kështu që ke përshtypjen se Kryeministri i Kosovës, e jo Vuçiçi, ka qenë hartues i luftërave të fundit që e përgjakën dhe e mbuluan me varreza masive Ballkanin. Dhe përderisa një pjesë e Evropës ‘humane’ hapur mban anën e Serbisë, disa opozitarë shqiptarë me padurim presin dështimin e qeverisë së VV, me çka do mbuloheshin lëshimet që ata ua bënin kriminelëve serbë në Veri si dhe Beogradit zyrtar. Sidoqoftë, duhet thënë se Albin Kurti sot nuk ka përballë vetes vetëm luftënxitësit që e drejtojnë Serbinë, por edhe ‘paqendërtuesit’ shqiptarë që tani përballen me të shkuarën e vet të turpshme, gjatë së cilës, nuk ndërtonin shtet, por vila e shtëpi të shtrenjta për vetveten. Siç duhet nënvizuar se Kryeministri i Kosovës sot merret me pastrimin e ’plehut’ që lanë pas vetes burrështetasit e mëparshëm të korruptuar të vendit, të cilët, në mos më shumë, duhej njëherë e përgjithmonë të qartësonin nëse Kosova është shtet i pavarur me kryeqendër Prishtinën, apo një protektorat i Serbisë.  Andaj të vjen për të vjellë kur sheh si edhe në këto rrethana, ka politikanë e ‘mendjehapur’ shqiptarë që i kritikojnë veprimet e Kurtit, e të cilët dekada me radhë nuk vepruan, por duke iu nënshtruar Beogradit, vetëm përfituan dhe të cilët sot, për ta mbuluar të shkuarën e vetë poshtëruese, thuajse më shumë e dëshirojnë dështimin e Albin Kurtit, se sa demaskimin e Beogradit luftëndjellës.

Andaj duhet thënë hapur: nëse Beogradi ka vendosur të mbetet që ka qenë – kryeqendra e luftërave të reja ndëretnike – atëherë, sado paqësorë qofshim, ne s’kemi si e pengojmë këtë. Dhe kjo neve mund të na përballë vetëm me dy zgjidhje: o ta braktisim Kurtin e t’i përkulemi Vuçiçit, ose të dëshmojmë se meritojmë atdhe e shtet!