Kastriot Myftaraj/ Makinacionet e Ramiz Alisë dhe drejtësisë për të ligjëruar skandalin, kthimin e PP në PS

677
Sigal

Dokumente arkivore. Si e kundërshtuan Edi Rama e Fatos Klosi në librin “Refleksione” të shtatorit 1991  

(Vijon nga numri i kaluar)

17 dhjetor 1990: shfaqet fantazma e Ligjit nr. 370 të vitit 1946

Kur Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia iu desh të përpilonte së bashku me këshilltarët e tij juridikë dekretin nr. 7442, të datës 17 dhjetor 1990, “Për krijimin e organizatave dhe të shoqatave politike”, të Presidiumit të Kuvendit Popullor, me të cilin u lejua krijimi i partive politike, ai u kujtua për Ligjin 370, dt. 6 dhjetor 1946 “Mi formimin e partive politike dhe shoqatave kulturore, shkencore, profesionale etj., dhe mi mbledhjet publike”, madje e nxori nga arkivi këtë ligj dhe e kopjoi atë. Mjaft që të krahasosh dekretin e dhjetorit 1990 dhe ligjin e dhjetorit 1946 që të bindesh për këtë gjë. Natyrisht se dy ligje të ngjashme në përmbajtje do të kenë përkime, por në këtë rast bëhet fjalë për një përkim strukturor: nenet me të njëjtin numër kanë të njëjtën përmbajtje. Kjo gjë u ka rënë në sy edhe përpiluesve të Dekretit 7442, të cilët kanë bërë ndonjë zhvendosje në radhën e neneve në dekret, çka më tepër ka bërë që të evidentohet ngjashmëria me Ligjin 370, sesa e ka shmangur atë. Neni 1 i Dekretit 7442 thotë: Në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, në bazë të nenit 54 të Kushtetutës, shtetasve u njihet e drejta të formojnë organizata (parti) ose shoqata politike e shoqërore. Neni 1 i Ligjit 370 thotë: Për zhvillimin e aktivitetit politik, kulturor dhe shoqëror të masave të gjëra të popullit shtetasve të Republikës Popullore të Shqipërisë ju garantohet e drejta që të formojnë parti politike dhe shoqata kulturore, shkencore, profesionale, sportive, etj. Siç shihet, fjala “garantohet” është bërë “njihet”. Neni 2 i Dekretit 7442 thotë: Veprimtaria e partive ose shoqatave politike mund të shtrihet në një a disa rrethe ose në gjithë territorin e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Neni 2 i Ligjit 370 thotë: Veprimtaria e partive politike ose t’ organizatave politike mund të shtrihet në rrethin e një ose më shumë Prefekturave ose në gjithë Shqipërinë. Kjo dispozitë u kopjua me papërgjegjshmëri të madhe, se bartte rrezikun që të shërbente për të krijuar parti regjionale, separatiste. Përse ishte e nevojshme që të specifikohej se mund të kishte parti regjionale kur një parti mund ta ushtronte veprimtarinë e saj në një pjesë të caktuar të vendit, pa u përcaktuar si parti krahinore? Në Ligjin 370 të vitit 1946 këtë dispozitë separatiste e vunë jugosllavët, të cilët kishin në plan ta copëtonin Shqipërinë në dy republika kur t’ i bashkohej Jugosllavisë. Neni 3 i Dekretit 7442 thotë: Shtetasit që dëshirojnë të formojnë parti ose shoqatë politike, detyrohen t’ i drejtojnë kërkesë Ministrisë së Drejtësisë duke paraqitur programin dhe rregulloren ose statutin e partisë apo të shoqatës së tyre. Neni 3 i Ligjit 370 thotë: Shtetasit që dëshirojnë të formojnë parti politike detyrohen t’ i drejtojnë një kërkesë organit shtetëror kompetent duke paraqitur programin dhe rregulloren ose statutin e partisë së tyre. Neni 4 i Dekretit 7442 thotë: Kërkesa për formimin e një partie ose shoqate politike duhet të nënshkruhet të paktën nga 100 shtetas, kur veprimtaria e kësaj partie a shoqate do të shtrihet në një ose në disa rrethe, dhe mbi 300 shtetas, kur veprimtaria e tyre do të shtrihet në gjithë territorin e vendit. Neni 4 i Ligjit 370 thotë: Kërkesa për formimin e një partie politike duhet të nënshkruhet të paktën nga 50 zgjedhës kur veprimtaria e kësaj partie do të shtrihet në rrethin e një ose dy Prefekturave dhe nga 100 zgjedhës kur veprimtaria e saj do të shtrihet në rrethin e tre ose më shumë prefekturave ose në gjithë Shqipërinë.

Siç shihet formulimi është i njëjtë, ndryshon vetëm numri i personave. Neni 5 i Dekretit 7442 thotë: Ministria e Drejtësisë, kur vëren se nuk janë zbatuar rregullat e caktuara në këtë dekret, e kthen kërkesën për plotësimet përkatëse. Neni 5 i Ligjit 370 thotë: Kërkesa për formimin e një partie politike i drejtohet Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila kur konstaton mungesa formale, u’ a kthen paraqitësve për t’ i plotësuar ose korrigjuar. Neni 6 i Dekretit 7442 thotë: Ministria e Drejtësisë duhet të miratojë ose të refuzojë formimin e partisë a të shoqatës politike brenda 30 ditëve nga data e marrjes në dorëzim të kërkesës. Në rast se brenda këtij afati nuk përfundon shqyrtimi i kërkesës, ajo konsiderohet si e pranuar. Neni 6 i Ligjit 370 thotë:

Ministria e Punëve të Brendshme duhet brenda 30 ditëve nga data e marrjes në dorëzim të kërkesës, të aprovojë ose të refuzojë formimin e partisë politike. Në rast se brenda këtij afati, nuk është marrë ndonjë vendim, atëherë kërkesa konsiderohet si e pranuar. Neni 7 i Dekretit 7442 thotë: Organi kompetent nuk miraton formimin e partive ose të shoqatave politike dhe ndalon vazhdimin e veprimtarisë së tyre, kur ato kanë karakter fashist, racist, luftënxitës, antikombëtar, ose nxitin urrejtjen kombëtare, si dhe kur synojnë përmbysjen me dhunë të rendit të vendosur në Kushtetutën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Ndalohet formimi dhe veprimtaria e një partie a shoqate politike, kur themeluesit ose ata që bëjnë pjesë në udhëheqjen e saj frymëzohen nga idetë e përmendura në këtë dispozitë. Neni 7 i Ligjit 370 thotë: Organet shtetërore kompetente do të ndalojnë formimin dhe veprimtarinë e partive politike që kanë për qëllim të ndryshojnë ose të rrëzojnë rendin Konstitucional të Republikës Popullore të Shqipërisë, ose kanë karakter antidemokratik, ose janë t’ organizuara me bazë fetare, ose kanë qëllim dhe shërbejnë për të mbjellë urrejtje dhe grindje në mes të kombësive, racave dhe feve. Gjithashtu ndalohet formimi dhe veprimtaria e një partie politike kur themeluesit, ose ata që bëjnë pjesë në kryesin e saj, frymëzohen nga parimet e përmendura më sipër. Si për variacion, por edhe për diskrecion, në Dekretin 7442 u është ndryshuar vendi me njëri-tjetrin neneve 8 dhe 9 të Ligjit 370, që të mos përkonin numrat e neneve për ndalimin e partive politike. Neni 8 i Dekretit 7442, që është pothuajse kopje e nenit 9 të Ligjit 370 thotë: Nuk mund të marrin pjesë në formimin e një partie ose shoqate politike dhe as të jenë anëtarë të tyre, shtetasit e huaj dhe shtetasit shqiptarë që nuk kanë vendbanim të përhershëm në territorin e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Neni 9 i Ligjit 370 thotë: Nuk mund të marrin pjesë në formimin e një partie politike ose të jenë anëtarë të sajë shtetasit e huaj si dhe shtetasit shqiptarë që nuk gëzojnë të drejtën e votës.

Neni 9 i Dekretit 7442, që është kopje e nenit 8 të Ligjit 370 thotë:

Kundër aktit të Ministrisë së Drejtësisë që refuzon kërkesën për formimin e një partie a shoqate politike ose që ndalon vazhdimin e veprimtarisë së tyre, mund të bëhet ankim, brenda 15 ditëve nga dita e njoftimit, në Gjykatën e Lartë, e cila brenda 15 ditëve merr vendim të formës së prerë. Neni 8 i Ligjit 370 thotë: Kundra vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme mi refuzimin e kërkesës për formimin e një partie politike, ose mi ndalimin e vazhdimit të veprimtarisë së saj, mund të bëhet ankimi brenda 15 ditëve që nga dita e njoftimit të vendimit përpara Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë që vendos në formë të prerë brenda 15 ditëve.

Ankimi i dërgohet Gjykatës së Lartë me anën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Neni 10 i Dekretit 7442 thotë: Rregullorja a statuti i partive ose shoqatave politike, ndër të tjera, duhet të përmbajë emrin e partisë a shoqatës, organizimin e brendshëm, qëllimin e krijimit, qendrën e tyre dhe territorin në të cilin do të zhvillojnë veprimtarinë, si dhe burimin e mjeteve materiale që do të përdorin.

Neni 10 i Ligjit 370 thotë: Rregullorja ose statuti i partive politike duhet të përmbajnë emrin e partisë, organizimin e brendshëm, burimin e mjeteve materiale që do të përdorë për zhvillimin e veprimtarisë së saj dhe selinë e saj. Neni 11 i Ligjit 7442, sa për variacion, kopjoi nenin pasardhës të Ligjit 370, pra nenin 12, duke ndryshuar thjesht radhitjen numerike të neneve në ligj. Neni 11 i Dekretit 7442 thotë:

Partitë ose shoqatat politike janë persona juridikë. Ato do të kenë pasuri të nevojshme për kryerjen e veprimtarisë dhe shtypin e tyre, si dhe do të administrojnë të ardhurat që vijnë nga pagimi i kuotave të anëtarësisë dhe nga burime të tjera të ligjshme. dhe shoqatave të tjera politike u ndalohet të marrin drejtpërsëdrejti ose tërthorazi ndihma financiare nga jashtë, si: shtete, parti, organizata, institucione, individë të huaj ose nga shqiptarë që nuk janë me banim të përhershëm në Shqipëri. Në rast të kundërt shteti bën konfiskimin e këtyre ndihmave. Neni 12 i Ligjit 370 thotë: Partitë politike janë persona juridike. Atom und të kenë pasuri të patundshme të nevojshme për qëllimet e partisë, lokale për mbledhje dhe shtypin e tyre. Këto parti administrojnë t’ ardhurat që rrjedhin nga pagimi i kuotave të anëtarësisë si dhe nga burime të tjera të ligjshme. Në nenin 12 i Dekretit 7442 u kopjua neni 11 i Ligjit 370. Neni 12 i Dekretit 7442 thotë: Partitë dhe shoqatat politike detyrohen të shpallin një herë në vit burimin, sasinë dhe mënyrën e përdorimit të të ardhurave të tyre.

Neni 11 i Ligjit 370 thotë: Çdo parti politike detyrohet të shpallë një herë në vit burimin, sasinë dhe përdorimin e t’ ardhurave të saj.

Dekreti 7442 ndryshon nga Neni 370 se në Dekretin 7442 mungon një dispozitë kalimtare, siç është në Ligjin 370 neni 31 (Dekreti 7442 nuk i ka kopjuar nenet e tjera të këtij ligji se ato kanë të bëjnë me shoqatat jopolitike dhe me mbledhjet publike), që thoshte: Partitë dhe organizatat politike si dhe shoqatat e ndryshme që ekzistojnë para hyrjes në fuqi të kësaj ligje duhet t’u konformohen urdhërimeve të kësaj ligje brenda gjashtë muajve nga data e shpalljes së saj në Gazetën Zyrtare. Arsyeja për cilën mungon një dispozitë e tillë në Dekretin 7442 është e qartë: PPSH kështu do të pohonte se kishte ekzistuar në mënyrë të kundërligjshme gjatë gjithë kohës që kishte qenë në pushtet dhe se po legalizohej vërtet vetëm në dhjetor 1990. PPSH nuk kishte ndërmend që të përsëriste dy herë gabimin e bërë me Ligjin 370. Kështu që kjo parti mbeti një parti e kundërligjshme në raport me ligjet në fuqi. Dekreti 7442 ishte bërë në funksion të planit të Ramiz Alisë për pluralizmin me një parti të madhe dhe partitë e tjera të vogla. Kur Ramiz Alia e pa se nuk kishte nga t’ ia mbante dhe ishte i detyruar që të bënte pluralizmin politik, atëherë loja e tij ishte që t’ u thoshte amerikanëve se ai mund të bënte pluralizmin politik, por nuk mund të bënte që shqiptarët të votonin për një parti të madhe opozitare me PPSH. Loja e Ramiz Alisë ishte që PPSH, e cila pritej të shndërrohej, së paku në letër, në një parti të majtë të llojit perëndimor, të dilte nga zgjedhjet pluraliste si e vetmja parti e madhe në vend, duke mbetur politika shqiptare njëpolare. Kështu PPSH, më pas e shndërruar në PS, do të rrinte gjatë në pushtet. Nëse do të përmbante Dekreti 7442 një dispozitë kalimtare legalizuese, i gjithë plani i Ramiz Alisë do të vihej në rrezik.

Meqenëse sipas Dekretit 7442 Ministria e Drejtësisë kishte tagrin ligjor për të mbikëqyrur pajtueshmërinë e partive politike me ligjet, dekreti 7442, i cili përbëhej nga 13 nene, duhet të kishte pasur edhe një nen ku të përcaktohej se brenda një afati të caktuar dokumentet e partive ekzistuese (në fakt partisë së vetme ekzistuese), duhet t’ i kalonin Ministrisë së Drejtësisë. Një nen i tillë do të ekzistonte në ligjin për partitë politike, të vitit 2000, që e kalonte nga Ministria e Drejtësisë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, tagrin mbi kryerjen e veprimeve me partitë politike. Mungesa e një neni të tillë në dekretin e dhjetorit 1990 nuk ishte një harresë, se Ramiz Alia ishte i vetëdijshëm për problemin juridik që kishte PPSH. Mungesa e një neni të tillë ndodhi pikërisht për të shmangur që të zbulohej ekzistenca e kundërligjshme e PPSH. Kështu që PPSH nuk iu nënshtrua asnjë lloj procedure juridike sipas dekretit 7442,  duke u marrë si e mirëqenë ekzistenca e saj juridike. Por, në fakt PPSH nuk kishte pasur kurrë status legal, pasi nuk qe regjistruar në zyrat e shtetit, para datës 17 dhjetor 1990. Që prej datës 17 dhjetor 1990, PPSH kishte detyrimin ligjor që të ndërpriste veprimtarinë e saj. Gjithsesi, fakti që PPSH ekzistonte në kundërshtim me ligjin, nuk e cenon juridikisht krijimin e partive në Shqipëri që prej dhjetorit 1990, se PPSH nuk kishte qenë subjekt politik pjesëmarrës në zgjedhjet e vitit 1987 nga ku kishte dalë legjislatura që miratoi Presidiumin e Kuvendit Popullor që nxori dekretin e pluralizmit politik në dhjetor 1990. Në zgjedhjet për Kuvendin Popullor merrte pjesë vetëm Fronti Demokratik. Zgjedhjet e para pluraliste në vend, ato të 31 marsit 1991, qenë të parat zgjedhje në të cilat merrte pjesë drejtpërdrejt partia e cila kishte qenë mbajtësja reale e pushtetit për 47 vitet e kaluara. Në letër, në zgjedhjet paraqitej dhe fitonte Fronti Demokratik, i cili sipas Kushtetutës qe mbajtës i pushtetit, duke qenë se Kuvendi Popullor dhe këshillat popullore, që qenë asambletë që konstituonin organet ekzekutive të pushtetit lokal, përbëheshin vetëm nga deputetë dhe këshilltarë të dalë nga lista zgjedhore e Frontit Demokratik. Nuk është ironi e vogël që në zgjedhjet e para pluraliste, të mbajtura në 31 mars 1991, fitoi një parti, PPSH, në fakt e vetmja ndër partitë pjesëmarrëse, e cila nuk qe e regjistruar sipas ligjeve në fuqi, pra që ishte e kundërligjshme. Pavarësisht se kur ishte krijuar PPSH, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’ i kishte kërkuar PPSH dokumentet që vërtetonin ekzistencën e saj të ligjshme, ashtu siç u bë me partitë e tjera pjesëmarrëse, Partinë Demokratike, Partinë Republikane, Partinë Agrare. Por kryetari i KQZ ishte Rexhep Mejdani, i cili ishte njëherësh dhe kandidat në zgjedhje për një organizatë shoqërore që sipas statutit të saj ishte “levë e PPSH”!!! Nëse PPSH-së do t’ i ishte kërkuar që të paraqiste dokumente për ekzistencën ligjore të saj, ajo nuk do të kishte qenë në gjendje që ta bënte këtë gjë, dhe nuk do të mund të merrte pjesë në zgjedhje.

I vetmi njeri i cili kërkoi pas zgjedhjeve të marsit 1991, që opozita e kohës të mos i jepte legjitimitet PPSH dhe pasardhëses së saj Partisë Socialiste, por të bënte një përmbysje si ajo që u bë në Bashkimin Sovjetik në gusht 1991, domethënë duke ndaluar veprimtarinë e partisë komuniste, ishte… kryetari i sotëm i PS-së, Edi Rama. Në librin “Refleksione”, me autorë Edi Rama dhe Ardian Klosi, të botuar në vitin 1992, në Tiranë nga shtëpia botuese “Albania”, Tiranë gjendet edhe një manifest, që daton në shtator 1991, në të cilin Edi Rama dhe Ardian Klosi paraqesin pikëpamjet e tyre për çështje të historisë dhe të së tashmes së Shqipërisë. Tashmë që Edi Rama është kryetar i PS, pasardhëses së PPSH, ky shkrim fiton një vlerë të jashtëzakonshme si një dokument historik. Në këtë manifest thuhet: Pranimi i zgjedhjeve të pabarabarta, jodemokratike, shuarja e lëvizjes punëtore në shkurt, braktisja që shqiptarët i bënë në masë atdheut, premtimet për fitore në zgjedhje dhe zhgënjimi që shkaktoi humbja, e mbi të gjitha ndalimi i krijimit të partive të reja (PD në bashkëpunim me PPSh) në maj janë rrjedhimet logjike të dobësive të opozitës zyrtare. Le të ndalemi pak te pranimi i zgjedhjeve të pabarabarta, pa dashur të luajmë pjesën e atij që jep gjykimin pasi njihet rezultati, por për hir të një analize që mund të na ndihmojë në vlerësimin e së ardhmes:

Ç’përfaqësonin Partia e Punës, presidenti i saj Ramiz Alia dhe Sigurimi i Shtetit përpara zgjedhjeve?

Nga ato që njiheshin pak a shumë prej të gjithëve, dilte se kishim të bënim me trinitetin e krimit ndaj kombit dhe- në kohën kur lëvizja komuniste nga poshtë kërkonte shtetin ligjor- duhej të luftohej me të gjitha mjetet demokratike për nxjerrjen e dy të parëve jashtë ligjit dhe për pezullimin e menjëhershëm të Sigurimit të Shtetit, për të cilin nuk ka pasur kurrë asnjë dekret apo ligj. Ky trinitet organizoi më 21 shkurt një grusht shteti që i dha fund shpërthimit demokratik të një dite më parë dhe vendosi në fuqi Këshillin Presidencial, ose më saktë Këshillin e Regjencës. Megjithëse regjentët nxorën tanket në rrugët e Tiranës (u dhanë ndoshta frymëzimin edhe puçistëve mediokër të Kremlinit), ata përsëri morën miratimin e opozitës zyrtare që vetiu e njohu “ligjshmërinë“ e tyre. Tani që pamë se ç’ ndodhi në rrugët e Moskës pyesim: A nuk do të kishte qenë burrëria e vërtetë e liderëve të opozitës që të hipnin në tanke ashtu siç kërkonte populli dhe jo t’ i dërgonin njerëzit e zhgënjyer nëpër shtëpi? Në tribunat që u takonin qytetarëve hipën, hipën për pasojë vullnetarët e Milloshit. Edhe një herë fitoi psikoza e frikës nga një gjoja luftë civile, psikozë që e ushqeu muaj me radhë Partia e Punës me papagallin e vet “Zërin e Popullit. Demokracia nuk lufton komunistët, por komunizmin; duke hyrë në zgjedhje (pavarësisht nga fitorja apo jo në to), opozita demokratike zyrtare i dha legalitet komunizmit në Shqipëri, legalizoi një president, prania e të cilit është nënqeshja cinike e Enver Hoxhës mbi demokracinë, dhe njohu organizatën ilegale të Sigurimit të Shtetit- Çetën Plakë të Koçi Xoxes. Ngjarjet e shkurt-marsit duhet të na japin shumë mësime për gjendjen aktuale, sepse përsëri “opozita“ gjendet përpara disa udhëkryqeve parimore. Përsëri në Shqipëri drejton një forcë antidemokratike që nuk lejon të hyjë ligjshmëria në jetën tonë të përditshme. Pse Edi Rama i shkruante këto gjëra në vitin 1991? Pas të gjitha gjasave se e lanë jashtë skemave politike. Në gazetën “Zëri i Popullit” të datës 27 janar 1991, është botuar artikulli “Pse çuditet Edi Rama?”, me autor A.A, ku thuhet për Edi Ramën:

I shkreti! E gënjen mendja se historia i ka hapur portat për të, se piedestalin e ka gati dhe… mjafton që të ngjitet mbi të. Por lavdia nuk është si gripi që t’ i kujtdo. Por gjërat shkuan ndryshe nga ç’shkruante ky A. A., i cili sot është deputet i Partisë Socialiste. Edi Rama u bë kryetari i Partisë të cilën kërkonte që ta nxirrte jashtë ligjit! Edhe ky është një rast unik në historinë e politikës botërore.