Kaq të ndërgjegjshëm janë këta…?!

674
Izet S Çulli
Në një pallat të ri 12-katësh këtu tek ish-Parku në Tiranë, po shoh sot pothuajse të gjithë banorët kanë rinovuar sistemet hidraulikë, elektrike, vaskat, dyshemetë. Çmimin e apartamenteve ata e pranuan. Pra, aq sa ua diktoi pronari. Ndërkaq njerëzit nevojtarë filluan rindërtimin e brendshëm të dhomave, pa kaluar as 10 vjet nga marrja në dorëzim. Sot ku t’i gjejnë banorët, pronarët e pallateve, të cilët mbasi fitojnë miliardat, fluturojnë dhe jetojnë në vende apo kontinente të ndryshëm, mbasi marrin llokmën e madhe që iu duhej. Po “nga pasuria nuk lind virtyti…” – shkruante filozofi Sokrat. Pyetja ime si qytetar është fare e thjeshtë: Kush i kontrollon këta pallatengritës, për cilësitë e punimeve të tyre? Kaq të ndërgjegjshëm janë ata, p.sh. në përdorimin e sasisë dhe të cilësisë së çimentos, të hekurit, të pajisjeve hidroelektrike e kështu me radhë. Përveç stafit të tyre inxhiniero-teknik, a duhet të ketë ndonjë rol shteti në këtë mes, apo ky i fundit i jep vetëm licencën, duke zbrazur paskëtaj xhepat e qytetarëve të vet! Vjen puna që apartamenteve u shtohet më tepër kostoja fillestare. Ne të bëjmë shyqyr (dhe jo për nostalgji të viteve të kaluara), që në këtë kohë na ka ndihmuar Zoti apo Natyra dhe nuk kemi pasur tërmete shkatërrimtarë, si dikur. Shteti i asohershëm ngrihej në këmbë dhe me gjithë varfërinë dhe telashet e shumta të sistemit, në kohë rekord, u vinte në ndihmë bashkëqytetarëve të vet. Tani po shohim se pushteti i sotëm jo rrallë u ka bërë “dalje” njerëzve, të cilët u vendosën ku mundën; në ish-këneta, në lugina e grykëderdhje të lumenjve dhe rrjedhojat i vuajnë ata edhe sot e kësaj dite. Dhe një pjesë e madhe e tyre marrin rrugët e emigrimit pa kthim. Shumë banorë të ardhur pranë qendrave urbane ngelën, si të thuash, fillhumbur dhe nuk dinë nga t’ia mbajnë… Po dreqi e mori, dikush fiton e nuk ngopet e të tjerët numërojnë qindarkat dhe mezi shtyjnë muajin. Dihet se “Paratë janë si ujët e detit: sa më shumë pi, – ka shkruar Shopenhaueri, aq më tepër ke etje.” 
Sigal