Jovan Jano*/ Të njollosësh figurën e Rexhep Qoses do të thotë të përçash kombin shqiptar

654
Sigal

Replikë ndaj z. Hivzi Islami, Kryetar i Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Prishtinës

Z. Hivzi Islami! Vite më parë kam lexuar një libër të shkruar nga Ju dhe më ka pëlqyer, në mos gaboj për zhvillimin demografik të Kosovës. Pasi lexova me kujdes “konsideratën” tuaj të përshkruar nga një nihilizëm dhe cinizëm i paparë e i padëgjuar ndonjëherë, u indinjova. Edhe dyluftimi midis bajlozëve do të ishte më i lehtë se fjalët që keni lëshuar publikisht ndaj Rexhep Qoses. Zotëri! Ndonjëherë duhet të futesh në botën e dikujt tjetër për të kuptuar se çfarë i mungon botës tënde. E vërteta nuk njihet nga njerëzit, por njerëzit njihen nga e vërteta. Ju jeni Akademik dhe studiues i nderuar, madje edhe Kryetar i Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Prishtinës. Por më lejoni të shprehem se nuk mund të këtë njeri të keq, që mund të jetë dhe shkrimtar, studiues, historian, i mirë. Veçanërisht këto janë të harmonizuara dhe bashkëjetojnë bukur tek Rexhep Qosja. Ju zotëri Islami e teproni me ato 55 pyetjet tendencioze, cinike, dashakeqëse që adresoni në drejtim të Profesorit të nderuar Rexhep Qosja. Kur e vërteta teprohet, kalon në anën e kundërshtarit. Ashtu siç shkruani ju dhe se si i turreni të nderuarit Rexhep Qose, nuk është shkruar as kundër Rankoviçit, as kundër Hitlerit, as kundër Duçes. Ç’është ky mllef kaq i madh, gjithë kjo urrejtje. Kujt i shërben ky qëndrim i juaji. Jemi në kohën që ne luftojmë e punojmë për unifikim dhe bashkim kombëtar dhe ju merreni me diskreditimin e njeriut më të nderuar në hapësirat shqiptare. A e dini zoti intelektual, Hivzi Islami, se ka qarqe shume radikale që po na fyejnë Skënderbeun, Nënë Terezën, Çajupin, Enver Hoxhën, Vaçe Zelën etj. Sytë i keni përpara dhe shikoni përpara. Hidhni mjaltë në memorien kombëtare dhe jo helm. Boll helm është hedhur mbi figurat dhe personalitetet kombëtare. Le t’i japim luanit pjesën që i takon. Pastaj, ju nuk e kuptoni që Rexhep Qosja gëzon një respekt dhe dashuri të veçantë në atdheun amë. Këtë fakt nuk e merrni parasysh?! Po pak respekt për popullin shqiptar që e ka shpallur “Qytetar Nderi” në nja shtatë qytete, nuk keni?! Do dëshiroja, si shqiptar dhe si intelektual që ta ulësh armen e sulmit sepse kjo lufte nervash e shkatërron intelektualin dhe ia ul vlerat. Madhësinë e vërtetë të një intelektuali mund ta masësh vetëm atëherë kur e nxjerr prej fushës së shkencës e studimit dhe e fut në terrenin e etikës, moralit dhe në terrenin e të njerëzishmes. Një situatë jo e këndshme m’u krijua kur edhe në nja dy-tre gazeta te Tiranes pashë shkrimin e ‘Hiv –zi’ Islamit drejtuar, pa të drejtë, Profesorit dhe Akademikut tonë shumë të nderuar, Rexhep Qoses. Nuk i kam zili këto organe shtypi dhe ata që e botuan këtë shkrim kriminal dhe përçarës, pasi ishin gati-gati të ngazëllyer. E kemi bërë objekt bisede me disa shokë të mi të letrave. Gjithashtu edhe ata reagonin kundër Hivzi Islamit. Që të bësh armiq, nuk del nevoja të shpallësh luftë, mjafton të thuash te vërtetën. I drejtohem z. Hivzi dhe pazvanëve të tij nihilistë: asnjëherë mos luani me ndjenjat e të tjerëve dhe sidomos me Akademikun Rexhep Qosja, sepse ju mund ta “fitoni” lojën, mirëpo ekziston rreziku që ju të humbisni personin më të respektuar të kombit tonë, mbase për tërë jetën. Sa keq është të ndëshkosh dhe fyesh, kur ke mundësi të falësh! Sa keq është ta terrorizosh tjetrin me fjalë e, kur ke mundësi të heshtësh! Sa bukur është të buzëqeshësh, edhe kur mërzitja ka kapluar zemrën tënde! Dhe mos harro z. Islami: njerëzit e dobët hakmerren; njerëzit e forte falin; njerëzit e mëndur, injorojnë. Intelektuali ka nevoje për qetësi shpirtërore që të punoj me përkushtim ndaj popullit dhe vendit të vet. Mos i harro fjalët e Tomas Xhefersonit: “As pasuria dhe as luksi, por qetësia dhe puna ju japin lumturinë”.

*Publicist dhe studiues