Ish-sigurimi dhe Sorosi, kërkuan (dhe kërkojnë) asgjësimin politik të PD…!

692
Dylejman KARAJ 
“….Mbiemrat e ish-nomenklaturës komuniste sot në vitin e 27 – të, të demokracisë janë në krye të shtetit, në krye të drogës , në krye të vjedhjeve dhe të plaçkitjeve si asnjëherë më pare, me tenderë dhe privatizime të paligjshme…” Kryetari i sektit të Rilindjes , kishte projektuar asgjësimin e Partisë Demokratike ,plan të cilin po e zbatonte hap pas hapi…Por kryetari i PD, Lulzim Basha, me strategjinë e tij në Çadrën e Lirisë për 90 ditë e net me radhë, rishkroi historinë e re të kësaj force politike. Është faktuar tashmë , më shumë së një herë, se mbetjet e ish-sigurimit të shtetit komunist të grumbulluar rreth Partisë Socialiste , alias Rilindje (ish-Partia e Punës ) kurrë, nuk ia falën Partisë Demokratike , përmbysjen e madhe që ju bëri ish-bllokmenëve të nomenklaturës së kuqe në marsin e vitit 1992. Kjo strukturë ogurzezë dhe vrastare e vendit tim, nuk heshti për asnjë ditë , por punoi fort,shumë fort, për realizimin e projektit më të zi se nata, asgjësimin politik dhe largimin nga skena politike të Partisë që përmbysi regjimin e vjetër… Asgjësimin politik të Partisë që solli lirinë , që vrau frikën, që çliroi Shqipërinë dhe shqiptarët një herë e përgjithmonë nga prangat e diktaturës më të egër në botë . Ishin njerëzit e sigurimit të shtetit, ata që krijuan, rriten dhe zhvilluan në përmasa kriminale dhe shumë të frikshme, piramidat mashtruese.. Ata ishin mina me sahat dhe tritol një herësh në themelet e kombit dhe të demokracisë . Piramidat, këta krijesa të ish-oficerëve të sigurimit komunist dhe të ushtarakëve me mendësi enveriste , projektuan rebelimin shkatërrimtar të vitit 1997, të dirigjuar nga strukturat me të errëta të trinomit antishqiptar komunisto-serbo-grek..! Qëllimi kryesor, ndër të tjera, për të asgjësuar dhe nxjerrë nga skena politike Partinë Demokratike të Shqipërisë e cila solli lirinë dhe zhduku varfërinë për shumicën e shqiptarëve. Por, falë qëndresës ,forcës së tyre mbështetëse , idealistëve të shumtë, demokratët, ia dolën që pas 8-të vitesh në opozitë (‘97-2005 ), ta risillnin përsëri në pushtet PDSH… më të fortë , më të rinovuar, më krenare dhe më të pastër, më të vendosur për reforma të mëdha historike në të mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Rrjedhojë e këtyre reformave të thella, luftës reale kundër krimit të organizuar, drogës,trafiqeve dhe kontrabandës, Shqipëria për herë të parë në historinë e saj mijëravjeçare bëhet anëtare me të drejta të plota në NATO. Liberalizohen vizat dhe bëhet realitet ëndrra shekullore për lëvizjen e lirë të të gjithë shqiptarëve…! Gjëma e zezë e Gërdecit, ku gjetën vdekjen disa dhjetëra qytetarë të pafajshëm, ishte përsëri vepër kriminale e njerëzve të ish-sigurimit të shtetit të strehuar si gjithmonë tek selia e PS, (alias Rilindje), me qëllimin e vetëm dhe shumë të qartë për të penguar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Vëmendje..! Ngjarja ndodhi më 15 mars 2009…. vetëm 20 ditë përpara datës së anëtarësimit. ( 4 prill 2009).

Kjo e vërtetë e hidhur , pohohet vite më vonë nga militantë të PS, të tubuar nëpër mejhane rreth gotës së rakisë dhe sofrës së varfërisë , që ju shtroi Rilindja e Edi Ramës …! Vrasjet e 21 Janarit, ishin përsëri vepër e bandave kriminale të Rilindjes të drejtuar dhe instruktuar nga ish-oficerët e regjimit të shkuar. Qëllimi përsëri antikombëtar. Për të penguar liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë . Dëshmitarë të pranishëm pohojnë se në ditën e zezë të 21 Janarit, kryeministri i sotëm, frymëzuar nga filozofia prej bllokmeni e Spartak Ngjelës, përpara një rrethi të ngushtë paramilitarësh dhe kriminelësh ordinerë kishte deklaruar : “Nëse një ditë do të bëhem kryeministër , do ta asgjësoj politikisht dhe do ta zhduk nga skena politike PD…!?” O tempores, o mores…! Për shumë demokratë dhe sipas fakteve të terrenit, edhe krijesa LSI, është vepër e ish-sigurimit të shtetit për të rrudhur dhe shkërmoqur elektoratin e PD-së …. LSI-ja nga e majta ka marrë vetëm lidershipin . E gjithë baza e saj, elektorati janë prurje nga radhët e PD-së . Dhe sot për fat të keq, falë zemërgjerësisë së qeverisë së PD (‘2009-2013) tolerancës , euforisë , lëshimeve të njëpasnjëshme , përkëdheljes së strukturave tekanjoze të kësaj krijese politike , pazareve të pandershme dhe të pamoralshme , ka sjellë për rrjedhojë që Partia LSI , të bëj “lesh e li”, elektoratin e PD….!? Sot mbi 20 % e elektoratit të PD, tashmë në opozitë, për të mos humbur vendet e punës që kishin më përpara, kanë marrë kartat e kuqe të LSI . Shembulli më i qartë për këtë të vërtetë janë të punësuarit në sistemin e Drejtësisë , përfshirë ZQRPP Tiranë ,si dhe ZVRPP në të gjitha qytetet e Shqipërisë . Po ashtu , punonjësit e burgjeve, të Ministrisë së Bujqësisë , të Transportit etj, janë pjesë e elektoratit të PD-së , që sot janë pranë LSI, për arsye mbijetese. Kjo krijesë politike ka prishur rrotacionin natyror midis dy partive kryesore në vend. Shqipëria nuk ka aq shumë resurse njerëzore ,që të mbajë në këmbë dhe të ushqejë , kaq shumë parti politike ,vetëm e vetëm që disa kryetarë pa ushtarë dhe të babëzitur , sharlatanë dhe të pa fe, të lëpijnë nga një kockë nga pushteti i korruptuar deri në qelizë. Rrjedhojë e këtyre rrethanave , si dhe për gabimet e veta të shumta, gjatë viteve në qeverisje, strukturat bazike të PD, sot nuk janë në ditët më të mira, përkundrazi . Nuk ka më aktive pune dhe konferenca, ku ziente debati dhe shpaloseshin ide, ashtu si dikur në vitet 90. Në shumë zona të vendit, strukturat bazike (seksionet dhe grup-seksionet) janë jashtë funksionit dhe inekzistente . Është serioze puna, kur kjo situatë apatie, është dhe në degët e Tiranës, madje jo vetëm në rrethina, por edhe brenda në qytet. Departamenti i Organizimit në Selinë Qendrore të Partisë sot më shumë se kurrë , ka nevojë për skifterë e shqiponja dhe jo për sorra dhe pula të lagura. FRPD, me gjithë përpjekjet e viteve të fundit për ta gjallëruar dhe riorganizuar, deri më tani nuk është asgjëkund , krahasuar me dy partitë e ngjyrës mavi . Lidershipi i PD, duhet të punojë fort, të frymëzojë , të riorganizojë të gjithë Partinë , FRPD, Lidhjen Demokratike të Gruas, për të shpëtuar nga rënia në humnerë , aty ku kërkon ta hedhë, ish-sigurimi, ushtria e drogës dhe mafia e Sorosit. Ish-sigurimsat e shtetit komunist dhe sorosianët, sot pas 27–të viteve pluralizëm , për hir të së vërtetës janë në zenit. Mbiemrat e ish-nomenklaturës , në vitin e 27–të , të demokracisë janë në krye të shtetit, në krye të drogës, në krye të vjedhjeve dhe të plaçkitjeve si asnjëherë më parë , me tenderë dhe privatizime të paligjshme.
Sigal