Irena Islami & Amantja Patozi/ KLSH merr pjesë aktivisht në grupet e punës së EUROSAI-t

808
Në datat 20-21 prill 2015, u zhvillua në Romë, takimi i VI-të i grupit Task Force të EUROSAI-it për “Auditimin dhe Etikën” (TFA&E). Në cilësinë e anëtarit të këtij grupi dhe të interesit në rritje te institucionit për këtë çështje, KLSH mori pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm të EUROSAI-t, i cili trajtoi një prej çështjeve më aktuale për administratën publike, Etikën, e cila është e lidhur direkt me parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Trajtimi i kësaj teme është me rëndësi prioritare për institucionet supreme të Auditimit, të ngarkuara me mbikëqyrjen e menaxhimit të shëndoshë të financave publike. 
Në takim morën pjesë përfaqësuesit e 19 Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI-ve) : Gjykata Portugeze e Llogarive që kryeson Task Forcën, Shqipëria, Republika Çeke, Gjykata Evropiane e Audituesve, Kroacia, Maqedonia, Izraeli, Italia, Malta, Mali i Zi, Holanda, Polonia, Mbretëria e Bashkuar, Rumania, Rusia, Serbia, Spanja, Turqia dhe Hungaria. 
Punimet e këtij takimi u hapën me një prezantim të dy audituesve të SAI-t italian (që ishte edhe SAI mikpritës) “Etika dhe korrupsionit: dy anë të së njëjtës medalje”, të cilët theksuan rëndësinë e identifikimit të sjelljeve etike dhe veçanërisht të sjelljeve jo –etike, në mënyrë që këto të fundit të luftohen në mënyrën e duhur. Referuesit u përqendruan në diskutimin e tyre tek sjellja etike, e cila ngjall besim tek grupet e interesit dhe nga ana tjetër tek mungesa e etikës, e cila favorizon korrupsionin dhe sjell mungesë të theksuar besimi tek komuniteti.
Çështje të tjera të rëndësishme që u diskutuan në këtë takim ishin :
• Rritja e ndërgjegjësimit të SAI-ve për rëndësinë e etikës brenda SAI-ve (SAI holandez dhe portugez);
• Monitorimi i kuadrit ligjor dhe praktikave të sjelljes etike brenda SAI-ve (SAI portugez);
• Rishikimi i shpërndarjes së informacionit ne WEB-in e TFA&Ethics;
• Problemet etike / dyshimet / dilemat kryesore me të cilat audituesit përballen në punën e tyre të përditshme (Gjykata Evropiane e Audituesve, SAI i Italisë, Maqedonisë, Polonisë, etj);
• Konflikti i interesit dhe krijimi i kushteve për funksionimin e “Bilbil-fryrësit” brenda SAI-ve (SAI i Izraelit dhe Mbretërisë se Bashkuar);
Në ditën e dytë të takimit u diskutua rreth realizimit te objektivave të Planit të Veprimit të TFA&Ethics dhe këtu vlen të theksohet kontributi konkret i KLSH ne objektivin e 2-të “Forcimi i monitorimit dhe kontrollit të sistemeve të etikës në SAI”.
KLSH solli eksperiencën konkrete duke theksuar arritjet e saj në këtë drejtim, duke u përqendruar në bazën ligjore dhe rregullatore : vendosja e një sistemi efektiv të etikës dhe integritetit ka qenë në fokusin e strategjisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit, Ligji i Ri i KLSH-së, rregullore të brendshme, urdhra apo udhëzime, përkthime të standardeve, publikime dhe mbi të gjitha përditësimi i Kodit të Etikës së Institucionit në përputhje me ndryshimet e ndodhura. 
Aktivizimi dhe rritja e rolit të çdo audituesi në çështjet e Etikës. Një fakt interesant që tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve ishte iniciativa e Kryetarit të KLSH-së për të komunikuar drejtpërsëdrejti me çdo auditues që dëshiron të bisedojë dhe të diskutojë me Kryetarin për çështje qe ata i gjykojnë të rëndësishme.
Ky komunikim u dha mundësinë audituesve të shkëmbenin opinione dhe të jepnin sugjerime për përmirësimin e punës në KLSH. Kjo u vlerësua si risi interesante dhe gjithëpërfshirëse, e cila u jep të gjithëve besimin që zëri i tyre mund të dëgjohet dhe që çdo njeri prej audituesve, nëse angazhohet dhe merr iniciativën të shprehet, mund të ndikojë në vendimmarrjen e institucionit.
U evidentua gjithashtu fakti që në Kontrollin e Lartë të Shtetit një kujdes i veçantë i është kushtuar trajnimit të stafit të rekrutuar rishtazi. Si pjesë e Programit dhe politikës së trajnimit në KLSH, të gjithë punonjësit menjëherë pas rekrutimit i nënshtrohen një sesioni specifik trajnimesh “Prezantim me KLSH dhe profesionin e audituesit publik”, i cili zgjat 2 javë. Gjate kësaj periudhe, ata njihen me kuadrin e përgjithshëm ndërkombëtar dhe kombëtar të auditimit publik, Standardet dhe Ligjin për KLSH, ashtu dhe me çështje të veçanta teknike të profesionit të audituesit publik. Ndër temat e trajtuara, 20% e tyre lidhen me çështjet e Etikës.
Ngritja e strukturave adekuate të Etikës në KLSH. Në strukturën organizave të KLSH-së bën pjesë edhe Sektori i Etikës, në të cilin kryen funksionin “Inspektori i etikës”. Me shumë interes u ndoq nga pjesëmarrësit e takimit mënyra sesi është ngritur në KLSH “Komisioni i etikës “, në përbërje të të cilit janë tre anëtarë :
-Inspektori i etikës dhe integritetit i cili ka statusin e nëpunësit civil.
– Një auditues, me eksperiencë 26 vjeçare në KLSH dhe që është aktualisht në pension por që në kurrikulën e tij profesionale ka demonstruar profil të lartë të etikës dhe integritetit gjatë ushtrimit të detyrave të tij.
-Një auditues i KLSH-së, i cili është votuar nga stafi i institucionit.
Kjo strukturë është përgjegjëse për hetimin e shkeljeve të etikës/integritetit nga ana e audituesve dhe e pjesës tjetër të stafit të KLSH-së. Indicie, ankesa dhe letra që vijnë në adresë të institucionit nga publiku verifikohen nga kjo drejtori. Kjo ka qenë një masë me efekt parandalues për forcimin e sistemit të kontrollit të integritetit në KLSH.
Këto letër-ankesa të qytetarëve, jane administruar me profesionalizëm nga struktura e mësipërme dhe qytetarët marrin në çdo rast përgjigje për shqetësimin e ngritur, me përjashtim të rasteve kur çështjet e ngritura nuk janë kompetencë e KLSH-së. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka trajtuar gjatë 2014, 394 letra dhe ankesa, për probleme të ndryshme, nga të cilat 170 rezultuan jashtë kompetencave dhe juridiksionit të institucionit. Nga 224 kërkesa dhe ankesa në kompetencë të KLSH, 121 prej tyre janë verifikuar dhe u është dhënë përgjigja përkatëse, ndërsa 103 janë në procesin e verifikimit.
Promovimi i transparencës dhe rritja e komunikimit të SAI-ve me grupet e interesit, ishte një nga çështjet ku KLSH solli eksperiencën e saj te pasur në drejtim të :
Realizimit të projekte konkrete të bashkëpunimi me disa prej OJF-ve dhe organizatave të profesionistëve të fushës në Shqipëri në këto drejtime : 
– “Realizimi i transparencës dhe komunikimit të KLSH-së me publikun dhe qytetarët” nga Lëvizja Evropiane, Shqipëri;
– “Analiza e impaktit të shkrimeve të Audituesve të KLSH-se ne shtypin e shkruar “, nga botuesi i Gazetës “Ekonomia”;
– “Kontrolli i Cilësisë në të ftohtë” nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit; dhe 
– “Kontrolli i Procesit të Rekrutimit të stafit të KLSH-se”, nga Instituti “G&G Group”
Të gjitha këto projekte janë parë si Mini Peer Review(Rishikim mes kolegësh) dhe kanë nxjerrë produkte konkrete, ku janë evidentuar përveç arritjeve dhe mangësitë e dobësitë. Të gjitha rekomandimet e dhëna nga këto organizata do të shikohen me prioritet nga KLSH me qëllim përmirësimin e punës në të ardhmen.
Transparenca e veprimtarisë së KLSH-së po rritet nga viti në vit dhe KLSH është gjithnjë e më e hapur dhe bashkëpunuese me median. Nga përfaqësuesit e KLSH në këtë takim u theksua fakti që në fund të vitit 2014, KLSH ka gjashtëfishuar praninë e tij me informacion dhe mesazhe në median e shkruar dhe ka katërfishuar prezencën e tij në median audiovizive, krahasuar me vitin 2010.
Një risi e padiskutueshme është edhe prezenca e audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit në shtypin e shkruar, të cilët nëpërmjet shkrimeve të tyre kanë bërë prezente për lexuesit problematikat e auditimeve në institucionet shtetërore, por edhe zhvillimet e institucionit, rritjen e kapaciteteve audituese të stafit nëpërmjet trajnimeve, etj. Gjatë 2014, audituesit e KLSH-së ka qenë prezentë pothuajse në të gjitha gazetat me 134 shkrime, të shkruara nga 51 auditues të KLSH-së, përkundrejt 124 shkrimeve në vitin 2013 të 42 audituesve. 
Në fund të takimit u vendos që takimi i ardhshëm i TFA&E të zhvillohet në Spanjë dhe që ky grup do të jete prezent me diskutime konkrete në Young EUROSAI në Izrael dhe në Konferencën e Tetë të Përbashkët EUROSAI-OLACEFS që do të zhvillohet në Ekuador në qershor të këtij viti.
Sigal