Intervistë me autorin e librit “Demokracia nuk pret”, të Frank G. Shkrelit

769
Intervistoi Beqir SINA 

Dhënë gazetës Bota sot
Parathënjet që vijojnë, te libri “Demokracia nuk pret”, janë të Profesor Sami Repishtit, Dr. Elez Biberaj dhe Simon Mirakaj
“Demokracia nuk pret”, është libri i ri dhe i pari i gazetarit dhe publicistit të njohur Frank G. Shkreli. “Frank Shkreli, është një gazetar me përvojë të gjatë, me një karrierë të shkëlqyer 30 vjeçare në Zërin e Amerikës. Ai është shquar si një mbrojtës i flaktë i lirisë së shtypit, një luftëtar i paepur në kërkim të së vërtetës, dhe nxitës i përhershëm i demokracisë në Shqipëri, Kosovë dhe rajonet e tjera të banuara nga shqiptarë”, shkruan në parathëniet e këtij libri Dr. Elez Biberaj.
Libri i Frank Shkrelit,“Demokracia nuk pret”, është një përmbledhje e disa artikujve subjektesh të ndryshme, të botuar në gazeta dhe portale në Shqipëri, në Kosovë, në trojet tjera shqiptare dhe në diasporë, përfshirë këtu edhe gazetën Bota sot. 
Ky vëllim përmban vetëm rreth 10% të shkrimeve të 10-viteve të fundit të autorit, me shpresë, siç shprehet edhe vet ai në fund të kësaj ineterviste, se në vëllimet e ardhëshme do të mund të përfshihen një numër më i madh shkrimesh të përzgjedhura nga më shumë se 800 artikujve të shkruar e të botuar deri tani.
Frank G. Shkreli, është nderuar vitin e kaluar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani, me titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”. 
Ai mori këtë nderim, në saj të veprimtarisë së palodhur atdhetare për çështjen kombëtare, si dhe në respekt të rolit e kontributit të çmuar dhënë për dekada me radhë si veprimtar i shquar i të drejtave të njeriut; farkëtues i lidhjeve të gjithanshme shqiptaro-amerikane, duke u shndërruar në një simbol të rrallë e të vyer të shqiptarizmit.
Frank Shkreli u nderua me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së shquar atdhetare dhe kontributit të vyer shumëvjeçar si gazetar, publicist e redaktor i Seksionit Shqip dhe drejtues i palodhur i Divizionit Euro-Aziatik të “Zërit të Amerikës”, duke përhapur, mbrojtur me paanshmëri dhe lartësuar vlerat e parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë”.
Për të mësuar diçka më shumë, për librin “Demokracia nuk pret”, të autorit Frank G Shkreli, bisedojë me atë gazetari i gazetës Bota sot, në New York, Beqir SINA.
BOTA SOT: Fillimisht urimet tona për librin e parë me parathënjet që vijojnë, të librit “Demokracia nuk pret”, nga Profesor Sami Repishtin, Dr. Elez Biberajn dhe Simon Mirakaj?
SHKRELI: Të falemnderës për urimet tua, Beqir. I falënderoj miqtë e mi Profesor Repishtin, Dr. Elez Biberaj dhe Z. Simon Mirakaj, që pranuan pa asnjë hezitim, duke më nderuar që të bëheshin pjesë e këtij botimi, duke shprehur mendimet e tyre në lidhje me librin dhe përmbajtjen e tij si dhe për fjalët e tyre fisnike ndaj meje. Natyrisht se Prof. Repishtin dhe Dr. Biberajn i kam njohur për pothuaj një çerek shekulli këtu në Amerikë, dhe Simon Mirakajn ç’prej rënjes së komunizmit. Jam krenar për kontributin e tyre të çmueshëm ndaj çështjeve kombëtare gjatë viteve dhe jam krenar për miqësinë e ngushtë me ta. Dua të përmend gjithashtu edhe komentet e botuara në gazetën Telegraf në lidhje me botimin e librit dhe të falenderoj njëherazi edhe ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiun dhe dhe Doktorin Halim Kosova, ish-kandidat i Partisë Demoratike për Bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet e fundit në atë vend, për komentet e tyre me rastin e botimit të librit. Dua të falënderoj edhe shumë shokë e miqë të cilët vazhdojnë të më nxisin dhe të më inkurajojnë që të vazhdoj të shkruaj, por njëkohsisht dua të shpreh mirënjohjen e veçantë gazetës Telegraf në Tiranë e cila sponsorizoi botimin e librit, “Demokracia Nuk Pret”, edhe gazetës Bota Sot dhe disa mediave të tjera, sidomos në diasporë, por edhe në vendlindje, që botojnë nga koha në kohë, shkrimet e mia modeste.
BOTA SOT: Zoti Shkreli, ju lutem na thoni diçka mbi jetën dhe verimtarinë tuaj?
SHKRELI: Origjina e familjes time është nga Shkreli i Malësisë së Madhe, por unë jam lindur në një fshat afër Ulqinit. Aty kam kryer shkollën fillore. Në mungesë të mjeteve financiare për tu regjistruar në ndonjë shkollë të mesme në Kosovë, ku shkonin shumica e bashkmoshatrëve të mi në atë kohë – unë pata fatin të pranohesha në një gjimnaz klasik katolik në Rijekë të Kroacisë, në vitin 1965. Prej atje jam arratisur për në Perëndim në vitin 1970, me një valë të madhe shqiptarësh nga trojet tona, pas demonstratave të 68-tës në Kosovë, si rrjedhim i të cilave gjëndja e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, u keqësua, sidomos për shqiptarët nën Malin e Zi – të cilët besoj e kishin shumë më të vështirë jetesën në krahasim me shqiptarët e tjerë anë e mbanë ish-Jugosllavisë. Pas një qëndrimi prej më shumë se një viti në Itali, si shumë familje shqiptare nga trojet tona, u vendosëm me në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku duke punuar natën dhe duke shkuar në shkollë ditën, iu përvesha fillimisht mësimit dhe zotërimit të gjuhës anglisht, pa të cilën nuk mund të shkoje përpara. Në vitin 1974 u punësova tek radioja Zëri i Amerikës në Washington, fillimisht në seksionin shqip të VOA-s dhe më vonë edhe në detyra të tjera të kësaj organizate, përfshirë edhe Drejtor të VOA-s për Evropën, përgjegjësia e së cilës ishin programet radio-televizive drejtuar Evropës Qëndrore dhe Lindore gjatë, përfshirë Shqipërinë dh vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Unë kam dalë në pension pas një shërbimi prej 30-vjetësh pranë këtij enti të qeverisë federale amerikane. Pas nja dy vjetë pushimi në pension, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, një organizatë e fortë lobiste për çështjet shqiptare në Washington — sidomos gjatë viteve më kritike për Kosovën – në fillim të vitit 2005 më zgjodhi Drejtor Ekzekutiv të saj për të drejtuar veprimtarinë e zyrës së sajë në kryeqytetin amerikan, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve kudo që jetojnë. Pas largimit nga kjo detyrë jam marrë me “freelance”, me shkrime, për të cilat lexuesit që ndjekin media të ndryshme, mund të kenë dijeni – disa prej të cilave janë përfshirë në librin, “Demokracia Nuk Pret”, për të cilin bëjmë fjalë. 
BOTA SOT: Sa kohë ju mori të shkruani këtë libër? A ishit menduar gjatë për të dalë me një libër të tillë për herë të parë?
SHKRELI: Gjatë dhjetë viteve të fundit, megjithse i pensionuar jam përpjekur të vazhdoj punën që kam bërë për 30-vjetë – natyrisht jo formalisht si dikur – por kam ruajtur edhe pasionin tim për të shkruar dhe për të qenë i interesuar mbi gjëndjen aktuale në botë dhe veçanërisht për hallet tona në Shqipëri e Kosovë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Gjatë kësaj periudhe si “freelancer” deri tani besoj të kem sshkruar gjithsejt rreth 800-artikuj, komente, shkrime, analiza, opinione dhe intervista. Siç e dini, libri është një përmbledhje e vetëm nja 10-për qind e këtyre artikujve të shkruar gjatë viteve, por të cilët pak a shumë, përfaqsojnë në thelb, subjektet e trajtuara gjatë gjithë kësaj periudhe, me tema shqiptare, të zhvillimeve amerikane dhe ndërkombëtare, që kanë prekur – drejtë për drejtë ose tërthorazi — fatin e shqiptarëve kudo. Duke qenë se sot pothuaj çdo gjë është në internet, nuk e kam konsideruar si të nevojshme përmbledhjen e shkrimeve në një libër, por shumë miqë dhe kolegë më kishin sugjeruar që në fakt të bëja një gjë të tillë. Më në fund, qe Drejtori i gazetës Telegraf në Tiranë dhe miku im Engjëll Musai, ai i cili e shtyri idenë e botimit të librit të parë drejtë realizimit, duke marrë përsipër edhe sponsorizimin e daljes në dritë të librit, “Demokracia Nuk Pret”. 
BOTA SOT: Pse zgjodhët pikërishtë tani këtë titull, “Demokracia nuk pret”, a mos vallë kjo ka të bëjë me situatën që po kalon sot Shqipëria, 27 vjet mbas demokracisë?
SHKRELI: Nëqoftse nuk ka të bëjë me gjëndjen politike shqiptare, më shumë se një çerek shekulli pas rënjes së komunizmit, atëherë besoj se gjëndja e krijuar jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, ka frymëzuar një titull të tillë. Të gjithë ne duhet të flasim e të shkruajmë – jo vetëm se ku ishin dhe ku janë sot shqiptarët – por më me rëndësi është të shkruhet, të komentohet dhe debatohet – se ku në të vërtetë duhet të jenë sot shqiptarët, çerek shekulli pas shëmbjes së komunizmit dhe gati pas një dekade pavarësie për Kosovën, politikisht, ekonomikisht dhe për nga afrimi dhe antarësimi në organizmat euro-atlantike. Në një intervistë para nja 10-vjetësh, jam shprehur se, historikisht, shqiptarët kurrë në historinë e tyre uk kanë qenë më mirë se sot. Shumë prej nesh mendonim se shqiptarët, më në fund, pas vuajtjeve të mëdha nën komunizëm, nga të dy anët e kufirit — do të merrnin fatin në duart e veta dhe do të shënonin përparime në fushën politike dhe ekonomike, të pa para ndonjëherë në historinë e kombit shqiptar. Gjëndja aktuale politike si në Shqiqpëri ashtu edhe në Kosovë, sidomos mos-marrveshjet shkatrruese politike midis palëve të kësaj klase politike po i çojnë shqiptarët drejtë katastrofës si dy shtet dhe si komb, nëqoftse kjo klasë politike nuk përfillë interesat kombëtare, mbi të gjitha interesat personale dhe partiake që kanë ndjekur deri tani. Armqitë shqiptarëve mezi presin të peshkojnë në ujrat e turbullta të trojeve të Arbërit. Gjëndja e sotëme politike shqiptare nuk mund të cilësohet ndryshe veç ujra të turbullta, mos më keq. Para 7-8 vjetësh por edhe më vonë, kisha shkruar disa artikuj në lidhje me ndrëhyrjet e të huajve në trojet shqiptare. Sot flitet në nivelet më të larta botërore, nga Washingtoni e deri në Bruksel, për shqtesimet serioze ndaj ndërhyrjeve dhe interesave të Rusisë dhe të Turqisë në Ballkan. Putinët dhe erdoganët e kësaj bote janë mjeshtëra të veprojnë në situatat e krijuara politike dhe ekonomike në Ballkan. Nëqoftse politika shqiptare nuk ndryshon drejtim, kombi është në rrezik. Kjo ende është në duar të shqiptarëve, por “Demokracia Nuk Pret” gjithmonë! 
BOTA SOT: Si keni mundur ju nga kaq larg që t’a njihni kaq mirë situatën aktuale në Shqipëri?
SHKRELI: Po, unë gjithë jetën jam marrë, si të thuash, me këto punë. Përvoja e gjatë në punë por edhe dashuria dhe interesimi për fatin e bashk- atdhetarëve të mi anë e mbanë trojeve shqiptare, sidomos gjatë periudhës së egër komuniste në Shqipëri dhe të regjimeve kriminale sllave në ish-Jugosllavi, më ka bërë që ta ndjekë situatën atje dhe si individ – njohuria me gjëndjen më ka shtyrë që të pakën– të përpiqem të bëjë diçka për më mirë. Herë ia del, her nuk ia del, por sot, siç thashë edhe më lartë fati i kombit është në dorë të shqiptarëve. Askush në këtë botë, sot për sot, nuk mund të influencojë për keq ose për mirë, rrjedhat e historisë së shqiptarëve, nëqoftse vet shqiptarët janë të bashkuar, të pakën për interesat madhore të kombit. Gjithkush bën politikë në demokraci, por si në shumicën e vendeve perëndimore, të pakën këtu në Amerikë ku jetojmë, megjithë mosmarrveshjet politike, sidomos gjatë fushatave të zgjedhjeve – janë disa parime themelore, mbi interesat politike e partiake, për të cilat bihet dakort. Ka ardhur koha që edhe klasa politike shqiptare, së bashku, të bie dakort mbi disa parime bazë në interes të kombit, ndaj të cilave nuk guxohet të shkelet vija e kque.
BOTA SOT: Sa ka ndikuar përvoja juaj e gjatë në Zërin e Amerikës, në realizmin e kësaj vepre?
SHKRELI: Po ka ndikuar se për vite me radhë, gjatë punësimit tek VOA kam shkruar për programet radiofonike, se kjo ishte puna. Më vonë jam marrë më pak me shkrime, analiza e raporte pasi kisha detyra drejtuese që nuk më jepnin kohë për tu marrë me shkrime. Por në përgjithsi, patjetër që ka ndikuar, megjithse në “atë temen” jam marrë me shkrime edhe para se kam filluar punën tel VOA, natryisht në një nivel dhe ambient tjetër.
BOTA SOT: Një pjesë e madhe e librit janë ato që quhen “Lajmet ma të besueshme janë dhanë nga “Zeri i Amerikës”, Pse?
SHKRELI: Nuk jam i sigurt nëse “një pjesë e madhe e librit” flet për “lajmet më të besueshme” të Zërit të Amerikës, por është i njohur fakti se, Zëri i Amerikës ka vepruar dhe vazhdon të funksionojë dhe të mbulojë lajmet në përgjithsi, duke u bazuar në një ligj të miratuar nga Kongresi dhe të nënshkruar nga presidenti atje nga 1970-at. Është ai që quhet “VOA Charter” ose ligji i cili, me sa di unë asnjë ent tjetër lajmesh në botë nuk ka një obligim të tillë me ligj – për të mbuluar lajmet në mënyrë objektive, të drejtë dhe të gjithanshme, duke pasqyruar të gjitha mendimet dhe qendrimet politike, ekonomike a pot ë çfarë do natyre qofshin. Pasi kam punuar për 30-vjetë në VOA është vështirë të harrohen, në mungesë të një shprehjeje më të përshtatshme shqip, “sifatet e vjetëra”. Në fushën e gazetarisë, kjo ishte dhe eshtë e vetmja mënyrë për të qenë i besueshëm për lexuesin.
BOTA SOT: Zoti Shkreli, në vizitën e parë të një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë në Shqipëri, pas rënjes së komunizmit, me Sekretarin e shtetit James Baker, ishtit ju dhe Profesor Elez Biberaj nga Zëri i Amerikës. Çfarë vendi në librin tuaj zë vizita e tij në Shqipëri dhe si e kujtoni ju atë sot?
SHKRELI: Unë kam vizituar Shqipërinë për herë të parë në mars/prill të vitit 1991. Isha pjesë e delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit, që vizituam Tiranën menjëherë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, pas prishjes së tyre nga regjimi i Enver Hoxhës, pothuaj gjysëm shekulli më parë. Qëllimi i vizitës së parë diplomatike nga Washingtoni kishte për qëllim, natyrisht, për të vlerësuar gjëndjen politike dhe ekonomike në Shqipëri, për të filluar përgatitjet për hapjen e ambasadës së re amerikane dhe për të marrë pjesë si monitoriues në zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri. Unë nuk kam qenë në Shqipëri për vizitën e James Baker-it, por ishte kolegu dhe miku im i ngushtë Elez Biberaj, ai i cili shoqëroi Sekretarin Amerikan të Shtetit, Baker në vizitën e tij të parë në Tiranë. Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, si dhe marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shtetve të Bashkuara, jam përpjekur t’i trajtoj në shumë artikuj gjatë këtyre 10-viteve, bazuar në përvojën dhe pjesmarrjen time të drejtë, por edhe si vërëjtës nga larg.
BOTA SOT: A mendoni ju se Shqipëria, është aty ku duhet të jetë sot mbas 27 vjet të rënjes së komunizmit?

SHKRELI: Është e qartë se shqiptarët nuk janë të kënaqur me situatën politike dhe ekonomike. Pakënaqsitë e tyre ata po i tregojnë duke “votuar me këmbë”, me largime masive nga trojet e të parëve. Të gjithë ne e dime se nuk ishte kollaj të largoheshim nga shtëpitë tona në kohën kur jemi larguar para një gjysëm shekulli, por na detyruan hallet e travajët si dhe mungesa e lirisë dhe diskriminimet e egëra nga regjimet shtypëse komuniste të kohës të largoheshim nga trojet e të pareve tanë. Kjo histori po përsëritet edhe sot, fatkeqsisht, ndonëse ndoshta për arsye të tjera. Njerzit nuk largohen nga atdheu për qejf! 
Siç thashë edhe pak më lartë, shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe kudo ngjeti duhet të pyesin veten – jo ku ishim dhe ku jemi sot – por ku duhej të ishim në krahasim me shumë vende ish-komuniste, përparimi politik dhe ekonomik i të cilëve është tepër i dukshëm në krahasim me dy shtetet shqiptare. 
BOTA SOT: Frank, a mendoni se janë shëruar sot plagët e së keqes…! atyre vuajtjeve të tmershme 45-vjeçare, të shkaktuara prej regjimit diktatorial të Enver Hoxhës në Shqipëri? 
SHKRELI: Kjo pyetje është më e drejtë dhe më e përshtatshme për viktimat e gjalla të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. Janë ata që kanë të drejtën ekskluzive të prononcohen për një gjë të tillë. Është vështirë për mua, me një jetesë normale në Shtetet e Bashkuara, që të marr me mend vuajtjet e shkaktuara nga regjimi komunist kundër popullit të vet. Por unë di një gjë, ashtu siç e dinë edhe shumë shqiptarë vuajtës ose jo të atij regjimi, se Shqipëria gjatë këtij çerek shekulli, pas shëmbjes së Murit të Berlinit dhe eksperimentimit me demokracinë, është njëri prej vendeve ish-komuniste që ka bërë pak ose aspak në këtë drejtim. Janë bërë gjeste aty këtu, por vetëm sa për sy e faqe, pa asnjë pasojë për ish-zyrtarët e regjimit komunist, persona të cilët kanë patur gisht drejtë për drejtë në vuajtjet e bashkatdhetarve të vet, ish-zyrtarë komunistë cilët edhe sot e kësaj vazhdojnë të jenë në detyra administrative, shtetërore e qeveritare. Askush nuk kërkon hakmarrje kundër askujt, por të pakën një njohje sadopak të vogël se viktimat e regjimit komunist kanë pësuar tmerrin dhe të pranohet dhe të njihet pafajsia e tyre. Dua të theksoj se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani është një përjashtim në këtë mes. Ai, në kapacitetin e tij dhe përsa e lejon detyra ka bërë më shumë drejtë pajtimit kombëtar në këtë drejtim, në krahasim me të gjithë politikanët e tjerë gjatë viteve. Ai është i vemti udhëheqës shqiptar në këto 25 vite post-komunizëm që vizitoi Spaçin, ose ndonjë kamp tjetër përqendrimi. Pasojat e këtij mos-veprimi nga institucionet kompetente shihen kudo dhe pasqyzrojnë edhe realitetin politik fatkeq të vendit. Prandaj, pa patur njëfarë përballimi serioz me atë histori dhe pa pajtim kombëtar në lidhje me të kaluarën komuniste, nuk besoj se vendi as kombi mund të shkojnë përpara. 

BOTA SOT: Zoti Shkreli çfarë mendimi keni ju për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, dhe pse po zvarrietn kaq shumë? 
SHKRELI: Dihet se një pjesë e madhe e dosjeve, sipas ekspertëve, janë zhdukur në vitin 1991-92, por edhe më vonë në mënyrë të seleksionuar. Përsëri ky është një proces që Shqipëria post- komuniste nuk e ka marrë kurrë seriozisht, në mendimin tim me qëllim, sepse aty janë fshehur krimet dhe turpi i kombit. At fshihen akte kriminale nga njerëz ende në detyra të larta. S’do mendë se nuk është në interesin e tyre të hapen dosjet. Fatkeqsisht, e vërteta e plotë e dosjeve nuk do të dihet kurrë. Por Komisioni i formuar kohët e fundit për hapjen e dosjeve meriton mbështetjen por edhe simpatinë e të gjithëve pasi gjëndet përball një detyre të rëndësishme kombëtare, megjithëse ndoshta të pamundur për të zbuluar të vërtetën, ose të pakën gjysëm të vërtetën. Por gjysëm e vërteta është më mirë se asgjë. Unë nuk dua të paragjykoj punën e këtij komisioni — për antarët e të cilit duhet të kemi respekt për ndërmarrjen e tyre — e disa prej të cilëve të vuajtur vetë ose familjet e tyre nën regjimin komunist. Besoj se edeh ata vet janë të vetdijshëm se fillimi i procesit të hapjes së dosjeve është shumë pak dhe tepër vonë, siç thuhet, por unë besoj se më mire pak se hiç. Shpresoj që në këtë proces, Komisioni për hapjen e dosjeve në terësi dhe antarët individual në veçanti të mos hasin në trysni zyrtare që do të pengonte punën e tyre. Shpresoj gjtihashtu që ata të ruajnë pavarësinë e tyre nga ndërhyrjet zyrtare ose individë që duan të pengojnë daljen në dritë të së vërtetës. 

BOTA SOT: Pse shtresa e presekutuar u la kaq larg në intergimin e tyre për 27 vjet, dhe e prekët në librin tuaj “Demokracia nuk pret” 

SHKRELI: Po fatkeqsisht, atmosfera e jetës në Shqipëri, është ende si dikurë, “ata dhe ne”. Ndasitë shoqërore vazhdojnë, sikur disa janë shqiptarë më të mirë dhe disa jo aq të mirë. Duket se e kaluara e një personi përcakton edhe statusin në shoqëri gjithnjë, si i prekur, ish i përndjekur. Një prej tyre më pat thënë me një rast, mos më thirr ish i përndjekur, se unë jam gjithnjë i përndjekur shtoi ai, 25 vjet pas lirimi nga burgjet komuniste. Sidoqoftë, për t’iu përgjigjur pyetjes tënde, duhet të jemi të sinqert dhe të themi se edhe të persekutuarit ose ishtë përndjekurit e kanë deri diku edhe fajin vet për mos integrimin e tyre në shoqëri. Ata fatkqesisht mbeten të përçarë edhe ata si politika –ose për arsye të politikës — në grupe të ndryshme. Duhet të ketë një bashkrendim më të mirë dhe më përbashkues të veprimtarive të tyre për tu përballur me situatën në të cilën gjënden. Të pakën të përndjekurit duhet të kenë diçka të përbashkët, atë të vuajtjeve të tmershme nën regjimin komunist, pa pasur asnjë faj dhe si të tillë të kërkojnë drejtësi. 

BOTA SOT: Konica ka thënë: “Mirë se po shkruajmë – po kush na lexon!”, Pra çfarë keni bërë ju me këtë vepër që ajo të lexohet në çdo rresht që ke shkruar, në çdo fjalë që ti ke folë, në jetën private dhe atë publike, me zërin tuaj të fuqishëm e me pendën e tuaj të fortë,” siç të përshkruan në parathnien e tij edhe profesor Sami Repishti?

SHKRELI: Fatbardhësisht, në botën në të cilën jetojmë sot askush nuk mund të na detyrojë çka të lexojmë e çka mos lexojmë, çka të dëgjojmë e çka të shikojmë. Shkrimet e mia kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në syrin e publikut për një kohë të gjatë. Është një thënje anglisht që thotë se, “proof is in the copy”, prova pra nëse dikush të lexon artikujt ose jo, është pikërisht në kopje, në përmbajtjen e shkrimit, nëse je i besueshëm, objektiv dhe gjithpërfshirës në ato që shkruan. Ky është një vlersim që vet lexuesi mund dhe duhet t’a bëjë, për mua dhe çdo kënd tjetër që merret me këtë punë. E kështu, pra edhe duhet të jetë në një atmosferë qarkullimi të mendimeve dhe fjalës së lirë!
BOTA SOT: Së fundi ky vëllim përmban vetëm rreth 10% të shkrimeve të 10-viteve të fundit, por cilat do të jenë në vëllimet e ardhëshme, a do të të përfshihen në një libër tjetër, një numër më i madh shkrimesh të përzgjedhura nga më shumë se 800 artikujve që keni shkruar dhe botuar deri tani? 
SHKRELI: Ky është vërtetë vëllimi i parë përmbledhës i një numri të caktuar artikujsh. Shpresoj që në të ardhmen të kam mundësi që të përmbledhi shkrime, analiza e komente në vëllime të tjera, pasi janë një numër i madh nga të cilat mund të përzgjedhi. Por, prej natyre nuk jam lakmitar dhe pajtohem shpejt dhe me pak — duke i mbajtur gjërat në përspektivë dhe duke vlerësuar gjërat që kanë më shumë rëndësi në jetë, se sa një vëllim botimesh më pak ose më shumë.
BOTA SOT: Zoti Shkreli u urojmë suksese. Ishte me të vërtetë kënaqësi! 
SHKRELI: Kënaqësia është e imja!
Sigal