Ing. Ahmet Collaku/Qyteti fantazmë i Patosit…

819
Sigal

Qyteti i ri Patos ndodhet në juglindje të qytetit të Fierit, në rrugën kombëtare Fier-Tepelenë. Është një qytezë industriale krijuar rreth vitit 1949 për të strehuar punëtorët dhe inxhinierët që punësoheshin atëherë në industrinë e naftës shqiptare. Atëherë qyteti i Patosit, ish kryeqendra e industrisë së nxjerrjes së naftës në Shqipëri, kurse tani ai ngjan me një qytezë të mjerë, me njerëz të varfër që përsërisin refrenin e Shekspirit, “Te jetosh apo të mos jetosh”.

Kthehem pas disa vitesh. E  kam të lehtë të kujtoj, po shumë të vështirë të shikoj sepse më mbysin lotët. Eci drejt rrugës kryesore që të çon në lindje, andej nga është ndërtesa e Albpetrolit. Pentagoni naftës shqiptare. Pyes një meso burrë që qëndron ulur pranë derës kryesore duke pirë duhan. Dera i ka të gjitha brinjët prej hekuri. Nuk i heq sytë nga fjala “Albpetrol” atje në ballë të asaj godine, e cila gjithmonë ka mbjellë një hije frike dhe rrezatim të  keq. Si më përpara edhe tani. Atëherë cuku kishte lëvizje, hynin dhe dilnin njerëz, naftëtarë, tani këtu hyn dhe del vetëm hija, frika. Aty tani është vetëm roja dhe askush tjetër. Roja, tharë nga duhani, e thith si ta këtë cigaren e fundit në këtë jetë, nis të përdridhet dhe më vjen në krah, më thotë se aty tani nuk ka asnjëri. Dhe heshtim të dy. Bëjmë garë cili do të heshtë më gjatë, unë apo ai. Ai  dorëzohet e më në fund më pyet, nga vij dhe cili jam. -Drejtori na ka thënë të mos komunikojmë me asnjë… Kështu është urdhri, thotë ai dhe bie në mendime. E lë atë në punë të vetë dhe kthehem ngadalë përsëri në qendër për dy-tre minuta. Futem në një kafene ku të mbyt tymi dhe një TV hapur në maksimum. Në tavolinën përbri bisedojnë gati kokë më kokë disa të moshuar. Asnjë nuk njoh. Ku janë shokët dhe miqtë e mi të dikurshëm pyes veten?. Të katër janë naftëtarë dhe bisedojnë për privatizimin e “Albpetrolit”. Dëgjoj të zënë në gojë kryetarin e PD-së për degën e Fierit, Ferdinand Muratin.

Patosi, qyteza e ndërtuar për naftëtarët në vitin 1946, duhet të ishte një ndër më të pasurat në vend. Besoj se nuk është nevoja për statistikat zyrtare të papunësisë për të kuptuar që qyteti i vogël vuan varfërinë. Aty më thanë se kafeja kushton 300 lekë të vjetra, klientë janë vetëm naftëtarët të cilët nuk kanë para, ata e mbajnë frymën gjallë nga emigracioni, kryesisht në Greqi dhe në Itali kurse pjesa tjetër jeton me ndihmë ekonomike. Sikurse ata, edhe unë kam punuar 30 e ca vite në naftë dhe marrë një pension qesharak, po dikush aty më thotë se ka naftëtarë që kanë punuar për më shumë se 30 vjet në sektorë të ndryshëm të korporatës “Albpetrol” e janë pa pension. Kudo flasin për shkatërrimin e Albpetrolit, i cili në fund të viteve 80-të numëronte 25 mijë punonjës e nxirrte 2 milion e 20 mijë ton naftë në vit. Vite të tera  “Albpetroli” ka fryrë maskarenjtë e vendit dhe ata të huajt. Tani mushkëritë e naftëtarëve janë grirë nga gazetë e naftës, kurse ata vuajnë nga obeziteti.

Këto ditë në qytetin e Patosit zbriten deputetët e opozitës. Më duket se edhe deputetët e opozitës janë të infektuar nga berishizmi. Qenka interesant ky botëkuptim. Të mos e rëndojmë kot Berishën, vetë këta deputetët  e PS-së e pëlqejnë berishizmin. Është një deputet, ekonomist i klasit të “parë”, me tre mandate në Parlament por deri më sot nuk ka nxjerrë dy fjalë për naftën dhe naftëtarët, për ato fosile të gjalla shpërndarë nëpër Shqipëri, Kanada, Amerikë. Qyteti i vogël i Patosit, ndërtuar enkas për ata banorë, aty në atë kodër, ka vite që mban zi! Salla e kinemasë ku mbaheshin ato aktive dhe mbledhje bërthamore, ruan akoma në memorie atë inkuizicion komunist. Nga dridhjet e  specialistëve dhe egërsia e Byrosë kanë lëvizur themelet. Aty më 5 Mars të vitit 1975 u be ai aktivi i tmerrshëm ku ish Kryeministri  Mehmet Shehu e jonizoi disa herë sallën, ku edhe mizat u tërbuan ndërsa drita u zbeh. Ai aktiv çoi në kryqëzim dy gjeologë që nuk përsëriten më, gjeologun kolos në karakter dhe në mendime Koço Plakun dhe të talentuarin Milto Gjikopulli. Ata nuk bënë kompromis me moralin e tyre, prandaj si burra u kryqëzuan pas një viti… E, sa shumë gjera më lidhin me qytetin e Patosit. Miqtë e mi, kur të shkoni në qytetin e Patosit, mos harroni të vizitoni atë muze me mure të krisur dhe tavan të nxirë. Atëherë kishte heronj, tani ka hajna, hajna nga PD-ja, PS-ja, LSI-ja e me radhë… Patosi është qyteti që mban peng rininë time, dhembjen time, Patosi me Institutin Teknologjik, me bibliotekë, me mensën nr.6, me atë të inxhinierëve ku ndihet akoma era e gjellëve të Andreas… Tani këtu zbresin deputetët e partive të ndryshme sepse duan votat e naftëtarëeve.

Qyteti i ri dhe i vjetër, ndërtuar aty pranë Kalasë së Margëllicit duheshin të mateshin me Parisin atje tutje. Tashmë qytetarët e kësaj qyteze, jetojnë të dëshpëruar dhe gjithë pezëm, mezi capitin në atë bulevard të vogël një pëllëmbë. Deputetët që kanë pasur mandat në Patos shkallë-shkallë e kanë shkatërruar naftën tonë shqiptare.

Edhe z. Rama pa dashje (apo me dashje ), është infektuar nga ideologjia e z.Berisha. Ai gjykon që me lule në duar do tu kthejë shqiptarëve naftën e vjedhur ndërsa për ato sondat me dalta diamanti vjedhur me kohë, për ato ndërmarrjet dhe institucionet e shembura, për privatizimin e Albpetrolit, për këto ai nuk di gjë dhe as që mban përgjegjësi… Anthoni Edon, Kryeministër i Anglisë shumë vite më parë, kur ra fjala për naftën ju drejtua Hrushovit me fjalët, “mos prekni zonën e naftës ndryshe plas lufta që nesër!

Z.Rama, ka gjithë ata deputetë, po për dreq disa nga ata nuk i binden, kërcejnë si kokoshka herë në një krahë, herë në krahun tjetër. Deputeti Ahmetaj thotë se në këto tetë vjet kërkimi në sektorin e naftës ka dështuar, se asnjë pikë naftë e re nuk është zbuluar, se, në emër të interesave klienteliste Sali Berisha ka krijuar kushtet për një shfrytëzim pa asnjë kriter të naftës në Shqipëri, se shkrirja e Institutit të Naftës, se, se, se… Po përse të gjitha këto bëma të Berishës, ky deputet i lë për fushatë?! Ne, populli i thjeshtë i dimë të gjitha këto.  Sikur Z.Rama t’i vidhnin makinën, çfarë do të bënte? Z.Rama e di mirë, se kur është fjala për pronën private, kërcet pushka edhe për një pulë, apo ferrë, po për naftën e vjedhur, konvertuar në miliarda, çfarë do të thoshte Z.Rama?! Fajin për të gjitha këto, nuk e ka Berisha, po berishinjtë edhe në krahun tjetër që bëjnë sehir duke pritur ta na serviret ndonjë kafe, të themi sikur dëgjuam, sikur kuptuam, sikur votuam, sikur përparuam, sikur u emancipuam, sikur jemi gati për Europë… Për çështjen e naftës deputetët socialistë duhet t’i kishin vënë karantinë parlamentit shqiptar që ditën e parë, sepse nafta u shkatërrua gradualisht…  Le të na thonë parlamentarët tanë, sa arrijnë deri më sot këto dëme në naftë, sa naftë është nxjerrë dhe në xhepat e kujt kanë shkuar?! Të shkosh në qytetin e Patosit në prag të zgjedhjeve, pa pikë emocioni dhe pa cituar një shifër, do të thotë të lypësh. Udhëtarë, nëse do të kaloni nga qyteti i Patosit vendosni një tufë me lule aty ku janë mbjellë kujtimet tona!