Ilmi S. Qazimi: Mos vallë, kryetari ka frikë nga firma?!

196
Sigal

Në praktikën drejtuese shtetërore ngado veprohet sipas ligjeve. Madje edhe në shtetin më ‘rrumpallë’(kjo fjalë është kryeministrore e jo imja) ka akte ligjore e nënligjore duke nisur nga Kushtetuta dhe që burojnë prej zbërthimit e detajimit të fjalive të saj themelndërtuese. Tërësia e tyre tregon se si duhet të punojë ai apo ajo që ulet në atë karrige administrate, që të realizohen detyrat, të cilat i përksin institucionit, cilido qoftë ai dhe cilido qoftë sistemi ekonomiko-shoqëror në fuqi. Nga praktika jetësore ka shumë shembuj skajshmërisht të shkëlqyer ashtu siç ka edhe të bukur, të shëmtuar apo edhe të paimagjinueshëm deri armiqësorë.

Kujtoj se në jetën ushtarake shqiptare në kohën e sistemit socialist, për shumë vite u vendos nga politika dhe ideologjia e asaj kohe që komanda e të gjithë niveleve të ishte kolegjiale. Ajo përbëhej nga komandanti e nga komisari, përvojë kjo shumë e mirë e sjellë nga koha e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit tonë. Praktikat dokumentare kërkonin që çdo dokument duhej të kishte dy firma. Tregojnë raste që njeri prej titullarëve kishte frikë firmën, tjetri kishte frikë të firmoste i pari, një tjetër nuk donte t’ia dinte fare për firmën e shokut-koleg, dikush kërkonte që të nxirrte dokumente tinëz vetëm me një firmë të tijën, apo edhe një që preferonte të firmoste zëvendësi i tij të mundshëm, edhe pse ligjërisht kërkohej firmë titullari. Të gjitha këto e të tjera eksperienca negative pasqyroheshin poshtë në bazë, apo lart në organet eprore ku shkonin dokumentet. Por të atillat që numurova ishin mjaft të rralla, sepse ishte partia si shqipe mbi kokë që, së pari i zgjidhte kuadrot për të qenë trima e tejpamës, e më pas nuk lejonte të bubrronin ata që nuk e meritonin, apo që ishin frikacakë për të qenë titullarë dhe iu shmangeshin përgjegjësive.

Ecuria shtetërore e kohëve tona protokapitaliste shqiptare, përgjatë këtyre 33 vjetëve rrënuese e mashtruese të shtetit tonë, po tregon hapur, dendur, keqas se mjaft nga drejtuesit tanë dikasterialë janë o frikashë, o dembelë, o të djallëzuar deri në skaj, kur vjen puna tek firmosja e dokumenteve që kanë përgjegjësi ligjore, materiale, diplomatike apo historike.

Hidhini një sy medias shqiptare të shkruar këto vite se sa shumë faqe e libra janë shkruar për bëmat kriminale, armiqësore, antishqiptare të Sali Berishës kur ai ishte kryetar i qeverisë apo i presidencës. Gjithkund ndër to, problemit i vihet rrotull e rrotull, por nuk i vendoset dot gishti tek emri i Saliut, edhe pse dihet si dita me diell që autori në shumicën e rasteve, direkt apo indirekt është ai. Kjo ndodh, sepse nuk ka firmë personale të dorës së tij! Ose ka firmosur zëvendësi ose është vepruar me një nga marifetet e shumta djallëzore të prishjes, humbjes, kompromentimit të firmës. Historia jonë kujton edhe mbretin Ahmet Xh. Zogu që shumë rrallë firmoste, shumë rrallë delte me fjalime të përgatitura me firmë, paçka se jo pak nga atdhetarët më të shquar të këtij kombi i ka asgjësuar ai. Janë vrarë e masakruar mizorisht me urdhër të tij. Po se mos vetëm aq!? Ai e mbylli hesapin e tij me etiketimin tradhtar i kombit. Edhe pse pasardhësit e tanishëm shqeto sahanlëpirës, damksur me vulën e tradhtisë e ringritën përsëri në një palo përmendore apo duke i dhënë emrin një lloj bulevardi. Ai, domosdo që nuk ishte pa vlera, por i dhanë më shumë sesa i përkiste, sepse kështu, këta të sotshmit, mbulojnë veprën e tyre antishqiptare e antikombëtare. E ky që e udhëhoqi këtë rimëkëmbje është po S.Berisha e më pas Edi Rama. Por firmë të tyre për këto bëma gjëkundi nuk ka!

Edhe e “gjora“drejtësi e këtij shteti të nëpërkëmbur nga fuqitë e mëdha këtej e përtej oqeanit Atlantik, nuk gjen dot firmë që të ndëshkojë veprat antinjerëzore të S.Berishës dhe vartësve imediatë të tij. Ndëshkimi, për çdo lloj vepre penale a kriminale të mirëfilltë, aq pak sa mund të vërtetohet nga organet tona të drejtësisë, e shumta mbetet tek vartësit e varfër, pa miq, pa pará e pa përkrahje. Madje edhe ndonjë bëhet bedel!

Kjo praktikë e mosfirmosjes, po ndiqet edhe nga pasardhësi Edi Rama. Kur dëgjojmë që nga 48 mbledhje qeverie ai ka drejtuar vetë fizikisht dhe ka firmosur vetë vetëm në dokumente të 29 të tillave, lindin pyetje, dyshime, reagime nga gjithkush. Tani vlen fjala vetëm duke u drejtuar në vetën e dytë numuri njëjës. Së pari natyrshëm vërshojnë pyetjet: Ku ke qenë dhe pse nuk ke firmosur? I sëmurë nuk ke qenë, shyqyr Zotit! I thirrur nga ndonjë organ epror (ndonëse të tillë ti ke vetëm Amerikën!) nuk ke qenë. Përse nuk e ke drejtuar vetë personalisht mbledhjen e qeverisë, por ua lë zëvendësve qoftë femër apo mashkull. Do ketë raste që do të mungojë njeriu në një aktivitet në miliona të tilla, që zhvillohen. Por të mos drejtosh atë për të cilën ti paguhesh dhe je zgjedhur, do të thotë se nuk je paraqitur në punë. Të mos firmosësh dokumente qeverie që kanë peshë kombëtare materiale e morale, për vepra madhore të spektrit ekonomik, kulturor e ushtarak, kjo do të thotë se ke braktisur punën. F.Noli pati thënë afërsisht këto fjalë: kur kryetari nuk i bie mirë fyellit, vatanin e mori lumi!

Lind kundërreagimi i menjëhershëm: po ç’të duhet ty more budalla që i mpreh qetë kundër kryetarit? Është reagim i mirëpritur. Si qytetar e kam një të drejtë minimale që të them fjalën dhe mendimin tim publikisht për një vepër që bën ‘muuu’ dhe dëmton tërë kombin e vendin. Dhe ja pse. Janë të qarta pasojat kur njeriut i hyn vetja në qejf! Ose kur e shpreh hapur se “unë nuk jam më i miri, por më të mirë se unë nuk ka këtu!” Po ashtu janë të kthjellta edhe qëndrimet e servilëve, të paaftëve, të korruptuarëve ndaj shefit, çdo lloj shefi. Realisht për shumë dokumente ti, si kryetar, nuk firmos, duke ua lënë firmën dhe vulën, pra barrën reale dhe përgjegjësinë ligjore, vartësve. Demek iu ke lënë inisiativë! Pastaj kur del prroçka në shesh, ndëshkimin, dënimin e marrin ata, kurse ti, nuk di gjë. Del fare i larë! Madje edhe i fituar! Të jetë kjo praktikë një rastësi, djallëzi, paaftësi apo frikë?! Gjithkush që kryen një detyrë sipas ndarjes shoqërore të punës duhet të njohë mirë së pari detyrën e pastaj të drejtat. Po ashtu duhet të mendojë edhe dënimet me privim lirije kur shkelen ligjet, rregullat, normat.