Ilimi Qazimi: Revanshizmi po na pushton parlamentin!

277

-O SHQIPTARË, NGREHUNI DHE BJERUNI!-

Sigal

Po sulmohen ashpër gjuha shqipe, traditat dhe kultura jonë e lashtë, integriteti tokësor ajror dhe ujor. Po sulmohet ekzistenca e  kombit shqiptar jo me avionë e raketa , por me ‘pambukun’ ligjor, mashtrimet fitimsjellëse dhe kurthet mafioze


Para pak ditësh dëgjuam se midis ish-mësuesit, Taulant Balla dhe ish-ministrit të “drejtësisë”  Enkeleid Alibeaj, të dy këta deputetë me kapardinë kryetarllëku dhe xhamadanë gjoja karshillëku u bë një akshampazar neofashist: Më jepni ju socialistët votën për ligjin mbi “dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare”pika që s’u bie!?; dhe ne u japim juve votën për ligjin mbi “heqjen e ish-sigurimsave nga drejtimi shtetëror” një flluckë sapuni amerikan! Ky u quajt pazari i gushtit!

Erdhi vjeshta e parë dhe tani do votohet. Kryetarja e parlamentit nuk ka këllqe e mendje që ta kundërshtojë këtë Pazar, sepse ajo vetë pi ujë në burimin e majtë që ushqehet nga e njëjta vijë ujitjeje, që ka edhe çesma e djathtë. Ndaj pritet që Shqipëria jonë, dy presje tetëmilionshe, të ketë qeveri e parlament ‘të pastruar’ nga ish-sigurmsat dhe së dyti, nuk do të ngelet këmbë komunisti e objekt me përmbajtje komuniste në këtë truall! Ç’u gënjen mendja, more ditëzinj!

Le t’i referohemi shkrimit-kushtrim të Gjon Bruçit, datë 13 shtator 2022, kur kujton se dramaturgu i famshëm gjerman, Bertold Breht, pak kohë mbas mbarimit të Luftës së dytë Botërore, duke folur për rrezikun e ringjalljes së nazifashizmit, nëpërmjet dramës “Arturo Ui”, na pati lajmëruar se: “Barku që e polli (nazifashizmin), ende nuk është shterpëzuar”! Sot , pas afro njëqind vjetësh, qenka edhe vendi ynë, që vuajti aq shumë nga nazizmi e fashizmi në luftën heroike kundër tyre derdhi gjakun e 28 mijë dëshmorëve, në rreshtat e atyre ku po ringjallet bisha njerëzore dikur e mposhtur rëndë.

Mbase duhet thënë me zë të lartë që ta marrin vesh edhe më të shurdhuarit nga pasuria dhe padituria se fashizmi ishte pjellë e mirëfilltë e kapitalizmit monopolist, e sot është pjellë e drejtpërdrejtë e imperializmit amerikan e rus. Po u tronditën themelet e pasurive të tyre, të sundimit mono apo dy polare të botës dhe ndaj ata ndërsejnë qentë e rinj, që kanë përvetësuar shpejt huqet e të vjetërve, brenda cilitdo vend që ka trazira, vartësira ekonomike e pavendosmëri qeverisjeje.

Kapitalizmi dhe komunizmi janë e do të jenë në luftë dhëmb për dhëmb me njëri-tjetrin deri sa të fitojë komunizmi. Dhe pa as më të voglin dyshim që do të fitojë, sepse është aspiratë mbarënjerëzore. Por duhet kuptuar se imperializmi i nxjerr gështënjat nga zjarri vetëm me duart e të tjerëve. Mashat e tyre këtu tek ne janë bërë tashmë jo vetëm S.Berisha, që duhej të ishte larguar prej kohësh nga skena politike, por edhe shumica dërrmuese e partive dhe qeveritë me kryetarët e tyre respektivë. Të rrimë pak pjerrtas e të flasim drejt: deri tani neofashizmi në mendësi, praktika dhe veprime anësore ka korrur sukses. Janë goditur ngjarje, data dhe persona historikë që i kanë shërbyer vetëm Shqipërisë si truall, si komb si vend e si popull.

Dëmet më të rënda nuk i kemi pësuar në ekonomi se ajo edhe rimëkëmbet, por në aspektin shpirtëror, moral dhe demografik kemi humbje të mëdha dhe duhet kohë për ta rimarrë veten. Ndaj këtyre deuptetëve që propozojnë këto palo-ligje e këtyre individëve që bëjnë rolin e mashës në dorë të të huajve t’u themi ndal! Kuptohet që  i vogli mbetet i vogël, por kurrë të mos harrojmë “se pas dimrit vjen një verë”, “edhe i vogli shtrin viganin, dhe i shtypuri tiranin, ” ,-tha dikur Fan Noli.

Duke qenë i një ideje, qëndrimi dhe veprimi me kryetarin e komitetit Kombëtar të Veteranëve dhe pasardhësve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, Odhise Porodini, është e domosdoshme që të shpjegohet e të kuptohet thellë se përpjekjet për ligje antikomunsite duke luftuar simbole e emra, ngjarje- data-piketa të historisë shqiptare, neofashistët e jashtëm dhe shërbëtorët e këtushëm me kravata-pranga në qafë e karta në duar nëpër salla mbledhjesh, sulmojnë vetë ekzistencën e Shqipërisë. Po sulmohen ashpër gjuha shqipe, traditat dhe kultura jonë e lashtë, integriteti tokësor ajror dhe ujor. Po sulmohet ekzistenca e  kombit shqiptar jo me avionë e raketa , por me ‘pambukun’ ligjor, mashtrimet fitimsjellëse dhe kurthet mafioze.

Këto janë petullat me ujë të helmuar që bën parlamenti ynë ku po gëlon edhe teoria, praktika dhe metodat fashiste të të qeverisurit dhe të hartuarit e të vendosurit të ligjeve shtetrregulluese. A do ta lejojmë ne votuesit këtë tradhti dhe vetëshpërbërje kombëtare?