Hyqmet ZANE / Të përndjekurit, diktatura i vrau, socialistët i djegin

588
Sigal

“Në botë do të bëheshin më pak të këqija, sikur e keqja të mos bëhej në emër të së mirës”

Keqardhja për mëshirën që kërkojnë ish të përndjekurit politikë nga lidershipi socialist, më është dukur më e rëndë se sa vrasja që u bënë këtyre të përndjekurve baballarët e socialistëve që sot kërkojnë edhe t’i djegin. Të vdesësh për një ideal, kjo është sublime dhe sakrificat e këtyre ish të përndjekurve dhe atyre që u vranë e që nuk panë asnjë ditë të bardhë, janë vlerësim për shtresën e tyre.

Ndoshta sakrifica e sotme e një grupi të veçuar të ish të përndjekurish, më duket si një qëllim në vetvete që benzinën e kanë vënë kohë më parë ata, mjeshtrit e persekutimit që ende janë gjallë dhe që livadhisin dhe si dorë e padukshme vërtiten duke hedhur gurin e duke fshehur dorën. Gjithnjë gjenden edhe mes ish të përndjekurve ca nga ata (megjithëse në pakicë) që u përdorën nga diktatura për bashkëvuajtësit e tyre në burgje dhe ky është një realitet. Nuk di se çfarë emir t’i ve për shembull pjesëmarrjes së disa ish të përndjekurve tipik në Vlorë më 1997 dhe rikthimit të tyre tek greva e fundit, nuk di se çfarë emri meritojnë ata ish të përndjekur që në emër të demokracisë përfituan më shumë se sa bashkëvuajtësit e tyre dhe sot i shikon përkrah grevës së urisë, apo atyre të përndjekurve që edhe apartamentet i morën falas, edhe paratë e një apo dy kësteve i kanë marrë por që në opinionin për fatin e keq, njihen si mashtrues dhe delenxhilerë, duke u bërë protagonist të grevës.

Kam bindjen absolute se në bote do të bëheshin më pak të këqija, sikur e keqja të mos bëhej në emër të së mirës!!! Kështu ka thënë një i mençur që për tipizim po e përdor për tua kujtuar asaj pjese të ish të përndjekurve që të mirat e demokracisë po i përkthejnë në të këqija, vetëm e vetëm se kështu i intereson aventurierëve që nuk e njohin integritetin e tyre.

Edhe vetë i përkas asaj shtrese, pasi prindërit e mi jo vetëm vuajtën pasojat e gjenocidit antishqiptar grek, por në Shqipëri u bënë pjesë e mundimeve të mëdha dhe burgjeve të komunizmit. Po të ishte gjallë im atë do të ndjehej keq nga ky vetësakrifikim pa mend, si të thuash për llogari të sigurimsave që luajnë sot të gjitha kartat e antiqeverisjes demokratike vetëm e vetëm se nuk është në pushtet Edi Rama e suita e tij që kërkon ta bëjë det e tërmet këtë vend për një kolltuk kryeministror.

Ish i përndjekuri politik, Aqif Selimi, që ka bërë 32 vite burg, në bisedat televizive që unë si gazetar kam bërë me të, më ka shprehur shumë indinjatë për metodat që përdorte sigurimi shtetit brenda burgjeve në manipulimin e disa ish të burgosurve që, më shumë se vuajtjes të së keqes për të cilin ata kishin marrë vite burgu, kryenin shërbime spiunllëku duke u bërë e keqja në radhët e të burgosurve, nga njëri kamp në tjetrin. I njohin dhe i përflasin vetë këta ish të burgosur politik se cilët janë dhe për fatin e keq këta tipa u bënë më të zellshmit në shoqatën e të përndjekurve, në komunitetin e integrimit të përndjekurve, duke mohuar gjakun e derdhur dhe duke mbyllur sytë përpara “ndereve” që u ofronte qeverisja socialiste e pas 1997-ës. Nga ana tjetër, Lutfi Sejko, një tjetër i përndjekur politik më rrëfente një ditë se një miku i tij, i dënuar politik si ai, i kishte vajtur në burg në Laç dhe i ishte qarë atij duke i thënë “Lutfi, më kanë bërë spiun, më fusin nëpër biruca për të spiunuar, më vjen turp nga vetja”. Nga ana e tij i mirënjohuri si profesor i burgjeve, xha Lutfiu siç e thërrisnin, i përgjigjet :edhe këtë e ke bërë more A. V. , turp të të vij, shko mbytu në një hale me m… dhe jo të më vish të më qash këtu mua, se nuk shkon kjo me të qara”. Tipa të tillë janë të bashkëngjitur kësaj shtrese dhe për fatkeqësi të tyre bëhen protagonist të së keqes.

Çdo shqiptar ka nderim dhe vlersim për ish të përndjekurit politik, për ata burra dhe gra që në emër të bindjeve të tyre anti komuniste u bënë viktima të diktaturës. Vlerësimi për ta nuk është më çështje parash, por rivlerësimi, para së gjithash, moral për tu gjetur eshtrat atyre që u pushkatuan dhe nuk kanë një varr. Është e vërtet që mbivlera e punës së tyre në galeri e në punë të tjera, duhet dhënë si shpërblim, por këtë mbivlerë e meriton i gjithë ky popull i cili punoi brenda burgut të madh të Shqipërisë së Enver Hoxhës dhe sot nuk merr asnjë shpërblim. Nuk merr sepse këtë mbivlerë të të përndjekurve dhe të popullit e morën baballarët e socialistëve të sotëm, e vodhën dhe e depozituan në banka jashtë vendit ku sot i kanë të sigurta fitimet e zeza të punës së papaguar të këtyre isht të përndjekurve dhe më së shumti edhe të popullit, që ishte pjesë e një burgu të madh. Ndërsa sot këta përvetësues të ndjenjës së popullit dhe të të përndjekurve në veçanti janë kthyer në nxitës të djegies së tyre pasi baballarëve të këtyre të përndjekurve u morën jetën, i vranë, u humbën edhe varret, i internuan dhe i denigruan, i poshtëruan dhe i baltosën në emër të popullit.

Duket paradoksale që këta ish të përndjekur politik të cilët pretendojnë se janë të tillë në emër të shpërblimit që për fat po vazhdon në mënyrën më të keqe po kërkojnë të drejtat e tyre. Nëse Abdyl Frashëri dhe kolosët e tjerë të Rilindjes, dhe shumë patriot të tjerë idealistë e shkrinë pasurin e tyre për Shqipërinë, ishin komunistët me Enver Hoxhën në krye që e dogjën këtë Shqipëri për tu pasuruar. T’i lejosh vetes të bëhesh vegël e bijve të baballarëve komunist, kjo nuk është thjeshtë padrejtësi, nuk është thjesht një faj, por është një krim që bëhet në kohë dhe në hapësirë. Nuk mund të pretendojmë se ish të përndjekurit janë të përkëdhelurit e demokracisë, por duhet thëne se ata kanë marrë nga e drejta e tyre, ndërkohë që greva e tyre, e ashtuquajtura e urisë, është instaluar në kohën më të keqe, për hesapet më të këqija nga e keqa e tyre që i bëri ata të përndjekur, sepse ishin baballarët e këtyre socialistëve të sotëm, persekutorët e kësaj shtrese që sot po bëjnë gjëmën për arritjet e qeverisjes demokratike aktuale.

Do të doja t’i referohesha Nobelistit indian Rabindranad Tagora kur është shprehur se “Ai komb i cili nuk i ndreq gabimet e kaluara, duke ndërtuar të tashmen, nuk ka se si të ketë të ardhshme, ai është i destinuar të zhduket”. Kështu e pësuam ne shqiptarët nga regjimi i baballarëve të socialistëve, por falë Zotit, demokracia na riktheu vlerën për të ndrequr të kaluarën me ndërtimin e së tashmes nga kjo qeverisje që po bën atë që e kanë zili fqinjët, të cilët interferencat e tyre i kanë sipas modelit antishqiptar që, siç duket janë në rezonancë edhe socialistët e sotëm, pjesa radikale e tyre, duke përdorur ish të përndjekurit si mish për topin e pushtetit.