Hyqmet Zane: Shpërfytyrimi i atdhetarizmit dhe harresa e kujtesës historike

260
Sigal

Sa herë që vjen muaji i shtatorit, jo vetëm që kujtesa na çon tek fillimi i vitit shkollor, por edhe tek disa ngjarje me rëndësi historike, që janë skalitur në memorien kombëtare. Kulmi është me Shenjtërimin e Nënë Terezës, që i dha vlerë emrit shqiptar dhe e lartësoi atë në sytë e botës. Po jo pak ngjarje lidhen me këtë muaj në kohë dhe hapwsirë që na bëjnë të themi se e kemi të mbushur me krenari kombëtare historinë tonë mbarëshqiptare.

Në mes të kësaj zallamahije të madhe hallesh dhe ngatërresash politike dhe sidomos qeverisëse, askush nuk u kujtua për të thënë se Kongresi Arsimor i Elbasnit do të ishte guri i themelit universitar me Normalen, edhe pse ajo nisi si shkollë e mesme, e para në këtë hapwsirë shqiptare. Duket që edhe data 2 – 9 shtator 1908 janë harruar sikur nuk ekzistojnë, edhe pse ai ishte hapi më madhor në historinë e arsimit kombëtar. Cili institucion duhej ta kujtonte dhe të nderonte ata burra që i dhanë vlerë dhe ligjëruan që më pas të hapej kjo shkollë e famshme që sot është “Nderi Kombit”.

Po kujtojmë, dhe mirë bëjme që i kujtojmë, çdo vit çetat, batalionet dhe brigadat, luftrat dhe partizanët ,që luftuan dhe ranë dëshmorë për lirinë e atdheut kundër okupatorëve nazifashistë. Por për këto evenimente me fuqi mbarëkombëtare dhe që janë themeli i së ardhmes sonë, po aq sa edhe i ekzistencës sonë, përse nuk ka pompozitet, nuk ka ditirambe, nuk ka as kujtesën më të vogël, aq sa thuhet se edhe ata që luftuan për hapjen e shkollws dhe gjuhës shqipe nuk ishin luftëtarë me pushkë dhe penë për arsimin tonë kombëtar ?Për mua si intelektual dhe mësues ata janë heronj mbi heronjtë se ata janë heronj në të gjithë kohërat nga edhe dolën më pas dëshmorë dhe heronj të tjerë.

Ka qenë shtatori i vitit 1941 kur me një vendim të asaj kohe të Ministrisë së Arsimit, kur ministër ishte Ernest Koliqi, mbi 400 arsimtarë normalistë dhe të shkollës amerikane të Fullcit, shkuan nw trojet shqiptare në Kosovë, në Maqedoni e Mal të Zi, si dhe në Çamëri. Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht sublim se ai dha frutet e veta në hapjen e shkollave shqipe, në shpërthimin e dëshirës për të mësuar dhe rrënjosur shqipen në të gjithë trojet shqiptare. Frutet e atij akti janë sot Kosova e lirë, janë dëshira e mijëra e mijëra shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Çamërisë për shqiptarizimin e tyre, si një krenari kombëtare.

Përse nuk kujtohet një ngjarje e tillë madhore dhe me një ngarkesë atdhetarizmi të lartë që shkroi me gërma të arta historinë e lavdishme të arsimit shqip ? Ka apo nuk ka kujtesë historike institucioni përgjegjës dhe vetë kryeministri apo ata që kërkojnë merita për paratë e fituara si oligarkë ? Ndryshe do të pyesja : kanë apo nuk kanë nder këta shtetarë që hiqen si atdhedashës dhe patriot dhe nuk kujtojnë as datat me ngarkesa patriotike të niveleve të larta ?

E çuditshme kur dëgjon se për atë Konferencën e Pezës bëhen parapërgatitje shumë kohë më parë a thua se tek ajo Konferencë ishte jeta e këtij kombi dhe jo që ajo Konferencë ishte mashtrimi më i madh që iu bë kombit me atë parrullën e madhe “Bashkim pa dallim feje, krahine, ideje” dhe që përfundoi në hiç, sepse në këtë vend feja u bë e padëshirueshme dhe u prishën kisha e xhamia dhe u ndalua besimi fetar si një nga mëkatet e gjynahet më të mëdha. Gjithashtu për 45 vjet nuk u lejua asnjë ide pluraliste, por më keq akoma u lançuan që në fillesë të gjithë ata që shprehën mendimin ndryshe. Si dhe nuk u krye asnjë shërbim për krahinat jashtë trojeve të Shqipwrisë që shkelën me të dy këmbët atdhetarizmin dhe me fjalë dhe për sport jemi patriot të mëdhenj.

Unë e respektoj atë Konferencë se për të vetmen herë u bashkuan forcat politike në një vend dhe u hartua një platformë e madhe që nuk u zbatua asnjëherë, por që u përgjak aq shumë nga një diktaturë që ka mbjellë sharlatanizmin që edhe sot e kësaj dite nuk bëhet fjalë pwr kujtesën e vlerave historike, por vetëm për ato që lidhen me Partinë Komuniste dhe me Enver Hoxhën si një trashëgimi e padenjë dhe me fryte të padëshirueshme, që kanë helmuar kujtesën historike.

Nëse Ernest Koliqi urdhëroi që 400 mësues dhe intelektualë të shkonin në të gjitha trojet shqiptare, përkundër kësaj vlere, si për karshillëk qeverisja komuniste e kohës e shpalli Ernest Koliqin armik dhe bashkë me të edhe At Gjergj Fishtën si për t’i bërë qejfin emisarëve jugosllavë në krah të Enver Hoxhës. Por nuk u ndalën këtu, sepse rreth 400 intelektualë shqiptarë me arsim perëndimor dhe me emër deri më 1948 u eleminuan me pushkatim pse vdiqën burgjeve për të shuar intelektualizmin dhe elitën që do të ishte baza e superstrukturës që do të duhej të ngrihej në Shqipëri.

Përse nuk thuhet një fakt i tillë apo mos na shqetësohen serbët e tanishëm që na kanë shkaktuar genocid ? A po na qefmbetet Vuçiç që qeverisja e tij serbe i ka shkaktuar Kosovës aq shumë krime ?

Po të ishte gjallë Gjergj Fishta nuk e di se çfarë mallkimi do u jepte kësaj shpure qeverisëse që bëhet palë me shkjaun që na kishte dhe na ka halë në sy dhe ne i shtrijmë dorën e bashkëpunimit.

Edhe Nënë Tereza nuk e di se si do ndjehej nga kjo situatë e një atdhetarizmi të shpërdoruar dhe të shndwrruar në një të keqe që do t’i duhej të lutej siç edhe u lut herën e fundit që erdhi në Shqipwri para Presidentit Rexhep Meidani, kur shqip i tha; “Do t’i lutem Zotit për Shqipërinë dhe për Ju të ecni në rrugën e mbarë”. Por kurrsesi nuk do të pranonte këtë situatë dhe gjendje të Shqipërisë që në fund të jetës së saj diktatura mezi e pranoi si shqiptare, porse bota e shenjtëroi dhe e bëri të pavdekshme.

Ne i harrojmë sot datat dhe ngjarjet historike se kemi para vetës ata, rilindasit e paudhësive dhe të shkatërrimit të vlerave atdhetare, përmes patronazhistëve, që nuk harrojnë që në këtë shtator të shkatërrojnë pllakën përkujtimore dhe të vjedhin shtëpinë e restauruar të të ndjerës intelektuale Mursine Kokalari në Gjirokastër si një tregues i urrejtjes enveriste për patriotët e vërtetë dhe për atdhetarizmin e këtij populli. Tamam shtator ka qenë kur u ndalua edhe restaurimi i memorialit të Hormovës në kujtesë të masakrave greke ndaj asaj krahine me vrasjen e masakrimin e 217 shqiptarëve, deri fëmijë dhe pleq, vetëm sepse aty afër ka ngritur lapidar Janullatosi për grekët e vrarë si pushtues.

Historia jonë është e shkruar me gjak dhe nëse ne harrojmë apo heshtim do të vijë një kohë që historia jonë do të pushtohet nga manipulimet.

Duhet ta themi mendimin se nëse heshtin mësuesit dhe pedagogët për padrejtësitë në arsim, do të vijë koha që do mungojnë dhe do heshtin më pas nxënësit dhe studentët se nuk do të dijnë as ta lexojnë shqip historinë dhe jo më të mbajnë mend datat historike me rëndësi shekullore. Por nëse heshtin patriotët dhe atdhetarët, do të vijë një kohë që do të kemi histori të manipuluar dhe të shpërfytyruar që nuk do t’i hyjë kujt në punë dhe nuk do të dimw se çfarë kombi jemi.