Hyqmet Zane: Oh, ju fatzinj që pranoni dhunën dhe heshtni para vëllait tuaj që dhunohet

252
Sigal

Zgjedhjet mbaruan dhe fituesi nuk gëzon se diçka e pazakontë ka ndodhur: është përsëritur votimi si në diktaturë dhe një re e zezë ka mbuluar qiellin shqiptar. E çuditshme, por ka ndodhur që një dhunues i votës së lirë bëhet fitues i padrejtësisë dhe ata që e mbajnë veten si etalonë të drejtësisë, kanë heshtur. E vetmja që ka folur është kryetarja e misionit të OSBE Odri Glover që tha fjalët e para, por nuk dimë të fundit. Është detyrim institucional dhe, njëherazi, detyrim moral për të thënë ato që detyrojnë ambasadoren e SHBA të heshtë jo pse i ka mbaruar mandati, por kjo që ka ndodhur në këto zgjedhje, janë një turp që nuk kapërdihet dhe i mirëmenduar i sorristëve. I kënaquri i parë në këto zgjedhje është kryeministri që, flet për fitore dhe hesht i zhytur në baltën e tollovisë dhe tallavasë së fushatës së tij, se ai, si edhe Zoti i madh, e di  mirë se çfarë ka bërë në skutat e shitblerjeve të votës me patronazhistë dhe aktivistë, me shkelje flagrantë të të drejtave në zgjedhje dhe ai që thotë “s’kam turp, nuk keni se çfarë më bëni”. Ku është drejtësia amerikane, ku janë ato fjalët që thoshte si një aktor i paturp një kryeministër, që doli faqe botës jo vetëm lakuriq fizikisht, por lakuriq edhe moralisht dhe i tha botës mbarë që në Shqipëri unë bëj si të dua siç thoshte Sultani i Perandorisë Osmane sipas Çajupit. Në këtë panoramë post zgjedhore dolën dhe folësat e parë të opozitës qeveritare që filluan nga filozofirat e gjetjes së fajtorit jo brenda vetes, por tek opozita e vërtetë. Në fakt gjithëkush ka përgjegjësinë e vet, por ata, shakaxhinjtë e demokracisë, ata spurdhjakët e lulashit dhe alibrekushit, nisën t’i bëjnë motivimin fitores së Edi Ramës, duke lëshuar akuza sidomos ndaj Berishës dhe Metës. E kam fjalën për ata që pa kontribute demokratike u bënë deputetë të Partisë Demokratike dhe i sollën demokratëve modelin e Brutit përballë Çezarit. Do të sjell në vëmendje këtu njerin prej shkrimtarëve të shquar gjermanë, Bertolt Brecht, tek poezia e tij e fuqishme “Oh, ju fatzinj”.

“Oh, ju fatzinj!

Vëllait tuaj i bëhet dhunë, dhe ju mbyllni sytë!

I prekuri bërtet fort, dhe ju heshtni?

Dhunëbërësi sillet rrotull dhe zgjedh prejat e tij,

Dhe ju thoni:

Ne ai na kursen, sepse s’tregojmë asnjë.

Mospëlqim!

Çfarë qyteti është ky, ç’njerëz jeni ju vallë?

Kur në një qytet ngjan një padrejtësi,

duhet të ketë një revoltë.

Dhe atje ku s’ka revoltë, është më mirë që qyteti të humbasë Nga një zjarr, përpara se të bëhet natë”.

Të tilla momente i ka vuajtur Perëndimi dhe thuhet se vuri mend, por për shqiptarët, pësimi i kthehet në ritual që e kënaq kur përsëritet. Dikur shkonim nga votimet në votime me fitorje pas fitoreje dhe populli e dinte që nuk ishte fitore, por diktatorin e duartrokiste, edhe para togës së pushkatimit. Pikërisht për këtë një burrë i mençur ka thënë se “Suksesi i vazhdueshëm është gjithmonë i dyshimtë”. Këtë urtësi e di mirë edhe ambasadorja amerikane si dhe ata përfaqësuesit e shteteve perëndimore dhe heshtin si për të na thënë se “jeni skllevër e bij skllevërish”, edhe pse nuk është e merituar, por ama e provuar është në çdo kohë. Nuk ka dyshim që shigjeta e turpit kthehet te ai, që e përdor atë si armë goditjeje. Zoti i gjithësisë e turpëron njeriun, që mendon se i fshihet atij. Në këtë realitet që po përjetojmë zgjedhje pas zgjedhjesh do t’i rikthehem asaj sentence jo të shkurtër të amerikanit Malkolm X, personalitet për të drejtat e komunitetit zezak në Amerikë. Ai shkruante në atë kohë për kohën kur e ka jetuar atë që tregon : “Skllevërit në Amerikë ndaheshin në dy kategori, kategoria e skllevërve të shtëpisë dhe skllevërve të fushës. Skllevërit e fushës përjetonin vuajtje, shtypje dhe mungesë lirie, ndërkohë që skllevërit e shtëpive e konsideronin veten një shtresë më të lartë, fisnikë dhe që gëzonin një status të preferuar. Këta të fundit ushqeheshin me mbetjet e ushqimit të zotërinjve të tyre dhe vishnin rrobat që ata nuk i përdornin më. Sa herë që mblidheshin skllevërit e të dy kategorive, skllevërit e fushës ankoheshin nga robëria dhe kërkonin të drejtat e tyre, madje edhe lirinë. Sakaq, skllevërit e shtëpive i kundërshtonin, jo vetëm kaq, por i spiunonin për idetë e tyre tek pronarët. Ata nuk e bënin këtë, sepse besonin se skllavëria është më e mirë, apo se kishin ide më të mira, e bënin thjesht, sepse mbetjet e ushqimit dhe veshjet e vjetëruara kishin vlerë më shumë për ta sesa liria”. Kjo i ngjan katërcipërisht sjelljes së atyre pëdëistëve të vulës përballë demokratëve të vërtetë. “Dhelpëria e ndyrë, është burim i çdo të lige”, është shprehur Shileri i madh. Nuk e di se kush mund ta ketë thënë, por ajo drejtësia që kërkonim dhe i bëmë reformë, ai procesi i reformës në zgjedhje dhe asaj teritoriale, të gjithë u shkatërruan, sepse mungoi barazia që është guri i provës i drejtësisë, dhe së bashku ato përbëjnë krijesën e lirisë.

Ajo tanimë nuk ekziston se “Oh, ju fatzinj, që pranoni dhunën dhe heshtni para vëllai tuaj që dhunohet”.