Hyqmet Zane: Kurthet e kryeministrit dhe litari jashtë i Enverit

200

“Në skenën e teatrit të madh tragjikomik të Parlamentit, kryepatronazhisti vazhdon të bëjë edhe policin dhe hetuesin, edhe prokurorin dhe gjykatësin, gardianin e burgut, si edhe të mentarit që u mban leksion rektorëve dhe akademikëve, po aq sa ua di gjuhën edhe të gangsterëve dhe mafiozëve. Por edhe ndërkombëtarëve ai u jep leksione”

Sigal

Kemi dhjetë vjet që në skenën e teatrit të madh tragjikomik të Parlamentit, aktori politik që drejton sot qeverisjen luan makbethizmin e tij vrastar me fjalë dhe me vepra, që ai u bën shqiptarëve ditën për diell dhe në netët pa hënë. Aktori i lindur për aktrim rrugësh në skenën politike jo vetëm në Parlament, por edhe në sheshe, kudo ku shkon ai veshet si di ai pa yndyrë kryeministri dhe me një të folur që të bën për të qeshur. Në Elbasan së fundi nuk mund të mos ia lexoje kryeministrit nervozizmin dhe sjelljen e tij që, në vend t’u japë qytetarëve mesazhe se si të përballojnë problemet e krizës ekonomike, ai bën lloqe fjalësh për opozitën se ai nuk di se çfarë të thotë.

Në shesh ai mbledh me urdhër administratën dhe drejtuesit e arsimit e të mjekësisë apo edhe ata patronazhistët që “hetojnë” gjithëçka. Shembullin ua jep kryepatronazhisti, që vazhdon të bëjë edhe policin dhe hetuesin, edhe prokurorin dhe gjykatësin, të bëjë gardianin e burgut, si edhe të mentarit që u mban leksion rektorëve dhe akademikëve, po aq sa ua di gjuhën edhe të gangsterëve dhe mafiozëve. Por edhe ndërkombëtarëve ai u jep leksione si në Parlamentin Europian së fundi, dhe së fundi edhe bën interesantin para ambasadores që e donte shumë dhe që mbetet gojëhapur kur ai përgjigjet si lider botëror që e njeh dhe bisedon mirë me Vuçiçin dhe presidentin e Turqisë dhe me “satelit’ tani do merret vesh edhe me Putinin që e imiton në çdo gjë.

Vetëm me opozitën dhe me qytetarët shqiptarë që duan të pyesin kryeministrin e tyre, ai në vend që t’u përgjigjet pyetjeve, bën monologuesin e rradhës me fjalorin e tij siç edhe ia ka përcaktuar  deputetja demokrate Grida Duma në mes të parlamentit. Por thotë një fjalë populli ynë se “s’kam turp, nuk ke se çfarë më bën”, ndërkohë që Viktor Hygoi i madh e ka thënë në një formë tjetër “mjeti më i mirë kundra ligjit është paturpësia”. Këtë cilësi ka fituar ky kryeministër që mund t’i thuash siç edhe i tha deputeti Petrit Vasili i Partisë së Lirisë në seancën plenare. E megjithëatë, ai e futi në kurth prezencën e deputetëve të sallës, që votuan çfarë do ai. Ata votuan që Edi Rama kryeministër t’i bëjë kurth liderëve Ilir Meta e Sali Berisha dhe bashkë me ta edhe opozitës duke mbajtur në surdinë Lul Bashën, që vjen vjedhurazi në parlament. Por kurthi më i madh është ndaj politikës shqiptare duke e kërcënuar me të tilla marifete makbethiane që ta ketë në një izolim të madh popullin e opozitës dhe jetën shqiptare. Kësaj i thonë se “kush nuk beson të urtin, të shkojë të besojë të marrin”, që po imiton modelin e diktatorëve.

Si në retospektivë dua të kujtoj se kur thamë se u çlirua Shqipëria, shqiptarëve iu tha se do hamë me lugë floriri se fituam lirinë dhe do bënim demokracinë. Por ku ta dinte i ziu popull që nën mbikqyrjen e serbëve të atashuar në PKSH dhe që e kishin trajnuar shokun Enver taze për diktaturë dhe ai bëri Shqipërinë e izoluar dhe diktatoriale. Dhe shoku Enver këto i bënte duke folur bukur dhe për popullin, ishte me popullin dhe pushteti kishte dalë nga populli dhe populli e hëngri kurthin për 45 vjet.

Pati shumë shqiptarë e veçanërisht intelektualë me shkollim në Europën e ëndërruar që habiteshin, por para se të mblidheshin e të bënin rezistencën e duhur, u eleminuan. Dhe ndodhi ajo që ndodhi, u burgosën, u pushkatuan, u internuan familjet dhe këto i bëri sigurimi i shtetit që i futi në kurthin e mirëbesimit tek Enveri. Bota kuptoi se kishte ndodhur një gabim i pafalshëm që kishin besuar tek Stalini i “madh” dhe korrën diktaturën e egër, që mori emrin “stalinizëm”. Edhe Enver Hoxha me sigurimin e shtetit popullin shqiptar e dhunoi, e depersonalizoi deri në absurdin e të zezave që iu bë këtij populli për 45 vjet.

Do të sillja në vëmendje këtu Gjeneralin me 4 yje George Smith Patton, oficer tankist në specialitet që u bë komandant i Armatës së shtatë të SHBA në Mesdhe në Afrikë dhe i Armatës së tretë në Francë dhe Gjermani. Ai i ka thënë ca fjalë kur është takuar me gjeneralin sovjetik në Berlin, kur ushtria e Kuqe hyri në Berlin më 1945. Pas këtij takimi, pasi kuptoi shumë nga ai takim, Patton pësoi një paralizë dhe vdiq në gjumë. Por kanë mbetur proverbiale fjalët e tij “Zotërinj, këtë mëngjes arrita në përfundimin e pafalshëm se ne luftuam në anën e gabuar. Ne duhet ta kishim bërë gjithë këtë luftë me fashistët, kundra komunistëve dhe jo anasjelltas. Kam frikë se ndoshta në pesëdhjetë vjet, Amerika, do të paguajë një çmim të lartë, për t’u bërë një tokë e korrupsionit dhe moralit të degjeneruar”.

Në këtë mënyrë kurthet e së majtës ndaj botës demokratike u bënë model sjelljeje, siç ndodh edhe me Ukrainën nga Rusia e Putinit. Kështu po ndodh edhe me Edi Ramën që ka futur në kurth jo vetëm disa deputetë të ashtuquajtur të Partisë Demokratike të krahut të Lulzim Bashës, por ka futur në një kurth të madh edhe institucionet ndërkombëtare që besuan tek ky piktor apo karikaturist. Ndoshta edhe vetë ambasadorja më e afërt e tij Yri Kim është zënë në një kurth besimi.

Por ata që janë futur në kurthin e madh të jetës së tyre është populli që i besoi me “një mijë shuplakat” më 2013 dhe vazhdon tragjikomedia e kurthit me oratorinë e pafre të një kryeministri që nuk skuqet e nuk zverdhet, se turpi nuk ekziston te ai si kod morali. Sheshit duket që modeli i pabesisë dhe kurtheve, që u bëri Enveri shokëve të luftës, shokëve të partisë, njerëzve të afërt të familjes, por që më shumë u bëri shtresës intelektuale dhe popullit të vet. Litari i lënë jashtë nga Enveri pas vdekjes, është modeli Edi Rama si pjesë e një familjeje “rrotë dhe burm” leninist i diktaturës dhe veprave, që kanë çuar në litar poetë dhe lirinë e fjalës e të mendimit që sot po na bëhet pragmatizëm tipik.

Eksperiencat e përjetuara  nga historia botërore na kanë dhënë si mesazh mendimin se “Popujt që kanë lejuar tiraninë, me shekuj meritojnë një lloj përçmimi”. Kështu tha i madhi Leon Tolstoi që e kishte mendjen të ndriçuar nga e kaluara dhe kërkonte të ndriçonte të ardhmen që popujt të mos bëhen viktima të një kurthi në jetën e tyre dhe ndër breza që ka bërë të vuajë një popull si shqiptarët. Nuk dua të besoj se “i miri rron sa don i ligu. Mjerë kush nuk qindron”, si e kanë thënë shkodranët, sepse kurthet nuk kanë jetëgjatësi se janë si gënjeshtra që i ka këmbët e shkurtra. Mos qoftë e thënë që ky popull e ka si dënim qeverisjen e Edi Ramës për shkak të bashkëjetesës me zullumet dhe pajtimit me të keqen.