Hyqmet Zane: Greqia i kërkon Gjermanisë dëmshpërblime dhe harron dëmshpërblimin e genocidin ndaj Çamërisë

61
Sigal

Historia e dëmshpërblimeve për dëmet që shkakuan nazifashistët në Luftën e Dytë Botërore është e gjallë dhe është sa financiare aq edhe morale. Hebrejtë e nxitën këtë histori për interesat e tyre dhe që nga Nyrenbergu dhe deri tek paratë e marrura si dëmshpërblim, janë të pallogaritshme dhe kjo bëri që Gjermania të tregonte pendesë për çka iu bë vendeve që ajo pushtoi dhe ligjërisht i dëmshpërbleu ato vende. Kjo ishte ana morale dhe financiare e një shteti që sot është ndër më të fuqishmit në Europë.

Ajo që më intrigoi më shumë këto ditë ishte kërkesa e shtetit grek ndaj Gjermanisë që përsëriti kërkesën për dëmshpërblime për dëmet që i janë shkaktuar gjatë Luftës II Botërore. Është një e drejtë e një shteti të bëjë atë që e gjykon të arsyeshme për dinjitetin e shtetit të vet. Vizita e Presidentit të Gjermanisë Frank-Valter Steinmeier disa ditore në Greqi u shoqërua me vizitën në kantierin e ndërtimit të Muzeut të Holokaustit të Greqisë, si dhe në fshatin Kantanos të Kretës, aty ku nazistët gjermanë vranë 180 vetë në vitin 1941.
 Megjithëse Gjermania e ka mbyllur kapitullin e dëmshpërblimeve siç tha Presidenti Steinmeier kur pohoi se  për dëmshpërblimet “ligjërisht kjo çështje konsiderohet e mbyllur, por ne mbetemi të përkushtuar ndaj përgjegjësisë sonë historike”. Nuk janë 287 miliardë euro që kërkojnë zyrtarët e Greqisë  ndaj zyrtarit të lartë të Gjermanisë, por është pjesa e përgjegjshmërisë së një shteti që gjithnjë mbron dhe kërkon për popullin e tij. Ky është një shembull edhe për shtetin tonë shqiptar se çfarë duhet t’i kërkojë Gjermanisë për dëmshpërblimet financiare të Luftës, po aq sa edhe “dëmshpërblimin moral” për pasojat e asaj lufte vrastare.

NOA

Në këtë 80 vjetor të të quajturit Çlirimi i Shqipërisë ka vend për revokim të historisë në marrëdhëniet si me Gjermaninë, edhe me Italinë, por edhe me Greqinë. Nuk jam ekspert i fushës së dëmshpërblimeve, por nuk kam dëgjuar asnjëherë që nga shteti shqitpar të kërkohet kështu siç kërkon Greqia dëmshpërblime. Megjithëse kam një informacion se në fund të viteve ’80 apo në fillim të viteve ’90 nga ana e Gjermanisë është bërë një dëmshpërblim lufte për Shqipërinë, si dhe djali i një ushtaraku të lartë gjerman që shkaktoi masakrën e Borovës ka ardhur dhe ka kërkuar falje në emër të familjes së tij dhe kjo është pjesa morale e çështjes.

Përtej këtyre të vërtetave e risjell në vëmendje të opinionit se morali i Greqisë në raport me popullatën e Çamërisë është faqja e zezë e këtij shteti që kërkon dëmshpërblime materiale dhe morale, në një kohë që më 27 qershor 1944 nisi fushatën vrastare ndaj një popullsie të pafajshme dhe të pambrojtur me pretekstin e “bashkëpunimit të kësaj popullate me nazistët” ? Ky ishte preteksti, se qëllimi ishte spastrimi etnik i një krahine nga popullsia vendase autoktone për shkak të besimit fetar duke bërë një genocid të pashëmbullt tipik nazist. Për këtë historia flet, studiuesit shqiptarë, por edhe ata grekë kanë thënë shumë të vërteta dhe janë shkruar libra dhe e vërteta është e gdhendur në kujtesë dhe e shkruar me gjakun e rreth 3 mijë viktimave pleq e plaka, burra e gra e shumë fëmijë që u vranë barbarisht me skena të paimagjinueshme për masakrat e bëra nga andartët e Napoleon Zervës me lejen e qeverisë greke dhe mbështetjen e shtabit britanik në Korfuz që nuk vepruan në mbrojtje të jetëve njerëzore. Po rreth 3 mijë viktima të tjerë vdiqën nga pasojat e eksodit nga Çamëria për në Shqipëri dhe kjo është e gdhendur në memorialin e Kllogjrit.

Sipas studiuesit të nderuar Prof. Dr. Sami Rrepishti në SHBA kjo që ndodhi në Çamëri ishte pasoja e idesë për zgjidhjen përfundimtare sipas platformës antishqiptare dhe shoviniste Megaloidea e shekullit të 18-të”. Jam i detyruar të përsëris se u nënshkrua një Traktat Miqësie mes Shqipërisë dhe Greqisë më 1996 dhe shteti fqinj nuk e respektoi atë. Rithem se më 2004 u miratua një Rezolutë për Çamërinë dhe ka mbetur thjesht një letër e sistemuar në një sirtar Parlamenti. Dhe vetëm kaq. Asnjë proces në ndihmë të një problemi që duhet shtruar për zgjidhje, ndërkohë që nga pala greke kërkohet mohimi i çështjes çame me devizën se “nuk ka çështje çame”, kurse qeveria dhe institucionet e diplomacisë së shtetit shqiptar heshtin dhe bëhen palë me palën greke.

Kur dëgjoj se çfarë kërkon nga Gjermania shteti grek, kuptoj se roli i një shteti është të mbrojë shtetasit e tij dhe të ngrejë një muze për genocidin grek në Çamëri, siç bëjnë grekët. Gjithashtu do të duhet të detyrojë palën greke të kërkojë falje më e pakta fjalë që mund të thuhet, kur janë rreth 6 mijë viktima nga një agresion fashist i Greqisë ndaj Çamërisë. Po ata që u internuan në kampet e Gjermanisë nga Çamëria ku bën pjesë edhe im atë Nuri Emin Zane së bashku me disa të tjerë që Presidenti Alfred Moisiu i ka dekoruar për sakrificat e bëra, ndërkohë që nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim nga Gjermania. Po ashtu edhe dëmet materiale që janë të shumta në Çamëri do të duhet t’i dëmshpërblejë qeveria e Greqisë, pa folur pastaj për “dëmshpërblimin moral”, që nuk është bërë asnjëherë.

Vijnë dhe ikin zyrtarët e lartë të Athinës dhe çdo herë përmendin postulatin e mashtrimit për çamët për “bashkëpunim me nazifashistët që nuk ka vërtetësi, në një kohë që zyrtarë të lartë të Greqisë në kohën e Luftës II Botërore si kryeministri Ralis, u bënë bashkëpunëtorë me pushtuesit, e cilësuar kjo nga dokumentat e vetë shtetit grek dhe e pohuar nga zyrtarë apo studiues realistë të të vërtetave historike.

Nëse Greqia nuk lë rast pa i kujtuar greqisë dëmshpërblimet e luftës, shteti shqiptar nuk ka kurajon ta mendojë dhe jo të kërkojë një të drejtë legjitime për një popullatë që i vuan pasojat edhe pas 80 vjetësh dhe që ka rrezikuar shumë dhe sakrifikuar shumë për dinjitetin e vet.

Nëse hebrejtë me të drejtën sipas arsyetimit të tyre kërkuan të jenë të barabartë mes popujve, për mendimin tim kjo ka mbetur thjesht një postulat që u zbatua për hebrejtë, që nuk konsiderohet tanimë si e drejtë edhe për popujt e tjerë. Kur im atë dhe shqiptarë Çamërie të tjerë bashkë me hebrejtë e Greqisë, të gjithë si shtetas grek, u internuan në kampet e shfarosjes në Gjermani, nuk do tua merrte mendja që, falë Zotit u kthyen gjallë, se familjet e tyre do të përziheshin nga Çamëria dhe ata vetë nuk u lejuan të shkonin në shtëpitë e tyre edhe pse ishin anti nazifashistë dhe kjo histori vazhdon prej 80 vjetësh. Ku është parimi “të drejtë mes popujve”. Këtë arsyetim para së gjithash duhet ta kërkojnë ata që kanë mandate deputeti në parlamentin shqiptar dhe flasin në emër të çështjes çame.

Për më tepër këtë gjë për hir të së drejtës ndërkombëtare duhet ta kërkojë vetë shteti shqiptar që nuk e ka në asnjë program qeveritar të asnjë krahu politik.