‘Heroi’ i Huma Abedin dhe përdhosësi i demokracisë Shqiptare

291
Sigal

Nga Agim Nesho

Refleksion për një fjalim dhe shfaqje në marrjen e një cmimi!

Zoti Rama ishte protagonisti kryesor i Fondacionit ‘Vital Voices Global’ për veprimin e Shqipërisë në ndihmë të afganëve të larguar nga rreziku i regjimit Taliban. Ai me artin e të folurit, me elegancën për të shprehur dicka në një mënyrë për të entuziazmuar grupin që e njeh Shqipërinë nga shumë larg dhe në mënyrë sipërfaqësore, u duk si aktori i famshëm Cohen (personazhi Borat), që lartësohej duke ditur se nga vinte. Ai lartësoi shqiptarët për veprimin heroik të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës sëDytë Botërore dhe zoti Rama është një pasardhës i tyre, i portretizoi shqiptarët e regjimit diktatorial ateist si Talebanët e sotëm që shkatërronin kisha e xhamia e digjnin ikona, pa u zgjatur që talibanët e rinj në demokraci vazhduan largimin e ikonave jashtë vendit duke dëmtuar trashëgiminë kulturore

Pavarësisht se për herë të parë ai tregohet modest dhe e ndan veprimin për pranimin e afganëve me gjithë aktorët e tjerë politikë në Shqipëri, ai tregon që ai personalisht ka qenë që në takimin e NATO-s në Britani, që kishte hedhur këtë ide midis liderëve të tjerë të vendeve të organizatës. Ai është një lider model për barazinëgjinore, ku gratë po marrin një rol të madh në drejtimin e vendit. Një portret perfekt i një lideri demokrat, me vizion, bashkëpunues, që me të drejtë një nga ndihmëset e Sekretares Klinton, zonja Huma Abedin do ta quante ‘heroi ynë’.

Kjo ceremoni do të kishte efekt të jashtëzakonshëm dhe promovues për Shqipërinë po të shikohej si një aktualitet i shkëputur nga ajo që përjetojnë shqiptarët. Shumica e shqiptarëve e shikojnë regjimin e zotit Rama si një regjim autoritar, kleptokrat që ka kapur shtetin dhe ka paralizuar funksionimin e shtetit ligjor.

Shqipëria sot është më e varfër, të rinjtë largohen masivisht (mbi 500,000) për pasigurinë dhe mungesën e perspektivës në vend. Korrupsioni është kthyer në një fenomen endemik dhe krimi është prezent duke përfshirë edhe lidhjet e tij me politikën. Demokracia shqiptare po lëngon në dëshpërim. Edhe zgjedhjet e lira si element i domosdoshëm i funksionimit dhe legjitimitetit të institucioneve të shtetit është prekur duke deformuar vullnetin e popullit. Zoti Rama ka personalizuar politikën e jashtme ashtu sic ka privatizuar shtetin. Klientelizmi i tij është bërë metodë veprimi për ti dhënë hapësirë dhe zgjatur regjimin. Heroi i cështjes izraelite për perëndimin është bashkë-autor i rezolutës Turqi-Yemen, rezolutë e vendeve islamike, kundër pozicionit të Kongresit Amerikan në Asamblenë e OKB; bashkëpunëtori i devotshëm iPerëndimit për të ruajtur rendin liberal botëror është bashkë-autor i projekteve Serbo-Ruse për projekte destabilizuese në Ballkanin Perëndimor; përkrahësi i zonjës Klinton në zgjedhjet presidenciale të 2016 duke e quajtur Presidentin Trump si ‘turp i civilizimit’ bëhet më vonë ushtar i bindur duke vizituar Princin Bin Salman, kur gjithë bota e qytetëruar mbante qëndrim për vrasjen e gazetarit tëWashington Post, Khashoggi.

Kampioni i barazisë gjinore dhe promovuesi i grave në qeverisje është vetëm një autokrat që shikon vetëm numrat dhe afrimin e njerëzve pa personalitet për të shërbyer, sesa një zgjedhje meritokratike sipas vlerave. Në vend që të afroheshin personalitete si Mimoza Hafizi, shkencëtare e profesore universitare, qeverinë e drejtojnë ish-sekretaret e tij në bashki, ose parti, ose ato që përgjërohen përtë ose e brandojnë si markë liderin e madh.

Ky politikan klientelist sigurisht ka një projeksion të ndryshëm nëWashington, të kuruar me kujdes nga dhjetëra lobistë dhe organizata. Nevoja për ta mbajtur një figurë të tillë, që përdoret lehtë për interesa të momentit, bie ndesh me interesat e Shqipërisë dhe forcimin e demokracisë.

‘Heroi’ i Huma Abedin nuk është heroi ynë.