Harry Bajraktari: Faktori shqiptar në Ballkan nuk ka qenë kurrë më i fortë se sot

196
Sigal

Zyrtarizimi i Dritan Abazoviqit si kryeministër i Malit të Zi është një moment historik për kombin shqiptar.

Për herë të parë në republikën e vogël malazeze, me një histori të gjatë diskriminimi të shqiptarëve, një bashkëkombas i yni bëhet kryeministër i vendit.

Si pjesëtar i një pakice kombëtare dhe si kryetar i një partie të vogël, Dritan Abazoviqi ka treguar shumë zotësi duke përfituar nga përplasja mes partive më të mëdha malazeze, duke u ngjitur në detyrën më të lartë.

Nga gjashtë kryeministra të Ballkanitn Perëndimor, tani tre janë shqiptarë.

Kosova ka Albin Kurtin, Shqipëria, Edi Ramën, dhe tani Mali i Zi ka Dritan Abazoviqin. Një vend i katërt, Maqedonia Veriore e ka kryeministrin maqedonas, por dy zv-kryeministra janë shqiptarë: Artan Grubi dhe Fatmir Bytyqi, ndërsa një shqiptar tjetër, Bujar Osmani, është ministër i Jashtëm. Talat Xhaferi është kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut.

Faktori shqiptar në Ballkan nuk ka qenë kurrë kaq i fuqishëm. Disa dekada më parë, kjo situatë gjeopolitike as që mund të imagjnohej. Shqiptarët ishin të diskriminuar e të shtypur në mbarë rajonin. Sot, ata janë faktori që përcakton paqen dhe stabilitetin e tij.

Shqipëria është anëtare e NATO-s. Kosova është e pavarur dhe po synon anëtarësimin e shpejtë në NATO. Maqedonia Veriore është bërë anëtare e NATO-s prej kontributit të shqiptarëve.

Shqiptarët duhet të koordinojnë politikat, të bashkojnë forcat mes tyre sepse mund të arrijnë gjëra shumë më të mëdha. Një prej tre kryeministrave shqiptarë, Edi Rama, duhet të tregojë përgjegjësi dhe të tërhiqet nga projekti Ballkani i Hapur. Shqiptarët kanë mundësi të fillojnë vetë një projekt të ri që nuk ka Serbinë në qendër.

Ngjitja në krye të Malit të Zi të Dritan Abazoviqit krijon kushte për një bashkëpunim të ri.

I uroj suksese kryeministrit të ri. Suksese në detyrën e re. Suksese të gjithë udhëheqësve shqiptarë të rajonit. Zoti e bekoftë kombin shqiptar!