Hajro Limaj: Shqiptarët në Perandorinë Osmane

1453
Në dhjetorin e vitit 1994, kur u akreditova atashe Ushtarak në Republikën e Turqisë dhe fillova takimet zyrtare me ministrin e Mbrojtjes, Shefin e Shtatmadhorisë e shumë personalitete të tjera shtetërore dhe politike të vendit gjeta një mikpritje dhe përzemërsi që nuk e kisha hasur në shumë vende të tjera të Evropës që kisha qenë më parë. Këtë përzemërsi e ndieja edhe me qytetarët e thjeshtë të Turqisë në Ankara, Stamboll, Bursa, Izmir e kudo që unë ndodhesha me detyrë. Sapo mësonin që isha atashe ushtarak i Arnavutlluk-ut (Shqipërisë), ata shprehnin një respekt dhe një mirësjellje të veçantë. E gjithë kjo lidhej me autoritetin, dinjitetin, trimëritë, besnikëritë dhe humanizmin që kishin treguar shqiptarët nga periudha Osmane e deri në ditët e sotme. Kur trajtonim marrëdhëniet e dy vendeve tona të gjithë autoritetet i referoheshin menjëherë historisë së largët, të mesme dhe të sotme të shqiptarëve, vlerave të tyre në periudhën Osmane dhe në periudhën e shtetit modern të Turqisë. “Shqiptarët kanë drejtuar perandorinë Osmane dhe shtetin turk. Edhe tani, në vendet kryesore të Turqisë janë shqiptarët, nipërit dhe mbesat e tyre”, shpreheshin ata me kënaqësi. Dhe ky realitet mua më shoqëroi në çdo ministri, në çdo prefekturë, bashki e komandë ushtarake. Por, në këtë shkrim do të ndalem më shumë për rolin e shqiptarëve në Perandorinë Osmane. Perandoria Osmane jetoi 560 vjet, deri në vitet 1922 në tre kontinente: Azi, Evropë dhe Afrikë. Të gjithë historianët e huaj dhe turq, të cilët kanë studiuar historinë e Perandorisë Osmane, pohojnë se: “…Kryeministrat (kryevezirët ose sadrazamët), ministrat (vezirët) dhe pashallarët (gjeneralët) e komandantët ushtarakë më të vlefshëm kanë qenë me origjinë shqiptare”. Dhe këtë përfundim e vërteton numri shumë i madh i kryevezirëve shqiptarë ose me rrënjë shqiptare që administruan perandorinë Osmane deri në vitet 1922. Kështu, Koxha Sinan Pasha në periudhën 1580-1596 ka qenë pesë herë Kryeministër: 1580-1582, 1586-1591, 1593-1595, 4 muaj më 1595 dhe 4 muaj në vitin 1596. Nën drejtimin e tij u pushtua Jemeni. Ahmet Pashë Dukagjini ka qenë Kryeministër për 2 muaj e 17 ditë në vitin 1517. Rridhte nga një familje shqiptare e Lekë Dukagjinit. Ajaz Ahmet Pasha lindur në Vlorë, me origjinë jeniçeri dhe ka qenë Kryeministër në vitet 1536-1539. Lutfi Pasha nga Vlora, martuar me motrën e Sulltan Kanun Sylejmanit kreu detyrën e Kryeministrit për 1 vit e 9 muaj në vitet 1539-1541. Kara Ahmet Pasha, Kryeministër 1 vit, 11 muaj e 23 ditë në vitet 1553-1555.

Semiz Ahmet Pasha, dy herë Kryeministër në vitet 1579-1580. Ferhat Pasha, dy herë Kryeministër; në vitet 1591-1592 dhe 4 muaj e 19 ditë në vitin 1595. Merre Husein Pasha ishte Kryeministër për 2 vjet 2 muaj dhe 13 ditë në vitet 1601-1603. Ai ka shërbyer edhe si prefekt, vali në Egjipt. Tabani Jasse Mehmet Pasha ishte Kryeministër në vitet 1632-1637.

Kujuxhu Murat Pasha ka qenë 4 vjet, 7 muaj e 25 ditë Kryeministër në periudhën 1606-1611. Pastaj vazhduan Nusuh Pasha në vitet 1611-1614, Ohrili Hysein Pasha në vitin 1621, Xixhan-Kapuxhubashi Sulltanazde Mehmet Pasha në vitin 1602-1646, Kara Mustafa Pasha dy herë në vitet 1649-1650 dhe në vitin 1655, Torhonxhu Mustafa Pasha në vitet 1652-1653, i cili u dënua me varje në litar, rridhte nga një familje matjane, Zurnazen Mustafa Pasha shërbeu si Kryeministër vetëm 4 orë në vitin 1656, Qypryly Mehmet Pasha 5 vjet Kryeministër në periudhën 1578-1661. Ishte me origjinë nga Roshniku i Beratit, Qypryly Ahmet Mustafa Pasha, djali i madh i Mehmet Pashës ishte 15 vjet Kryeministër. Në vitin 1659 u gradua vezir dhe marshall, Qypryly Fazell Mustafa Pasha shërbeu 2 vjet e 3 muaj Kryeministër. Biri i dytë i Mehmet Pashës dhe vëllai i Ahmet Mustafa Pashës, Arabaxhi Ali Pasha në vitet 1691-1692, Amxhazade Husein Pasha, nga familja e Mehmet Pashë Qyprylysë qëndroi 4 vjet e 11 muaj në periudhën 1797-1802, Dalltaban Mustafa Pasha, lindur në Manastir Kryeministër në vitet 1702-1703, Qypryly Numan Pasha 2 muaj e 2 ditë në vitin 1710, Haxhi Halil Pasha lindur në Elbasan një vit në voton 1716, Ivaz-zade Halil Pasha në vitin 1770, Memish Pasha 1 muaj e 9 ditë në vitin 1808-1809, Gjiritli Mustafa Nail Pasha nga Poliçani i Kosturit të Korçës ka qenë tre herë Kryeministër në vitin 1853, 184 dhe 1857, Mehmet Ferit Pashë Vlora shërbeu si Kryeministër gjatë viteve 1902-1908, besnik i Sulltan Abdylhamitit të Dytë. Mehmet Ferit Pashë Vlora ka lindur në Janinë në vitin 1852, ishte biri i Mustafa Pashë Vlorës, Ferit Pashë Vlora nga babai ishte stërnipi i admiralit Sinan Pashës dhe nga nëna vinte prej familjes së Ali Pashë Tepelenës, Misairli Sait Halim Pasha, nipi i Mehmet Ali Pashë Kavallës shërbeu në vitet 1913-1917, Ahmet Izet Pasha shërbeu si sadrazam-Kryeministër 25 ditë në vitin 1918, Damat Ferit Pasha, Kryeministri i fundit i perandorisë Osmane, tradhëtoi luftën çlirimtare të Ataturkut. Meliki Mansur-Hain Ahmet Pasha, ushtarak i zoti, punoi si Kryeministër në vitet 1523-1524, Gjedik Ahmet Pasha në vitin 1475 u emërua Kryeministër për 4 vjet, Rystem Pasha në vitin 1554 u emërua Kryeministër për 14 vjet derisa vdiq, Ibrahim Pasha shërbeu 13 vjet Kryeministër. Kryeministrat e familjes “Qypryly” që sunduan afro 100 vjet në shekullin XVII, perandorinë Osmane e shpëtuan nga një rrëzim total, shtetit i dhanë gjak. Pushteti i Qyprylynjve ka qenë më i fortë dhe më efikas nga autoriteti i sulltanëve të asaj kohe. Pashallarët, gjeneralët e besës fisnike shqiptare shpëtuan edhe “kryet e sulltanëve”. Është interesant të përmendet se shqiptaret që kishin marrë një kulturë humanitare islame në shtetin Osman, nuk ishin egoistë. Sami Frashëri për këtë shkruan: “Shqiptarët kanë shërbyer më shumë për botën e jo për veten e tyre”. Perandori i Francës Napolon Bonoparti në vitin 1798 u nis të pushtonte edhe Egjiptin. Osmanllinjtë dërguan një ushtri të përberë prej ushtarëve të zgjedhur shqiptarë. Këtë ushtri e komandonin shqiptarët Tahir Pasha dhe Mehmet Aliu. Pasi theu Bonopartin, kapiteni Mehmet Ali u vendos në Egjipt. Në vitin 1801 u gradua pasha, gjeneral dhe në 1805 mori në dorë pushtetin lokal të Egjiptit. Mehmet Alia Pasha u shtri deri në Sudan. Më pas nënshtroi edhe feudalët e Arabisë që përbënin një problem për Perandorinë Osmane. Me dinastinë e Mehmet Ali Pashës, krahas arabishtes dhe turqishtes, flitej shqipja. Në Aleksandri atij i është ngritur statuja prej bronzi. Dinastia e kësaj familjeje në Egjipt vazhdoi deri në vitet 1956. Për rolin dhe vlerat e shqiptarëve shefi Shtatmadhorisë Turke, marshalli Fevzi Çakmak shkruante: “Me qindra burra shteti shqiptarë janë dalluar në historinë Osmane. Shumë nga ata kishin zënë edhe pozita të larta, të rëndësishme si kryeministra (sadrazamë). Turqit dhe shqiptarët, në betejat që kanë fituar bashkërisht kanë pajtuar interesat e tyre të përbashkëta, janë bërë vëllezër të vërtetë”. Ndërsa studiuesi gjerman prof. dr. Herman Gros në librin “Ekonomia Ballkanike” shkruan se “Shqiptarët gjatë pesë shekujve që kanë bashkëjetuar me turqit osmanlinj, në sajë të aftësisë së adaptimit dhe të talenteve të tyre si nëpunës, kishin zënë shkallët më të larta në Qeverinë e Stambollit dhe kishin role të rëndësishme për perandorinë. Mirëpo nga ana tjetër, fiset shqiptare jetonin të lira e të pa varura në male të Shqipërisë”. Shumë shqiptarë duke mos e njohur gjuhën turke pyesin me dyshim se, përse turqit shqiptarët i quajnë “arnavut” dhe Shqipërinë Arnavutlluk. Fjala arnaut vjen nga persishtja e vjetër, arna-vut, që do të thotë “trim, i cili nuk di të kthehet mbrapa”. Osmanllinjtë në luftë me persët, batalionet (taborët) e skalionit të parë i zgjidhnin jeniçerë trima, që edhe pse shikonin rrezikun e vdekjes, mësynin vetëm përpara. Ata kryesisht zgjidheshin shqiptarë dhe për këtë arsye shqiptarëve u vendosën emërtimin “arnavut” dhe Shqipërisë Arnavutluk. Trimërinë e shqiptarëve e shpreh edhe historiani Mehmet Tefik, i cili shkruan: “Bashkësinë Otomane e kanë siguruar dy krahë: turqit në Lindje (Anadoll) dhe shqiptarët në Perëndim (Ballkan)..”. Por shqiptarët, në perandorinë Osmane krahas personaliteteve qeveritare dhe ushtarake, kanë bërë emër edhe në administratë, drejtësi, arsim, kulturë, arkitekturë, arte etj. Në radhët e para të këtyre personaliteteve janë shumë figura të rëndësishme të Rilindjes sonë Kombëtare, veprimtaria e të cilëve, sidomos e Hasan Tahsinit, rektori i parë i universitetit të Stambollit, Sami Frashërit etj, ishin me rrezatim të theksuar për kulturën e tërë Perandorisë Osmane, përfshirë edhe Shqipërinë e asaj kohe. Sami Frashëri hartoi fjalorët dhe enciklopeditë monumentale si: Fjalori Frëngjisht-Turqisht, Fjalori Turqisht, Enciklopedi Historike-Gjeografike në 6 vëllime etj, duke i shërbyer arsimit, edukimit dhe kulturës turke-osmane shumë më tepër se sa një intelektual turk. Abdyl Frashëri, 10 vjet deputet në Parlamentin e parë perandorak, 1877-1878, Abedin Dino një nga valinjtë e shquar, Ismail Qemali sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, vali në Siri, deputet në Parlamentin osman në vitet 1908-1912, Vaso Pashë Shkodrani, vali i përgjithshmen i Libanit. Himni Kombëtar i Turqisë së sotme autor ka shqiptarin Mehmet Akif. Shumë personalitete të Turqisë moderne të formuar nga Mustafa Qemal Ataturku më 23 prill 1920 janë me origjinë shqiptare. Marrëdhëniet e reja miqësore turke-shqiptare, në mënyrë të veçantë, hodhën themele të forta më 1920, kur lindi Turqia e re dhe qeveria e Tiranës e dalë nga Kongresi i Lushnjës në 28-31 janar 1920 akordoi marrëdhënie miqësore, ushtarake e kulturore me qeverinë e Ankarasë. Për këtë riafrim të Turqisë deputetët grekë të Evropës shtruan pyetjen: “Ç’kërkon Mustafa Qemal Ataturku në Shqipëri? Apo mos ka qëllim të krijojë një Turqi të vogël në perëndim të Ballkanit”? Ndërsa Presidenti dhe Marshali Turqisë Ataturk më 1 mars 1921 në Asamblenë Kombëtare të Turqisë sqaroi se “Me popullin shqiptar kemi bashkëjetuar si vëllezër disa shekuj. Prandaj këtë shtet e komb vëlla do ta ndihmojmë sa të mundim dhe sa të ketë nevojë”. Dhe kjo filozofi bashkëpunimi u rigjallërua me kalimin e Shqipërisë në sistemin Demokratik të viteve 1991, e cila mund të trajtohet në një shkrim tjetër.

* Ish-atashe ushtarak në Republikën e Turqisë
Sigal