Gëzim ZILJA/ Për Piro Dimasin, ndarjen territoriale dhe çështjen çame

877
Sigal

Këto dite Parlamenti Shqiptar po diskuton ndarjen e re territoriale-administrative. Procesi është në përfundim dhe pritet të votohet në Parlament ditën e enjte. Sa i përket kësaj ndarjeje, që është një problem thellësisht i brendshëm shqiptar, forcat politike dhe grupet e interesit kanë kundërshtimet e tyre që mendohet të merren parasysh nga Parlamenti Shqiptar.

Ajo që të bën përshtypje dhe nuk pranohet, është ndërhyrja pa takt, brutale dhe e pakuptimtë e përfaqësuesve të qeverisë dhe parlamentarëve grekë në këtë problem. E theksova, se ky është problem thellësisht i brendshëm dhe ka të bëjë me zhvillimin e përparimin e ekonomisë shqiptare. Para dy javësh shprehu shqetësimin ministri i jashtëm grek dhe ndoshta për herë të parë nga Ministria e Jashtme shqiptare u dha një përgjigje e prerë dhe e vendosur: “Ndarja territoriale është një çështje e brendshme shqiptare. Pra, nuk ka vend për shqetësime greke aq më shumë, kur bëhet fjalë për një krahinë si Himara që nuk është trajtuar si minoritet, sepse nuk ka qenë kurrë i tillë”. Këto dy ditë lexojmë në shtyp dhe rrjetet sociale, që deputeti grek Piro Dimas, pas një vizite në fundjavë në Shqipëri, është shprehur tekstualisht: “Isha për fundjavë në Himarë dhe u takova me kreun e Bashkisë së Himarës Jorgo Goro dhe anëtarin e Parlamentit Shqiptar Koço Kokëdhima. Biseduam për ndarjen e re administrative që po avancon qeveria shqiptare dhe ia bëra të qartë se nuk biem dakord. Theksova se për ne vorio-epiriotët ajo që do të miratohet në fund është e papranueshme, kundër çdo koncepti të së drejtës ndërkombëtare”. Kaq është shprehur kampioni i ngritjes së peshave të rënda, lindur e rritur në Shqipëri, tashmë i veshur me kostumin e deputetit grek. Që takohet me personalitete të pushtetit vendor dhe të parlamentit shqiptar nuk ka gjë të keqe se njerëzit do të bisedojnë midis tyre. Por, nga mënyra sesi shprehet, të krijohet përshtypja se i ka kapur për veshi bashkëbiseduesit dhe u ka thënë ta rishohin problemin se “… ata nuk bien dakord dhe ajo që do të miratohet në fund është e papranueshme për vorio-epiriotët…”.

E thënë shkoqur, deputeti grek kërcënon plot arrogancë se rindarja territoriale e Shqipërisë duhet të marrë miratimin grek dhe tjetra po aq cinike dhe e pavërtetë ai i quan himariotët vorio-epiriotë, domethënë sipas kuptimit të Megali-Idesë greke, gjë që është e pavërtetë dhe fyese. Jo çdo ortodoks shqiptar është grek. Kjo tezë me kohë qysh në vitin 1913, është tejkaluar, por Dimasi vazhdon të ëndërrojë Greqinë e Madhe. Nuk mendoj se ardhja e Dimasit për fundjavë dhe takimet e tij ishin rastësore. Por, ai dhe të tjerë si ai duhet të kuptojnë përfundimisht se ky veprim ashtu si dhe ai i ministrit të Jashtëm janë çështje të brendshme të Shqipërisë dhe nuk ka pse fusin hundët për asnjë arsye. Reforma Territoriale ka të bëjë me administrimin dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Nuk do të ketë zhvendosje të popullsisë vendase ose minoritare, as dëbim të tyre si bëri Greqia me çamët, 70 vjet më parë. Nëse ka vend për diskutim deputeti grek i lindur në Shqipëri e di mirë historinë e dhimbshme të Çamërisë. Ishin ata, grekët që i vranë, masakruan dhe në fund i dëbuan shqiptarët nga vatrat e tyre. Kanë kaluar 70 vjet dhe vazhdojnë të mos u kthejnë pronat çamëve dhe as të kërkojnë falje për masakrat e pashembullta, të kryera nga viti 1912 deri në vitin 1944. Fqinjësia e mirë nuk ruhet duke ndërhyrë në mënyrë flagrante si për kufirin detar ashtu dhe për ndarjen territorial-administrative të Shqipërisë. Fqinjësia e mirë ruhet duke respektuar të drejtën ndërkombëtare, siç thotë ish kampioni, por, ama kur u kthen tokën atyre që ua ke grabitur dhe u kërkon falje për masakrimin e mijëra njerëzve të pafajshëm. Midis Shqipërisë dhe Greqisë ka një problem të madh dhe nuk do të ketë kurrë normalitet derisa të ekzistojë problemi çam. Nuk ka vend për padrejtësi dhe insinuata të tjera, sado të rafinuara e të përpunuara të jenë ato.