Gëzim ZILJA/ Na ishte një herë Vlora me det dhe histori

652
Sigal

Kisha filluar të marrë inat dhe vetë zotin e gjithëpushtetshëm që, atë bukuri të krijuar nga ai vetë po e linte ta prishnin e shëmtonin ditën me diell e natën me hënë. Sepse si po shkonin punët vetëm ai mund të vinte dorën mbi atë masakër urbane që po i bëhej qytetit të Vlorës në det dhe në tokë. Për mua dhe qytetarët e Vlorës ishte e domosdoshme, që me bregdetin (kjo dhuratë e zotit, që duket edhe ai vetë e kishte harruar), t’i jepej fund abuzimeve e të mos mbushej me lloj-lloj pisllëqesh qofshin pallate të bardhë-shumëkatësh, qofshin baraka llamarine plot tym qoftesh dhe erë birre e vere të thartuar. Deti kishte kohë që kishte humbur e ishte fshehur. Duhet të bëje kilometra të tëra që të mund të shikoje pjesën më të bukur, atë ku vala puth bregun, rërën, e gjithçka tjetër, prej ku merr udhën era e jodit të bashkohet me aromën e portokallit, limonit e ato lule e pemë të panumërta. Dhe për këtë ishin të malluar. U bënë vite që pjesa më e madhe e vijës ujore Skelë-Uji i Ftohtë po pushtohej nga betoni, zhavorri dhe gurët e malit. Tani që një pjesë e atyre shëmtirave prej betoni nuk ekzistojnë më qytetarët vlonjatë shohin bregun në gjithë shtrirjen e tij dhe e kuptojnë çfarë iu mungonte, që padrejtësisht ua kishin grabitur. Edhe pse në rrënoja ai është qindra herë më i bukur sesa i pushtuar nga betoni gri, godinat me xhama vezullonjës apo barakat pocaqi.

Ky proces (i pushtimit të vijës së ujit) vazhdon nga Zvërneci në Skelë, Radhimë, Orikum, Bregdetin e Himarës deri në Sarandë. Nuk ka pasur pronarë tokash në vijën e ujit me disa përjashtime të rralla. Ndonjë banesë që e dinë të gjithë banorët e krahinave e ndonjë kasolle bariu. Kjo është lehtësisht e vërtetueshme. E nga na mbinë tani këta mijëra pronarë në vijën e ujit, që duke mos u mjaftuar kjo hyjnë brenda në det duke ndërtuar godina e mole privatë? E nga na mbinë tashmë këto qindra mijëra prona mbi det? Kuptohet që kjo është pa diskutim vepër, madje kryevepër e hajdutëve të pushteteve postdiktaturë. Këta kanë pasur në dorë shkresat e vulat dhe ata të tjerët kanë paguar për të marrë lejen e për ta hipotekuar tokën pa zot. Janë krijuar pista në det (Zvërnec, Radhimë, Orikum) prej mijëra metra/katrorë, madje i kanë hipotekuar. Është një situatë absurde por jo e pazgjidhshme. Është thyer ligji, por ka një absurd tjetër këtu. Sepse duhet të hidhen në gjyq ata që kanë shkelur ligjin, zyrtarët. Por do të gjykohen nga të njëjtët gjyqtarë dhe prokurorë që i kanë ndihmuar ( sigurisht duke paguar) për të tjetërsuar pronën. Duket si një rreth vicioz por nuk është kështu. Mjafton të ketë vullnet për të vendosur drejtësi dhe ta duan dheun e të parëve. Merrni çdo ndërtim të bërë pas viteve ‘90-të në vijën e ujit. Është matematikisht e vërtetë se dosjet e këtyre ndërtimeve që nga barakat prej llamarine e deri te hotelet me shumë yje, janë të falsifikuara. Atëherë ç’të bëjmë?

Së pari: Të zbatohet ligji. Duhet vërtetuar (është fare e lehtë) që ndërtime të tilla janë të falsifikuara dhe leja e dhënë nga kushdo institucion është e paligjshme. Se ka qenë dhe është taksative që ndërtimet në vijën e ujit nuk lejohen. Dhe të prishen sa ende ka mundësi për tu bërë një gjë e tillë.

Së dyti: Qytetarët të mos ndihen të huaj në lidhje me pronën e tyre të përbashkët. Se vija e ujit është pronë publike dhe si e tillë ajo duhet të administrohet. Mund të marrësh një çadër ose shezlong me qira, por jo vendin aty në breg ku vendosen ato. Të paktën në Vlorë këto vitet e fundit është pothuaj e pamundur të gjesh një copë “tokë” të lirë ku të vendosesh çadrën. Do të gjendej dikush, fshatar me poture e triko leshi i zonës apo i qytetar i importuar, që do të thoshte se plazhi është privat dhe duhet të paguash. Ndryshe…

Së treti: Nuk pushtohet vija e ujit sepse flladi i detit dhe era e jodit janë pasuri e të gjithëve. Por, një gardh betoni, një godinë stërmadhe bën që kjo pasuri të shfrytëzohet nga pak njerëz me shumë para.

Së katërti: Nuk ka bregdet pa pulëbardha. E në Vlorë, në vijën Skelë-Uji i Ftohtë, ju siguroj që ka mbi dhjetë vjet që në vijën e ujit nuk është ulur ndonjë pulëbardhë.

Fundja deti me vijën e tij bregdetare duhet tu kthehen njerëzve që ta shijojnë, të shëtisin, të lahen, të peshkojnë, të kalojnë kohën e lirë, të shlodhen atje në stolat buzë ujit, ta ndjenjë që deti është pasuri e të gjithëve dhe si i tillë nuk mund tu përkas një grushti njerëzish që e shesin pastaj çdo cm3 ajër deti me para. Këto janë të papranueshme. Vlonjatët në lidhje me vijën bregdetare ka kohë që ndihen të huaj dhe blasfemojnë. Por kjo nuk mjafton. Bregu i detit duhet tu kthehet sa më parë në formë shëtitoreje, plazhi publik apo ashtu si e ka krijuar zoti.

Diskutohet sot nëse disa që ishin me leje a duheshin prishur? Dihet se për interesa publike bëhen shpronësime dhe njerëzit kompensohen. Në rastin e ndërtimeve në bregdet sidomos ato në vijën e ujit, lejet e dhëna janë të paligjshme, sepse planet urbanistikë nuk e lejojnë ndërtime të tilla. Nisur nga ky fakt ata që kanë lëshuar lejen, kryesisht këshillat bashkiake dhe ato komunare, duhen ndëshkuar dhe jo vetëm. Ata duhet të gjobiten në shumën që kanë shkaktuar dëmi.. Sepse thënia rëndom “janë me leje” nënkupton njërën anë, por jo anën e kundërligjshme. Patjetër që në këto raste viktimat duhet të kompensohen.

Por Vlora nuk është përçudnuar vetëm në bregdet. Është dhe pjesa e vjetër historike që mban mbi vete dy nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit shqiptar: Shpalljen e Pavarësisë 1912 dhe Luftën e Vlorës më 1920. Në të dy rastet, si të thuash ajo pjesë e Vlorës, është e mbushur plot histori. Shtëpia ku u ngrit Flamuri, vendi ku u vendos qeveria e parë shqiptare, shtëpia e qëndistares së flamurit, Marigo Posio, shtëpitë ku bujtën trimat e Isa Boletinit, lagjet e vjetra me ato shtëpitë karakteristike shtruar me kalldrëm e me një arkitekturë të papërsëritshme, muzeu etnografik, rruga e famshme Justin Godar nga erdhën Isa Boletini me luftëtarët e Kosovës e që aq mrekullisht është pasqyruar në filmin Nëntori i Dytë, lagja e katër heronjve etj, etj. Por Sheshi i Flamurit me lagjet e famshme që e rrethojnë nuk ekziston më. Vetëm syplasurit ose armiqtë e Shqipërisë nuk e shohin këtë gjë. Dhe kjo falë babëzisë së pushtetarëve vlonjatë dhe “mister çimentos” të kuq dhe blu. Nuk gjen fjalë për të përshkruar barbarinë që i është bërë Sheshit të Flamurit dhe lagjeve historike të saj. Në 100 Vjetorin e Pavarësisë, shqiptarët e ardhur nga të katër anët e botës nuk panë “Shesh” por një rrugë nga ku derdhej gjindja e ekzaltuar “in fila indiana” për qejf të Këshillit Bashkiak të Vlorës të paguar nga “mister çimentua”. Pallati supergjigand si një përbindësh betoni dhe pallatet të tjerë rrethe qark, të shushunjave dhe varrmihësve ( ndoshta edhe këto me leje ) të kulturës mijëravjeçare të qytetit të Vlorës ngrihen lart e më lart duke i marrë frymën kryeëqëndrër së flamurit e duke e kthyer atë shesh të bekuar, në një karikaturë arkitekturore. Është tamam koha që diçka mund të bëhet ashtu si në bregdet edhe për Sheshin e Flamurit që për nga rëndësia dhe vlerat do ta krahasoja me kalanë e Krujës së Pamposhtur.