Gëzim TUSHI/ Etika njerëzore dhe ngatërresat me politikën

718
Sigal

 Politika prish moralin apo morali degradon politikën? Në shoqërinë tonë ky është një fenomen tipik ballkanik

Ka një paradoks të shëmtuar dhe që tashmë është në përmasa sociale shqetësuese lidhur me raportet e politikës dhe moralit, të ndikimeve dhe kundërndikimeve, efekteve dhe kundërefekteve që ato kanë mbi njëra tjetrën. Sipas mendimit tim në shoqërinë tonë ky fenomen social që është ca tipik ballkanik ndodh sepse ne shqiptarët, herë me të drejtë por shumë herë padrejtësisht të gjitha problemet morale, sociale e qytetare që kalojmë në jetën tonë të përditshme, të cilët mund të kenë shkaqe dhe faktorë të ndryshëm ekstrapolitikë i lidhim mekanikisht dhe në mënyrë të determinuar, vetëm me politikën. Kemi dy dekada e gjysmë që si shoqëri përgjithësisht u mësuam që t’ia lëmë përgjegjësinë për gjithçka që ndodh në jetën tonë sociale apo morale vetëm politikës dhe politikanëve. Edhe për ato që u takojnë por edhe për ato që jo domosdoshmërisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhen me politikën, apo janë në dorën e saj. Dimensioni i kësaj anomalie është evident dhe në një farë mënyre është bërë tregues se po bëhemi një shoqëri moralisht paragjykuese nga që nuk dallojmë më drurët që janë pas pyllit. Kjo situatë po na bën dëme dhe po sjell pasoja të mëdha morale e sociale. Është e vërtetë e padyshimtë që ne në shoqërinë tonë kemi shumë probleme e shqetësime të natyrave të ndryshme, që vijnë nga cilësia dhe performanca e politikës, por kemi po aq shumë, në mos shumë më tepër probleme që janë me natyrë etike dhe që ontologjikisht nuk janë aq shumë të lidhura deri në fund me politikën dhe cilësinë e saj. Nga njëra anë qytetarët tanë janë bërë shumë të aftë të gjykojnë politikën dhe veprimet e politikanëve (të cilat padyshim duhen analizuar dhe gjykuar më fort dhe më drejtpërdrejt si pjesë e jetës publike), por pak i gjykojmë veprimet tona individuale si qytetar dhe vlerësimet e tyre nga ana morale.  Mbi të gjitha ky fenomen i konfondimit të politikës me jetën morale vjen për shkak të politizimit të skajshëm të jetës, të evidentimit të një omnipotence të padrejtë, të pamerituar të forcës së politikës mbi “Botën Sociale” dhe “Jetën Etike”. Kjo ka bërë që në shoqërinë tonë është krijuar një koncept i gabuar eklektik për raportet dhe marrëdhëniet midis sfondit politik dhe realitetit të jetës morale të shoqërisë shqiptare. Politikanët i kanë të zëna “sytë etikë” nga gara e vazhduar për pushtet. Ata nuk kanë shumë interes ose vetëm përciptas janë të interesuar për mënyrën si po degradojnë shumë aspekte të jetës morale e sociale në shoqërinë tonë. Ata nuk shikojnë asgjë që shfaqet etikisht apo që është jashtë sfondit politik të luftës për pushtet. Atyre fare pak u interesojnë gjërat që janë morale por që nuk rrezikojnë pushtetin e tyre. “Drita e kuqe” që ata dallojnë menjëherë dhe që i shqetëson seriozisht, është vetëm sigurimi i votës politike si mjet për pushtet. Shpesh herë kjo dëshirë politike është fare e zhveshur nga vlera etike e saj dhe e atij që e jep votën, që shfaqet apo bëhet militant përtej vlerave sociale dhe kufirit etik. Kjo ndodh sepse politikanët tanë janë bërë pragmatistë dhe ata e dinë mirë, se vota numërohet aritmetikisht dhe nuk peshohet etikisht. Padyshim, dallimi midis etikës dhe politikës në shumë kuptime është me dimension sasior dhe vlerë cilësore. Sepse qytetarët shpesh herë janë të detyruar që politikisht të veprojnë në turmë sociale militantësh pavarësisht nga sfondi etik i tyre, ata shfaqen thjesht si elektorat me bindje të caktuara politike dhe orientim vote të grupuar, ndërsa në se gjykimin do e bëjmë etikisht atëherë duhet të pranojmë se njerëzit në shoqërinë e sotme shfaqen të individualizuar në sjelljen morale. Veprimet e tyre janë etikisht të dallueshme. Në se në politikë qytetari nuk e ka shumë në dorë lirinë e tij edhe pse vota elektorale është e lirë, në etikë, në sjelljen morale personale njeriu është i lirë individualisht dhe për pasojë e ka në dorë lirinë e tij që të sillet etikisht si të dojë.  Në se në politikë qytetari është i detyruar, për shkak të alternativave të kufizuara të zgjedhjes të jetë përgjithësisht i “detyruar” që të shfaqet si të tjerët, në fushën e moralit ai i ka të gjitha mundësitë që të jetë vetja, i pavarur. Madje edhe të synojë të jetë ndryshe nga të tjerët. Koha jonë ka vërtetuar se tashmë çdo njeri ka mundësi që etikisht të jetojë për bukuri vetëm duke qenë në shoqëri dhe njëkohësisht etikisht i pavarur nga të tjerët. Duket që ka një diskordancë midis Politikës dhe Etikës në shoqërinë postmoderne. Në këto kushte në mënyrë të natyrshme mund të shtrohet pyetja: A është e mundur që etika qytetare të jetë e kondicionuar nga zhvillimet politike dhe të presë ndikimet kontroversale të politikës ? A duhet ngatërruar etika, mënyra e sjelljes së qytetarit me vështrimin politik të jetës dhe problemeve të natyrave të ndryshme që ka shoqëria jonë. Përditë përballemi me dukurinë që sa herë shoqërinë tonë e vlerësojmë nga ana politike, është e sigurt që të gjithë ankohemi, shajmë politikën dhe politikanët. Kjo është arsyeja pse janë shtuar njerëzit që thonë se, është bërë e pamundur të jetohet në këtë shoqëri egoiste, individualiste me shumë dhunë e krime. Për pasojë ka njerëz që thonë se në këtë botë të orientuar në këtë formë, është e pamundur të jetosh etikisht, të kesh pavarësi të jetës morale personale. Në fakt politikisht në çdo kohë ne i kemi thënë gjithnjë ankesat ndaj politikës dhe politikanëve, që në thelb janë të njëjtat gjëra që kanë të bëjnë me lidhjet politike të njeriut me jetën. Bota jonë sociale dhe shoqëria shqiptare këto probleme i ka patur në çdo kohë. Natyrisht në tipologji të ndryshme dhe me intensitete të diversifikuara. Problemi është se në çdo periudhë të zhvillimit të shoqërisë tonë dhe pavarësisht sistemeve sunduese dhe orientimeve dominante politike të jetës, është e padyshimtë që ka pasur njerëz që edhe nën diktaturë edhe tani në liri kanë ditur të jetojnë etikisht mirë dhe pavarësisht nga determinantët e politikës. Kjo sepse në çdo kohë dhe situatë politike njerëzit etikisht të mirë dinë të sigurojnë lidhje dhe bashkëpunime përtej apo jashtë politikës dhe madje kanë ndikuar që shoqëria jonë etikisht të bëhet gjithnjë e më e mirë. Ndikimi i politikës mbi nivelin e zhvillimit etik të shoqërisë është më i tërthortë, por jo pa ndikime dhe efekt social. Por unë besoj se në se i kushtojmë më shumë vëmendje përsosjes etike të qytetarit, përmirësimit moral të shoqërisë, ka mundësi që përkundrazi të ndodhë që etika dhe niveli i zhvillimit moral të shoqërisë, të ndikojë mbi politikën për ta bërë atë më të mirë, qytetare dhe të qytetëruar. Në se thellojmë betejën tonë për përmirësimin e standardeve etike të jetës dhe sjelljeve morale të shoqërisë, ka mundësi që indirekt të ndikojmë që edhe marrëdhëniet politike midis njerëzve në shoqërinë tonë të bëhen më njerëzore, më pak të dhunshme, më sociale dhe më të drejta. Në këtë mënyrë mund të ndalet epidemia e ankimimeve politike, që janë të drejta sepse është e vërtetë që shoqëria jonë është bërë me tregues të përkeqësuar dhe për pasojë njerëzit po humbasin gjithnjë e më shumë besimin se në këtë shoqëri dhe me këtë klasë politike mund të jetohet moralisht më mirë. Ndërsa politika ecën në rrugën e vet, është fare evidente që moralisht shoqëria jonë është e agravuar nga që është e inonduar nga dhuna, krimi, vjedhjet, korrupsioni, vrasjet, vetëvrasjet. Ne nuk mund të mohojmë që fenomenet moralisht të shëmtuara, janë bërë pjesë e përditshme e jetës sonë. Natyrisht kur flasim për shoqërinë politikisht dhe moralisht, nuk do të thotë se realitetet janë ekuivalente, por nuk mund të themi se janë të kundërta. Politikja dhe morali nuk janë gjithnjë identike, por as nuk janë të kundërta me njëra tjetrën. Sepse të dyja kanë lidhje dhe merren me shoqërinë duke e parë atë në aspekte të ndryshme të reflektimit, qoftë në sensin politik apo moral. Por shoqëria jonë, kjo është. Ajo që jetojmë së bashku politikisht dhe moralisht. Gjërat që po ndodhin në jetën politike dhe morale janë gjëra të botës tonë, të shoqërisë tonë dhe jo të ndonjë bote apo shoqërie tjetër. Është e vërtetë që politikisht jetojmë në një botë dhe shoqëri të përbashkët dhe ndikimi ynë individual është i pamundur të ndikojë esencialisht mbi të. Duke llogaritur këtu edhe deformimin dhe skarcitetin qytetar të asaj gjëje të vetme që kanë qytetarët në raport me politikën që është Vota. Pra ndikimi individual i qytetarit mbi performancën e politikës sonë është i dobët ose i pamundur. Në aspektin moral problemi i rolit dhe ndikimit individual të qytetarit mbi veten dhe shoqërinë është shumë më ndryshe se sa raporti me politikën. Sepse pavarësisht epokave, sistemeve politike dhe marrëdhënieve të qytetarit me to, është e sigurt që në shoqërinë shqiptare gjithnjë ka pasur, ka dhe do të ketë njerëz që kanë ditur dhe dinë të jetojnë moralisht më mire, apo që përpiqen të jenë etikisht të pavarur nga të tjerët. Sociologët shpesh herë janë të mendimit se niveli i ndikimit të bashkëpunimit qytetar mbi politikën është më i dobët, se sa ndikimi i bashkëpunimit moral për të përmirësuar shëndetin etik të shoqërisë. Ky është kushti që marrëdhëniet njerëzore të përmirësohen edhe nga pikëpamja politike, që ato të bëhen më njerëzore, më humane dhe më pak të dhunshme. Ideja që qarkullon në shoqërinë tonë se edhe për situatën morale të shoqërisë fajin dhe përgjegjësinë e ka krejtësisht politika, është ide e gabuar dhe formë absolutisht e shëmtuar e “alibisë morale” të atyre njerëzve që janë vetë të deformuar dhe duan të deformojnë etikisht edhe shoqërinë. Sepse sado të këqija të jenë rrethanat politike, sado ndikim të tërthortë të ketë ajo mbi kondicionin moral të shoqërisë, duhen mbajtur në konsideratë dy gjëra të vërteta.

E para, politika jonë me gjithë të metat evidente të tranzicionit nuk është tërësisht e keqe, apo nuk mund të thuhet se ajo me gjithë defektet nuk ka asgjë të mirë. Kjo është njëra anë e problemit. Ana e dytë që është dhe më kryesore, është të mësojmë njerëzit tanë me tjetër kulturë qytetare në mënyrë që ata të mendojnë se sado të këqija të jenë rrethanat politike, përgjegjësia finale për veprimet etike bien mbi secilin qytetar individualisht. Është absurde të kondicionosh në mënyrë fatale situatën morale të shoqërisë bazuar vetëm me cilësinë e politikës kalimtare. Sepse historikisht deri tani në asnjë shoqëri nuk ka pasur sistem politik të përsosur, që të ketë ndikuar edhe në sigurimin e përsosmërisë morale. Koha postmoderne kërkon t’i mësojmë njerëzit se në çdo “kohë politike” të përbashkët ka një “kohë morale” të përveçme, individuale. Në këto rrethana edhe jashtë politikës dhe pavarësisht prej saj, është e mundur të gjendet diçka e mirë për atë njeri që individualisht që e do të mirën dhe patjetër mund të gjendet çdo gjë e keqe që për fat të keq kjo shoqëri i ka me “bollëk” dhe që është e “përshtatshme” për atë që është i orientuar drejt së keqes.