Gentian Çala: Teatri dhe dera e integrimit

437
Sigal

Nga Gentian Çala

E çfarë lidhje ka një godinë historike e Teatrit Kombëtar me proceset integruese të Shqipërisë në BE, mund të pyeste dikush? Paska, madje shumë dhe në disa aspekte. Trashëgimia kulturore dhe vlerat europiane janë ato që të hapin derën e një familje të madhe si Bashkimi Europian, ku ne aspirojmē të bëhemi anëtarë. Por, paska edhe një Komision Integrimi, brenda të cilit 1/3 e anëtarëve janë anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, e që na paskan firmosur prishjen e Teatrit. Kjo duket sa habi, aq edhe shaka pa kripë e Ramës dhe Veliajt, urdhëruesve të prishjes së Teatrit Kombëtar.

Këta që duhet të hapin derën e integrimit qenkan mbyllës së saj me veprimet e tyre. Ata nuk pyetën as për zërat e BE-së që ishin kundër këtij arbitrariteti, kurse nesër do të duhet të ulen e të çojnë përpara procesin. Nuk e di me çfarë morali, me çfarë integriteti apo si do të punojnë këta njerëz?! Një Komision pa moral i njerëzve në shërbim të shkatërrimit dhe të një regjimi nuk mund të na çojnë askund. Derën e BE-së në mos do ta gjejnë mbyllur, ka gjasë që nuk ju hapet kurrë pa ndrequr disa gabime. Rindërtimi i Teatrit Kombëtar është një gabim për tu ndrequr.

Një regjim nuk mund të jetë ndryshe, kurse BE nuk mund t’ia hapë dyert një regjimi që prish, dreqos votimet, vjedh e nduk ku të mundet, nuk respekton ligje e Kushtetutë, ku autokrati pushton institucione dhe vendos e vulos pa pyetur askënd. Iluzioni i integrimit do të mbetet ende i tillë, derisa të ndryshojnë ku realitet politik dhe social, derisa të dëshmojmë të kundërtën. Teatri është një simbol që nuk mund të trajtohet thjesht si një godinë për tu ribërë. Raporti ynë si popull me vlerat e përbashkëta dhe demokracinë vjen mjaft qartë përmes simbolikës dhe trajtimit të Teatrit Kombëtar.

Asgjë tjetër e ndodhur brenda nesh nuk ka arritur të sensibilizojë kaq shumë opinionin europian politik, mediatik dhe artistik, sa çështja e Teatrit Kombëtar. Ruspa dhe policia ndaj një Teatri dhe njerëzve që e mbrojtën atë, nuk hap asnjë derë integrimi, hap vetëm derën e marrëzisë së atyre që urdhëruan prishjen e tij.