Gentian Çala: Duhet ti fitojmë të dyja betejat..

120

Nga Gentian Çala

E panjohura, po bëhet ngadalë e njohur. Frika e të panjohurës dhe frikërat ekzistenciale, po i lënë vendin përshtatjes. Lajmet e pavërteta po depërtojnë më pak, kurse e vërteta po ze më shumë vend. Të pakujdesshmit janë pakësuar në raport me ata që zbatojnë udhëzimet. Solidariteti po zgjohet përditë. Kurba e infektimeve duket thuajse e rrafshët, ndërsa debati i tamponëve dhe analizave me pikatore vazhdon. Qeveria ka zgjedhur kufizime të ashpra dhe vuan nga protagonizmi i pamasë i KM-së, mungesa e transparencës dhe nga arbitrariteti joligjor.

Kjo duket të jetë panorama, e një beteje ku deri tani kemi humbur 19 jetë dhe kemi zyrtarisht mbi 300 të infektuar. Disa janë shëruar dhe kjo të mbush me optimizëm dhe dilema. E nëse dikush ju pyet: si ndiheni?! – Unë çka, po ju?! – do të thoja. Më duket se i kam mendimet të grupuara në dy tematika kryesore: e sotmja, tejkalimi i kësaj situate dhe paskëtaj, madje kjo e dyta më duket disi më e komplikuar. Më duket e komplikuar sepse ka pasoja në ekonomi dhe në jetën e njerëzve të thjeshtë. Të varfërit do të varfërohen më shumë, kurse ripërtëritja do kohën e saj.

Mbijetesa po kërkon një sakrificë që duket të jetë një jetë më e komplikuar për më varfërit dhe njerëzit e thjeshtë. Nga njëra anë koronavirusi nga ana tjetër varfëria, dy të këqija të mbivendosura, ku të parashikosh është e vështirë. Ditët ikin dhe zgjatja e kësaj situate ka ndikimin e saj te një pjesë e njerëzve që nuk përshtaten dot, që nuk munden të përballen me kaq shumë stresorë pa pasur probleme të shëndetit mendor. Po për këtë nuk po mendon kush. Një popull i varfër dhe i frikësuar, duket më lehtë i nënshtrueshëm nga pushteti dhe nga çdo e keqe. E këtu duket se simbioza e fatkeqësisë me pushtetin ekziston, në një relacion të padukshëm, por jo të papandehur.

Ndaj mendoj se kemi nevojë të vështrojmë brenda vetes, në përpjekje për të menaxhuar emocionet dhe mendimet tona. Sot, kemi nevojë më shumë se kurrë për energjitë përtëritëse, për strategjitë që na ndihmojnë, për mirëqënien mendore. Të shikosh brenda vetes, është nevojë dhe vetëkujdes. Është po aq e rëndësishme sa ushqimi që marrim. Nuk mjafton vetëm të mos infektohemi nga virusi, por duhet të kujdesemi që të mos “infektohemi” nga dëshpërimi, nga stresi, nga ankthi, nga humbja e shpresës. Kjo mbetet po aq jetike. Nëse ka një betejë jashtë nesh, ka edhe një tjetër brenda nesh. E ne, na duhet ti fitojmë të dyja.