Gentian Çala: Diversioni i Kryeministrit dhe pandehma

435
Sigal

 

Kryeministri ynë nuk është shquar ndonjëherë si burrë i fjalës, as i marrëveshjeve dhe as i premtimeve. Ndaj nuk çuditem nga diversioni i bërë me ndryshimet kushtetuese të propozuara nga deputetët e të ashtuquajturës opozitë parlamentare dhe tentimi për bllokimin e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, duke krijuar ngërçe të paarsyeshme, kanë qëllimin e minimit të konsensusit të realizuar me insistimin e ndërkombëtarëve. Pandehma është e qartë: ai që ndihet i rrezikuar nga humbja e pushtetit, po bën ç’të mundet që mbajë atë përmes avantazheve paraelektorale.  Diversioni shpjegon pandehmën. Ky përfundim nuk do ndonjë analizë të stërholluar për ta arritur. Nëse do të kishte vullnet, Këshilli Politik mund t’i mbyllte diskutimet brenda pak orëve dhe në një takim të vetëm dhe votat në Kuvend mund të gjendeshin po aq shpejt sa herët e tjera. Zvarritjes nga Rama mund t’i japin fund ndërkombëtarët, duke ashpërsuar gjuhën. Rama nuk kupton më gjuhë tjetër veç asaj të drunjtë. Ai gjatë gjithë kësaj kohe është përpjekur dhe do të vazhdojë të tentojë të bëjë kualifikimin e Opozitës reale si “penguese e zgjedhjeve dhe e kompromisit” dhe nga ana tjetër t’i krijojë mazhorancës përparësi në procedura dhe administrim zgjedhor.  Për fatin e keq të Ramës, diversioni dhe pandehma ishin mjaft të lexueshme. Rama po mendon se streha e tij më e sigurtë është mbetja në pushtet, por kësaj here nuk ka vetëm Opozitën reale kundër, por ka edhe shumicën e popullit dhe ndërkombëtarët. Pandehma e tij ia ka dalë të bindë vetëm shërbëtorët dhe mercenarët e tij politikë dhe mediatikë. Kaq! Ai nuk frymëzon, nuk bind dhe nuk gjen përkrahje tej oborrit të tij. Më i lexueshëm dhe më i pashpresë se kurrë.