Gazeta Telegraf/ Kristo Mërtiri: POLITIKANËT FLENË ME “QENTË” DHE NGRIHEN ME “PLESHTA” ! Nga

611
Sigal

                     

Aman, t’u bëfshim
kurban, na dëgjo pak. Kohë më parë, kur na the troç se disa politikanë shqiptarë
e liderë kalanderë flenë me “qentë” dhe ngrihen me “pleshta”, ne e përcollëm me
të qeshura e të ngjeshura muhabeti buzë Vjosës shekullore. Kujtuam se e hodhe
bashkë me grepin, si ushqim mashtrues për peshqit nëpër valë e strumbullarë.
Mirëpo rrodhën shumë ujëra në Tranzicionin e pafund. Dhe ti, miku ynë, pa kujë
e zhurmë vazhdon të ngulësh këmbë si Kuqja e nënë Evës (mushka e mirënjohur në
vendlindje) te Bregu i Kulunxhiut, sot e kësaj dite. Pa hequr dorë nga ai
mendim, që neve po na fut në të thella e nëpër zgafella reale mosbesimi e
trishtimi ndaj rilindistëve në pushtet e atyre në opozitë. Përshembull, debatet
e tollovirat taze për hashashin, e kapërcyen gardhin e groteskut në Parlament.
Ky tempull i shenjtë demokracie është kthyer herët në një “Pazar Roskoveci” e
kastraveci dhe pa asnjë kordon sanitar moral, politik e larg shëndetit mendor.
(Sapo lenë prapa këtë prag të molepsur me hipokrizi sipërore, ua hipin
fuoristradave dhe hyjnë rrufeshëm nëpër fejsbuqe e ulluqe për të nisur “fonogramet”
drejt komunitetit në qytete e fshatra ! Risqarojnë “publikun” e shushatur nga
gjëmimet live në ekrane dhe i japin
karar me atë fjalinë më të shpërdoruar : Qentë le të lehin…). Ama, vetëm në
podiumet elektorale e partiake, duken sikur u pret kordha majtas e djathtas, përmes
detit të polemikave bajate e azate. Ata ligjërojnë thekshëm çdo të enjte në zemër
të Kryeqytetit, ndërsa nëpër kodra, lugina e përrenj malorë, turfullon e ligjëron
nëndheshëm Droga. E korrur dhe e pakorrur. Tokat e deridjeshme djerrë, sot janë
përmbytur nga helmi gjelbërimmbuluar dhe i frikshëm në Jug e Veri. Politikanët
derdhin fjalimet me letër e pa letër në Tiranën politike, por lumenjtë e drogës
vërshojnë mbi samarë mushkash e gomerësh, në autovetura e furgonë, mbi skafe e
gomone dhe gjer me avionë ekskluzivë e aspak iluzivë. Po lemerisen brigjet
italiane, greke e të tjerë. Dhe gati përditë në rrjetat policore vendase e të
huaja bien cironka a qiraxhinj hallexhinj të këputur e të verbuar. Al Kaponet
dhe bosët e vërtetë me valixhet e tejfryra nga blloqet me euro e dollar, shëtisin
e relaksohen në pubet, hotelet e motelet
e metropolit shqiptar. Politikanët ngrysen e gdhihen me “qentë” dhe ditën e
enjte bëjnë vetëm hajgare e sfilata
oratorie në sheshmejdanin e tempullit demokratik. Ra avioni në Divjakë e më pas
tjetri në Ishëm, por nuk ranë fjalimet e betimet. Fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë
cakejsh ! As veniten e as koriten ndonjëherë. Një çerek shekulli kështu. Thonë ç’u
do kokrra e qejfit, korrin e grijnë silazh “patriotizmi”, ndërsa njerëzit e
thjeshtë sfiliten për të siguruar koromanen e hidhur të gojës…

Po sikur Perëndia të mos na e mbajë
dot gjuhën lidhur dhe t’ua kthejmë edhe ne me të njëjtën monedhë vulgare e
fyese?, -pyesin me të drejtë miqtë e mi vërsnikë që jetojnë e punojnë te Gryka
e Këlcyrë-Mezhgoranit, pa asnjë teserë në xhepa.- Sepse në fund të fundit, kur
kujton qenin, bëj gati shkopin! Veçse ku ma gjen të përballesh vetëm me qen
gjahu, langua. Të paktën, provon emocionet pozitive të një sporti, jo pak të
lakmuar në këtë botë jallane. Por barinjtë e mencur të viseve të mia, nuk e lëshonin
kot atë postulatin me tingëllimë gjithnjë aktuale: “Qeni që s’di të lehë, ta
sjell ujkun në vathë!” Dhe karvani ngre supet e mban sehir kronikat me zë e
figurë. Apo edhe ujku grabitqar, mishngrënës i familjes së qenve është ?! Vetëm
në monizëm, gjuetia e tij lejohej në çdo stinë e pa asnjë kufizim…Pra, fjalime
lumë, por edhe droga lumë që s’ndalet nëpër Shqipërizën tonë brengashumë.
Politika qeveritare e parlamentare po i ngjan çdo ditë e më tepër atij gjahut
pa pushkë. Mbrëmë te Bërryli i Tiranës, një miku im hokatar nga Lumi i Vlorës,
e ilustroi bukur këtë tablo irrituese me një nga ato
historitë fshatçe
:

            “Me të parë Sabriun që ecte duke iu marrë këmbët,
fëmijët e Selenicës i viheshin nga pas me thirrma e me potere.

            -E, Sabri,-e pyesnin me shaka rrugës,-
ku po shkon me gjithë këtë tabor ?

            -Për gjah po shkoj, po ç’e do, kam
marrë zagarët dhe kam harruar pushkën…”.

Mirëpo qenve antidrogë të shtetit, më thonë se u ka
ikur zëri e nuhatja, por ende nuk paskan lajthitur. Vërtet nuk bëjnë as gëk e
as mëk përballë qenërisë që ruan vilat në Gjirin e Lalëzit, në Bregun e Detit,
në gjunjët e Dajtit a në Surel, në Farkë, Qerret, Golem, Orikum, Llogara,
Sarandë e Ksamil ?… Nuk më besohet plotësisht. Se qentë antidrogë të shtetit
nuk bëjnë kurrë “jetë qeni” si ata që kanë pushtuar rrugët dhe bulevardet e
metropolit. Janë të shkolluar e të specializuar jashtë e brenda vendit,
ushqehen, vishen e strehohen më mirë se qindra jetimë fatkeq, romë e egjiptianë
që nuk dinë hiç për milionat e dhuruara nga Evropa, enkas për ta ! Kostoja e
tyre mujore ua kaloka pensioneve të mijëra pensionistëve duardridhur që punuan
e u munduan një jetë të tërë për këtë Shqipëri të bekuar, por sot rrokopujë e
“tmerrësisht demokratike”(?). Mua shpesh nuk më bën zemra të them se këtu nuk e
njeh qeni të zonë. Përderisa sot janë shtuar emërtimet e pagëzimet pluraliste :
qen stani; qen kuzhine; qen avllie; qen sokaku; qen gjahu ose zagar
lepujsh;  zagar shpendësh të egra; zagar
kryetarësh; qen kallajxhiu; qen vreshti e gjer te…”qen bir qeni”! Gati të gjithë
ngrihen me pleshta. Dhe disa prej tyre, çuditërisht mbushën dhomat e paradhomat
e Politikës imorale. Dhe nga ekranet e ditës së enjte, duken sikur shkojnë si
qeni me macen, zihen e përzihen të “përgjëruar” për elektoratin dhe publikun, që
tashmë ngjan i përgjumur e i droguar dhe vetë lëshohen nga zinxhiri…

Mbi 80 për qind
e deputetëve qenkërkan policë e biznesmenë të zgjedhur nga dora e Kryetarëve
(jo nga populli), tabor me bodiguardë e mercenarë të regjur rreth liderit që i
thërret në çaste rreziku e nevoje.

-Na dëgjo pak, o
miku ynë në metropol ! Qeveritë apo Kryetarët e partive gjejnë edhe belanë,
sidomos kur blejnë “qenër” dhe u dalin “kulishë” të zgjebosur e larg atyre që
as kullojnë e as turbullojnë. Vërtet për asgjë nuk shërbejnë, por ama dinë të
rrëmbejnë nga “pushtpushteti” i djeshëm e i sotëm . Dhe nuk e vërtisin ters
sherianë, por kullandrisin me lezet me nder; tendera, borde, privatizime,
koncesione për soj e sorollopin në breza. Dhe nuk e lënë kurrë bosh Arkën frytdhënëse
të Partisë mëmë a njerkë qoftë! Arkë që u fal kolltuqe parlamentare, shtetërore
e lopë mallteze qumështore që milen përditë. Dhe nuk janë nga ai sua që nuk e
begenis dhjamin nga pleshti ! “Paraja-maskaraja” i mban lidhur e grushtbashkuar
nëpër çairet shtetërore. Merren vesh për bukuri me njeri-tjetrin. Dhe kanë
arritur një majë jo dosido : Jo rrallë “bëhen bashkë një grusht pleshta”. E tha
saktë Blushi, atë sallë të nderuar e kthejnë edhe në “treg ligjesh” të fshehur
nën maskën e çështjeve politike. Shkurt meseleja,”nëse ke para e blen një ligj,
nëse nuk ke, e blen kundërshtari yt. Dyqani i Rilindjes funksionon non-stop për
të shitur ligje. Vetë Rilindja pra, e pranon se ligji vjen këtu në emër të disa
firmave të riciklimit, të cilat pretendojnë se kanë mbetur pa punë”. Interesat
e fëlliqura personale po i lënë “përtej Urës së Qabesë” interesat e Shqipërizës
sonë që ka zënë vendin e parë në Evropë për ndotjen ! Dhe thuaj po deshe se nuk
futen pleshtat në thes. Aq më tepër kur mjaft politikanë e deputetë flenë me
“qentë” dhe u thonë “bujrum” plehrave të dynjasë matanë mëmëdheut që e kthyen për
çerek shekulli në “laborator të papërgjegjshëm zullumqarësh”. Për interesat
kombëtare dhe ato të publikut, gjer më sot kanë bërë një vrimë në ujë. Më shqip
: Mbathën pleshtat me potkonj ! Dhe nuk janë nga ata të ujit në det, që lëvizin
duke vallëzuar…

 Politikanët e qeveritarët që flenë
me “qentë” në mazhorancë e opozitë, zakonisht janë gati të djegin jorganin për
një “plesht”. Dhe fërkojnë barkun nën lëpirjen e servilëve të përjetshëm me
zilet e këmborët neveritëse të lepepeqërisë. Droga dhe importimi i plehrave janë
dy faqe të zeza në fytyrën kriminale të politikës, majtas e djathtas. Shoqëria
jonë nuk ka pse rrokulliset në humnerë, duke bërë copë e thërrime imazhin e vërtetë
turistik që ia ka falur Zoti, por edhe shëndetin e një vendi të telikosur e të
fundosur pa mëshirë nën kthetrat marramendëse të parasë së pistë. Nëse janë kaq
“trima”, rilindistët le ta provojnë e peshojnë veten në Referendum popullor ! Të
tjerat janë nga ato palo dokrra që duan të shesin edhe lëkurën e pleshtit…