Gazeta Telegraf/Gëzim Zilja: Çamët dhe beteja për Janinën,1912-1913

846
Sigal

 

 

Këngët
popullore lartësojnë qëndresën e shqiptarëve

 Gëzim Zilja

Beteja për
mbrojtjen e qytetit të Janinës gjatë luftës së parë ballkanike 1912-1913, u
zhvillua nga tetori i vitit 1912 deri më 5 mars të vitit 1913, në të njëjtën
kohë me betejën për mbrojtjen e Shkodrës. Ndërsa për të betejën për mbrojtjen e
Shkodrës (tetor 1912-23-prill 1913) dhe heronjtë e saj është shkruar shumë,
madje komandantit turk Riza Pasha, i është ngritur monument madhështor, për
betejën e Janinës dhe heronjtë e saj dihet shumë pak. Në strukturat e
garnizonit turk të Janinës bënte pjesë dhe një Divizion me redifë ( rezervistë)
shqiptarë nga Jugu i Shqipërisë dhe shumë forca vullnetare kryesisht nga
krahina e Labërisë dhe e Çamërisë. Divizioni shqiptar përbëhej nga regjimenti i
Janinës me batalionet e Margëllëçit, Filatit dhe Paramithisë, regjimenti i Vlorës
me batalionet e Vlorës, Mallakastrës, Fierit e Tepelenës, Regjimenti i
Gjirokastrës me batalionet e Gjirokastrës, Delvinës, Përmetit dhe Leskovikut, një
batalion i Skraparit dhe një i Bilishtit. Armata Greke kishte filluar herët
luftën kundër garnizoneve turke dhe më 2 nëntor pushtoi Prevezën, më 11dhjetor
1912 Sarandën, deri më 13 dhjetor pushtoi Artën, Prevezën, Pargën etj. Më 13
dhjetor 1912 trupat greke iu afruan Janinës dhe një ditë më vonë e sulmuan atë
duke zhvilluar luftime të ashpra me forcat turko-shqiptare deri nga fundi i janarit
1913. Me 5 mars ushtria turke nën komandën e Esat Pashë Janinës u dorëzua pas
një rezistence dy ditore 3-4 mars. Në këngët popullore ky dorëzim është
konsideruar si tradhti nga ana e Komandantit turk, pasi pozicionet rreth Janinës
e sidomos të Bezhanit, ishin mjaft të fortifikuara dhe konsideroheshin të
papushtueshme. Kjo dokumentohet në shumë këngë të krahinës së Çamërisë: Esat
Pashë Janina/ nga vate rrufjani/pa bukë e pa ujë/ s’mbahet istikami/Për lirat që
mori /na iku vatani. Dhe tjetra:  Fal(j)
s’të pati shqiptari /po turkoshak kumandari/…Kumandari me valinë/ Çamërinë me
lira e shitnë.

 

Shtrirja e
luftimeve

 

Po luftimet për
pushtimin e Çamërisë nuk kufizohen vetëm me betejen e Janinës. Në Paramithi,
Filipjadhë, Gumenicë, Volë, Margëllëç, Gribovë, Filat, Pargë, Artë, Prevezë,  në çdo pëllëmbë toke është luftuar me forcat
greke. Këngët –dokument janë të shumta për betejat e zhvilluara nga shqiptarë që
dhanë jetën me shpresën, që Çamëria nuk do të jepet. Në Gribovë (pushtimi i
Filipjadhës) atë ditë/Te kalaja më të ngjitë/o mor të zes redifë/ballë për ballë
me moraitë/seç i kriqosët sungjitë/Në huxhum mbetët të gjithë.  Kjo ndeshje ka ndodhur në vjeshtën e dytë, të
vitit 1912, kur ushtria greke sulmoi Filipjadhën. Vullnetarët nga Filipjadha, Roka
etj. që shkuan në malin e Gribovës, u dolën përpara trupave greke dhe duke
luftuar trimërisht me bajoneta mbetën të gjithë në fushën e betejës. Sot kur
shikon që  luginat e Përmetit, Gjirokastrës
e Korçës, janë mbushur me kryqe e varreza të qena e të paqena të ushtarëve grekë
të luftës së dytë botërore, nuk ka si të mos trishtohesh. Në Çamëri nuk ka pëllëmbë
toke, pa u vaditur me gjakun e dëshmorëve çamë. Vetëm në përroin e Selanit, më
1913, u kapën pabesisht dhe u masakruan 72 burra nga më të shquarit e Çamërisë,
kundërshtarë të pushtuesve grekë. Për ta (ashtu si në Bezhan, Gribovë e gjetkë)
nuk ka as varr, as pllakatë, madje dhe këngët për ta janë rrudhur: Në Selan të
shkrretë/ këllon gjak shqiptari/Klani more shokë/se na zu dushmani. Këshilli i
Ministrave në Vlorë më 29 janar 1913, mori zyrtarisht vendimin ‘’Të mbrohet me
çdo kusht Janina” dhe u dërgoi thirrje gjithë krahinave të vendit  të mobilizonin e dërgonin rezervistë e
vullnetarë në betejën për mbrojtjen e Janinës. Kënga thotë: Kërkon vatani e
mileti/Të venë djeltë rrëpjeti/Tetëmbëdhjetë milë vanë/Që nga tetëmbëdhjetë vjeç
djalë/Morën dufeq e gjordanë/Dhe rrëpjetë gjithë vanë/Dhe mushkat me meqare’/Ka
sa vanë asnjë s’u kthe/. Thirrjes së Qeverisë së Vlorës iu përgjigjën
burrat  e Çamërisë e të Labërisë. Lufta
dhe betejat e zhvilluara janë të ashpra deri në vetmohim. Taborri i Vlorës u
vranë/na njëmilë e dyqind q’ishnë/Gjashtëqind u katandisnë/Edhe taborri me çamë/Dhe
këta u grinë, u vranë/ Lëfton labi, lëfton çami/Ne Pesë Puset* u bë nami. Ditën
e Bajramit grekët vendosin të sulmojnë forcat shqiptare, duke menduar t’i kapin
në befasi. Por ja sesi vjen informacioni për qëndrimin e shqiptarëve myslimanë:
 Jorgos vanë e i thanë/Në Grebenic’ në
majë /Shqiptarët falin Bajramnë/ /Po ti ç’bënë pse s’hidhe parë /se ata topa
s’të kanë/I ze tek falin bajramnë/ Po ne nuk falim bajramnë/ se do të mbrojtim
vatanë/ Jorgo dhëndër i Rusisë /Ti s’njeh djelt e Çamërisë/ e marrin plumbin në
sisë/Tij ta bëjnë ferr e drizë. Është interesant fakti që në luftën për
mbrojtjen e Janinës por edhe territoreve të tjera të Çamërisë, morën pjesë edhe
çamët ortodoksë si, Konomenjtë, fis nga Gliqi i Paramithisë, Çallëkenjtë e
Potamesë, Gogozotot nga Rrapëza, pranë Agjisë, Papenjtë në Kastri të Gumenicës
etj, të cilët qëndruan në ballë të përpjekjeve për mbrojtjen  e trojeve shqiptare, duke luftuar krah për
krah me vëllezërit e tyre të besimit mysliman. Ja ç’thotë kënga: Thereti
pesëmbëdhjetë/ seç na duall’ Konomenjtë/Mblodhën e  nisën gjithë djeltë/ Për në Bezhanin e
shkretë/Me dufeqe e me fushekë/Me lopata e kazmenjtë/Të mos çan greku rëpjetë
/Ku ipjet kanë foletë. 

 

Heroizmi i grave
çame

 

Gratë çame zenë një
vend jo të pakët në luftimet kundër grekut. Ç’është ajo që zbret prej gurit/dhe
lufton në krah të burrit/Çështë ajo që lufton sheshit/ Merushja bilë e
arbreshit/Ç’është ajo trime suljote/Merushja një shalësjote. Merushe Ismaili,
nga fshati Shalës i Konispolit ishte vetëm 18 vjeç, kur së bashku me burrin e
saj Nelo Ismailin nga Shalësi mori pjesë në çetën e Muharrem Rushitit, prej
vitit 1908 deri në fund të vitit 1914. A mund ta quajmë këtë grua një Shote
Galicë të Çamërisë? Atje ne Mulliri i Bardhë/N’atë luftën me Junanë/Daije Sako
ke dalë/Me manxerr, rovol, gjerdanë. Daije Sako, 55 vjeçe nga Gardhiqi i Paramithisë,
vullnetare në Mullirin e Bardhë në frontin e Gliqisë, ku iu vranë vëllai Serjan
Sako Fetahu dhe i biri Qamil Mejdi Meto.

Kush lufton në
Çamëri/Hamiti me gjongulli/Hamiti me shqiptarë/ Me di tre taburre çamë/Në Frar
e zu istikamnë/Jorgua pastë belanë/Erdh’ të na marrë vatanë/Shqipërinë te bij Elladhë/Po
ne vatanin se japmë/ Se ne jemi shqipëtarë/ Jemi bilt’ e Smail Beut/ të Pirros
e Skënderbeut. Hamit Margëllëçi patriot i shquar nga Margëllëçi, plagoset në
luftën e vitit 1897, në afërsi të Artës.Në kohën e Hyrjetit u zgjodh deputet
për Çamërinë. Gjatë luftës ballkanike në krye të vullnetarëve çamë mbrojti
heroikisht jugun e thellë shqiptar. I lidhur me Ismail Qemalin zbatonte urdhrat
e  qeverisë së Vlorës dhe luftimet i
pushoi vetëm kur ra dhe Janina në duar të grekëve. Një herë tjetër do të shkruajmë
për disa nga ata mijëra luftëtarë dhe dëshmorë  të asaj lufte legjendare, vjeshtë 1912, mars
1913, si Muharrem Rushiti (Koskë), Bajram Elbasani, (Prevezë) Mulla Hasan Meti (Volë),
Mustafa Mamani, (Volë), Basri Kolloboni (Filipjadhë), Ali Hamzaj (Bezhan), Riza
Janina (Llur), Abaz Hamiti (Smërte, Filat), Beqir Bako (Paramithi), Sadush
Avduli (Janjar), Fejzo Abaz Pelteku (Janjar), Sulejman Dule Çuça (Janjar),
Spiro Çallëka (Potame, i krishterë),  Haxhi
Braho (Margëllëç), Miho Tasi (Kastri, i krishterë), Hasan Hania (Luarat),  Memo Haruni (Smokovinë),  Refat Memeti, Subi Llamo, Memo Bushi, Tahir
Zeqo, (Luarat) etj.