Frika e një dimri të ftohtë politik

748
Mark Topollaj
Kino-Regjizor

Komunizmi është ideologjia e koleksionistëve kriminel dhe frika e një dimri të ftohtë
Krijimtaria artistike dhe mendja intelektuale janë gjithmonë përgjigje konkrete për problemet e shoqërisë. Edhe Servantesi me veprën: “Don Kishoti…” ka nxjerrë në pah aktivitetin krijues regresiv të shoqërisë. Heroi kryesor, Don Kishoti me mendjen e tij është progresiv dhe pozicionohet me heshtën e tij përballë mullinjve të erës. Por kjo figurë e krijimtarisë botërore herë është komike e herë, po aq dhe tragjike. Edhe Sali Berisha është një politikan progresiv i frymëzuar dhe i vendosur deri në pafundësi për gjërat që nuk kanë asnjë vlerë shoqërore. Bisedat nëpër korridoret e PD-së thonë se fabula e jetës dhe magjia e vdekjes shprehin të vërtetën e historisë së tyre. Si një komunist i devotshëm në drejtimin e PD-së pati një alegori të pa kontrolluar. Në vazhdimësinë e moralit komunist krijoi supermacinë e komandimit. Për ne shqiptarët ky veprim është një alarm i përgjakur. Idetë e ngjashme me utopinë të lenë në shpirt inatin e zhgënjimit në vend të Dashurisë. Këto ide komuniste nuk kanë aftësi për zhvillimin e kombit. Ata shohin me sytë e qorrit bëmat e tyre dhe dëgjojnë me vesh të shurdhët rënkimet tona. Shembujt janë monstruozë. Dinamika e zhvillimit të një shteti nuk vjen pa pasur në piedestal artin, vlerësimin pararojë. Greqia u bë e njohur në të gjithë botën në saj të zhvillimit të demokracisë që e deklaruan njerëz të ditur të artit, letërsisë dhe shkencës. Perikliu ishte një burrë i mençur, një politikan me talent të spikatur e një diplomat i zoti. Atij i takon ndërtimi i themeleve të demokracisë, zhvillimi i artit dhe mendimi filozofik. Euripidi e Sofokliu rivalizonin në mes tyre me artin e tragjedisë. Eskili dhe Sokrati pak e nga pak u bënë mjeshtër të mëdhenj të mendimit. Fidia, një skulptor i talentuar me eksperiencën e klasicizmit Grek dhe idealen e Olimpit, i dha zemrën intelektit njerëzor. Pra bukuria e artit dhe pastërtia e femrës, shprehitë e mendimit filozofik, dhurojnë kënaqësi dhe të afrojnë me shpirtrat e zotave. E mora këtë shembull për t’i thënë kopukëve të politikës, se pa ndërrimin e sistemit nuk ka kuptim asnjë reformë tjetër. Ligj dhe mendimi kombëtar i jep kuptim shtetit. Zoti Rama, këto kambana bien për qeverinë tënde e cila në rrugën e saj të paaftësisë bie në sinkron me dosën e vjetër të komunizmit. Zoti kryeministër, lidhjet e fshehta të Sali Berishës me eks-Jugosllavinë ju kanë frymëzuar për vazhdimësinë e kësaj poshtërsie. Një shqiptar që shkon sot në Beograd pa lexuar promemorien e Çubrilloviçit, do të thotë të mohosh spastrimin dhe eliminimin e shqiptarëve nga trojet e tyre. Zoti Rama, vetëm hëna i ka parë masakrat çnjerëzore të serbëve ndaj vëllezërve kosovarë. Sytë e përlotur venë në lëvizje buzët e nënave e grave kosovare, të cilat me dhimbje dinë të artikulojnë fjalët e shpirtit për të gjeturit e të pagjeturit e tyre. “Në malet tona,-thotë gjeniu i Kombit, Gjergj Fishta,-janë hapur shumë dritare dhe atje lart ne dallojmë me lehtësi aksionet antinjerëzore të sllavëve të jugut.” Aventurat serbe edhe sot krijojnë tension shqetësues. Por ju, zarzopët e politikës shqiptare, njerëz me dy koka që përdorni foljen me qenë e mos me qenë si argument bazë të paaftësisë tuaj. Ishte Evropa ajo që dërgoi flotën detare më të fortë të kohës dhe kërcënoi varfërinë Shqiptare që të lëshojë trojet dhe shtëpitë e tyre këlyshëve të Rusisë.
Poeti ynë hyjnor dhe i lavdishëm Gjergj Fishta e ngriti zërin e protestës deri në kupë të qiellit e tha:

“Moj Europë moj kurva e motit
Pse i dole mohit besës së Zotit
Pse don me i marr tokat e Shqipërisë
E me jua dhanë klyshërve të Rusisë”.

Principet njerëzore të ekzistencës së dashurisë së shqiptarëve ndaj fqinjëve i ngatërron më shumë idetë e kolerës komuniste.
Ç’është komunizmi? Është sëmundja e planetit tonë. Kjo ideologji shkatërruese nuk është dënuar nga Evropa, as nga rruzulli tokësor. Ajo është prezent dhe rrezik për shpërthimin e një lufte katastrofike. Kjo utopi frenon lirinë dhe magjinë e krijimit njerëzor dhe shkatërron aftësitë krijuese të brezit të ri. Komunizmi është si ajo vjeshta që nuk ka ngjyrë, por është prezent. Janë në lëvizje vrasësit, hajdutët e kopukët. Nuk largohet kurrë kujtesa e viktimave të tyre. Komunizmi është ideologjia e koleksionistëve kriminelë dhe frika e një dimri të ftohtë. Është një shtrëngatë që ilustron leksionet e Ferrit dhe trondit harmoninë njerëzore. Kjo ideologji ka krijuar pelegrinazhin e të vdekurve dhe kështjella të nëndheshme e me kockat e qytetarëve të vet. Kështu u krijua trishtimi dhe kujtesa dhe na u dobësua e kuraja. Retrospektiva e këtij sistemi të kujton piramidat dhe luftën civile të vitit 1997. Pra, komunizmi është Sali Berisha. Po ç’është social-komunizmi? Është kërthiza e kësaj ideologjie. Zoti Rama ka deklaruar vetë, se unë do qëndrojë përtej së majtës, e përtej së djathtës. Por mbasi u mendua gjatë, vendosi. Më mirë po ndalem te kërthiza. Kjo kërthizë është etja për të zhvatur popullin, po që vazhdon me vrasje. Vrasja mbjell terror. Terrori sjell dhunë. Dhuna është social-komunizmi, dhuna është Edi Rama ose vëllezërit komunistë të utopisë shkatërruese. Në sistemin Hegelian arti ndërton etapën e parë në fazën e fundit të historisë. Ti e ke përdhosur artin dhe politikën me disa kopukë me dy krena të foljes ‘me qenë a mos me qenë’. Zorzopët e memrukët e dy krahëve nuk u intereson varfëria, sepse shpirti i pashpirtësisë suaj njeh vetëm vetveten. Ashtu si arti që e shpreh subjektin në mënyrë konkrete, ashtu dhe ju, Zoti Kryeministër shprehni ligësinë edhe ndaj artit në mënyrë konkrete. Pra, antiteza dhe sinteza e politikës suaj përkthehet tek dialektika hegeliane. Pra, ligji i moralit komunist paraqet të ngatërruar koshiencën me idetë e sistemit. Kjo do të thotë, se ju me PS nuk mund të bëni shtet.

Aristoteli ka përcaktuar se shteti është ligji. Ti vetë si kryeministër nuk i zbaton ligjet, pa le të tjerët. Mjerimi i shqiptarëve shihet në sytë e fëmijëve të venitur. Kjo tregon kalbëzimin e shtetit, i cili nuk është gjë e panjohur, por është rezultati i fillimit fals të kësaj utopie. Mendja e njerëzve të ditur ka shprehur antipatinë për të keqen provokuese që na solli harmonia e humbur që thërrmoi të vërtetën. Zoti kryeministër, kemi krijuar një politikë inerte ku në vazhdimësinë përdor shprehjet, e përkëdhelura të së shkuarës komuniste. Ju mashtrues të politikës prishët ekuilibrin e kombit dhe tronditët rrënjët e racës. Filozofia thotë: “Nuk ka pasur asnjë mendje të shquar pa një grimë çmendurie. Po a janë të shquar këta kopukët e politikës tonë?

Mendimi popullor thotë – jo!
Sigal