Frank Shkreli: Vjet në Romë – Sivjet në Prishtinë

792
Nga Frank SHKRELI*
Po bëhen përgatitjet e fundit për shugurimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, më 5 shtator, 2017. Ishte më 4 shtator të vitit të kaluar që Papa Françesku shpalli të Shenjtë Nënë Terezën. Në përvjetorin e parë të shenjtërimit të Nënë Terezës do të ndodhë shugurimi i Katedrales që mban emrin e kësaj bije të madhe të kombit shqiptar, në kryeqytetin e Republikës së pavarur të Kosovës, në Dardaninë antike. Janë nevojitur 10-vjet dhe shumë fonde për realizimin e kësaj vepre madhështore fetare e kombëtare. Një rol me rëndësi në grumbullimin e fondeve për ndërtimin e Katedrales së re në Prishtinë ka luajtur Kisha Shqiptare Katolike, “Zoja e Shkodrës” në Scarsdale të Nju Jorkut, si dhe komuniteti shqiptaro-amerikan pa dallim feje a krahine. Për dhjetë vjet tani komuniteti shqiptar ka organizuar për çdo vit grumbullim fondesh për përfundimin e punimeve të kësaj vepre monumentale fetare, kulturore dhe kombëtare. Si çdo vit edhe sivjet u organizua grumbullim fondesh në Nju Jork, në një mënyrë tipike amerikane, sponsorizuar nga biznesmenë të ndryshëm shqiptarë dhe amerikanë në fushën e njohur të golfit, “Blue Hill Golf Course” në Peral River. Protagonisti kryesor dhe organizatori i kësaj veprimtarie është aktivisti i palodhur, Z. Anton Raja, i cili me shumë bashkatdhetarë të tij biznesmenë, nga viti në vit, nëpërmjet këtij aktiviteti, kanë grumbulluar fonde të konsiderueshme për të bërë të mundur përfundimin e punimeve në Katedralen e Prishtinës. Falë ndihmës së pa kursyeshme të shqiptaro-amerikanëve, shugurimi do Katedralës do të ndodhë me 5 shtator, 2017.
Në aktivitetin e këtij viti për grumbullimin e fondeve, që siç duket mund të jetë i fundit, në këtë format – morën pjesë klerikë të lartë të Kishës Katolike të Kosovës, përfshirë Ipeshkvin e Kosovës, Imz. Dodë Gjergji, Kryeipeshkvin e Tivarit, Imz. Rrok Gjonlleshaj, Arkipeshkvin e Tivarit në pension, Imz. Zef Gashi dhe Mons. Lush Gjergji, të cilët iu bashkuan famullitarit të Kishës “Zoja e Shkodrës”, Dom Pjetër Popajt dhe ndihmësit të tij Dom Viktor Dedaj për bashkëmeshim në Kishën Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”. Në emër të vizitorëve të lartë të ardhur nga trojet shqiptare, Imz. Dodë Gjergji përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi famullinë e Zojës së Shkodrës, siç u shpreh ai, “Për angazhimin tuaj si famulli për të ndërtuar Katedralën e Nënë Terezës në Prishtinë ashtu edhe për organizimin e “Golf Outing, që vazhdon sa vite, e që nesër do të përpiqemi të bëjmë edhe këtë përpjekje të fundit për të mbledhur një kontribut për Katedralen Nënë Tereza, që do të jetë edhe kontributi i fundit i juaji.” Imz. Gjergji theksoi se për këtë arritje, mbi të gjitha, duhet, “Të falënderojmë Zotin, që pas 10-vite pune, bashkëpunimi e angazhimi, sakrificë, vuajtje, lëmoshë, bukën e fëmijve tuaj, drejsën e ballit tuaj dhe shumë e shumë lutje nga të gjitha anët e botës, kemi mbrrijtë të kemi një Shënjtore në Prishtinë.” 
Realizimin e këtij objekti fetar e kombëtar, Imz. Gjergji e cilësoi si një shpërblim nga i Madhi Zot për vuajtjet shekullore të të parëve tanë, duke iu drejtuar të pranishmëve, duke intonuar fjalët biblike të Moisiut: “A e mbani mend se sa kanë vuajtur të parët tuaj 600-vjet nën turk? A e mbani mend se sa kanë vuajtur shqiptarët nën komunizëm? A e mbani mend se si e ka shtrydhë Zoti shpirtin tonë, vetëm që të shoh nëse e duam vërtetë me gjithë zemër? Këto vuajtje, Zoti po i shpërblen në kohën e sotme. Zoti po i kthen nderin dhe dinjitetin e vuajtjeve të të parëve dhe Kishës Katolike në popullin shqiptar”, theksoi Imzot Gjergji në predikimin e tij në Kishën “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, të dielën që kaloi. Ai vazhdoi duke thënë se shpërblimi i Zotit mund të shihet në ringjalljen e fesë dhe të Kishës, duke theksuar se sot, pas më shumë se 100-vjet të largimit otoman nga trojet tona dhe pas shembjes së komunizmit dhe 25 vjet post-komunizëm, “Kemi 7 ipeshkvi shqiptarë, në krejt trojet shqiptare, dy të posa emëruar ditët e fundit. Kemi një kardinal… ne kemi sot një Shejtneshë. Një Shejtneshë që është nderi më i madh që Zoti na ka bërë neve, për vuajtjet dhe sakrificat që kemi pësuar ndër shekuj.” Për këtë” nënvizoi kleriku i lartë katolik i Kosovës, “Na ka shpërblyer Zoti çdo vuajtje, na ka shpërblyer Zoti çdo dhimbje të shpirtit. Na ka shpërblyer Zoti çdo sakrificë dhe gjakun e derdhur të martirëve me dashurinë e madhe që Nënë Tereza ka derdhur nëpër botë, sepse Ai është zemra e popullit tonë, zemër bujare, e përvuajtur dhe e dashur…
“Ne për ta falënderuar Zotin”, vazhdoi udhëheqësi i Kishës Katolike të Kosovës, “kemi dashur t’i ndërtojmë Nënës Terezë një tempull, një shtëpi të shenjtë, një kishë… kemi dashur të kushtojmë një Katedrale Kishës në Kosovë dhe falënderojmë Zotin që ia kemi arritur këtij qëllimi”, tha Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. 
Duke përdorur moton e vet, “Vjet në Romë –Sivjet në Prishtinë”, Imzot Gjergji në fund të predikimit të tij u bëri thirrje shqiptaro-amerikanëve që në përvjetorin e parë të shenjtërimit të saj me 4 shtator të vitit të kaluar, të vërshojnë në Prishtinë më 5 shtator për shugurimin e Katedrales kushtuar Bijës së Madhe të kombit, “Ashtu si jemi takuar në Romë me shumë prej jush dhe me shumë të krishterë të botës, për të kremtuar Shenjtërimin e Nënë Terezës, ashtu sivjet do të takohemi në Prishtinë, për të festuar ditën e kushtimit të kësaj Kishe”. Ai përfundoi duke iu lutur të pranishmëve dhe siç duket edhe shqiptarëve kudo, që të kuptojnë se shugurimin e Katedrales në Prishtinë, shtoi ai, “Do t’ia kushtojmë Nënë Terezës dhe aty do të themelojmë vendin e dashurisë dhe burimin e dashurisë së Zotit në Kosovë, në mënyrë që kush do ta ngjyejë shpirtin e vet, për ta zbutur dhe kushdo dëshiron të gjejë dashurinë për të zhdukur urrejtjen prej zemrës së vet. Kushdo që dëshiron të jetë baba i mirë, nënë e mirë, njeri i mirë, të mund ta gjejë në shkollën e saj të dashurisë.” Si ide, ndërtimi i Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë kishte filluar me vendosjen e gur-themelit më 26 gusht, 2005, ndërsa punimet për ndërtimin e saj filluan dy vjet më vonë. Dihet se ndërtimi i kësaj Katedrale ishte dëshirë e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës dhe i shumë intelektualëve dhe udhëheqësve të vendit. Me rastin e vendosjes së gur-themelit Dr. Rugova kishte deklaruar se: “Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin e Kosovës dhe më gjerë, ndërkohë që bekojmë gur-themelin e një tempulli, dedikuar Nënës së dashur të Shqipërisë, të Kosovës dhe Nënës së mbarë njerëzimit – të bekuarës Nënë Terezës. Sa nder i madh për shqiptarët në Kosovë dhe anë e mbanë planetit, ku Nënë Tereza vërtetoi vlerat shqiptare duke ndihmuar mbarë botën”, është shprehur me atë rast, Dr. Ibrahim Rugova. Mori kaq vite për ndërtimin e “përmendores së përmendoreve”, një monumenti që ngrit imazhin e shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve kudo. Është gjithashtu edhe një simbol i qytetërimit dhe kulturës së vjetër arbërore e shqiptare në trojet dardane. Si e tillë, kjo Katedrale është e të gjithë shqiptarëve pa dallim feje a krahine, të cilët kanë kontribuar për realizimin e këtij objekti fetar e kombëtar. Në të vërtetë, në portalin e revistës Drita, organ i Ipeshkvisë së Kosovës thuhet se, “Katedralja është financuar përgjithësisht nga kontributi i besimtarëve katolikë, në vend dhe në diasporë. Por nuk ka munguar as kontributi i individëve dhe grupeve shqiptare që nuk janë katolikë. Angazhimi i gjithë shqiptarëve në ndërtimin e Katedrales është dëshmuar më së miri në New York, ku bashkëkombësit tanë nga Shqipëria, Kosova, Malësia, Maqedonia, Presheva e Bujanoci, Arbëreshët nga Italia, pa marrë parasysh fenë, katolikë, ortodoksë e myslimanë, të gjithë janë bashkuar në aksionin për grumbullimin e fondeve. Gjithashtu, s’ka munguar edhe mbështetja e dioqezave katolike dhe miqve të tjerë nga Gjermania, Italia e ndonjë vendi tjetër”. Thuhet gjithashtu se ishte dëshira e Imzot Dodë Gjergjit që fondet për ndërtimin e Katedrales në Prishtinë të mblidheshin, sipas fjalëve të tija, nga “njerëzit tanë”. Imzot Gjergji, ka insistuar që “Katedralen ta ndërtojmë me kontributin e bashkëkombësve, sepse vetëm në këtë mënyrë do ta konsiderojmë pjesë vitale e jona dhe se ne — bijtë e bijat e saja — ia kemi ndërtuar këtë Kishë Shenjtëreshës sonë”, është shprehur Imzot Gjergji. Kështu, Katedralja do të bëhet “shkollë” e dashurisë, shujtë e shpirtit terezian e arbëror-shqiptar, në të cilën qytetarët e Kosovës dhe vizitorë të vendeve të ndryshme, do të mësojmë kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, virtyte këto që Nëna Tereza i mori ndër ne dhe i barti e i dëshmoi në mbarë botën, përfundon shënimi në portalin e revistës Drita mbi historikun e ndërtimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë. Le të jetë shugurimi i Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë më 5 shtator të këtij viti, një ngjarje fetare po se po, por edhe një ngjarje kombëtare, që të pasqyrojë vlerat më të shtrenjta të kombit shqiptar dhe të historisë së tij të lashtë – por mbi të gjitha të forcojë edhe më shumë vlerat dhe të jetë burim i vazhdueshëm i bashkëjetesës fetare për të cilën shqiptarët janë të njohur me shekuj.
*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë
Sigal