Frank SHKRELI/ U ngutët të nderuar kongresmenë!

542
Sigal

Rekomandimi për të emëruar si kandidat për Çmimin Nobel për paqe, kryeministrin serb është një masë e pamenduar mirë

Siç njoftohet në media të ndryshme, disa kongresmenë amerikanë, i kanë dërguar një letër Komisionit Nobel me të cilën kanë emëruar, kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç si dhe shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Katerinë Ashton, kandidatë për Çmimin Nobel të Paqes për vitin 2014. Në letrën e përbashkët nënshkruar prej tyre, kongresmenët amerikanë thonë se kjo treshe duhet të nderohet për rolin kritik që ata luajtën për “normalizimin e marrëdhënieve” midis Kosovës dhe Serbisë. Ligjvënësit amerikanë i cilësojnë takimet e shumta të dy kryeministrave me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian gjatë këtij viti, si “pikëkthesë dramatike” në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.

Para se të shkoj më gjatë jam i detyruar të them se, Kongresmeni Eliot Engel, njëri ndër nënshkruesit e letrës, është njëri prej ligjvënësve amerikanë që ka qenë dhe vazhdon të jetë në krye të veprimtarisë mbështetëse të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe për interesat e shqiptarëve në përgjithësi. Unë kam pasur fatin të kem qenë shpesh dëshmitar i mbështetjes së tij ndaj kauzës shqiptare, duke u bazuar në ato që ai ka bërë gjatë dy tre dekadave të fundit, në përkrahje të shqiptarëve e sidomos të çështjes së Kosovës. Këtë, kongresmenit Engel nuk mund t’ia mohojë askush dhe jam i bindur se Zoti Engel do të vazhdojë të përkrahë të drejtat e shqiptarëve si më parë, pasi ai, si rrjedhim i kësaj përkrahjeje, dhe me të drejtë, gëzon një mbështetje të forte dhe të merituar edhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan. Unë këtë nuk e dyshoj, dhe si një shqiptaro-amerikan i jam mirënjohës kongresmenit Engel, siç jam i sigurt dhe besoj se janë edhe shumica e atyre që e njohin mirë mbështetjen e tij për Kosovën dhe angazhimin e kongresmenit Engel për të drejtat e shqiptarëve kudo. Për këtë ai është nderuar nga Kosova dhe Shqipëria, dhe shqiptarët kudo, do t’i jenë atij përgjithmonë mirënjohës.

Por rekomandimi i këtij grupi kongresmenësh, për të emëruar si kandidat për Çmimin Nobel për paqe, kryeministrin serb, më duket si një masë e ngutshme dhe e pamenduar mirë. Janë mbajtur bisedime dhe janë nënshkruar marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë. Por, sipas analistëve, në realitet shumë pak, ose hiç gjë, nuk është arritur midis dy shteteve. Vazhdon “status quo” në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, për faktin se Serbia as që nuk e njeh shtetin e Kosovës si të tillë dhe si rrjedhim nuk mban ndonjë përgjegjësi për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara me një ”shtet” që ajo nuk e njeh, as de jure as de facto. Për më tepër analistët thonë se deri tani, në bazë të këtyre marrëveshjeve, Kosova jo vetëm nuk ka fituar asgjë, por edhe arritjet që mund të dalin nga këto marrëveshje, për normalizimin e marrëdhënieve midis dy palëve, mbeten për t’u parë. E vërteta është se nga këto marrëveshje të deritanishme ka përfituar vetëm Serbia, në rrugën e saj drejtë integrimit europian. Qëllimi i BE-së është që marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës të “normalizohen”, por Beogradit nuk i kërkohet si kusht njohja diplomatike e shtetit të Kosovës. Kaq e tha edhe shefi i Zyrës së BE-së në Beograd, Majkël Davenport për gazetën serbe Novosti. Ai theksoi se, “Njëra nga fushat kryesore është respektimi i marrëveshjes Beograd-Prishtinë dhe angazhimi se nuk do të bllokojnë njëra-tjetrën për në BE”.  Me fjalë të tjera, Kosova angazhohet që të mbyllë gojën dhe të mos pengojë anëtarësimin e Serbisë në BE, ndërsa Serbisë as nuk i kërkohet si kusht anëtarësimi, njohja e shtetit të Kosovës. Për më tepër, e drejtë ose jo, thuhet se në bazë të këtyre marrëveshjeve, Kosova po kantonizohet dhe se po krijohet një “srpska” në Kosovë, sipas modelit të Bosnjës dhe se komunitetit të vogël serb në Kosovë po i bëhen lëshime të papara dhe po i akordohen privilegje që nuk i gëzon asnjë pakicë tjetër etnike në Europë.

Është vështirë të shihet ndonjë “pikëkthesë dramatike” në këtë mes në marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Në qoftë se deklaratat e Daçiçit janë ndonjë shenjë treguese, në të vërtetë dhe ndonëse ka nënshkruar marrëveshjet, në qëndrimin e tij ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar asgjë. Jo më larg se disa javë më parë ai tha se, Serbia nuk do e harrojë kurrë veriun e Kosovës dhe se serbët atje duhet të dëgjojnë Beogradin. Gjithë këto qëndrime pa kompromis të Beogradit ndaj Kosovës po theksohen e ritheksohen për të gjithë ata që duan të marrin vesh, ndërkohë që anë e mbanë Serbisë po zbulohen varreza të reja masive shqiptarësh të vrarë nga regjimi diktatorial i Millosheviçit, e të cilit Daçiç i ka shërbyer me zell. Ligjvënësit e nderuar amerikanë thonë në letrën e tyre drejtuar Komisionit Nobel se marrëveshjet e arritura në Bruksel kanë çuar në “normalizimin e marrëdhënieve” midis Prishtinës dhe Beogradit. Po çfarë normalizimi dhe me kë? Kryeministri serb Daçiç gjithnjë insiston se: “Ne nuk e njohim Kosovën si shtet, por si një territor të veçantë… ndaj të cilit ne nuk kemi ndryshuar qëndrimin tonë”.

Daçiç nuk ka treguar kurrë ndonjë vullnet të mirë ndaj shqiptarëve, qoftë ndaj Kosovës, qoftë ndaj Shqipërisë. Madje, kohët e fundit në një intervistë televizive, ai vuri në dukje ndjenjat e tij të thella antishqiptare, kur me inatin e tij primitiv anti-shqiptar u shpreh se, në qoftë se Shqipëria anëtarësohet në Bashkimin Europian para Serbisë, atëherë sipas tij, serbët si komb duhet të bëjnë vetëvrasje kolektive, duke thënë tërthorazi se Shqipëria është një vend i prapambetur që nuk meriton anëtarësimin e saj në BE.

Është e famshme thënia se “pa paqe nuk ka drejtësi”. Çdo marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh dhe për vendosjen e paqes së vërtetë midis dy vendeve duhet të jetë e drejtë për të dy palët, por sidomos për viktimën. Marrëveshje të tilla do ishin shpresëdhënëse, po të ishin të sinqerta, dhe do të përbënin një hap përpara për marrëdhëniet afat gjata midis serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan si dhe një pranim i të drejtave të barabarta universale të njeriut dhe  zbatimit të ligjit në atë rajon. Por kam drojë se marrëveshjet e arritura në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë, për të cilat kongresmenët amerikanë propozuan Zotërinjtë Thaçi, Daçiç dhe Zonjën Ashton për Çmimin Nobel për Paqe, nuk përmbajnë sinqeritetin e vullnetit të mirë dhe as frymën e kompromisit, as respektin e ndërsjellët dypalësh. Prandaj si të tilla, është e vështirë të shihet se si këto marrëveshje do të çojnë në rrugën drejtë një paqeje dhe drejtësie dhe në normalizimin aq të nevojshëm të marrëdhënieve midis dy popujve, si një parakusht për të dyja vendet në përpjekjet e tyre për tu integruar në Europë. Këto marrëveshje të arritura midis Prishtinës dhe Beogradit, siç duket, janë një rast i humbur historik për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë shtetërore të Serbisë, e cila ka shkaktuar aq shumë vuajtje dhe dhimbje ndër shqiptarë për më shumë se një shekull. Andaj si i tillë të nderuar kongresmenë, megjithë respektin që kam për ju, vendimi i juaj ishte i nxituar sepse përfaqësuesi i regjimit të Beogradit nuk meriton emërimin për Çmimin Nobel për paqe. Mund të ketë një paqe të brishtë midis Kosovës dhe Serbisë, por siç ka thënë gazetari i njohur amerikan, Uilliam Allen Uajt, “Paqja pa drejtësi është tirani”. Dhe për ushtrim tiranie fizike dhe psikologjike, të pakën deri më sot, nuk është dhënë Çmimi Nobel për paqe.