Frank Shkreli/ Stop kërcënimeve ndaj lirisë së medias!

496
Të mërkurën, gazeta “Telegraf” e Tiranës kishte botuar një lajm tepër shqetësues për të gjithë ata që besojnë në lirinë e shtypit dhe në lirinë e fjalës, si pjesë e pandarë e një shoqërie demokratike. Në deklaratën e botuar nga ‘Telegraf’ thuhet se “Organizatat më të mëdha të gazetarëve në Shqipëri janë njohur sot me nenin 13 të projektligjit, ‘për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar’, si pjesë e paketës për reformën në drejtësi”. S’do mend se ky nen me të drejtë ka shkaktuar shqetësime dhe reagime të ashpra në radhët e gazetarëve, të cilët e konsiderojnë këtë masë nga ana e autoriteteve shqiptare si një “censurë të re” të sanksionuar me ligj, në qoftë se miratohet nga parlamenti shqiptar. Në deklaratë thuhet se sipas këtij neni, “Çdo lloj influence e papërshtatshme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre me ligj”. Propozuesit e këtij neni duket se mendojnë që korrupsioni dhe krimi i organizuar duhen luftuar duke i mbyllur gojën medias dhe duke shtypur fjalën e lirë. Mos vallë media dhe fjala e lirë e kanë fajin për korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri!?

 Në deklaratën e botuar në gazetën “Telegraf” thuhet se në nenin e propozuar, “Specifikimi për mediat është një akt i pastër censure dhe me rrezik për demokracinë. Është një kthim pas, kur fjala dhe mendimi i lirë konsideroheshin agjitacion dhe propagandë”, thuhet në deklaratën e shoqatave të organizatave të gazetarëve shqiptarë, botuar në gazetën “Telegraf”. Ato me të drejtë theksojnë se, termi i përdorur në nenin 13, “Influencë e papërshtatshme, krijon hapësirë për çdo lloj interpretimi për të kërkuar dënimin e gazetarëve. Mjafton që një prokuror ta cilësojë si të papërshtatshme raportimin e një media dhe gazetari të gjendet përpara bankës së të akuzuarit”, thuhet në deklaratë. A duhet të binden ende autoritetet shqiptare sot, pas 25 vjet post-komunizëm në Shqipëri, se ushtrimi i fjalës së lirë dhe liria e shtypit janë vlerat thelbësore të një shoqërie që e quan veten demokratike, ose që pretendon të jetë e tillë, vlera këto cilat njëkohësisht janë edhe themeli i vendeve dhe organizmave euroatlantike, të cilëve Shqipëria pretendon se dëshiron t’u bashkohet. Liria e fjalës dhe e medias është ndër vlerat thelbësore të Bashkimit Europian, ndërsa këtu në Shtetet e Bashkuara liria e shtypit mbrohet nga artikulli i parë i Kushtetutës, ndërkohë që mund të ketë edhe ndonjë kufizim si në Europë ashtu edhe në Amerikë, siç është për shembull ligji kundër shpifjeve. 

Edhe në këto vende ka patur raste abuzimi me të drejtën dhe lirinë e medias dhe ushtrohet trysni ndaj medias nga politikanët, madje edhe sot. Por gazetarët janë të mbrojtur nga artikulli i parë i Kushtetutës amerikane. Edhe në Shqipëri, ashtu siç thuhet në deklaratë, kodi penal përcakton të gjitha rastet në të cilat një individ ka të drejtë të padisë këdo, përfshirë edhe gazetarët. Prandaj lind pyetja, pse autoritetet kanë vendosur të propozojnë tani një nën të tillë. Fatkeqësisht, politikanët shqiptarë, tani dhe në të kaluarën, në marrëdhëniet midis tyre dhe në takime me përfaqësues të medias shpeshherë kanë venë në dukje të zëmëruar se për sa u përket pikëpamjeve të tyre mbi fjalën e lirë dhe lirinë e medias, ata fatkeqësisht janë më afër qëndrimeve të “putinëve”, “erdoganëve” dhe “ajatollahëve” të kësaj bote, se sa ndaj vlerave perëndimore mbi lirinë e fjalës dhe të medias. Nuk kanë munguar, sfidat, kërcënimet dhe as fyerjet e udhëheqësve më të lartë shqiptarë ndaj përfaqësuesve të medias në të kaluarën duke e cilësuar median shqiptare, ndër të tjera, si një “kënetë mediatike”, madje edhe Zërin e Amerikës si një radio “kafenesh”. Në çdo shoqëri demokratike media ka rolin dhe përgjegjësitë e veta, që ndër të tjera, të mbikëqyrë veprimtaritë e qeverisë dhe të zyrtarëve të saj, duke raportuar faktet përgjithësisht dhe objektivisht, përfshirë edhe perspektiva të ndryshme, por pa munguar edhe pikëpamjet që mund të mos jenë në përputhje me politikat zyrtare të qeverisë. 

Kjo, në të vërtetë është detyra kryesore e medias së lirë dhe të pavarur dhe që njëkohësisht të mundësojë edhe qytetarët e thjeshtë të jenë më mirë të informuar, kështu që ata të jenë më në gjendje të influencojnë pozitivisht aktet dhe veprimtaritë qeveritare në përgjithësi dhe punën e zyrtarëve të lartë në veçanti. Për ndryshe, siç ka thënë dikur Xhorxh Washingtoni, “Në qoftë se na mohohet liria e fjalës, atëherë si memecë në heshtje, do na çojnë si delet në kasaphane”. Liria e shtypit është baza e vlerave universale të të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe e rëndësishme për të gjithë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ka theksuar Presidenti amerikan Barak Obama me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit. Ai ka lavdëruar profesionin e gazetarit, duke nënvizuar se në punën e tyre gazetarët, “ekspozojnë padrejtësitë dhe mbajnë përgjegjës udhëheqësit si unë”, ka thënë ai. Z. Obama theksoi me atë rast se, “Ajo që është gjithashtu me rëndësi është fakti se duhet folur haptazi dhe shpesh në mbështetje të këtyre vlerave, të cilat janë të garantuara nga Kushtetuta jonë dhe nga të drejtat themelore që ajo përmban, por që ne besojmë se këto vlera nuk janë thjeshtë vlera amerikane. Ne besojmë se disa vlera themelore, siç është liria e fjalës dhe e ndërgjegjes, është një e drejtë njerëzore, por njëkohësisht është edhe e drejtë universale një liri, zbatimi i së cilës më në fund e bën këtë botë më të mirë dhe më të fortë për të gjithë ne”, ka thënë udhëheqësi amerikan. Por ti kthehemi nenit 13 të projektligjit “për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” në Shqipëri. Në deklaratën e shoqatave të gazetarëve shqiptarë botuar në gazetën “Telegraf”, u bëhet thirrje, “deputetëve shqiptarë të heqin menjëherë këtë nen regresiv nga projektligji dhe mos ta kalojnë për votim në Kuvend”. Ata thonë se ky nen “përbën një kërcënim të hapur për lirinë e shprehjes dhe si i tillë nuk mund të diskutohet e aq më pak të votohet në një vend që synon të jetë pjesë e Bashkimit Europian”. Liria e shtypit dhe e fjalës, si për të gjithë popujt e përparuar, ashtu edhe për shqiptarët, duhet të jetë një vlerë dhe e drejtë bazë që duhet të mbrohet dhe të kultivohet me çdo kusht dhe çdo ditë. Është detyra e shoqërisë në përgjithësi dhe e Kuvendit në veçanti – e përfaqësuesve të popullit pra që të sigurojnë dhe jo të kufizojnë zbatimin e plotë të lirisë së shtypit, duke sanksionuar me ligj shkeljen e kësaj të drejte themelore universale të njeriut. Prandaj mos votoni nenin kundër lirisë së medias dhe lirisë së fjalës! Stop kërcënimeve ndaj lirisë së medias!
Sigal