Frank SHKRELI/Solidariteti Serbo-Maqedonas kundër Shqiptarëve

547
Sigal

Në fund të kësaj jave në Ohër të Maqedonisë po mbahet mbledhja 16-të e nivelit të lartë e kryetarëve të Shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP). Konferenca me titull, “Solidaritet në Veprim” thuhet se do të trajtojë zgjidhje të përbashkëta rajonale, por me rëndësi globale. Mision i madh ky, që ka marrë përsipër kjo konferencë për rajonin, por pa pjesëmarrjen e një pjese të rëndësishme të rajonit, pa pjesëmarrjen e Shqiptarëve.

Presidenti Maqedons Ivanov, si organizues i radhës i këtij takimi, ka refuzuar të ftojë në këtë takim Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me justifikimin se po të bënte një gjë të tillë, disa shtete të rajonit nuk do të merrnin pjesë në takimin e organizuar nga ai.  Reagimet ndaj përjashtimit të përfaqësimit të shtetit të Kosovës, në personin e Presidentes Jahjaga, ishin të shpejta nga Tirana zyrtare dhe nga diaspora në Amerikë.

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA/NAAC) reagoi ashpër ndaj vendimit të Shkupit për të mos ftuar Prishtinën zyrtare në mbledhjen e nivelit të lartë në Ohër. KKSHA dënoi ashpër vendimin e presidentit Ivanov si dhe prapaskenat e presioneve të qeverive së Serbisë dhe të Bosnjës për të mos ftuar Kosovën në këtë takim rajonal, dhe njëkohësisht dënon fuqishëm edhe autoritetet maqedonase që u përkulën para këtij presioni. KKSHA, me të drejtë nënvizon faktin se ky qëndrim i Serbisë është në kundërshtim të plotë dhe njëherazi shkel edhe marrëveshjen e fundit midis Beogradit dhe Prishtinës, ku Serbia angazhohet se nuk do të bllokojë procesin e integrimit evropian të Kosovës. KKSHA, organizata lobiste shqiptaro-amerikane me qendër në Uashington, e cila promovon të drejtat dhe interesat shqiptare si dhe paqen dhe zhvillimin ekonomik në Ballkan, kritikon udhëheqësin Maqedons, Ivanov duke thënë se “ai humbi një rast të volitshëm për të treguar vendosmërinë e tij si udhëheqës, dhe për të venë në dukje frymën e bashkëpunimit rajonal si dhe angazhimin e tij ndaj vlerave europiane”.  Organizata shqiptaro-amerikane, në reagimin e saj, thekson se në qoftë se SEECP, si organizatë do të ketë ndonjë rëndësi ose efekt të dukshëm për zhvillimet pozitive në rajon, ajo duhet të zbatojë parimin se “kur një vend përjashtohet nga pjesëmarrja në konferencat e saj, atëherë të gjitha vendet janë të përjashtuara”. KKSHA mirëpriti gjithashtu edhe vendimin e Shqipërisë për të mos marrë pjesë në mbledhjen e nivelit të lartë në Ohër, pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve zyrtarë të Kosovës.

Në një deklaratë në portalin e Presidencës shqiptare thuhet se, Presidenti i Republikës së Shqipërisë nuk do të marrë pjesë në takimin e Ohrit të organizatës SEECP. Ndër të tjera udhëheqësi shqiptar thotë se organizata SEECP, “duhet të mbetet forumi qendror dhe një nismë unike, bazuar në vullnetin e vetë vendeve të rajonit. Ai duhet të jetë institucioni gjithëpërfshirës, ku të gjithë vendet e rajonit të jenë të pranishme dhe të unifikojnë qëndrimet e tyre për problemet e përbashkëta në procesin e zhvillimit dhe integrimit në familjen evropiane. Jo izolimi dhe përjashtimi, por bashkëpunimi dhe integrimi janë kushtet për suksesin e plotë të misionit të tij”, thotë presidenti Nishani në sqarimin e tij për mos marrë pjesë në mbledhjen rajonale të Ohrit, pa pjesëmarrjen e Kosovës. Presidenti Nishani, pasi shpreh keqardhjen për “thyerjen e atmosferës së mirëbesimit dhe të respektit reciprok”, njofton se ai nuk do të shkojë në Ohër duke theksuar, “zhgënjimin(e tij) lidhur me kushtëzimin destruktiv që i bëhet pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të vendeve të rajonit në Samitin e Ohrit”, përfundon udhëheqësi shqiptar, duke shpjeguar arsyen e refuzimit për të marrë pjesë në takimin e SEECP-it në Ohër.

Edhe Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Z. Jozefina Topalli njoftoi mos pjesëmarrjen e saj në takimin e kryetarëve të parlamenteve të vendeve të procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, në kuadër të takimeve të SEECP-it, “në shenjë proteste dhe pakënaqësie për shkak të mosftesës së Prishtinës në takimin e nivelit të lartë të bashkëpunimit rajonal.”

Duke refuzuar pjesëmarrjen e Kosovës në mbledhjen e Ohrit, kjo konferencë e organizuar nga maqedonasit, do të ishte më mirë të kishte titullin, “Solidariteti serbo-maqedonas kundër Shqiptarëve”, në vend të titullit, “Solidariteti në Veprim” (“Solidarity in Action”).  Fjala është, solidaritet kundër kujt?  Hipokrizia e mosftesës së Prishtinës nga ana e Shkupit, nën presionet e Serbisë dhe të Bosnjës & Hercegovinës, qëndron në faktin se SEECP u themelua në vitin 1966, me qëllim për të krijuar një atmosferë besimi, marrëdhëniesh së fqinjësisë së mirë, të stabilitetit dhe paqes në rajon. Shkupi e ka ditur mirë se pa pjesëmarrjen e Prishtinës, as Tirana nuk kishte si të merrte pjesë. Por maqedonasve u ka interesuar më shumë pjesëmarrja e Serbisë se sa prania e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare në Ohër. Ka kaluar koha kur Shqipëria dhe Shqiptarët injoroheshin. Mund të mbahen konferenca, madje edhe të nivelit të lartë, si kjo në Ohër, por ato janë humbje kohe sepse pa pjesëmarrjen e shqiptarëve nuk as paqe as stabilitet rajonal, dhe as përmirësim të fqinjësisë së mirë midis popujve të Ballkanit. Duan e s’duan fqinjët e Shqiptarëve, është mirë dhe në interesin e të gjithëve që tanimë të të njohin realitetin në Ballkan. Shqiptarët kanë qenë dhe janë aty, që sipas At Gjergj Fishtës, aty ku, “Ata u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore….ky popull ashtë bash ai popull i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktikat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuash prej vetë rranjëve të vjetra, ai ashtë sot zot autokton i pakundërshtueshëm i tokave të veta.” (At Gjergj Fishta në Konferencën e Paqës, 1919). Mos të tradhtohen organizuesit e mbledhjes së Ohrit dhe përkrahësit e tyre në Beograd se pa pjesëmarrjen e Shqiptarëve, nuk do të realizohen objektivat bazë të organizatës SEECP-it, për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe transformim të rajonit të Ballkanit në një zonë paqeje dhe stabiliteti, që është një dëshirë e madhe e Shqiptarëve.

* ish-Drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan