Frank SHKRELI/ Shoqata të medias Amerikane kritikojnë ashpër Administratën Obama

491
Sigal

Gjatë viteve kritikë të ndryshëm politikë dhe të tjerë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, kanë kritikuar segmente të posaçme të medias amerikane për mungesë të mbulimit kritik të politikave të administratës, duke thënë se ato pothuaj kishin rënë në dashuri me administratën e Presidentit Barak Obama dhe me politikat e tij.  Marrëdhëniet e administratës Obama me gazetarët, ka vazhduar të jetë tepër komplekse.  Dihet se të gjitha administratat e kaluara, për vetë nga natyra e veprimtarisë së tyre politike, janë përpjekur që të kontrollojnë mesazhet që i dërgohen publikut të gjërë mbi punën e dikastereve qeveritare. Por, gazetari i Neë York Times, James Risen, i cili mund të përballet me burgim sepse refuzon gjithnjë të zbulojë burimin qeveritar të një lajmi që ai ka botuar kohë më parë në gazetën e tij, është cituar të ketë thënë se, administrata Obama sipas tij, “Është armiku më i madh i lirisë së shtypit, në të pakën një çerek shekulli”, në këtë vend. Ditëve të fundit, këtyre kritikave i’ u bashkua edhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë e cila, e themeluar në vitin 1909 promovon përhapjen e lirë të informacionit, që është jetike sipas saj për të pasur një popullësi të informuar mirë. Punon për të frymëzuar dhe për të arsimuar brezin e ri të gazetarëve dhe njëkohsisht mbron Nenin e Parë të Kushtetutës Amerikane, që garanton lirinë e fjalës dhe të shtypit.  Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, në emër të kryetarit të saj, David Cuillier i dërgoi Presidentit Obama një letër të nënshkruar nga ai dhe nga 40 organizata të tjera që përfaqësojnë gazetarët. Në letër kritikohet ashpër Shtëpia e Bardhë dhe këshilltarët e presidentit se po censurojnë mbulimin e lajmeve nga media, se po kufizojnë gatishmërinë dhe mundësinë e zyrtarëve më të lartë të adminstratës së tij që të intervistohen nga përfaqësues të medias dhe që të jenë të gatshëm të flasin me median pa paragjykime e përgatitje politike dhe pa i  pastruae me sitë pyetjet për përfaqsuesit e dikastereve. Si rrjedhim, në letër i bëhet thirrje Presidentit Obama, që të ndalojë praktikat e agjensive të qeverisë federale, të cilat pengojnë përhapjen e informacionit me rëndësi për publikun dhe jetën e përditshme, duke bërë thirrje për ndryshimin e politikës që kufizon përhapjen e lirë të informacionit për publikun. “Këto praktika janë bërë gjithnjë e më të përhapura anë e mbanë Amerikës, duke penguar në këtë mënyrë që publiku të ketë informacionin e saktë, në kohën e duhur dhe me një afat të shpejtë”, tha për mediat, Kryetari i Shoqatës së Gazetarve Profesionistë, David Cuillier, duke shtuar se, “Presidenti Obama kishte premtuar të ishte presidenti më transparent në histori. Ai mund të fillojë të bëhet i tillë,  duke u dhënë fund këtyre praktikave tani”, shtoi ai. Shoqata e Gazetarëve Profesionistë thotë, se asnjëherë më parë nuk ka patur një koalicion të tillë organizata gazetarësh si dhe një numër të tillë entesh që merren me qeverisjen e mirë, të cilat kanë një qëndrim dhe së bashku kanë folur haptazi mbi këtë çështje. Raste të shumta të praktikave, ku gazetarëve nuk u jepet mundësia dhe në të vërtetë u pengohet mundësia të kryejnë detyrën e tyre, ka shkaktuar që publiku të mos ishte në dijeni të informacioneve të rëndësishme për të.  Drejtoresha e Shoqatës së Gazetarëve të Mjedisit, Beth Parke dhe njëra prej nënshkruesëve të letrës drejuar presdeinti Obama, tha se, “Kurdoherë që zyrtarët qeveritarë ndalojnë përhapjen e informacionit ose kur nuk i japin rëndësi zbulimeve shkencore, ata janë duke ndërhyrë me të drejtën e publikut për të qenë i mirë informuar dhe për ditur se ç’ bën qeveria dhe përfaqsuesit e saj në çdo kohë. Kur gazetarët injorohen dhe kur përfaqsuesit e dikasterve të qeverisë, nuk janë të gatëshëm të flasin me median, atëherë pengohet përhapja e lirë e informacionit dhe njëkohsisht mashtrohet  edhe publiku”, shtoi Drejtoresha e  Gazetarëve të Mjedisit. Shoqatat që nënshkruan letrën drejtuar Presdeintit Obama, u bënë thirrje edhe gazetarëve anë e mbanë vendit që të bashkohen me ta në luftën kundër këtyre dukurive e trendeve në arenën publike dhe private në nivel federal, shtetëror dhe vendor, duke botuar editoriale kundër këtyre përpjekjeve dhe duke kundërshtuar vendosmërisht dhe publikisht këto praktika, kudo që të paraqiten e kurdoherë që të ndodhin. Letra drejtuar Presidentit Obama dhe e nënshkruar nga pothuaj 40 organizata amerikane të gazetarëve, ishte e pashembullt për nga kritikat e ashpra drejtuar Shtëpisë së Bardhë dhe këshilltarëve të presidentit, duke i kritikuar ata për “kontrollimin e lajmeve për qëllime politike”. Siç dihet, Presidenti Obama kur u zgjodh President i Shteteve të Bashkuara më 2008, kishte premtuar se do të drejtonte administratën më transparente deri atëherë.  Kjo, sipas letrës së drejtuar shefit të qeverisë amerikane, jo vetëm që nuk ndodhi, por përkundrazi,  adminstrata Obama dhe zëdhënësit e saj, kanë penguar punën e gazetarëve dhe të korrespondentëve dhe për më keq ajo ka hapur dyert për lobistët, për grupet e interesave të posaçme dhe “njerëzve me para”.  Cinizmi i amerikanëve, ndaj zhvillimeve politike në Ëashington në përgjithësi dhe të politikës së Shtëpisë së Bardhë në veçanti, është venë në dukje në sondazhet e fundit, ku vihet re se po bie dukshëm popullariteti i Presidentit Obama dhe i politikave të tij. Nënshkruesit e letrës, drejtuar Presidentit Obama, shkruajnë se për ekzistencën e këtij cinizmi ndaj politikës së Shtëpisë së Bardhë dhe ndaj zhvillimeve politike në Ëashington në përgjithësi, Z. Obama mund të ngarkojë me faj vetëm veten e tij dhe askënd tjetër, duke i’ u drejtuar atij se, “nuk është e nevojshme të shikosh aspak më larg se tek administrata jote për burimin e këtij cinizmi dhe frustrimit të popullit me politikën”. I bën thirrje Shefit të Shtëpisë së Bardhë, që të marrë një qëndrim personal për ndalimin e këtyre trendeve dhe njëkohësisht i bëhet thirrje që të mos përdoret si metodë përhapja e lajmeve për qëllime politike nga këshilltarët e tij dhe të vendos transparencën në marrëdhëniet me gazetarët dhe me publikun, para se të “helmohet më tej demokracia jonë.” Në të kaluarën, zëdhënësit e Shtëpisë së Bardhë kanë hedhur poshtë akuza të njëjta si këto të theksuara në letrën e javës së kaluar dërguar Presidentit Obama, për mungesë transparence në marrëdhëniet me gazetarët dhe me publikun, përfshirë Shoqatën e Korrespondetëve të Shtëpisë së Bardhë, por letra në fjalë jep disa shembuj konkretë përpjekjesh zyrtare për të ndërhyrë dhe për të kontrolluar përhapjen e lajmeve për qëllime politike dhe për të penguar punën e përditshme të gazetarëve në përpjekjet e tyre për të informuar saktë, shpejt dhe drejtë publikun. Por, Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë, njëkohësisht edhe profesor i gazetarisë në Universitetin Arizona, tha se është krejtësisht në dorë të gazetarëve dhe të qytetarëve për të kundërshtuar me forcë këto trende dhe abuzime zyrtare ndaj lirisë së medias, sepse sipas tij, ndonëse në vetvete këto mund të mos dëmtojnë gazetarët drejtë për së drejti, ato dëmtojnë thellë interesat e publikut dhe të shoqërisë. Por mbi të gjitha tha ai, manipulimet e lajmeve për qëllime politike dëmtojnë rëndë të gjithë vendin. Lufta midis qeverive dhe zëdhënësve të tyre politikë kudo në botë, përfshirë edhe qeverinë amerikane, të cilat dëshirojnë nga koha në kohë, të manipulojnë përhapjen e lajmeve të informacionit në favor të tyre dhe për qëllimet e veta politike, është një luftë që ka ekzistuar gjithmonë dhe do të jetë përherë pjesë e marrëdhënieve, për nga natyra, të tensionuara midis medias së lirë dhe të politikanëve kudo dhe pa përjashtim, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Kjo është arsyeja që baballarët e kombit amerikan i kanë dhënë rëndësinë më të madhe, mbi të gjitha të drejtat e tjera, lirisë së fjalës dhe të shtypit, duke e përcaktuar atë në Nenin e parë të Kushtetutës amerikane, si elementin kryesor dhe më të rëndësishëm për funksionimin e një shoqërie të lirë e demokratike. Kjo luftë sa vjen e inteksifikohet herë pas here edhe këtu në Shtetet e Bashkuara dhe si e tillë është një betejë që duhet të luftohet e të fitohet për hir të lirisë së fjalës dhe të medias, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe anë e mbanë botës.