Frank SHKRELI/Shkreli anti-komunist në kryengritjen e vitit 1945

691
Sigal

 Kohët e fundit, Fran Gjeto Xhaj nga krahina  Shkrel e Malësisë së Madhe pati mirësinë të më postonte librin e tij me titull: “Shkreli dhe roli i tij në kryengritjen antikomuniste të Malësisë së Madhe të vitit 1945”.  E lexova me kënaqësinë më të madhe sepse megjithëse origjinën e kam nga Shkreli, di shumë pak nga ajo periudhë, për të cilën shkruan autori, ngaqë familja ime  ishte larguar nga ato anë shumë kohë më parë dhe unë, pjesën më të madhe të jetës time e kam kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jemi shpërngulur familjarisht në vitin 1970. Duke qenë  aq larg dhe të izoluar nga diktatura komuniste,  njohuritë e mia dhe të shumë ne të mërguarve shkrelas mbi vuajtjet e fisit tonë dhe mbi ato që kanë ndodhur në Shkrel gjatë diktaturës komuniste,  ishin shumë të kufizuara.  Nga të dhënat e Fran Gjeto Xhajit, i cili nuk pretendon të jetë shkrimtar, por që thotë se ishte dëshmitarë okularë për ato që shkruan dhe sipas redaktorit të librit Dedë Shyti, edhe njëri që ka përjetuar ngjarjet bashkë me ata heronj –  unë  mësova shumë hollësi që nuk i dija më parë mbi rolin që ka luajtur fisi i Shkrelit në luftën kundër komunistëve sllavo-aziatikë, e posaçërisht lexuesi mëson mbi rolin e rëndësishëm si dhe vuajtjet dhe persekutimet e familjes së tij dhe  të shumë familjeve të tjera të kësaj zone, të cilat refuzuan t’i nënshtroheshin komunizmit, duke sakrifikuar edhe jetën.

Fran Gjeto Xhaji thotë se, megjithëse në moshë të shkuar, me këtë botim modest, ai është duke çuar në vend porositë dhe amanetin e Major Llesh Marashit, komandant i kësaj kryengritjeje si dhe patriotëve të tjerë anti-komunistë të Shkrelit, ai ka marrë guximin -ndonëse me mundësi modeste dhe aftësi të kufizuara,- që t’u lënë mbrapa  brezave të ardhshëm të fisit të Shkrelit disa të dhëna si dëshmitar i asaj historie të luftës së trevës së Malësisë së Madhe dhe qëndresës së fisit të Shkrelit ndaj bishës së kuqe sllavo-komuniste dhe të të shiturve të tyre shqiptarë, të lidhur, sipas autorit këmbë e kokë me Milladin Popoviçin e Dushan Mugoshën, të cilët zaptuan vendin tonë dhe Shkrelin me njerëz të pabesë. Fran Gjeto Xhaj   biri i Gjeto Lekës nga fshati Xhaj, rrjedhë nga një prej familjeve të dalluara, por të vuajtura, e të persekutuara  të Shkrelit, si familje nacionaliste dhe fetare, bashkëpunëtore në veprat dhe në luftën patriotike kundër komunizmit të Major Llesh Marashit me shokë, komandantit të  “Batalionit të Malësisë së Madhe”. Lexuesi, përveç  komandantit  Llesh Marashi,  gjithashtu, mëson edhe për emra të tjerë udhëheqësish të fisit të Shkrelit dhe të Malësisë së Madhe, prijës të dalluar malësor si: Prek Cali,  Gjelosh Luli, Nikollë Preka,  Ismail Zeneli, së bashku me shumë klerikë katolikë të prirë nga prifti patriot i famullisë së Shkrelit, Dom Nikoll Gazulli, (me urdhër të Presidentit të Republikës  “ Martir i Demokracisë’’),  e të cilët u dalluan si drejtues të batalionit të Shkrelit dhe si organizatorë të qëndresës antikomuniste.   Krahas këtyre, lexuesit i tërhiqet vëmendja edhe për vuajtjet e klerit katolik shqiptar, i cili në vuajtje e në gëzime, gjithmonë i gjendej pranë Shkrelit dhe gjithë Malësisë së Madhe, e sidomos gjatë asaj periudhe për të cilën shkruan Fran Gjetja.  Mua si ish-seminarist, më bën përshtypje  dhe më shkakton dhembje shpirtërore, sidomos përshkrimi i veprimtarisë patriotike dhe  i vuajtjeve, sakrificave persekutimeve  të anëtarëve të klerit katolik, kujdestarë  të grigjës dhe të kishës, por edhe ruajtës të gjuhës e të kulturës dhe të atdhetarizmit në ato anë, duke dhënë edhe jetën për idealet e veta.  Ndër ta dallohen: Dom Alfons Tracki, Dom Nikoll Gazulli, Dom Pjetër Gruda, Dom Pjetër Çuni, Dom Aleksandër Sirdani dhe At’ Anton Luli, të cilët gjatë përndjekjeve të tyre nga komunistët, për t’i shpëtuar gjenocidit sllavo -komunist- bolshevik -shqiptar,  “shpellat i kthyen në katakombe”.   Është thënë edhe nga të tjerë më parë se zhdukja e klerit katolik shqiptar ishte  një objektiv prioritar dhe pjesë e një marrëveshjeje djallëzore midis Partisë Komuniste Shqiptare dhe Partisë Komuniste Jugosllave, pasi kleri katolik konsiderohej se kishte lidhje të ngushta me Perëndimin. Për më tepër duke lexuar librin e Fran Gjeto Xhaj, i cili thotë se qysh në moshën 14-vjeçare paska qenë vuajtës dhe dëshmitar i masakrave e persekutimeve  të shumta komuniste në krahinën e Shkrelit, mësova hollësi që nuk i dija më parë mbi këtë familje, si dhe mbi  humbjet e torturat e tmerrshme që e gjithë familja e Fran Gjetos paska pësuar nën komunizëm: babë Gjeto Lekën, e Nënë Terezën, motër e axhat e autorit, e tjerë.  I trishtueshëm është sidomos përshkrimi i vuajtjeve që ai thotë se, pësoi e nëna e tij Tereza në duart e torturuesve komunistë, në qelitë e burgjeve në Koplik.  Edhe vetë Frani si fëmijë në moshë të re thotë se ka vuajtur torturime nëpër burgjet e Koplikut dhe të Shkodrës. Përveç të dhënave nga autori i këtyre shënimeve të një dëshmitari okular, Fran Gjetja – mbi rolin e Shkrelit në kryengritjen anti-komuniste të  Malësisë së Madhe dhe  mbi vuajtjet nën diktaturën komuniste të tij dhe familjarëve të vet, si dhe të mbarë fisit të Shkrelit – autori ashtë kujdesur që në libër të përfshijë fotografi të protagonistëve kryesorë mbi të cilët fletë dhe të cilët kanë luajtur një rol me rëndësi jo vetëm në historinë e fisit të Shkrelit, por edhe në historinë e kombit shqiptar. Ndërsa këtu flitet për vuajtjet dhe torturat  dhe persekutimet e tmerrshme ndaj  burrave dhe grave të Shkrelit, vetëm e vetëm se ata nuk pajtoheshin me ideologjinë sllavo-komuniste,  nuk mund të mos thuhet se, cilët ishin torturuesit, ata të cilët iu vërshuan  asaj krahine si bisha të egra, duke sjellë  tmerr e zi në Shkrel dhe në gjithë Malësinë e Madhe. Duke i gënjyer se po t’u dorëzoheshin komunistëve, ata do të faleshin dhe do të ishin të lirë të ktheheshin në shtëpitë e tyre, duke besuar në besën e dhënë malësorët që dorëzoheshin për të shpëtuar veten dhe familjet e tyre,  mbaronin në qelitë e torturave të  burgjeve të Shkodrës dhe të Koplikut dhe më në fund ekzekutoheshin, të prerë në besë nga përfaqësuesit e regjimit komunist.  Si përfaqësues  të  atij regjimi që ishin dërguar për të nënshtruar Shkrelin dhe Malësinë, autori përmend  emisarët e forcave të diktaturës së Enver Hoxhës, Toger Babën, Zoj Themelin, prokurorin e  Gjykatës Ushtarake në Shkodër, Aranit Çela dhe bashkëpunëtorët e tyre serbo-malazez, përfshirë edhe Bajo Stankoviçin ,   ndër ata të cilët, sipas autorit, “me damkën e hekurt e me shpirtin e djallit’’, bënë kërdinë mbi malësorët, të cilët nuk  pajtoheshin që Shqipëria të nënshtrohej nga sistemi  sllavo-komunist. Kryengritja e vitit 1945, për të ndaluar nënshtrimin e këtyre zonave nga komunistët,  kryengritje kjo e udhëhequr nga burrat dhe gratë e Shkrelit dhe të Malësisë së Madhe me në krye  Llesh Marashin, mund të jetë, sipas disa vërejtësve, e para kryengritje e tillë anti-komuniste në Shqipëri dhe ndoshta e para edhe në pjesën tjetër komuniste të Evropës Lindore.  Me shtypjen mizore të kësaj kryengritjeje të malësorëve nga forcat bashkëpunëtore komuniste sllavo-shqiptare, siç dihet, fillon tragjedia e  vërtetë  gjysmë shekullore për Shkrelin dhe Malësinë e Madhe. Është me vend që disa prej këtyre heronjve të Shkrelit  janë shpallur “Martirë të Demokracisë”, nga presidenca e shtetit shqiptar dhe autori Fran Gjeto Xhaj shpreh falënderimet e tija kryetarit të Komunës Shkrel, z. Fred Sterkaj për iniciativën  e tij për të ngritur lapidarin në Dedaj të Shkrelit, kushtuar këtyre heronjve, duke përjetësuar kështu këtë kryengritje si edhe kujtimin e këtyre bijve dhe bijave të Shkrelit.  Le t’u këndohet gjithmonë kënga dhe të marrin vendin që u takon në historinë e Malësisë së Madhe dhe të kombit shqiptar.