Frank Shkreli/ QUO VADIS ALBANIA?

645
E di se kjo pyetje përdoret shpesh dhe si e tillë tingëllon pak si e mërzitshëme, por duke ndjekur situatën aktuale në Shqipëri — sidomos debatet mbi reformën në drejtësi — është e pamundur të mos bëhet pyetja se, “Ku po shkon Shqipëria”? Sa për një përspektivë historike, fraza “Quo Vadis”, “Ku po Shkon?”, e ka rrënjën në traditën e krishtërë, ku sipas kësaj tradite, ndërsa Shën Pjetri po largohej nga Roma për t’i ikur kryqëzimit të tij të sigurt, hasë në Jezu-Krishtin dhe Shën Pjetri e pyet atë: Quo Vadis Domine? Jezusi sipas kësaj tradite i përgjigjet atij: “Po shkoj në Romë për tu kryqëzuar edhe njëherë.” Fatkeqsisht, duket se politika aktuale në Tiranë, me veprimet dhe mosveprimet e saj, po e çon Shqipërinë drejtë një kryqëzimi tjetër, drejtë një humnere të pafund dhe të pa-parashikueshme për të ardhmen e saj si shtet dhe si komb. Rasti i (mos)reformës në drejtësi e bën njeriun tepër pesimist në lidhje me të ardhmen e vendit, si përfundim i grindjeve dhe mosmarrvehsjeve të vazhdueshme politike, dhe e bën pothuaj të pamundur përgjigjen ndaj pyetjes, se në ç’drejtim po shkon Shqipëria? 

 Reforma në drejtësi ka qenë dhe është një kërkesë e vendeve perëndimore, por e cila, sipas një sondazhi të kohëve të fundit kërkohet gjithashtu edhe nga 91% e shqiptarëve, si diçka e doemosdoshme dhe e nevojshme për mbarvajtjen politike dhe ekonomike të vendit. Në çdo vend tjetër demokratik, kur shumica dërmuese e popullit është në favor të një mase dhe kur me një përqindje të tillë kërkon miratimin e një reforme siç është ajo në drejtësi, nuk duhej të kishte shumë debate për meritat e miratimit të një reforme të tillë të sistemit juridik dhe gjyësor, pa marrë parasyshë nëse kërkohet nga ndërkombëtarët ose jo. Në fund të fundit, kjo është një kërkesë thelbësore nga vet populli shqiptar dhe përfaqsuesit e tij politikë duhet t’i përgjigjen me miratimin e kësaj reforme nga të gjitha partitë politike! Përfaqsuesit perëndimorë në Tiranë, ambasadori amerikan Donald Lu dhe Përfaqsuesja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin paraqitën këtë javë versionin përfundimtar të ekpertëve amerikanë dhe europianë për reformën në drejtësi. Dy përfaqsuesit perëndimorë u angazhuan se ata nuk do të lejojnë që reforma në drejtësi të dështojë. E vërteta është se, sidomos Ambasadori Lu është angazhuar fuqimisht dhe personalisht duke venë madje edhe prestigjin e Shteteve të Bashkuara — si mike e Shqipërisë dhe shqiptarëve — prapa kësaj nisme madhore për Shqipërinë. 

 Duke ndjekur debatet dhe reagimet e kohëve të fundit, sidomos të dy partive kryesore në lidhje me këtë iniciativë, fatkeqsisht ndihem pesimist dhe dyshoj nëse përfaqsuesit perëndimorë e dinë se me kë kanë të bëjnë dhe se sa i përzier është lëmshi i politikës shqiptare. Reforma në drejtësi në Shqipëri është e nevojshme për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe jo për Shtetet e Bashkuara dhe për Bashkimin Europian. Si e tillë ajo duhet të jetë përparësi e klasës politike shqiptare dhe jo e diplomatëve të huaj. Por, ja ku ka ardhur situata aktuale. Nevojitet ndërmjetësia e miqëve sepse shqiptarët nuk merren vesh me njëri tjetrin për gjërat më themelore dhe të një interesi jetik për një shoqëri moderne. Nevojitet ndërmjetësia ndërkombëtare, për t’u thanë udhëheqsve shqiptarë: mjaft, pushoni pushkët burra e të shuhet zjarri se ne jemi ndërmjetës. Në rregull, por, nëqoftse se edhe kësaj rradhe, ashtu si edhe me raste të tjera të përpjekjeve ndërkombëtare për të zgjidhur mosmarrveshjet e ndryshme politike shqiptare në të kaluarën, nuk “shuhet” pushka dhe hidhet poshtë fjala dhe përpjekjet e ndërmjetsve miqë. Duke marrë parasyshë seriozitetin me të cilin e kanë marrë reformën në drejtësinë shqiptare ndërkombtarët — sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës — me mos miratimin e reformës, klasa politike shqiptare pikëspari do të koritë veten, jo vetëm para 91% e shqiptarëve të cilët e shohin si tepër të nevojshme një reformë të tillë, por njëkohsisht do të zhgnjejë ndoshta në mënyrë të pareparueshme ndërmjetsit ndërkombëtarë dhe miqët e shqiptarëve — Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Europian– dhe ka mundësi të afektojë negativisht marrëdhënjet afat-shkurtëra dhe afat-gjata me mbështetsit historik të kombit shqiptar. 


Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu shprehu seriozitetin e vendit të tij në lidhje me miratimin e kësaj reforme, por tërthorazi paralajmëroi edhe pasojat që mund të ketë mos aprovimi i reformës, kur theksoi se udhëheqsit më të lartë perëndimorë i kanë kërkuar Shqipërisë miratimin e reformave në drejtësi. “Nuk kam parë kurrë mbështetje të tillë nga aleatët tuaj më të afërt për asnjë temë tjetër. Të gjithë e pranojmë sa e rëndësishme është kjo për të ardhmen e Shqipërisë”, potencoi kryediplomati amerikan në Tiranë, Donald Lu.
Por a e kupton paria e Tiranës rëndësinë e kësaj reforme dhe udhëkryqin në të cilin e ka vendosur vendin e tyre? Klasa politike shqiptare pretendon se është pro-amerikane, pro-perëndimore dhe të pakën — sa për sy e faqe, për 25 vjetë tani — shprehet se është serioze dhe e do Shqipërinë të bëhet pjesë e organizmave të botës perëndimore, ndërsa njëkohsisht duket se politikanëve shqiptarë nuk u pëlqejnë rregullat dhe kërkesat e klubit perëndimor, siç është ndër të tjera, reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit. Për më tepër, me veprimet e saja politike dhe ekonomike, klasa politike e Tiranës, po tregon çdo ditë e më shumë se ajo në të vërtetë, Shqipërinë nuk e dëshiron në perëndim, ndërsa në heshtje ndjekë dhe vepron në bazë të sloganit të zbrazët të Ramiz Alisë se Shqipëria nuk është as në “përendim as në lindje” dhe me kufij “as të hapur as të mbyllur”, siç deklarojë kohët e fundit Ministri i jashtëm shqiptar. 
Në të vërtetë, politikanët shqiptarë e kanë më kollaj të ndjekin dhe të forcojnë politikat e tyre me vendet e lindjes, pasi ato nuk kërkojnë asnjë kusht për marrëdhënje të tilla, pasi janë të zhytur vet në korrupsion dhe padrejtësi. Autokratët, si Putini, Erdogani, kinezët, sllavët dhe të tjerë si këta nuk kërkojnë prej politikanëve shqiptarë as reforma në drejtësi, as luftë kundër korrupsionit, përkundrazi sa më të korruptuar aq më mirë dhe më të forta do të jenë marrëdhënjet midis tyre. Por a është kjo në interesin afatgjatë për kombin shqiptarë? Kjo është një pyetje që vetëm udhëheqsit aktual shqiptarë mund t’i përgjigjen. Ka ardhur koha që “shapi të ndahet nga sheqeri”. Ka ardhur koha që politika zyrtare e Tiranës – pozitë dhe opozitë – “të pushojë armët” dhe t’i përgjigjet më në fund pyetjes: “Quo vadis Albania?”, ku po e çojnë Shqipërinë. Ky është momenti, tashti është koha që me debatet dhe diskutimet e mirëfillta në, “log të kuvendit” si dikurë të parët tanë – të miratohet reforma në drejtësi dhe si burra të fjalës e të besës, t’i tregoni pikëspari kombit shqiptar por edhe miqëve të ngushtë historikë të shqiptarëve, se ç’rrugë do të marrë më në fund Shqipëria? Leni fjalët dhe hapni rrugën! Shpresojmë se ende ka burra Shqipëria që janë të vetdijshëm të momentit historik në të cilin jetojnë dhe qeverisin, ashtuqë timonin e të ardhmes së kombit shqiptar t’a drejtojnë njëherë e mirë në rrugën e mbarë duke miratuar reformën në drejtësi!
Sigal