Frank Shkreli: Pse nuk ishte e ftuar Shqipëria në takimin e udhëheqësve të shteteve anëtare të NATO-s të Evropës Jug-Lindore në Sofie të Bullgarisë me 28 Mars?

240
Sigal

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Një pyetje sa për kuriozitet!

“A thua se mungesa e ftesës së Shqipërisë për të marrë pjesë në atë takim në Sofie, mund të ketë lidhje me këmbënguljen kokëfortë të Shqipërisë dhe të Serbisë për të shkuar përpara me nismën e përbashkët famëkeqe të Presidentit serb, Vuçiq dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Rama, të “Open Balkans”, ose të ashtuquajturit “Ballkan i Hapur”, megjithë pushtimin barbar të Ukrainës nga Rusia.”

Në fund të muajit që kaloi, me 28 Mars, Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov organizoi në Sofie një takim të nivelit të lartë të udhëheqësve të shteteve dhe qeverive të Evropës Jug-lindore, antare të NATO-s. Në atë takim, sipas të dhënave në media- fund muajin e kaluar-të ftuar nga Kryeministri bullgar për të marrë pjesë në atë mbledhje rajonale të nivelit të lartë. Morën pjesë Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, Kryeministri i Bullgarisë, Kiriul Petkov dhe Kryeministri i Rumanisë, Nicolae Ciuca. Por jo, Shqipëria, por as Serbia nuk ishin të ftuara, sipas lajmeve.
Sipas njoftimeve zyrtare bullgare, takimi kishte për qëllim diskutimin e ndërlikimeve që lufta në Ukrainë mund të ketë për rajonin e Evropës Jug-Lindore dhe shqyrtimin e masave që mund të merren bashkarisht për të përballuar pasojat e krizës energjetike dhe ekonomike. “Lufta në Ukrainë ka krijuar një krizë energjetike si dhe një krizë furnizimi ushqimesh. Por takimi është gjithashtu një mundësi që vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkohen për të mirën e popujve të tyre dhe të bashkërendojnë veprimtaritë e tyre, për të përballuar pasojat e krizës” në Ukrainë: është shprehur Kryeministri bullgar, Petkov, në lidhje me mbledhjen e mbajtur në Sofie në fund të marsit që kaloi. Ndërsa, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski është cituar të ketë thënë me atë rast se, “Takimi kishte për qëllim parandalimin e çfarëdo pasojash që kriza në Ukrainë mund të ketë mbi stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, në kontekstin e pasojave të mundëshme që mund të rrjedhin nga kriza humanitare dhe nga gjëndja e sigurisë në Ukrainë”, -duke shtuar se vendet që morën pjesë në takimin e Sofies me 28 të Marsit që kaloi, mbeten të vendosura në dënimin e luftës në Ukrainë si një pushtim ilegal i Ukrainës nga Rusia, është cituar ai nga portali European Western Balkans. Kur të merren parasysh objektivat e atij takimi si dhe rrethanat nën të cilat u mbajtë, për të marrë në shqyrtim pasojat ekonomike dhe të sigurisë që mund të ketë lufta në Ukrainë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe ngërçin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) të disa vendeve të Evropës Jug-Lindore, përfshirë Shqipërinë. Natyrisht lind pyetja kurioze: Pse nuk mori pjesë Shqipëria në takimin e Sofies të 28 Marsit dhe pse nuk u ftua të merrte pjesë me vendet e rajonit si vend anëtar i NATO-s dhe si vend i Evropës Jug-Lindore, që aspiron antarësimin e saj në BE.

Në takimin e Sofies morën pjesë Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, Kryeministri i Bullgarisë, Kiriul Petkov dhe Kryeministri i Rumanisë, Nicolae Ciuca. (28 Mars, 2022)
Në takimin e Sofies morën pjesë Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, Kryeministri i Bullgarisë, Kiriul Petkov dhe Kryeministri i Rumanisë, Nicolae Ciuca. (28 Mars, 2022)

A thua se mungesa e ftesës Shqipërisë për të marrë pjesë në atë takim në Sofie, mund të ketë lidhje me këmbënguljen kokëfortë të Shqipërisë dhe të Serbisë për të shkuar përpara me nismën e përbashkët famëkeqe të Presidentit serb, Vuçiq dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Rama, të “Open Balkans”, ose të ashtuquajturit “Ballkan i Hapur”, megjithë pushtimin barbar të Ukrainës nga Rusia dhe gjithë pasojat gjeopolitike dhe ushtarake, që mund të ketë ky akt barbar për Evropën dhe botën? Siç dihet, nisma “Open Ballkans” është konsideruar nga shumë eskpertë vendas dhe ndërkombëtarë, si një mjet ose proces i shtrirjes së mëtejshme të influencës ruse, nëpërmjet vasalit të saj Beogradit zyrtar, në rajonin e Ballkanit Perëndimor.  “Nisma Ballkani i Hapur”, është parë gjithashtu edhe si një akt kundër Republikës së Kosovës, pavarësisë dhe integritetit territorial të saj, që ende nuk njihet nga Serbia as nga aleatja e saj e ngushtë, Rusia. Ndërsa, Moska dhe Beogradi po bëjnë çmos për të minuar shtetin e Kosovës në nivel rajonal, evropian dhe ndërkombëtar. Fatbardhësisht, nuk është sekret qëndrimi i Bashkimit Evropian e sidomos i Gjermanisë ndaj nismës Vuçiq-Rama për Ballkanin e Hapur. Qeveria e re gjermane e bëri këtë të qartë gjatë vizitës së fundit të Kryeministrit Rama në Gjermani, se Berlini zyrtar është i përkushtuar ndaj procesit të Berlinit dhe JO ndaj “Open Balkans”, sa i përket Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, në të vërtetë, po qarkullojnë lajme, sipas të cilave disa vende perëndimore, duke përmendur Britaninë e Madhe si nismëtare e një fushatë: deri tani prapa skene, për të hequr qafe njëherë e mirë, nismën “Open Balkans”, si një përpjekje edhe për të minimizuar rolin e Serbisë në Balkanin Perëndimor, duke marrë parasysh qëndrimin prej vasali të Beogradit ndaj pushtimit ilegal dhe barbar të Ukrainës nga Rusia, si dhe pasojat që ajo luftë mund të ketë tashti dhe eventualisht, jo vetëm në Evropë, por sidomos në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Fatbardhësisht, nuk është sekret qëndrimi i Bashkimit Evropian e sidomos i Gjermanisë ndaj nismës Vuçiq-Rama për Ballkanin e Hapur. Qeveria e re gjermane e bëri këtë të qartë gjatë vizitës së fundit të Kryeministrit Rama në Gjermani, se Berlini zyrtar është i përkushtuar ndaj procesit të Berlinit dhe JO ndaj “Open Balkans”, sa i përket Ballkanit Perëndimor.”

Vuçiq, Zaev, Rama – tre aleatët e nismës “Ballkani i Hapur”

Ka ardhur koha që edhe Tirana zyrtare t’i hapi sytë, veshët dhe gojën dhe të shpallë nismën e rrezikshme ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve, “Ballkani i Hapur”, si një nismë e vdekur, që e ka vendin në koshin e plehrave të historisë. Hiqni dorë nga “Ballkani i Hapur”! Frank Shkreli: Pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe Ballkani i Hapur | Gazeta Telegraf . S’do mend se zvogëlimi i rolit të Serbisë në Ballkanin Perëndimor dhe minimizimi i influencës ruse në atë rajon, nëpërmjet aleates së saj të vjetër Serbisë (“Këlyshëve të Rusisë”), është në interesin e shqiptarëve. Kështu e shohin edhe aleatët perëndimorë të Kombit shqiptar.