Frank SHKRELI/ Po afrohet Qershori….

536
Sigal

….Kur Bashkimi Europian (BE) do të marrë vendimin për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Thuhet se rruga është e qartë. Thuhet gjithashtu se, Shqipëria gjatë viteve të fundit ka bërë përparim dhe ka ndërmarrë reforma që janë kusht i anëtarësimit në BE. Udhëheqësit shqiptarë, të pozitës dhe opozitës, deklarojnë në intervista dhe deklarata të ndryshme se janë në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, dhe nga çdo takim me udhëheqës të ndryshëm europianë, dalin duke thënë me entuziazëm se morën mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.  Ndërsa udhëheqësit europianë, gjithnjë, këmbëngulin se po ata absolutisht janë në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por shtojnë se “topi” është në fushën e klasës politike shqiptare dhe se, vetëm ajo mund të zgjidhë problemet dhe sfidat dhe të ndërmarrë reformat e identifikuara nga BE.  Ndër kryesoret, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat e gjyqësorit dhe në ato në administratë, si dhe çështja e pronës, por edhe e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat të ish-të-përndjekurve politikë në përputhje me vendet e tjera ish-komuniste, tani anëtare të BE-së.  Por mbi të gjitha, sipas Bashkimit Europian, pengesa kryesore vazhdon të jetë mungesa e një dialogu të qytetëruar midis pozitës dhe opozitës, gjë që vihet re në çdo diskutim midis dy palëve – sidomos kjo mungesë dialogu të qytetëruar është venë re dhe  është dëshmuar në të gjitha seancat e Kuvendit shqiptar të periudhës post- komuniste. Gjatë viteve,  Bashkimi Europian nëpërmjet përfaqësuesve të tij i ka bërë thirrje klasës politike shqiptare që të heqë dorë nga atmosfera “aktuale politike konfrontuese” dhe që, si qeveria ashtu edhe opozita të sigurojnë që “procesi (i integrimit europian) të mos dalë nga udha”.

Tani, përballë gjithë kësaj historie lindë pyetja se a është me të vërtetë kjo klasë politike serioze dhe e interesuar për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian?   E duan të gjithë statusin e vendit kandidat në Qershor, apo vetëm kanë “fjalët e mira e gurët në strajcë”, duke mos qenë të sinqertë me të huajt, por mbi të gjitha, duke mos qenë të sinqertë as me popullin e vet?

A ekziston dëshira dhe vullneti i tyre për të parë vendin e vet në një rrugë të mbarë pjekurie politike dhe zhvillimi ekonomik modern, bazuar në drejtësi shoqërore?  A kanë politikanët shqiptarë ndjesi të mjaftueshme atdhedashurie që këtë dëshirë dhe ëndrrën shekullore të Kombit shqiptar – që Ai më në fund të zërë vendin që i takon në radhët e kombeve europiane – ta kthej në një vrull të vendosur veprimtarie dhe bashkëpunimi politik, për realizimin e kësaj ëndrre?

Në qoftë se anëtarësimi i Shqipërisë në këtë periudhë të historisë së kombit, është një prioritet kombëtar, ashtu siç kanë deklaruar shpesh të gjitha palët politike në Shqipëri, dhe në qoftë se sa për sy e faqe, ekziston një konsensus kombëtar për arritjen e këtij objektivi madhor, a ekziston me të vërtetë baza morale shoqërore dhe vullneti politik, mbi interesat personale politike dhe partiake, për të kurorëzuar  më në fund këtë vepër të interesit kombëtar dhe si e tillë vepër atdhedashurie?

Sot flitet shumë se, cilët janë heronjtë e vërtetë të kombit shqiptar, të cilët duhet të adhurohen, e cilët janë heronjtë e rrejshëm të kombit të këtyre 100 viteve kaluara. Cilëve duhet t’u ndërtohet përmendore, e cilëve duhet t’u prishet përmendorja. Ky çast historik ka nevojë për heronj të vërtetë. Jo heronj të luftës e të pushkës.  Sepse nuk nevojitet që të bëhesh hero në luftë, sepse sot fatbardhësisht kombi nuk përballet me luftë.  Por ama ka nevojë për guxim, atdhedashuri dhe trimëri të njëjtë si në luftë. Por ky mund të jetë momenti i juaj historik – i të gjithë klasës politike – i vlerësimit të punës të të gjitha palëve, sipas BE-së, nëse me të vërtetë e dëshironi anëtarësimin në BE si një objektiv i interesit kombëtar. Po të dëshironi të bëheni heronj modernë të kombit shqiptar, duhet që në këtë çast të historisë të leni mënjanë grindjet politike dhe të përjetësoni veten në historinë e sotme dhe të ardhshme të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.  Ndërtoni vetes një përmendore! Kryeni këtë vepër madhore.  Bëni lavdi vetes, Shqipërisë dhe rilindësve të vërtetë të Kombit.  Bëjeni kombin shqiptar pjesë të Europës dhe mos e lini atë mbi kapërcyell, midis influencave sllavo-ruse e turko-greke, të destinuar si peshk moçalesh në ujërat e turbullta politike të Ballkanit. Mos e lejoni këtë! Është në duart tuaja.

Kombi shqiptar, si asnjëherë në historinë e vet, ndodhet sot në prag të një shpërthimi pozitiv të shqiptarizmit, të një vetëdijeje dhe të mundësive të vërteta për të shpërthyer si asnjëherë më parë dhe për të kapërcyer shekujt dhe dekadat e errëta të ideologjive të huaja që donin t’ia shtrydhnin jetën dhe t’ia merrnin frymën historisë dhe trashëgimeve të arbrit dhe ta zhduknin kombin shqiptar nga faqja e dheut.   Doni e s’doni – me vullnet ose pas vullnet- Ju, klasa politike e sotme, aty në atë karrige, u ka venë zgjedhësi shqiptar dhe historia, prandaj ju jeni protagonistët e historisë kombëtare sot, Ju jeni ata që e kini në dorën tuaj t’i hapni kombit shtigje dhe fate të reja.

25 vjet pas rënies së komunizmit, duhet të ketë perënduar koha e grindjeve politike dhe e interesave të cekëta politike e partiake. Ka ardhur koha e veprimit dhe e bashkëpunimit për të bërë të mundur dhënien e statusit të vendit kandidat, të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.  Mos lejoni që të perëndojë dielli shqiptar në lindje. Kaloni kapërcellin dhe zhdukni kufijtë dhe muret që gjithmonë e kanë ndarë kombin shqiptar nga Europa dhe nga Perëndimi.

Siç u tha më lartë, Bashkimi Europian vazhdimisht, si kusht thelbësor ka bërë thirrje për zhdukjen e “Klimës aktuale politike konfrontuese, e cila minon arritjet e deritanishme të Shqipërisë.”  Edhe njëherë, “Ju, qeveria dhe opozita bashkë, duhet që sipas BE-së “të siguroni që procesi të mos dalë nga udha.”   Ky ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe qëndrimi dhe mesazhi i zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara në deklaratat e tyre dhe në takimet që ata kanë zhvilluar dhe zhvillojnë me zyrtarët më të lartë të shqiptarë.  Njëherazi kjo është edhe dëshira e madhe e shqiptarëve kudo në diasporë të përhapur në të gjitha kontinentet, por sidomos  është dëshirë e madhe e komunitetit shqiptaro-amerikan. Ata duan ta shohin Shqipërinë, Kosovën dhe kombin shqiptar që të zhvillohet në nivelet më të larta të qytetërimit dhe të zhvillimit ekonomik këmbë për këmbë me kombet e tjera në Europë.  Dëshirojnë ta shohin kombin shqiptar — për të cilin zemra nuk u pushon kurrë së rrahuri –  sa më shpejt të integruar në organizmat euro-atlantike.  Shpresojmë që të mos jetë vonë.  Shpresojmë që qershori të sjellë lajme të mira për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar!