Frank SHKRELI/Papa që erdhi “nga fundi i botës”

623
Sigal

Një njeri i thjeshtë për një detyrë të madhe 

Të mërkurën, udhëheqësit e Kishës Katolike nga e gjithë bota zgjodhën Papën e ri, ish -Kardinalin argjentinas Jorge Mario Bergoglio, i cili mori emrin Françesk. Ky është Papa i parë në historinë dy mijëvjeçare të Kishës Katolike nga Amerika Latine dhe i pari Papë nga urdhri Jezuit, që historikisht konsiderohet si ”ushtria e papës” dhe dallohet për punën e tij me të varfrit dhe në fushën akademike. Duke përshëndetur mijëra të pranishmit në sheshin e Shën Pjetrit, duket se edhe vet Papa Françesk ishte habitur se, kardinalët e kishin zgjedhur atë, ndërkohë që, si pakëz me humor u shfaq se ata kishin shkuar “pothuaj në fund të botës” për të gjetur udhëheqësin e ri të Kishës Katolike. Gjithashtu, ai iu përgjigj urimeve të kardinalëve pas zgjedhjes së tij, duke u thënë: “U faltë Perëndia, për këtë që keni bërë”, duke iu referuar zgjedhjes si tij në detyrën e udhëheqësit të Kishës Katolike. Menjëherë pasi ai u zgjodh Papë, media të ndryshme kanë filluar të venë në dukje shumë aspekte të panjohura nga jeta e udhëheqësit të ri të Kishës Katolike. Siç duket kemi të bëjmë me një njeri tepër të thjeshtë, i cili thuhet se merrte autobusin për të shkuar në punë dhe për të vizituar lagjet e varfra të Buenos Airesit, njëri që nuk kishte shërbëtore, por që gatuan për veten dhe për të varfrit, jetonte në një apartament të thjeshtë dhe jo në pallatin e kryeipeshkvisë, por edhe njërit, të cilit i pëlqen kërcimi tango dhe është tifoz i devotshëm futbolli. Madje, ditën që ai u zgjodh Papë, sipas Radio- Vatikanit, ai vajti e pagoi faturën në hotelin, ku qëndronte në Romë dhe mori valixhet për t’u transferuar në apartamentin Papënor. Radio -Vatikani tha gjithashtu se, para se të largohej nga Argjentina për në Romë për konklavën e kardinalëve, disa miq të tij i blenë një palë këpucë pasi ato që kishte veshur, ishin vjetërsuar. Por, ajo që të bie menjëherë në sy është se jo vetëm që kemi të bëjmë me një njeri i cili është tepër i thjeshtë në jetën e tij të përditshme, por edhe me një njeri shumë të mëshirshëm me dhe për të tjerët, e sidomos për të varfrit dhe ata të lënë pas dore nga shoqëria dhe njëkohësisht personi i tij pasqyron edhe një jetë plotë përvujtëri, si njeri dhe si fetar- i përkushtuar ndaj paqes dhe drejtësisë në botë.

Papa Françesku i posa zgjedhur gëzon, gjithashtu, një reputacion si një njeri shpirtëror me aftësi dhe talent për udhëheqje pastorale në një rajon që ka numrin më të madh të katolikëve në botë e që është Amerika Latine. Në rolin e tij si kardinal i Argjentinës, ai shpesh detyrohej të fliste haptas mbi problemet ekonomike, shoqërore dhe politike me të cilat përballej vendi i tij. Predikimet dhe fjalimet e tija, sipas mediave të ndryshme, pasqyrojnë besimin e tij se ne, si qënie njerëzore, të gjithë jemi vëllezër e motra dhe se është e nevojshme që shteti, Kisha dhe bota në përgjithësi duhet të bëjnë çdo gjë që është e mundur për të siguruar që çdo njeri ta ndjenë veten të mirëpritur dhe të pranuar, të respektuar dhe të përkujdesur si anëtar i barabartë i shoqërisë. Papa Françesku, sipas ish-Kardinalit amerikan Edvvard Egan, i cili citohet nga rrjeti televiziv amerikan, NBC, “Është një burrë, i cili pa bujë të madhe mbron të vërtetën dhe drejtësinë”, dhe i cili sipas tij, “ka një mëshirë të jashtëzakonshme për të varfrit.” Gjithnjë sipas NBC, ndërkohë që, vendi i tij ishte prekur nga një krizë e madhe ekonomike, ish-Kardinali Jorge Mario Bergoglio, tani Papa Françesku, mori rolin e mbrojtësit të drejtësisë shoqërore, duke komentuar se, ”ne jetojmë në një pjesë të botës, ku dallimet ekonomike janë tepër të theksuara, në një ekonomi që është rritur aq shumë, por që në të njëjtën kohë, në të vërtetë, nuk ka ulur aspak nivelin e varfërisë.” Duke vënë në dukje preokupimin e madh të Papa Françeskut për padrejtësitë dhe dallimet shoqërore të rajonit nga vjen ai, gazeta katolike “National Catholic Reporter” e citon atë, duke u thënë ipeshkvijve të Amerikës Latine se në atë pjesë të botës gjithnjë vazhdon, ”dallimi i madh në të ardhura dhe në mundësitë ekonomike, gjë që, krijon një situatë mëkati shoqëror që për ta përmirësuar nevojitet ndërhyrja e Perëndisë dhe njëkohësisht kufizon mundësitë për një jetë më të mirë për shumë vëllezër e motra tona”.

Analistë dhe komentues thonë se zgjedhja e Papës Françesku, i cili është i njohur për punën e tij kushtuar të varfërve në vendet e botës në zhvillim e sipër, mund të përqendrojë më dukshëm veprimtarinë e Kishës Katolike në këtë fushë dhe t’u japë shpresë katolikëve në vendet në zhvillim e sipër se vlerat shpirtërore që rrjedhin nga katolicizmi mund të ndihmojnë edhe në sigurimin e përparimeve shoqërore, politike dhe ekonomike për ato shoqëri. Por, sipas të njëjtëve analistëve, Papa Françesk do të detyrohet të merret menjëherë edhe me problemet dhe sfidat e mëdha me të cilat përballet Kisha Katolike, me qëllim që ato të mos përsëritën më, përfshirë përgjegjësitë morale në lidhje me skandalet më të rënda të kohërave moderne që kanë pllakosur këtë institucion dy mijë vjeçar, korrupsionin e mundshëm që përflitet të ketë prekur Bankën e Vatikanit si edhe përpjekjet për të lëvizur burokracinë e ngurrët të Vatikanit.

Kisha Katolike, si çdo organizatë dhe institucion në këtë botë përbëhet nga njerëz dhe njerëzit janë mëkatarë. Edhe njëri prej apostujve, Juda tradhtoi Jezu Krishtin për një grusht para të kohës. Gjatë historisë ka patur, ka sot dhe do të ketë në të ardhmen plot juda-iskariotë, madje edhe në radhët e Kishës. Por Papa Françesku, i dalë nga Urdhri Jezuit dhe si intelektualët e tjerë jezuitë, ai gjatë gjithë jetës së tij është përqendruar në përmirësimin e jetës shpirtërore dhe shoqërore për të gjithë bijtë e bijat e Perëndisë, duke dhënë shembull me jetën e tij shpirtërore, fetare dhe shoqërore. Vitin që kaloi, sipas medias amerikane, ai akuzoi disa zyrtarë kishtarë për hipokrizi, duke thënë se, harrojnë se Jezu Krishti bënte shoqëri dhe kujdesej për më të varfrit dhe të sëmurët e kohës së tij. Me qëllim për të forcuar ndjenjën se ai beson në ato që predikon dhe se është serioz për të ndjekur shembullin e Jezu Krishtit, ai siç duket e mori emrin Françesk për të demonstruar respektin dhe vlerësimin e tij për Shën Françeskun e Asizit, i cili simbolizon përvujtërinë dhe mbështetjen për të varfrit — dhe Shën Françeskun e Ksavierit, që ishte edhe bashkëthemelues i Urdhrit Jezuit, një urdhër ky që njihet për kushtimin ndaj drejtësisë shoqërore, shkencës dhe arsimit. Të dy këta shenjtër janë shembuj të jetës shpirtërore dhe materiale për Kishën në këtë botë dhe Papa Françesku, sipas të gjitha të dhënave që kanë filluar të dalin në dritë, ai tërë jetën e kaloi sipas shembullit të këtyre shenjtërve, duke hequr dorë nga shërbëtorët dhe nga jeta luksoze në pallatin e Kardinalit si dhe nga makina dhe shoferi, duke demonstruar në këtë mënyrë se sa seriozisht e merr ai përkushtimin e tij,si person dhe tani si udhëheqës i një miliardë e dy qind milionë katolikëve ndaj drejtësisë, paqes dhe të varfërve, në të gjithë botën.

 Në këtë mënyrë dhe për realizimin e këtyre idealeve madhore për njerëzimin, Papa Françesku u tha mijëra të pranishëmve dhe miliona të tjerëve anë e mbanë botës të mërkurën në Sheshin e Shën Pjetrit, pasi u zgjodh Papë: “Le të fillojmë këtë udhëtim, ipeshkvi dhe populli së bashku, këtë udhëtim të Kishës së Romës që me dashuri dhe bamirësi drejton të gjitha kishat, një udhëtim ky i vëllazërimit në dashuri dhe në besim në njëri- tjetrin. Le të lutemi gjithmonë për njëri -tjetrin. Le të lutemi për të gjithë botën që të mund të realizohet një ndjenjë e madhe vëllazërimi për të gjithë pa dallim”, ishin këto fjalët përshëndetëse të Papës Françesk të posazgjedhur drejtuar ”Urbis et Orbi”, qytetit të Romës dhe Botës.