Frank SHKRELI/ ”Ne po përballohemi me historinë”

660
Sigal

Të mërkurën, Gjermania shënoi 80-vjetorin e ardhjes në fuqi të Adolf Hitlerit, – ose ditën kur vdiq Republika Weimar – duke e kujtuar këtë përvjetor me një ekspozitë në Berlin e titulluar, ”Berlini 1933, rruga e drejtë diktaturës”,  ekspozitë kjo që u hap në memorialin e Topografisë së Terrorit, i ndërtuar mbi themelet e kryeqendrës së Policisë Sekrete naziste SS dhe afër një pjese të Murit të Berlinit, që shërben si një kujtim tjetër i diktaturës së dytë të Gjermanisë, diktaturës komuniste.     Deutsche Welle njoftoi se, ekspozita  u hap nga Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel dhe udhëheqës të tjerë gjermanë.   Kjo rrugë, sipas drejtorit të memorialit, Andreas Nachama, i cili citohet nga agjencia AFP, tregon,  “erozionin e përditshëm të institucioneve demokratike”, nën regjimin hitlerian, rrugë kjo, që eventualisht,  ”mori fund në Auschwitz”,  por jo para se Hitleri të suspendonte të gjitha liritë civile, të anulonte veprimtarinë e partive politike të opozitës,  që dalngadalë çoi në krijimin e një shteti policor e totalitar.  Me këtë rast, Angela Merkel tha se, është me rëndësi të jashtëzakonshme që të shënohet kjo periudhë e errët e historisë gjermane, pasi, sipas saj, ardhja në fuqi e Hitlerit qe ”mbështetur nga heshtja e shumicës”.  Lajmet bëjnë të ditur se edhe Parlamenti gjerman Bundestag mbajti një ceremoni përkujtimore për viktimat e regjimit të Hitlerit.

Kancelarja Merkel tha se, zhytja e Gjermanisë në fashizëm 80-vjet më parë duhet të shërbejë si kujtesë për të gjithë, se sigurimi i të drejtave  dhe i dinjitetit bazë të njeriut nuk ndodhë vetvetiu, por nevojit njerëz me kurajo dhe vigjilentë për t’i mbrojtur ato.   Sipas Deutsche Welle-s, Kancelarja gjermane shtoi se, Hitleri mundi të merrte fuqinë në dorë, ”sepse një pjesë e elitës dhe e shoqërisë gjermane nuk e kundërshtoi atë, por mbi të gjitha, ai mori pushtetin në dorë sepse pjesa më e madhe e gjermanëve e toleroi atë. Sepse shumica dërmuese heshti!”, tha zonja Merkel.

Gjithashtu, në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, më 27 janar, e caktuar si e tillë nga Kombet e Bashkuara  në vitin 2005,  sipas agjencisë së lajmeve AFP, Kancelarja gjermane tha në portalin e saj se: ”Gjermania ka një përgjegjësi të përjetshme për krimet e nacional-socializmit, për viktimat e Luftës së Dytë Botërore dhe mbi të gjitha, për Holokaustin.   Kjo duhet të jetë e qartë nga brezi në brez, dhe duhet të theksohet me trimëri dhe kurajo morale,  se secili individ mund të kontribuojë që racizmi dhe anti-semitizmi të mos kenë mundësi të ringjallen më”.

Kancelarja Merkel deklaroi trimërisht se: “Ndërkohë që, ne jemi duke u përballuar me historinë tonë, ne nuk po fshihemi pas ndonjë perdeje për asgjë dhe nuk po përmbaheni duke mos fshehur asgjë nga ato që kanë ndodhur.    Është e domosdoshme”,  shtoi udhëheqësja gjermane,  ”që ne të përballohemi me këtë histori, për të siguruar se, jemi një partner i besueshëm në të ardhmen, ashtu siç jemi edhe sot…”.    Zonja Merkel tha, duke iu referuar ardhjes së Hitlerit në pushtet 80-vjet më parë se,  ”ardhja në fuqi e Hitlerit duhet të jetë një paralajmërim konstant për ne gjermanët”.   Ajo shtoi se,  “fakti që Hitleri mundi të shkatërronte demokracinë gjermane vetëm brenda  një periudhe të shkurtër prej  gjashtë muajsh, duhet të shërbejë si një paralajmërim  se çka mund të ndodhë  në qoftë se publiku  zhytet në apati.

Kancelarja gjermane u foli bashkatdhetarëve të saj, por  nëpërmjet tyre ajo sikur iu drejtua edhe evropianëve, por edhe më gjerë, të cilët kanë përjetuar diktaturat naziste, komuniste e të tjera,  duke thënë se,  “një shoqëri dinamike ka nevojë për njerëz, të cilët çmojnë dhe kanë respekt për njëri- tjetrin, për njerëz, të cilët marrin përgjegjësinë për vetveten dhe për të tjerët, për një shoqëri ku  njerëzit marrin vendime të guximshme dhe transparente, si dhe për njerëz  të cilët janë gati të pranojnë kritikën dhe opozitën”.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit,  u deklaruan, ndër të tjerë, edhe Papa Benedikti  XVI dhe  Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama. Papa Bendikti me origjinë gjermane,  duke folur në Vatikan të dielën që kaloi i tha turmës në sheshin e Shën Pjetrit se, “njerëzimi duhet të jetë gjithmonë pararojë kundër përsëritjes së racizmit vrasës e diskriminues….”,  dhe bëri thirrje “për  respekt  dhe dinjitet për çdo person”.   Presidenti amerikan Barak Obama, nga ana e tij,  u shpreh se , “duhet të angazhohemi  që të kundërshtojmë urrejtjet dhe persekutimet e të gjitha formave”.   Presidenti Obama, në emër të vendit të tij u zotua se , “Shtetet e Bashkuara së bashku me komunitetin ndërkombëtar, janë të vendosura që të kundërshtojnë  çdo tiran a diktator që bën krime kundër njerëzimit”.

Kancelarja e Gjermanisë  Angela Merkel, si asnjë udhëheqës tjetër në Evropë,  ka deklaruar pikëllimin dhe turpin  e saj ndaj krimeve që janë bërë nën regjimin nazist dhe komunist në Gjermani dhe në Evropë  si dhe gatishmërinë e saj për t’u përballuar me të kaluarën pa frikë– dhe si asnjë udhëheqës tjetër evropian, ajo përpiqet vazhdimisht të promovojë një  kulturë  kujtese dhe mos harrese në vendin e saj dhe anë e mbanë Evropës, që krimet e kryera nga këto  dy regjime anti-njerëzore të shekullit 20-të, të  kujtohen vazhdimisht dhe me çdo rast – se sipas saj ua kemi borxh viktimave të pafajshme – por gjithashtu siç tha ajo,  që ato krime kundër njerëzimit të mos harrohen nga brezi në brez, ashtuqë të mos përsëriten më.