Frank Shkreli*/ Muzeu i një historie të dhimbshme

286

Nga Frank
Shkreli

Gazeta Telegraf/

Dhe
realizimi i një ëndërre 100-vjeçare. Bëhet fjalë për Muzeun Kombëtar të
Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane në qendër të kryeqytetit të Shteteve
të Bashkuara, Washington DC, jo larg Shtëpisë së Bardhë dhe afër monumenteve
dhe muzeve kryesore të kryeqytetit amerikan, përfshirë monumentin e babait të
kombit, George Washingtonit. Presidenti Barak Obama, i pari president i
Shteteve të Bashkuara me origjinë afrikano-amerikane, do të hapë zyrtarisht
muzeun kombëtar kushtuar historisë afrikano-amerikane në këtë vend, në fund të
kësaj jave, të premtën më 24 shtator, 2016.  

Përpjekjet për ndërtimin e këtij muzeu, të cilat e
kanë origjinën e tyre në fillim shekullin e kaluar, ishin të gjata dhe të
mundimshe, por përpjekjet serioze legjislative të Kongresit Amerikan për
themelimin e një muzeu të tillë, në të vërtetë, mund të thuhet se   filluan
në fund të çerek shekullit të kaluar. Në të vërtetë, ishte deputeti demokrat
afrikano-amerikan nga shteti Georgia dhe njëri prej aktivistëve më të dalluar i
të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara, ai që pasi u zgjodh deputet në Kongresin
amerikan në vitin 1988, mori përsipër seriozisht realizimin e themelimit të
këtij muzeu duke sponsorizuar projektligje të cilat më në fund çuan në
nënshkrimin e projektligjit përfundimtar – nga presidenti republikan George W.
Bush në vitin 2003 – që  më në fund autorizoi
 ndërtimin e këtij muzeu. Kongresi
amerikan autorizoi gjysmën e shpenzimeve prej 500 milionë dollarësh për
ndërtimin e muzeut të ri ndërsa pjesa tjetër e fondeve është mbledhur nga
donatorë privatë.

Burime të medias, të cilat kanë vizituar muzeun
para se të hapet zyrtarisht për publikun të premten e kësaj jave, njoftojnë se
muzeu ve në dukje dhe nderon arritjet e afrikano-amerikanëve në fusha të
ndryshme gjatë shekujve në këtë vend, ndërkohë që njëkohsisht tregon edhe të
vërtetën “lakuriq”, mbi vuajtjet e komunitetit afrikan-amerikan gjatë shekujve,
përfshirë skllavërinë.  Sekretari i
Institutit Smithsonian, pjesë e të cilit është edhe Muzeu Kombëtar i Historisë
dhe Kulturës Afrikano-Amerikane, David Skorton u shprehën për median se gjatë
planifikimit të muzeut, ishim të mendimit se, “Është jetike dhe tepër e
rëndësishme që të ndërtonim një muze i cili do t’i mundësojë Amerikës të kujtojë
dhe të ballafaqohet me të kaluarën dhe historinë e saj raciste… por edhe që
muzeu të shërbejë gjithashtu edhe për të zbuluar gëzimin dhe shpresën,
ringjalljen dhe frymëzimin”, që ndër të tjera, përveç vuajtjeve, ishin gjithashtu
pjesë e historisë së komunitetit afrikano-amerikan, gjatë shekujsh.

Presidenti Obama dhe drejtori i muzeut, Lonnie G.
Bunch III  përmendën, me rastin e
dedikimit të muzeut në vitin 2012, historinë e tmershme të skllavërisë dhe të racizmit
të këtij vendi, por ata theksuan gjithashtu edhe atë që ata cilësuan si
triumfin e shpirtit amerikan, duke nënvijuar se muzeu i ri në kryqetetin e
Shteteve të Bashkuara nuk i dedikohet vetëm historisë së komunitetit
afrikano-amerikan në këtë vend, por i kushtohet gjithashtu edhe historisë së
Amerikës në përgjithësi, me të mirat dhe me të këqiat, ashtu siç kanë ndodhur
dhe siç i ka shënuar historia e vërtetë. 
Presidenti amerikan, Barak Obama tha se duke vizituar këtë muze, “Brezat
e ardhshëm do të kujtojnë rolin, nganjëherë të vështirë dhe shpesh frymëzues,
por gjithmonë jetik dhe tepër të rëndësishëm që kanë luajtur luajtur
afrikano-amerikanët në jetën e vendit tonë”. 

Presidenti Obama, i cili do të hapë zyrtarisht muzeun
e ri kushtuar Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane, në të vërtetë muzeu i
ka dedikuar ekspozitën e tij të posaçme si president i parë afrikano-amerikan i
Shteteve të Bashkuara. Muzeu i ri ekspozon jetën dhe historinë e tmerrshme të
skllavërisë dhe shtypjeve, por edhe historinë frymëzuese të kësaj pakice
amerikane. Afrikano-amerikanët kanë mbijetuar skllavërinë, kanë luftuar dhe
kanë dhënë jetën për lirinë e vet dhe të tjerëve, jo
vetëm në Luftën Civile, por edhe në lufërat e tjera, përfshirë Luftën e Dytë
Botërore dhe gjatë historisë së kaluar dhe sot kanë krijuar një jetë domethënse
dhe të lumtur për veten dhe familjet e tyre dhe kanë dhën dhe vazhdojnë të
japin kontribute të vlefshme për mirëqenjen e këtij vendi. 

Amerika i kishte borxh brezave të ndryshëm të
komunitetit afrikano-amerikan një muze të tillë. Kjo për hir të së vërtetës së
vet historisë së dhimbëshme të këtij komuniteti, por edhe për arsye të
rëndësisë që ka historikisht – për Amerikën si komb tani dhe në të kaluarën –
ekspozita e vërtetë e historisë plot vuajtje të komunitetit afrikano-amerikan,
në një muze siç është muzeu i ri kombëtar i Historisë dhe Kulturës
Afrikano-Amerikane.  Muzeu i ri nuk do të
mund të shlyej historinë as vuajtjet e afrikano-amerikanëve që e pësuan keq
gjatë asaj historie të tmershme por edhe frymëzuese. Por ajo që bën muzeu i ri
është fakti se do të jetë aty në kryeqytetin amerikan me një prezencë të
përhershme si një kujtesë për krimet që kanë ndodhur dhe njëkohsisht detyron
brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm të amerikanëve të të gjitha racave, që të
mos e harrojnë atë histori të tmershme, me shpresë se një histori e tillë nuk
përsëritet kurrë më.