Frank SHKRELI/ Kanadaja nderon viktimat e komunizmit

657
Sigal

Ndërsa në Varshavë të Polonisë janë mbledhur udhëheqësit botërorë, përfshirë edhe Presidentin amerikan Barak Obama dhe Presidentin shqiptar Bujar Nishani, për të kujtuar 25-vjetorin e përmbysjes së komunizmit në atë vend dhe eventualisht në të gjithë Europën Lindore. Ndërsa, media kanadeze njofton se në këtë përvjetor. Kanadaja ka vendosur të ndërtojë në kryeqytetin e saj Otava një monument kushtuar viktimave të komunizmit në mbarë botën, një lajm ky që është vendosur edhe në portalin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Polonisë.

 Media kanadeze njofton se mbrëmjen e të premtes që kaloi, në Qendrën Kongres të Otavasë u organizua një darkë me qëllim mbledhje fondesh për përfundimin e ndërtimit të monumentit të viktimave të komunizmit, ku thuhet se ndër të pranishmit që mori pjesë dhe që kontribuoi për këtë qëllim, ishte edhe Kryeministri i Kanadasë, Stephen Harper, i cili mbajti edhe fjalimin kryesor me këtë rast.

 Njoftohet se, nisma për ndërtimin në Kanada të monumentit të viktimave të komunizmit  kishte filluar në Kanada që prej vitit 2008, me mbështetjen e përfaqësuesve të Kongresit Polak të Kanadasë, ndonëse në bordin e drejtorëve për realizimin e këtij projekti thuhet se marrin pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera etnike nga Europa Lindore dhe Qendrore, e që tani jetojnë në Kanada.  Në darkën e të premtes që kaloi, me qëllim mbledhje fondesh për monumentin kushtuar viktimave të komunizmit në botë,  përveç Kryeministrit, morën pjesë edhe politikanë të tjerë të njohur të vendit, biznesmenë të dalluar kanadezë, si dhe përfaqësues diplomatikë nga vende të ndryshme të Europës -Lindore, të akredituar në Kanada.

Në fjalimin e tij mbi të këqijat e komunizmit, Kryeministri konservator i Kanadasë, Stephen Harper u tha të pranishëmve se Monumenti kushtuar viktimave të komunizmit,  “Do të nderojë për të gjitha kohërat, qindra miliona burra, gra e fëmijë, të cilët kanë vuajtur dhe që vazhdojnë të vuajnë nga tirania e komunizmit – do të nderojë ata që kanë mbijetuar nga ato vuajtje, si dhe te ata që fatkeqësisht, nuk i shpëtuan asaj tiranie.”

Udhëheqësi kanadez shtoi se: “Kanadaja ka nevojë për këtë monument.  Ne i jemi mirënjohës organizatës “Për nder të Lirisë” (Tribute to Liberty), e cila mori iniciativën për ndërtimin e këtij monumenti, e që na kujton emrat dhe tregimet e atyre, të cilët u vranë nga njëra prej murtajave ideologjike më vdekjeprurëse që ka njohur bota – murtaja e komunizmit.  Ky monument është një shenjë që përcakton rrugën tonë si komb në të ardhmen dhe i cili njëkohësisht do të ndihmojë që ne të sigurohemi se nuk do të devijojmë nga rruga e jonë e përcaktuar”, theksoi Kryeministri i Kanadasë, Stephen Harper.  Brezave të ardhshëm të kanadezëve,- tha Kryeministri Harper, duhet t’u kujtohet se liria dhe demokracia janë fituar me vuajtje e sakrifica.

Fjalimin e tij, Kryeministri kanadez e lidhi edhe me gjendjen aktuale në Europë, pikërisht me Presidentin rus Vladimir Putin dhe adhuruesit e tjerë të komunizmit. Ai shfaqi përkrahjen e vendit të tij për Ukrainën dhe shtoi se, “ekspansionizmi dhe militarizmi rus”, kërcënojnë sigurinë botërore.  Ai tha se: “E keqja paraqitet në shumë forma dhe duket sikur, herë pas here, e shpikë veten në trajta të ndryshme. Por sidoqë e keqja ta përcaktojë ideologjinë e vet –qoftë nacizëm, marksizëm-leninizëm, ose sot terrorizëm – të gjitha këto kanë një gjë të përbashkët: shkatërrimin e jetës dhe zhdukjen e lirive të njeriut”.

Ne, -tha udhëheqësi kandez,- e njohim mirë këtë shkatërrim.  Ne si kanadezë e ndiejmë me dhembje të madhe atë histori shkatërruese, sepse jo më pak se çereku i popullsisë së Kanadasë ishin robër të komunizmit, ose janë djem e vajza të atyre që ishin robëruar nga ideologjitë e regjimeve komuniste europiano-lindore”.  “Ata që kanë vuajtur të zezën e komunizmit”, -shtoi ai,- “kanë gjetur gjithmonë strehim në Kanada”.

Ndërsa kryetari i bordit të entit “Tribute to Liberty”, Ludvvik Klimkovvski, duke njoftuar se fituesi për ndërtimin e monumentit në Kanada, i cili do kushtojë 4 milionë dollarë për t’u ndërtuar, do të njoftohet në gusht, 2014 – tha se, “ishte krenar për mbështetjen që ka marrë nga donatorët, gjë që tregon se kanadezët nuk do të harrojnë vuajtjet e atyre që kanë jetuar në regjimet diktatoriale komuniste.”  Z. Klimkovvski tha me këtë rast se, “ne kemi të pakën dy gjenerata njerëzish që nuk dinë asgjë mbi komunizmin dhe krimet e atij sistemi”. Ndaj, -shtoi ai, -“Me këtë monument, fëmijët tuaj, nipat dhe mbesat tuaja nuk do të harrojnë kurrë viktimat e komunizmit.”.

Thuhet se Monumenti i Viktimave të Komunizmit  në kryeqytetin kanadez, Otava do të vendoset në një vend ideal për t’u parë nga të gjithë, jo larg nga ndërtesat e Parlamentit të vendit dhe të Gjykatës së Lartë.  Në njoftim thuhet gjithashtu se vendi ku do të vendoset monumenti kushtuar viktimave të komunizmit, është i rëndësishëm pasi do t’u kujtojë kanadezëve vlerën dhe  rëndësinë për të nderuar dhe për të kujtuar të gjitha viktimat e komunizmit kudo.  Thuhet se ky monument do të jetë një shenjë e gjallë, por edhe një paralajmërim kundër një ideologjie totalitare për të gjithë brezat e ardhshëm.

“Por mbi të gjitha,- tha Ministri i Punës i Kanadasë, Jason Kenney, -ky monument do t’u kujtojë, gjithashtu, të gjithë kanadezëve se glorifikimi i simboleve komuniste është një fyerje e kujtimit të këtyre viktimave dhe njëkohësisht u kujton qytetarëve të Kanadasë, vlerat themelore të vendit ku jetojnë”, shtoi ministri kanadez Jason Kenney.

Është ky një koment interesant i një ministri kanadez përballë dukurive të fundit të shpalosjes së portretit të Enver Hoxhës në disa ceremoni zyrtare në Shqipëri, të cilat shumë vërejtës i konsideruan si fyese ndaj viktimave të komunizmit në Shqipëri, veçanërisht pasi simbolet dhe portretet e diktatorit u shpalosën me njohurinë dhe miratimin e udhëheqësve më të lartë të vendit.  Siç duket për Shqipërinë e sotme është më e rëndësishme  që të shpalosen vlerat e regjimit komunist se sa të kujtohen mijëra viktimat e pafajshme të atij regjimi diktatorial.

 Ndërtimi i monumentit kushtuar viktimave të komunizmit në kryeqytetin Otava, ashtu siç theksuan edhe udhëheqësit më të lartë kanadezë, përveç se kujton viktimat, është njëkohësisht edhe një simbol i vlerave themelore njerëzore, në bazë të cilave jetojnë kanadezët, d.m.th, respekti për jetën njerëzore, për lirinë dhe demokracinë për të gjithë.  Fatkeqësisht, dukuritë e fundit në Shqipëri – vendi që ka vuajtur më së shumti nga komunizmi – të bindin se klasa politike e atij vendi, jo vetëm që nuk është shkëputur nga ajo e kaluar, që Kryeministri i Kanadasë e cilësoi si “ideologjia helmuese e komunizmit” të shekullit të kaluar, por po përpiqet me vepra ta ruaj e ta mbrojë atë të kaluar për qëllime të veta të ngushta politike dhe ekonomike, në kurriz të një populli shumë të vuajtur dhe që vazhdon të vuaj pasojat e atij regjimi.  Kryeministri kanadez,- tha se, -për Kanadanë Monumenti i viktimave të komunizmit në Otava,  është një shenjë që përcakton rrugën tonë si komb në të ardhmen dhe i cili njëkohësisht do të ndihmojë që ne të sigurohemi se nuk do të devijojmë nga rruga e jonë e përcaktuar”.  Cilën rrugë do të ndjekë kombi shqiptar, rrugën e vlerave bazë njerëzore të jetës së njeriut, të lirisë dhe demokracisë perëndimore, apo rrugën e përcaktuar gjysmë shekulli më parë nga një ish-diktator, pasojat e regjimit të të cilit shihen ende anë e mbanë vendit?  Nëse Kryeministri i Kanadasë u shpreh se, vendi i tij, i cili kurrë nuk u qeveris nga një regjim komunist ka nevojë për një monument të tillë, a nuk ka nevojë Shqipëria për një monument kushtuar viktimave të regjimit komunist të Enver Hoxhës, në këtë 15 -vjetor të përmbysjes së komunizmit?  Sa të ndryshme janë vlerat bazë njerëzore të Kanadasë nga ato të Shqipërisë! Sa larg është Shqipëria nga Kanadaja dhe jo vetëm gjeografikisht!