Frank SHKRELI/ Është e rrezikshme nostalgjia komuniste, në një demokraci të papjekur

679
Sigal

Duket se kohët e fundit në Shqipëri po frynë një erë e re nostalgjie për ish-regjimin komunist, ku politikanë, historianë dhe intelektualë, me vepra dhe me fjalë po përpiqen t’i imponojnë shoqërisë një rivlerësim të ri të regjimit komunist dhe të diktatorit Enver Hoxha.  Mjaft,- thonë ata,- është folur keq dhe boll është denoncuar regjimi komunist, tash 20 e ca vite. Ka ardhur koha, sipas tyre, të kthehet rrota e historisë, duke parë mbrapa! Me rastin e 29 Nëntorit, të vitit që kaloi, portreti i diktatorit Enver Hoxha ishte i pranishëm gjatë homazheve në Varrezat e Dëshmorëve të kombit, ku morën pjesë udhëheqësit më të lartë të shtetit dhe të qeverisë shqiptare. Mediat shqiptare njoftuan me atë rast se, portreti i Enver Hoxhës ishte vendosur aty në përputhje me protokollin dhe me dijeninë e plotë të zyrtarëve përgjegjës për atë ceremoni. Ndërsa pak ditë më parë, udhëheqës politikë dhe historianë, duke folur për rolin historik të 4 shkurtit, me rastin e 70-vjetorit të vrasjeve në Tiranë, kanë bërë thirrje për rivlerësimin e figurës së Enver Hoxhës, për të vendosur drejtësinë, sipas tyre, por pa dhënë asnjë vlerësim kritik të krimeve dhe dështimeve kolosale të regjimit komunist.  Zbulimi i së vërtetës mbi 4 shkurtin, si edhe i shumë ngjarjeve të tjera të gjysmë shekullit të kaluar, do të bëhet nga historianët e ardhshëm të Shqipërisë dhe nuk mund të imponohet nga ideologët dhe mësuesit e marksizëm-leninizmit dhe as nga politikano-historianët.  Për më tepër, debati mbi vendimin me konsensus të palëve dhe tani thirrjet nga disa, për çemërimin e rrugës “Ibrahim Rugova”, të kujton   termin përbuzës për një vend që vepron si ”republikë bananesh” -sot kështu, nesër ashtu- e që përshkruan një diktaturë servile, ose një vend që qeveriset si një ndërmarrje tregtare për përfitime dhe interesa private, politiko-partiake të përkohshme. Fatkeqësia është se, këto deklarata për rivlerësimin e rolit të Enver Hoxhës, nuk bëhen nga njerëz që mund të kenë vetëm një kuriozitet i një teme anësore historike, por bëhen nga pjesëtarët më të lartë të elitës politike dhe intelektuale të vendit, të cilët e kanë përjetuar atë sistem çnjerëzor, e të cilët i dinë mirë pasojat  e atij regjimi dhe si të tillë duke e ditur influencën e tyre politike dhe shoqërore, ata duhej të ishin më të ndërgjegjshëm moralisht dhe politikisht, kur bëjnë prononcime të tilla.

Me deklarata të tilla të papërgjegjshme, ata as nuk i shërbejnë së vërtetës historike as paqes dhe pajtimit kombëtar, për të cilin shqiptarët kanë aq shumë nevojë.  Nostalgjikët e komunizmit enverist, ndërsa bëjnë thirrje për rivlerësimin e Enver Hoxhës dhe regjimit të tij, ata nuk thonë asgjë, as nuk tregojnë asnjë mëshirë ndaj të ashtuquajturës “klasë e përmbysur”,  sikur të deklasuarit dhe armiqtë e përhershëm, siç quheshin ata, nuk kanë vuajtur mjaftë.  A ishin/a janë edhe këta shqiptarë?  Megjithëse, çdo gjë që bëhej kundër tyre nga regjimi komunist -përndjekjet, arrestimet, burgosjet, kampet e përqendrimit, ndarja e familjeve e tjera -bëheshin në emër të popullit, sikur këta të mos ishin pjesë e atij populli, as njerëz, lere më të konsiderohen si vëllezër e motra të një gjaku.  Por, e vërteta është se, ishin këta “armiq të popullit”, të cilët me punën e tyre ndërtuan “veprat e mëdha socialiste” me të cilat krenohej Enveri dhe regjimi komunist dhe me të cilat mburren edhe sot nostalgjikët e tij.  Ata të shkretët thanë kënetat, ndërtuan  rrugë, aeroporte dhe hekurudha dhe punuan në minierat e vendit.  Është e vështirë të merret me mend se si dikush mund të ketë vizione nostalgjie për një sistem që ka abuzuar në këtë mënyrë me të drejtat e qytetarëve të vet për pothuaj një gjysmë shekulli.   Megjithëse, kuptohen zhgënjimet që njerëzit në përgjithësi mund të kenë me zhvillimet politike dhe ekonomike pas përmbysjes së komunizmit, nostalgjia për ferrin komunist të Enver  Hoxhës nuk mund të jetë sot një alternative dhe me shprehje të tilla i bëhet një shërbim shumë i keq brezave të ardhshëm. A është e mundur se, krimet e njërit prej sistemeve më brutale të ish -botës komuniste po zhduken nga kujtesa kolektive në Shqipëri?

Kjo është një temë që duhet të debatohet seriozisht! Këta njerëz që flasin dhe shkruajnë në këtë mënyrë, a kanë me të vërtetë, vetëm vizione nostalgjike të gabuara, apo janë gjithnjë ideologë mbështetës të atij sistemi – apo është një elitë ish- komuniste e zemëruar që konsideron se ka humbur statusin dhe privilegjet e saj, megjithëse, shumë veta do të thonin se këta që flasin me mall për regjimin enverist, si dhe ata që heshtin ndaj deklaratave të tilla, janë e njëjta elitë politike dhe intelektuale, ose pinjollët e ish-elitës komuniste, ata që kanë udhëhequr Shqipërinë këto 20-vitet e fundit.  Një debat i tillë i sinqertë, është tepër i nevojshëm që vendi më në fund, të përballohet njëherë e mirë me të kaluarën komuniste të vendit, por më me rëndësi janë efektet, që kjo histori vazhdon të ketë në zhvillimet politike, shoqërore dhe ekonomike, tani dhe në të ardhmen. Është kjo një histori, trashëgimia e së cilës, meriton të denoncohet dhe jo të mbrohet, në qoftë se vendi dëshiron të shkojë përpara dhe të integrohet në Europën e bashkuar.

Udhëheqësi rus,Vladimir Putin ka thënë se, e konsideron përmbysjen e komunizmit në ish- Bashkimin Sovjetik, si: “Tragjedinë më të madhe gjeopolitike të shekullit të 20”-të. Pasi ai ka siguruar tanimë se do të qëndrojë në krye të pushtetit në Kremlin për jetë, ai me përpjekjet e tija politike, diplomatike dhe ushtarake është duke bërë ç’mos për të ringjallur, në mos në emër, atëherë në fakt, ish-Bashkimin Sovjetik.  Vallë mos mendojnë kështu edhe nostalgjikët e regjimit komunist në Shqipëri?  Njëzet e ca vjet më parë, shqiptarët i thanë jo komunizmit, duke shprehur dëshirën e tyre për liri e demokraci dhe për një jetë më të mirë, madje, duke rrezikuar edhe jetën, në përpjekjet e tyre për të përmbysur një tirani që e kishte kthyer Shqipërinë në një burg në midis të Europës, duke mos lejuar askënd të hynte as të dilte. Shqiptarët e rrëzuan murin e tyre të Berlinit.  Kjo revoltë ishte një alternativë e qartë që shqiptarët kishin zgjedhur më shumë se dy dekada më parë, duke u përcaktuar qartë dhe me vendosmëri për fitoren e së mirës mbi të keqen.

 Prandaj, deklaratat e elitës politike dhe intelektuale, të kohëve të fundit, për rivlerësimin e rolit të Enver Hoxhës, si dhe vendosja e portretit të diktatorit në një ceremoni zyrtare nëntorin që kaloi dhe heshtja, në përgjithësi, ndaj këtyre fenomeneve në shoqërinë shqiptare 20 e ca vjet pas përmbysjes së regjimit komunist, venë në dukje një dështim të përgjithshëm moral dhe politik për t’u përballuar me të keqen dhe për t’u marrë me trajtimin e drejtë të historisë.  Por për më tepër, në fakt, këto fenomene, që në të vërtetë nuk janë të reja, të bëjnë të dyshosh nëse, siç ka thënë edhe Ismail Kadare: “Muri i mbrojtjes së solidaritetit të së keqes, po ngrihet”, në Shqipëri. Ngritja e një muri të ri në mbrojtje të së keqes, do të ishte tepër e rrezikshme për një vend që ende cilësohet nga organizatat ndërkombëtare i të drejtave të njeriut si pjesërisht i lirë dhe si një demokraci e papjekur.  Shqipëria dhe kombi shqiptar meritojnë më shumë përgjegjësi morale dhe politike se kaq, nga udhëheqësit dhe nga elita intelektuale dhe politike e sotme!