Frank SHKRELI/Ernest Koliqi –110 vjetori i lindjes

725
Sigal

110 vjet më parë, më 20 Maj, 1903 lindi në Shkodër Ernest Koliqi. Unë kam pas fatin e mirë ta njoh Profesor Koliqin gjatë qëndrimit tim si refugjat në Romë, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E kujtoj si një njeri të thjeshtë dhe tepër të afrueshëm me gjithkënd. Por mbi të gjitha, ai ishte një gjigant i letërsisë dhe i kulturës shqiptare me merita të konsiderueshme.

 Përveç meritave të mëdha në nivelin kulturor dhe gjuhësor, një kontribut i rëndësishëm kombëtar i mohuar  i Ernest Koliqit, ose për të cilin flitet shumë pak, ose aspak, është hapja e shkollave të para në gjuhën shqipe në Kosovë, nën drejtimin e tij si ministër, kur Kosova u bashkua me Shqipërinë gjatë luftës — ndërkohë që shkollat shqipe ishin të ndaluara nga okupatorët serbë. Ai ndihmoi gjithashtu edhe në sigurimin e bursave për studentë shqiptarë nga Kosova për trajnimin e tyre në Itali dhe Austri. Meritat e Ernest Koliqit, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore janë të mëdha, por fatkeqësisht gjatë periudhës së regjimit komunist të diktatorit Enver Hoxha, ndonëse edhe sot, Ernest Koliqi vazhdon të gjykohet për aktivitetin e tij të shkurtër politik dhe jo të vlerësohet për kontributet e tij monumentale ndaj letërsisë, kulturës dhe gjuhës shqipe në përgjithësi.

 E vërteta, unë nuk e ndjej veten as të aftë dhe as të denjë të shkruaj për këtë personalitet të madh të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Por nuk mund duroj  pa e kujtuar atë me rastin e këtij 110 vjetori të lindjes së tij, pasi kisha fatin ta njihja në rininë time.    Megjithëse  kur e kam njohur në fillim të 70-ave, ai ishte në moshë të shkuar,  Ernest Koliqin e mbaj mend dhe e kujtoj si njeri të palodhshëm dhe të papërkulshëm ndaj sfidave dhe vështirësive, dhe  gjithmonë të qeshur. Ishte themelues dhe pronar i revistës së famshme ”Shëjzat”, një ndërmarrje kjo që ai e vazhdoi së botuari deri në momentin e fundit të jetës. Revista ”Shëjzat”, në të vërtetë, ishte një pasqyrim i talentit të tij, i dashurisë për letrat shqipe dhe i atdhedashurisë, por njëkohësisht  ishte edhe simbol i aftësisë së tij për të mbledhur rreth vetes bashkëpunëtorë e shkrimtarë, të cilët si edhe vet Koliqi,  ia donin të mirën kombit shqiptar. Ernest Koliqi, duke besuar në fjalën e urtë, ”trimi i mirë me shokë shumë”, rreth ”Shëjzave”, mblodhi një numër të madh shkrimtarësh dhe eksponentësh të kulturës dhe gjuhës shqipe në mërgim, të cilët për kontributet e tyre nuk kërkonin asnjë shpërblim, por që për objektiv kishin vetëm e vetëm përkushtimin e tyre ndaj çështjes kombëtare. Ata ishin, ajka, indyra e shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë në mërgim, të cilët i shkuan pas këtij burri të madh të letrave shqipe.

 Karl Gurakuqi, njëri prej bashkëpunëtorëve dhe njohësve më të mirë dhe bashkëkohës i Ernest Koliqit, duke iu referuar bashkëpunimit të gjerë të intelektualëve me revistën “Shëjzat” e Koliqit, ka shkruar se ”Nuk ka ngja  ndonji  herë në shtypin tonë, qoftë mbrenda në Shqipni, qoftë jashtë Atdheut, që një revistë të ketë pasë nji numër kaq të madh bashkpuntorësh.” Karl Gurakuqi vazhdon me vlerësimin e tij se, “Këjo don të thotë se për Koliqin ushqehet nji nderim i posaçëm; emëni i Tij me veprat e çmueshme e të shumta ka ba që secili e ka pasë për nder me e vu nën flamur të Tij dhe bashkë me te, me u përpjekë të mbajnë gjallë flakën e dashunisë së kombit e të gjuhës shqipe.”

 Këtë flakë dashurie për gjuhën dhe kombin shqiptar, Ernest Koliqi e ka shprehur në të gjithë veprat e tij, por sidomos  në kryeartikujt e revistës “Shëjzat”, shumë prej të cilave kam patur fatin t’i lexoj, mendime të cilat, megjithëse të shkruara më shumë se një gjysmë shekulli më parë, mbeten edhe sot aktuale.   Në ato komente, lexuesi dallon qartë  ndjesitë e tij atdhetare.   Në shkrimet e tij, sipas vetë autorit, askush “Nuk gjenë në to asnji rresht që mos të naltësojë fisnikinë e kombit, ose që të cenojë nderin dhe idealet e gjindes arbnore.”

 Në një koment në “Shëjzat” e vitit 1971 të  titulluar, “Njerëzija”,  Profesor Ernest Koliqi shkruan se  me mburrje  shqiptohet fjala demokraci, nga ata që ndoshta as nuk dinë prejardhjen e saj etimologjike, ose nga ata politikanë që, sipas At Gjergj Fishtës, “venë kapelë në krye e lidhin kravatë në fyt.”   Demokracia e  vërtetë  sipas Ernest Koliqit  nuk është “Pështjellim idesh dhe panjerzi sjelljesh”, por ajo ,“Lypë harmonizim vullnetesh e qellimesh nepërmjet bisedimesh të lira e të kthiellta.  Rrahen çashtjet  mirë e mirë, mandej fiton davanë shumica. Ndër ne Shqiptarët, përkundrazi, t’ashtuquejtunit demokratë duen të shtërngojnë (detyrojnë) të madh e të vogël me iu nënshtrue — arsye e pa arsye — mendimeve e qellimeve të tyne, madje edhe kur ndodhen në pakicë…….Secili grup ngujohet në  kullë të ideve të veta. S’ka vend për shoshitje të kthiellta mendimesh. Kush nuk ndodhet ipërfshim në një gji të grupit, ashtë anmik,njeri i urrejtshëm që duhet asgjësue, po qe e mundun, ose me e shnderue me akuza e shpifje shnjerzuese.”

 Në një editorial  tjetër, “Politika dhe Kultura”, të vitit 1965, duke shkruar për  atdhedashurinë thotë:“Animirë, si mundet t’i thotë vetes “atdhetar”, ai bir Shqipje, që për arsye shkalle shoqnore, ja rrjedhimi shtëpijak, ja feje ja krahine, e shikon shtrembët dhe  e mëninë bashkëgjaksin (bashkombasin) e vet a thue se Shqipnija nuk ashtë çerdhe e përbashkët, por llogor ku fati na dënon me kalue jetën? Pra, vetija e parë e një atdhetari qindron në dashuni për vëllaznit e  një gjaku e të një gjuhe.  Mos e mënijë atë edhe nëqoftse nuk të pëlqen…..po qe më i shkolluem ndriçoje, po qe ma i pasun ndihmoje….Tue përbuzun bashkombasin, cili do të jetë ai, dhe pa asnji bazë themelore, ti mohon mundësinë e bashkjetesës kombtare, vërteton fjalët e të huejve që s’na duen,  e të cilët trumbetojnë se Shqiptaët s’janë të zotët t’i krijojnë vetes nji atdhe.”

 Duke komentuar për kulturën politike të kohës, por që pasqyron edhe gjendjen aktuale të politikës shqiptare, ai thotë se“veprimtaria politike e cila nuk ndiçohet prej kulturës  nuk ashtë gja tjetër veçse nji lojë kote, që argëton ndoshta ata që e lozin, por pengon ecjen e kombit mbi udhën fatale të historisë.”

Në një koment tjetër në “Shëjzat” e vitit 1969,  Profesor Ernest Koliqi shkruan se, “Shqiptarët, pleq e të rij qofshin, ndër lëvizje turbulluese ideologjike, duhet të përpiqen me sjellë ujin në mulli të atdheut, tue u frymëzue nga mendime e idena shqiptare dhe jo prej atyne të marra nga të huajtë të cilët duen të ndreqin puntë e veta, e  me zi ç’pressin të gjëjnë torollakë që ua a ngjesin falas dorën.’’

Dhe një kryeartikull drejtuar një të riu letrar, në një numër të  Shëjzave të vitit 1970, Ernest Koliqi këshillon të rinjtë se si të gjitha kombet e tjera, edhe kombi shqiptar  duhet t’i përshtatet  zhvillimeve shoqërore të njerëzimit dhe t’u bashkohet dialogjeve me përfaqësues qytetërimesh dhe kulturash të ndryshme, por  ai thekson rëndësinë e besnikërisë ndaj traditave dhe kulturës shqiptare në rend të parë, duke thënë:  “Brigjet e Atdheut tonë të adhuruem njomen nga valet e kaltëra të Mesdheut, ku lulzuan besimet e qytetnimit që përfaqsohen në gjinden arbnore. Ashtë vetvrasje përpjekja me tha langjet ushqyese të qytetnimeve mesdhetare  në rrajët e thella të kombësisë.  Pranverat e reja të shqiptarizmit, prej atyne langjeve  do të bijnë e do të hapen në mbrekulli gjethesh e lulesh.  Vepra artidalë nga mendja e zemra e Shqiptarit  duhet të depërtohen nga fryma, nga ersimi i tokës s’onë, e të vrumulisin me fuqinë e humus-it të shqiptarizmit, humus ky i grumbulluem në shpirt e në gjak të fisit shqiptar gjatë mija vjetësh. “

Fjalët, veprat dhe shkrimet e Profesor Ernest Koliqit kanë qenë dhe janë visare të çmueshme dhe gjithnjë aktuale për kombin shqiptar.  Duke lexuar shkrimet e tij, të shfaqet pasqyra e pastër e  patriotizmit dhe atdhedashurisë së tij, por edhe e shqetësimeve të tij të zemrës si një atdhetar, poet e shkrimtar, që vdiq në mërgim, i përbuzur   dhe larg rrethit të familjes.

 Le të shërbejë ky përvjetor, që më në fund, sipas akademikut dhe ekspertit të letërsisë shqiptare,  kanadezit, Robert Elsie që , “Kritikët  modernë në Shqipëri, të cilët vetë kanë mbijetuar Stalinizmin gjysmë shekullor, të jenë më të kuptueshëm, më të arsyeshëm dhe më sensitivë ndaj kompromiseve,  që shpeshherë shkrimtarët dhe intelektualët janë detyruar të bëjnë nën urdhrat e regjimeve ekstreme. Si figurë letrare dhe kulturore, Ernest Koliqi ishte dhe mbetet një gjigant”, thotë Profesor Robert Elsie, në një shkrim për Ernest Koliqin.