Frank Shkreli: Deri kur më kështu me shqiptarët nën Mal të Zi

668
*Nga Frank SHKRELI
Të enjten me 25 maj në Bruksel, takohen kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të NATO-s. Në një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës Perëndimore, Jens Stoltenberg të mërkurën thuhet se takimi i Brukselit do të jetë i shkurtër por i rëndësishëm, pasi do të mbledhë udhëheqësit e 28-vendeve aleate. Takimi i udhëheqësve të Aleancës, do të dërgojë një mesazh të fortë uniteti dhe solidariteti, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Në njoftimin e NATO-s për media, thuhet se Kryeministri Markoviç i Malit të Zi do t’u bashkohet udhëheqësve aleatë të NATO-s, ndërkohë që parlamentet e të gjithë 28 vendeve anëtare të aleancës perëndimore e kanë miratuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Në njoftim thuhet gjithashtu se, “Ky është një hap përpara për Malin e Zi, për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor si dhe për vizionin tonë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe. Presim me kënaqësi që me 29 qershor Mali i Zi të bëhet zyrtarisht anëtari i 29-të i Aleancës, NATO”, tha për gazetarët, Jens Stoltenberg.
Nga kryeqendra e Aleancës Perëndimore në Bruksel, le të kthehemi tek realiteti politik në Ballkan, pikërisht në Malin e Zi dhe gjendjen e shqiptarëve atje, në një vend që muajin që vjen bëhet anëtari i 29-të e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO. 
Ndërkaq në këtë atmosferë euforizmi për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, është e pamundur që të mos na tërheqin vëmendjen disa zhvillime të kohëve të fundit në Mal të Zi, pikërisht për sa u përket shqiptarëve autoktonë në trojet e veta shekullore, në atë shtet. Portali Ulqinionline ka njoftuar ditët e fundit disa reagime të medias malazeze në lidhje me disa veprimtari krejtësisht të pafajshme nga pjesëtarë të komunitetit shqiptar në rrethin e Ulqinit: njëra ka të bëjë me një ndeshje sportive, ku u shpalos flamuri shqiptar dhe tjetra ka të bëjë me një ekskursion që bëhet çdo vjet në Malin e Rumisë. Janë këto dy ngjarje të kohëve të fundit që prekin të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, e të cilat janë bërë temë shkrimesh e diskutimesh në median malazeze. Reagime të tilla, nuk i kanë hije një medieje të një vendi që së shpejti do bëhet zyrtarisht anëtar i NATOs dhe njëkohësisht nuk i sjellin nder që nuk e bëjnë krenare qeverinë dhe as shtetin malazias, se në prag të anëtarësimit në NATO, mediat e saj deklarojnë se valëvitja e flamurit shqiptar në një ndeshje futbolli dhe një ekskursion ose një piknik pranveror në majë të Rumisë, janë ngjarje që destabilizojnë vendin. Sipas disa mediave malazeze, flamuri shqiptar pranë të cilit së shpejti do të valëvitet edhe flamuri malazez në kryeqendrën e NATO-s në Bruksel, na qenka shenjë destabiliteti për Malin e Zi! 
Edhe ky grup bjeshkatarësh nga trojet shqiptare Kraja, Ulqini, Tivari, Ana e Malit e Tuzi, në majë të Rumisë, duken shumë të rrezikshëm për stabilitetin e Malit të Zi!?
Sipas Ulqinionline dy të përditshmet malazeze, Dan edhe Vijesti, si kryelajm kanë vendosur aktivitetin e shqiptarëve në Rumi, por duke i dhënë kahe krejtësisht tjetër nga realiteti. Është e çuditshme, se si një piknik i shqiptarëve dhe i etnive tjera zë vend në faqet e para të gazetave më të mëdha në Podgoricë, duke paralajmëruar se një aktivitet i tillë “kamping”-u, që mbahet çdo vjet – pra, nuk ka gjë ndryshe as sivjet — kërcënon sigurinë e shtetit malazias. Sipas portalit Ulqinionline, fotografi me thikë dhe sopatë në duar, të domosdoshme për kamping, kanë qenë të mjaftueshme që mediat serbe, konkretisht portali me emrin IN4S, të zbulojë “skandalin” e radhës. “Shqiptarë me uniforma dhe të armatosur, okupojnë Ruminë në Ditën e pavarësisë së Malit të Zi”, ishte titulli i këtij portali rreth daljes së përvitshme të qytetareve të viseve shqiptare e më gjerë në majë të Rumisë. Portali malazias ankohet se, pse nuk kanë reaguar autoritetet shtetërore ndaj këtij skandali të shqiptarëve dhe rrezikut që paraqesin ata për stabilitetin e Malit të Zi.
Rasti tjetër për të cilin u dha alarmi ishte një ndeshje futbolli në Ulqin, ku tifozët vendas kishin shpalosur Flamurin Shqiptar. Për këtë “shkelje të rëndë të rendit dhe qetësisë në vend, njoftohet se, komisioni për gara pranë Federatës Malazeze të futbollit, para disa ditësh ka filluar procedurat disiplinore kundër skuadrës së futbollit, “Otrant Olimpik” nga Ulqini për shkak të organizimit të dobët, sipas saj, të ndeshjes së javës së kaluar kundër ekipit të Ibrit nga Rozhaja. Media ulqinake njofton se “organizimi i dobët”, sipas këtij Komisioni, kishte të bënte edhe “me shpalosjen e flamurit shqiptar në shkallët e stadiumit gjatë ndeshjes së skuadrave, Otrant – Ibër. Klubi ulqinak madje është dënuar me qindra euro dhe masa të tjera disiplinore për “organizimin e dobët” të ndeshjes. Njoftohet se personi që ka shpalosur flamurin shqiptar, Shpëtim Osmani të jetë ftuar nga Dega e Punëve të Brendshme në Ulqin për një “bisedë informative”, sepse ky zotëria, duke shpalosur Flamurin Shqiptar në stadium, na paska shkelur rendin publik dhe paska prishur qetësinë. E vetmja gjë pozitive nga gjithë ky mes është njoftimi, se skuadra e Ulqinit ka shënuar, sipas medias vendase, fitoren më të mirë dhe më të rëndësishme të këtij viti. 
Kujdes: Shpalosja e Flamurit Shqiptar në një ndeshje sportive destabilizon Malin e Zi e ndoshta edhe Ballkanin, sipas medias malazeze! 
Këto ngjarje kanë shkaktuar, me të drejtë revoltim dhe shqetësim në radhët e shqiptarëve në Mal të Zi. Është e pabesueshme se shpalosja e një flamuri, cilitdo flamur dhe e cilitdo vend, në një ndeshje sportive, të konsiderohet si një akt armiqësor që destabilizon situatën dhe prish qetësinë në një vend, si Mali i Zi, në prag të anëtarësimit në NATO. Për më tepër, kur flamuri që shpaloset në territorin e tij nga qytetarë të tij në trojet e veta shekullore, i përket gjithashtu një vendi anëtar të NATO-s, Republikës së Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve kudo. Komentet në portalet vendase dënojnë këto akte si të turpshme për shtetin malazias që toleron gjëra të tilla, por kritikave nuk u shpëton as klasa politike shqiptare në Mal të Zi, e cila, sipas medias vendase nuk kanë reaguar ndaj këtyre masave anti-shqiptare dhe as nuk kanë kritikuar median malazeze, e cila me shkrimet e saja acaron marrëdhëniet ndër-etnike në Mal të Zi, me përjashtim të subjektit politik Ura, raporton portali Ulqinionline. Mungesa e reagimit të subjektit shqiptar në Mal të Zi, ndaj këtyre dukurive, përfshirë edhe aktivitetet e përfaqësuesve të Kishës Ortodokse serbe në fshatin Martinaj të Palëv Gucisë, është në vetvete një skandal. Skandal, mbi skandal!
Duke reaguar ndaj këtyre dukurive, Asdren Çelaj, Kryetar i Klubit të Këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve – Guci, në një shkrim të kohëve të fundit u drejtohet subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi, duke u bërë thirrje: “Folni burra nga një fjalë se nuk bahet kijameti, mos u frikësoni, nëse asgjë më tepër nuk mund të bëni, të paktën folni, sepse nuk keni arritur në ato pozita me votat e Cetinjes, por me votën e popullit shqiptar, me votën e popullit tuaj! Shqiptarët nën Mal të Zi nuk kanë flamur tjetër, përveç shqiponjës dykrenëshe, nuk kanë vend tjetër, pos tokave të tyre autoktone, e nuk mund të ikim e as do të ikim nga trojet tona, sado që ky shtet të përdor masa shtrëngimi të tilla si rastet i fundit!
Për derisa shqiptarët vazhdojnë të ndjehen si të huaj në shtëpinë vet, as Mali i Zi dhe as Ballkani nuk do të ketë paqe e stabilitet. Nuk është shpalosja e Flamurit Shqiptar në një ndeshje sportive, që është diçka krejt normale në mbarë botën, ajo që destabilizon Malin e Zi. Por janë masa të ndërmarra nga Podgorica zyrtare ndaj shqiptarëve autoktonë duke u mohuar të drejtat etnike dhe identitetin e tyre kombëtar – ato që destabilizojnë Malin e Zi dhe jo ushtrimi i të drejtave bazë të njeriut nga ana e shqiptarëve të Ulqinit, të drejta këto të njohura nga të gjitha konventat ndërkombëtare mbi të drejtat bazë të njeriut. Sjelljet e Podgoricës nuk janë të denja për një vend anëtar të NATO-s.

*Ish Drejtori i VOA- s për EuroAzinë
Sigal