Feride PAPLEKA/Franca, rruga e mundimshme drejt modernitetit

658
Sigal

Pranvera e frankofonisë

Të shkruash për një vend si Franca që ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm në historinë botërore me vlerat demokratike, laike dhe republikane në një shkrim apo edhe në disa shkrime, është një mision thuajse i pamundur. Me flamurin e saj trengjyrësh: i bardhë, i kuq e blu, me regjimin e saj parlamentar që ka si kryefjalë shprehjen: Liri, Barazi, Vëllazëri, me parimin: qeverisje e popullit, nga populli dhe për popullin, dhe me himnin kombëtar Marsejeza, ajo ka krijuar një identitet të patjetërsueshëm. Franca është sot një nga aktorët e rëndësishëm të konstruksionit historik Bashkimi Europian dhe një nga pesë vendet e përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Më 2011 ajo ishte vendi i pestë për prodhimin e brendshëm bruto në botë dhe klasifikohet si një nga vendet e para botërore në sektorët e ushqimit, aeronautikës, automobilit, produkteve të luksit, e të turizmit. Sipërfaqja e Francës metropolitane është 552 000 km2, dhe duke i bashkuar edhe tokat përtej detit, sipërfaqja e përgjithshme e saj arrin në 675 000 km2, duke zënë kështu vendin e parë në Bashkimin Europian. Me larminë e peizazhit: pllaja, fusha, lugina, male, bregdet dhe pyje (ajo është vendi më i pyllëzuar i Europës me 28% të sipërfaqes kombëtare) si dhe me klimën tipologjike të ndryshueshme nga veriu në jug, apo Përtej Detit  (Outre-mer), ajo mbahet si një nga vendet më të begata të Europës. Popullsia e saj arrin në rreth 66 milionë banorë, sipas statistikave të këtij viti. Si një unitet me trashëgimi të pasur Franca është një vend ku historia, kultura dhe gjuha letrare e përbashkët simbolizojnë modernitetin e jetës në kuptimin më të vërtetë të kësaj fjale.

PAK HISTORI

Emri Francë rrjedh nga emri i një popullate gjermanike, Frankët (Francs), të cilët në shekullin III u dyndën në një pjesë të territorit të Francës së sotme. Emri zyrtar rex Franciae (mbret i Francës), u përdor më 1190 nga kancelaria e mbretit Filip Ogust (Philippe Auguste) për të treguar një territor të përcaktuar, ashtu si paraqitet te poema epike Kënga e Rolandit. Ai u pasua nga emri përmbledhës Francie occidentale (Franca perëndimore) që tregonte pjesën perëndimore të dinastisë karolënzhiene. Në vitin 1205, territori i Francës paraqitet në hartë me emrin regnum Franciae, domethënë mbretëria e Francës.

Por prania njerëzore në territorin e sotëm francez është fort e hershme. Gjurmët më të lashta datojnë rreth 1 800 000 vjet më parë. Në Francë janë zbuluar disa shpella të lashta, njëra nga të cilat, më e famshmja është ajo në Lasko (Lascaux), që daton 17 000 vjet më parë, njëra nga më të rëndësishmet, e zbukuruar me vizatime të shumta dhe me cilësi estetike. Rreth 10 000 vjet para erës sonë, nga fundi i epokës akullnajore klima u zbut. Grupeve që ishin ngulitur që në periudhën e parë të erës së Gurit të Vjetër (Paleolitit)  dhe Gurit të Ri (Neolitit), iu shtuan që në mijëvjeçarin e parë vërshime të njëpasnjëshme popullatash të përbëra kryesisht nga Keltët, e pastaj nga Visigotët, Alamanët, Ostrogotët etj. Qytetërimi i Golës (Gaule) antike njohu një periudhë lulëzimi sidomos në vitet 300 deri në vitet 50 para erës sonë, atëherë kur perandori romak Jul Qezar (Jules Cesar) më në fund e pushtoi. Ai e kishte kërcënuar Golën disa herë që në vitin 58 para erës së sonë. Lufta ishte e gjatë dhe vrastare dhe në janar  të vitit 52 para erës sonë me ardhjen në pushtet të Versëzhetoriks (Vercingetorix), poullata u ngrit në një revoltë të përgjithshme  kundër ushtrisë romake. Rrethimet, djegiet e zonave të banuara, si dhe vrasjet në masë, mbyllen me fitoren romake. Heroi goluaz, Vercingetorix, ia dorëzon armët e veta Jul Qezarit kur sheh se luftëtarët e tij po vdesin një nga një të rrethuar dhe pa ushqime. Ai u helmohet po atë vit në një nga burgjet e Romës. Në vitin 50 para erës sonë Jul Qezari lë Golën, merr me vete disa luftëtarë goluazë dhe u deklaron qyteteve autonmi. Perandoria romake  në shekullin III nis të lëkundet nga dyndjet franke e të popujve të tjerë gjermanikë, si Vandalët, Suevët, Alanët e etj. Dhe në shekullin V ajo shkatërrohet përfundimisht. Më 506 Clovis dekreton Parisin si kryeqytet të mbretërisë. Në vitin 800 Charlemange (Charles Le  Grand, Carolus Magnus), kurorëzohet perandor i Perëndimit dhe hedh idenë e arteve të lira në edukim. Sipas studimeve të dokumentuara Pallati i tij zhvillon një veprimtari intelektuale dhe artistike të nivelit të lartë. Duken shenjat e para të funksionit publik të organizuar me të dërguarit e perandorit (missi dominici). Në shekujt IX e X kemi sërish dyndje: myslimane, Vikinge dhe Hungareze. Shoqëria ndryshon pamje.

Në fillim të mijëvjeçarit të dytë monarkia kapetiane me mbretin Hugo Capet (Hygo Kapet) arrin bashkimin territorial të mbretërisë. Mesjeta karakterizohet nga shumë episode dhe ngjarje të rëndësishme që zënë një vend qendror në historinë e formimit dhe ripërtëritjes së Francës. Në shekullin XIV kriza e luftës Njëqind Vjeçare, kundër Anglezëve e dëmton shumë vendin. Del në skenën e historisë Jeanne d’Arc, e quajtur Virgjëresha e Orleanit.

Më 1515 mbretërimi i François I dhe i të birit Henri II dallohet nga forcimi i pushtetit mbretëror që priret të bëhet absolut. Por uniteti i Francës rreth mbretit tronditet nga problemi fetar. Nisin luftërat mes katolikëve dhe kalvinistëve. Më 1598, me urdhëresën e Nantës, mbreti Henri IV  jep një  liri të pjesshme për kultin protestant.

Shekujt XVII dhe XVIII shënojnë moshën klasike të qytetërimit francez. Teoria e monarkisë absolute zë rrënjë si metodë zotëruese e pushtetit. Drejtësia bëhet një mjet i fuqishëm për bashkimin e mëtejshëm të vendit. Ligji parisian priret të bëhet e drejtë e përbashkët. Shekulli i madh i artë, shekulli XVII sjell lulëzimin e arteve dhe të jetës mondane. Mbretër janë në fillim Louis XIII dhe pastaj Louis XIV. Louis XIII më 1610 dhe ministrat e tij Richelieu dhe Mazarin i bëjnë ballë pushtetit princëror krahinor. Në të njëjtën kohë Franca siguron disa fitore dhe nis të formojë perandorinë koloniale. Qeverisja e Louis XIV dallohet për centralizimin e skajshëm të pushtetit. Megjithatë, mbretërimi i Louis XIV është i shkëlqyer në planin kulturor. Shfaqen filozofët e parë që i japin emrin kohës së quajtur  Shekulli i Dritave me Voltaire, Rousseau, Montesquieu, Diderot dhe D’Alembert.

17 qershori i vitit 1789 përbën bashkimin e parë politik të deklaruar tashmë nga populli francez. Ai mbahet si akti i lindjes së shtetit të sotëm. Më 4 gusht 1789 Asambleja Kombëtare Kushtetuese dekreton heqjen e privilegjeve të mbretit dhe më 26 gusht ajo shpall Deklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit. Kjo deklaratë që nis me nenin e famshëm se „ Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në të drejta“, krijon mundësi për sigurimin e unitetit, për drejtësinë, për barazinë në të drejta, duke përfshirë edhe hebrenjtë e protestantët. Redaktimi i Kodit, ndarja administrative, riorganizimi i shoqërisë, mbledhja e taksave, qeverisja e problemeve publike në plan kombëtar, janë iniciativa me të ardhme të shkëlqyer. Republika shpallet në shtator 1792 dhe mbretit Louis XVI i pritet koka më21 janar 1793 (i akuzuar për tradhti). Franca revolucionare vendos monarkinë parlamentare, por hyn në një epokë luftërash dhe ekzekutimesh. Qeveria revolucionare e Robespierre që kërkon të përforcohet Terrori atëherë kur situata nuk e justifikon, bie më 27 korrik 1794. Të nesërmen ai ekzekutohet.  Më 1795 vendoset Direktorati. Më 1799 në skenën e historisë franceze shfaqet gjenerali Napoleon Bonapart që forcon centralizimin administrativ me emërimin e prefektëve dhe kryetarëve të bashkive në rajone, krijon Bankën e Francës, nxjerr Kodin Civil, që ishte si projekt që më 1789. Por me N. Bonaparte Franca është në luftë pa ndërprerje për krijimin e një perandorie kontinentale që lind si ide pas fitoreve të njëpasnjëshme të ushtrive napoloniane deri më 1810. Tatëpjeta e perandorit që shënohet me një dorëheqje të përkohshme nga froni dhe me kthim të shkurtër në pushtet, do të bëhet e fortë me humbjen e madhe në Vaterlo më 1815. Pas kësaj kemi një periudhë të gjatë Restoracioni.

Në përvojën e dytë me monarki kushtetuese, mbretërit Louis XVIII dhe Charjes X vënë në diskutim ato që ishin arritur gjatë Revolucionit. Më 1830 dhe 1848 zhvillohen revolucionet e tjera me kërkesa politike dhe sociale.

Republika e tretë lind në kushte të vështira. Më26 mars 1871 vendoset Komuna e Parisit që zgjat 70 ditë. Më21 maj 1871 trupat qeveritare që ishin mposhtur nga komunarët e rimarrin veten dhe nisen nga Versaja për të pushtuar Parisin. Komunarët luftojnë të dëshpëruar dhe iu vënë flakën disa monumenteve si pallati i Tuilërive dhe Bashkisë për të vonuar ardhjen e trupave. Pas ekzekutimit të kryepeshkopit të Parisit nga Tier, por që iu hodh komunarëve (për këtë ka shkruar edhe Karl Marks), rënia e Komunës bëhet një realitet tragjik. Paskomuna mbetet si një ndër periudhat më të përgjakshme në historinë e Francës.

Më 1881 vendosen votimet e përgjithshme, hiqet skllavëria  në koloni dhe dënimi me vdekje për arsye politike. Republika e tretë e gjatë si kohë, vë në jetë projektin politik republikan për arsimin falas (për të cilin ka propozuar Danton që në kohën e qeverisë revolucionare), laik dhe të detyrueshëm dhe një vit më vonë, më 1882 liritë e shtypit dhe të grumbullimeve, më 1884 vendoset e drejta e divorcit dhe e sindikatave. Më 1905 Kisha ndahet nga shteti.

Nga Lufta e Parë Botërore Franca del me një milion e katërqindmijë viktima. Pas luftës ekonomia e merr sërish veten, por kriza ekonomike e viteve 1930 e ngadalëson atë. Kriza politike sjell në pushtet më 1936 Frontin Popullor që ngjall shpresa te masat e gjera, të  cilat kërkojnë deklarimin për luftë kundër Hitlerit që ka nisur Luftën e Dytë. Franca i shpall luftë Gjermanisë më 3 shtator 1939. Më 10 maj 1940 pjesa verilindore e saj pushtohet nga ushtritë hitleriane. Fjalët janë tepër të dobëta për të përshkruar gjendjen shpirtërore të francezëve dhe të pjesës tjetër të botës nga kjo shembje e papritur e idealeve të lirisë. Marshalli Petain shpall armëpushim dhe fiton pushtet të plotë më 10 korrik 1940, duke firmosur kështu edhe fundin e republikës së Tretë dhe lindjen e një regjimi që do të ndjekë një politikë konservatore, tradicionaliste dhe antisemite. Ai do të bashkëpunojë me Rajhun e Tretë hitlerian, megjithë veprimet e forta të Rezistencës brenda dhe jashtë vendit. Gjenerali De Gaule i kundërvihet këtij armëpushimi dhe një ditë më vonë më 18 qershor lëshon thirrjen drejtuar popullit francez për një Francë të lirë, nga Londra, përmes radios BBC. Zbarkimi i aleatëve më 6 qershor 1944 në Normandi sjell fundin e pushtimit nazist dhe fillimin e Çlirimit të Europës e të Francës.

Pas Çlirimit nis një periudhë e re për Francën. Sipas projektit të Kushtetutës së re, krijohet Sigurimi social e shëndetësor, e drejta e votës për gruan etj. Franca zgjedh kampin perëndimor në Luftën e Ftohtë, nis çkolonizimin e Azisë dhe Afrikës dhe merr pjesë në fillimet e ndërtimit europian. Rindërtimi dhe modernizimi i saj, zhvillimi i kulturës, letërsisë dhe arteve bëhen përmes një rritjeje ekonomike dhe procesi të përsosjes së shoqërisë. Demokracia e saj liberale mishërohet me një qeverisje që del nga zgjedhjet e përgjithshme. Forcat e saj politike kryesore janë UMP (Bashkimi për një lëvizje popullore) PS (Partia socialiste), RPR (Bashkimi për Republikën) etj. Themelet e organizimit politik dhe administrativ të Francës së sotme janë vendosur që më 1958 me Kushtetutën e Republikës së Pestë. Në nenin e parë të saj thuhet: « Franca është një Republikë e pandashme, laike, demokratike dhe sociale ». Më 2003 këtij neni i janë shtuar elemente të reja. Më6 maj 2012, president i Republikës zgjidhet socialisti François Hollande. Periudha bashkëkohëse dallohet për përpjekje të mëtejshme të bashkimit gjuhësor dhe kulturor, për një pasurim të vendit dhe për një migracion të shumtë që vjen nga Europa, por edhe nga Afrika dhe Azia.

Burimet: Teksti i historisë së Francës dhe statistikat INSEE.