Fatos Çoçoli/ Reforma dhe institucionet e pavarura

543
Rreth një vit e dy muaj më parë, Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Shulc në vizitën e tij në Tiranë dha për ne të fortë e të qartë mesazhin se garantimi i institucioneve të pavarura dhe zbatimi i reformës në drejtësi japin çelësin e suksesit për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Tani që me votimin e 21 korrikut, zbatimi i reformës në drejtësi është ngjarje e sigurtë, mbarë politika e vendit duhet të kujdeset për mbrojtjen dhe forcimin e institucioneve të pavarura shqiptare. Ato janë asete të padiskutueshme të demokracisë në vend dhe garantojnë të ardhmen e shtetit shqiptar. Ato nuk mund të jenë preja e inatit apo mërisë së askujt, sado lart të ndodhet në piramidën shtetërore. Edhe pse me reformën në drejtësi Prokuroria shqiptare ndryshon mjaft, baza e shëndoshë e saj, puna e mirë e prokurorëve në terren, duke mos e parë me syze politike e partiake, duhet vlerësuar. Po ashtu edhe puna e jashtëzakonshme e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave(ILDKPKI), duhet vlerësuar dhe përkrahur nga në të gjithë. Aleati më i fortë gjatë gjithë kësaj kohe për reformën në drejtësi dhe ndëshkimin e politikanëve dhe gjyqtarëve të korruptuar ka qenë pikërisht ILDKPKI. 

Vetëm për vitin e kaluar, ky institucion i pavarur ka dërguar 82 kallëzime penale në prokurori, nga të cilat 25 janë kthyer në gjyqe për personat e kallëzuar. Nga puna e Inspektoratit nga seancat gjyqësore kanë dale 3 vendime me burgim dhe 17 gjoba. Midis të kallëzuarve penalë të ILDKPKI-së janë 12 gjyqtarë, 2 prokurorë dhe 6 deputetë. Ky institucion ka kontribuar më shumë nga të gjithë të tjerët në kauzën e dekriminalizimit të të zgjedhurve qoftë në Kuvend, qoftë në pushtetin vendor. Një tjetër institucion që tashmë ka mbi 4 vite që ka shpalosur të plotë pavarësinë dhe profesionalizmin është Kontrolli i Lartë i Shtetit, me raportet dhe kallëzimet e tij penale kundër qindra abuzuesve me pronën publike dhe paratë e taksapaguesve. Progres Raportet e fundit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë të viteve 2014-2016 rekomandojnë se duhen ndërmarrë hapa edhe më të fuqishëm e konkretë për forcimin e pavarësisë dhe veprimtarisë së këtyre institucioneve në një proces gjithëpërfshirës reformash. Ato vënë në dukje nevojën për të garantuar zbatimin efektiv të legjislacionit në fuqi, si dhe profesionalizmin, funksionimin dhe pavarësinë e këtyre institucioneve. Është e domosdoshme që me ndihmën e programeve të ndihmës së Bashkimit Evropian të realizohet verifikimi dhe vlerësimi i kuadrit të përgjithshëm ligjor, si dhe organizimi individual institucional i këtyre institucioneve, me qëllim forcimin e pavarësisë dhe funksionimit normal të tyre. 

Ka ardhur sërish koha që ekspertë të pavarur të programeve dhe Shteteve Anëtare të BE-së të identifikojnë masat konkrete që synojnë të rrisin pavarësinë, transparencën, profesionalizmin dhe besimin publik të këto institucione, si dhe mbushjen e boshllëqeve ekzistuese në kuadrin e përgjithshëm legjislativ dhe në strukturat e tyre institucionale. Sidomos lufta e thelluar ndaj korrupsionit kërkon sinergjizimin e veprimtarisë së këtyre institucioneve, pasi arritjet individuale të gjithsecilit janë shumë pak dhe shumëfishohen, vetëm nëse koordinohen me veprimtarinë dhe arritjet e institucionit tjetër të pavarur. Përparësitë e sotme të reformës në drejtësi në asnjë mënyrë dhe kohë nuk duhet të anashkalojnë apo sjellin në plan të dytë misionin, vlerat dhe arritjet e institucioneve të tilla të pavarura të Shqipërisë. Ato përbëjnë shtyllën kurrizore të besimit publik se ky vend mund të bëhet. Puna e tyre, e inkuadruar natyrshëm në punën dhe rezultatet e strukturave të reja të reformës në drejtësi, do të sjellë shtetin e së drejtës dhe besimin e humbur të qytetarëve shqiptarë tek institucionet shtetërore.
Sigal